Saturday, August 6, 2011

Historia e agjërimit në fetë e tjera

Si njëri prej adhurimeve, agjërimi ka ekzistuar, me disa ndryshime, në të gjitha periudhat e historisë. Ndërkaq, këto ndryshme kanë ndodhur në disa çështje lidhur me hollësitë e agjërimit. Mund të thuhet se pothuaj në të gjitha fetë e shkuara ka pasur agjërim ose një adhurim të ngjashëm me agjërimin, pavarësisht nga forma, koha, synimi dhe përbërja. Për shembull, thuhet se keltët kanë agjëruar, se meksikasit e vjetër, peruanët, babilonasit dhe asurianët i kanë dhënë rëndësi agjërimit.

Argumenti më i madh për ekzistencën e agjërimit edhe para Islamit, është ky ajet: “O ju që keni besuar! Ashtu siç u bë farz për të parët tuaj, agjërimi u bë farz edhe për ju që të ruheni (nga mëkatet)!”[1]

1. Agjërimi në hebraizëm

Në hebraisht, agjërimit i thonë tanit. Eshtë fjalë që rrjedh nga rrënja teanet që do të thotë mundim i vetes.

Në hebraizëm ka shumë lloje agjërimesh. Më i rëndësishmi prej tyre është agjërimi Kipur (i shëlbesës) i detyrueshëm që mbahet në ditën e dhjetë të muajit të shtatë hebraik. Ky agjërim është urdhëruar me sentencat kategorike të Teuratit (Torës).

Për hebrenjtë (çifutët), Kipur është dita e madhe e agjërimit. Eshtë dita e pendimit dhe faljes. Këtë ditë, Jehovai i pranon pendesat e çifutëve mëkatarë dhe i fal ata.[2] Në të njëjtën kohë, ka mundësi që agjërimi i kësaj dite të jetë shëlbesë (falje) e çifutëve për mëkatin e adhurimit të viçit nga ana e tyre. Pra, ata festojnë amnistinë e dhënë atyre pas pendimit për këtë faj. Sipas kalendarit hebraik, ky agjërim bie në ditën e dhjetë të muajit të parë të vitit, Tishri (tetor). Agjërimi në atë ditë është detyrim. Atë mbrëmje hahet mirë dhe pastaj fillon agjërimi që zgjat gjithë atë natë gjer të nesërmen mbrëma kur të shfaqen dy yjet e parë, që do të thotë rreth 25 orë.[3] Gjatë kësaj kohe ngrënia është krejt e ndaluar.

Këtë ditë duhet që çifuti ta kalojë gjithë kohën me agjërim dhe adhurim ashtu siç kalon jeta e engjëjve. Nëntë ditët e para quhen ditë të pendesës. Gjatë këtyre ditëve, çifutët pastrohen në mënyrë të mjaftueshme nga mëkatet.[4]

Agjërimi i ramazanit i detyruar për muslimanët ka qenë urdhëruar në të njëjtën masë edhe për hebrenjtë dhe krishterët, por më vonë, ashtu siç e prishën çdo gjë, hebrenjtë e prishën edhe këtë agjërim duke e zbritur vetëm në një ditë në vit.[5]

Sipas një rivajeti, kur profeti Musa ndodhej në Egjipt, Allahu u premtoi bijve të Izraelit se, po ta shkatërronin armikun, do t’u dërgonte një libër. Pas shkatërrimit të faraonit, profeti Musa iu lut Allahut t’ua dërgonte librin e premtuar. Allahu e urdhëroi profetin Musa të agjëronte 30 ditë (të muajit Dhilkade) dhe pastaj edhe 10 ditë të tjera (të muajit Dhilhixhe), duke plotësuar, kështu, 40 ditë agjërim. Tridhjetë ditët qenë ditë agjërimi, kurse dhjetë ditët e tjera, ditët e afërsisë dhe pëlqimit dhe, më në fund, të zbritjes së Teuratit dhe bisedës mes Zotit dhe profetit Musa.[6]

Veç kësaj, sipas të dhënave të nxjerra nga Teurati, pas shkuarjes në Babiloni, izraelitët agjëronin, veç agjërimit të detyrueshëm, edhe disa ditë të tjera të vitit për të kujtuar disa ngjarje të hidhura të historisë së tyre. Këto agjërime ata i emërtonin me numrat e muajve të kalendarit hebraik kur patën ndodhur. Katër agjërime të mëdha prej këtyre lidhen me shkatërrimin e Jerusalemit dhe ngjarje të tjera të hidhura.[7]

1) Agjërimi i 17 korrikut. Ky është agjërimi i mbajtur më 17 të muajit të katërt të kalendarit hebraik për të kujtuar ngjarjen “Orshelim”, rënien e kalave të Jerusalemit.

2) Agjërimi i 9 Ab-it (gushtit). Ky agjërim mbahet më 9 të muajit të pestë të kalendarit hebraik. Eshtë ditë matemi që përkujton shembjen e tