Wednesday, August 3, 2011

Ngërçi politik mbetet një pengesë e madhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE

Irena Tatarzynska, ambasadorja e Polonisë në Tiranë
Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Irena Tatarzynska, ambasadorja e Polonisë në Tiranë

Shqipëria, ashtu si cilido vend aspirant për t’u anëtarësuar në BE, duhet të plotësojë një sërë kushtesh. Intervistë eskluzive për Radion Deutsche Welle me ambasadoren e Polonisë në Shqipëri, Irena Tatarzyńska.

DW: Zonja Ambasadore duke patur parasysh vendet aspirante nga Ballkani Përendimor për anëtarësim në BE, si është atmosfera në Bruksel aktualisht kur vendi juaj ka Presidencën e rradhës? Ka më shumë hezitim e dyshime apo optimizëm për zgjerimin me anëtarë të rinj nga rajoni ynë?

Irena Tatarzyńska: Polonia si vendi që me rotacion ka Presidencën e rradhës së BE-së, ashtu si dhe vendet anëtare, gjithmonë kanë qënë në mbështetje të zgjerimit. Polonia do të bëjë gjithçka që strategjia e zgjerimit e BE të shkojë përpara në periudhën e Presidencës. Por duke qenë realistë, në sfidat globale dhe ato të BE përballë krizës ekonomike e financiare ka dhe qarqe të ndryshme në shoqëritë e vendeve anëtare që mundet të ndjehen paksa të lodhur nga kjo. Nuk do të thotë se ato nuk janë të hapura për procesin e afrimit të vendeve të tjera në grupshtetet e BE-së. Me anëtarë të rinj, duke ju referuar dhe vendeve të Ballkanit Përendimor kur ato të kenë plotësuar kushtet, BE-ja do të ndjehet më e bashkuar dhe më e sigurtë, që nënkupton më e stabilizuar. Janë dy procese që ecin paralelisht. Së pari, angazhimi total dhe serioz në BE për të kaluar vështirësitë ekonomike dhe financiare, për të cilat po punojmë bashkarisht me programe dhe strategji konkrete. Së dyti, është çështja e zgjerimit të BE-së me anëtarë të rinj. Cilido vend aspirant duhet të tregojë sinjale pozitive në arritje dhe hapa konkretë që përmbush. Shoqëritë dhe qarqe të ndryshme në shtetet anëtare të BE-së duhet t'i ndjejnë këto sinjale e arritje, si të thuash t'i prekin këto reforma që bëhen në shtetet aspirante.

DW: Sa shanse ka Shqipëria që brenda presidencës polake të arrijë të marrë statusin e vendit kandidat për në BE?

BE dhe Presidenca Polake në mbështetje të procesit integrues të Shqipërisë

Irena Tatarzyńska: Dëshiroj që të fokusohem më shumë tek elementët pozitivë të procesit. Shikoni, Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s që është në procesin integrues për në BE në përpjekje për të plotësuar kushtet e nevojshme. Shanset që vendi të marrë statusin e kanditatit për BE janë tërësisht në dorën e shqiptarëve. Është një rregull i përgjithshëm për cilindo vend aspirant që vlerësohet nëse do të jetë ose jo anëtar i BE-së vetëm në bazë të meritave. Kur do të përmbushen detyrimet? Kuptohet që kjo është në dorën e politikanëve shqiptare dhe të qeverisë. Bashkimi Evropian dhe Presidenca Polake në mënyrë aktive dhe të pandërprerë janë në mbështetje të procesit integrues të Shqipërisë. Dhe ajo që pritet është plotësimi i kushteve që janë të qarta nga pala shqiptare duke i shoqëruar angazhimet në deklarata e dokumente me rezultate konkrete dhe të prekshme. Pra kjo kërkon në rradhë të parë përkushtimin e vendit aspirant. Ja të marrim rastin e vendit tim, kur Polonia ishte në fazat e aplikimit dhe plotësimit të detyrimeve që na dilnin nga anëtarësimi në BE. Nga i gjithë opinioni, nga politikanët, nga aktorët socialë ka patur një shprehje devotshmërie për të bërë gjithçka që Polonia të ishtë një ditë vend anëtar i BE-së.

    Ambasada polake në TiranëBildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Ambasada polake në Tiranë

DW: Zonja Ambasadore, duke ju kthyer zhvillimeve aktuale në Shqipërie vihet re se dhe pas zgjedhjeve lokale situata politike është si në vendnumëro. Mazhoranca dhe opozita nuk japin shenja për riuljen në bisedime për gjetjen e zgjidhjeve konsensuale. Kjo marrëdhënie e tensionuar dhe mosbesimi sa ndikon në procesin e integrimit të vendit në BE?

Eshtë koha për tu fokusuar tek çështjet kyçe të integrimit

Irena Tatarzyńska: Duhet ta them se pikërisht ngërçi politik mbetet një pengesë e madhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Mungesa e një dialogu mes palëve vijon qysh pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009. Shqipëria, ashtu si cilido vend aspirant për t'u anëtarësuar në BE më parë dhe tani, duhet të plotësojë një sërë kushtesh. Jashtë ose tutje plotësimit të këtyre kushteve nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të fituar statusin e vendit kandidat, apo më pas për t'u antarësuar me të drejta të plota në BE. Tani që zgjedhjet lokale për Tiranën janë një kapitull i mbyllur mendoj se është koha për t'u fokusuar tek çështjet kyçe të integrimit, për të bërë të mundur përgjigjen pozitive për 12 aspektet e indentifikuara nga Komisioni Evropian për Shqipërinë. Gjykuar në aspektin teorik them se nuk ka asnjë vështirësi në arritjen e këtyre objektivave. Kjo për vetë ekzistencën e një klime mbështetjeje në shkallë të gjerë të opinionit të brendshëm shqiptar për procesin e integrimit në BE, por dhe sepse këtë proces partitë kryesore në vend e kanë shpallur prej kohësh si prioritetin e prioriteteve në progamet e tyre sa i takon pjesës për politikën e jashtme.

DW: Nga faktori ndërkombëtar por dhe nga zëra të shoqërisë civile brenda vendit po kërkohet realizimi i reformës elektorale nëpërmjet një fryme bashkëpunuese e konsensusi mes aktorëve politikë kryesorë. Sa rëndësi ka ky moment dhe për atë që konsiderohet si plotësim “i detyrave të shtëpisë” nga Shqipëria për integrimin evropian?

Irena Tatarzyńska: Zgjedhjet janë një faktor determinant në vendosjen e shtetit ligjor dhe të demokracisë. Çdo qytetari duhet t'i sigurohet e drejta e votimit, duhet t'i sigurohet zhvillimi i një procesi transparent dhe i ndershëm për palët. Në themel të këtij aspekti qëndron hartimi dhe miratimi i një kodi elektoral që garanton zgjedhje të lira dhe demokratike. Ju e kujtoni besoj se ekipi i vëzhguesve ndërkombëtarë që udhëhiqet nga OSBE/ODIHR-i qysh në përfundim të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 shpalli një sërë rekomandimesh të nevojshme dhe të domsodoshme që përmirësonin procesin dhe mënjanonin pjesë a momente të diskutueshme e të kontestueshme nga palët. Për fat të keq kjo reformë nuk u arrit të bëhej para se të zhvilloheshin zgjedhjet lokale të këtij viti. Për zgjedhjet lokale ne ende nuk kemi një raport final nga OSBE/ODIHR-i. Por nga ato që janë thënë në raportet paraprake të vëzhguesve ndërkombëtarë, apo nga qëndrimet e qarta të muajit të kaluar të Baroneshës Ashton dhe Komisionerit Fyle është shprehur shqetësimi për frymën kontraverse dhe të polarizuar që është mbajtur ndaj vendimeve që janë marrë nga KQZ apo Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit në Tiranë. Ata janë shprehur qartë për problematikën e procesit në Tiranë dhe nevojën e përmirësimit të kuadrit ligjor elektoral. Në mënyrë të qartë nga komuniteti ndërkombëtar është apeluar disa herë që përmirësimi i kodit të bëhet në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Këto qëndrime tregojnë qartë për rëndësinë që ka realizimi i reformës zgjedhore në Shqipëri.

Intervistoi: Arben Muka

Redaktoi: Mimoza Kelmendi

No comments: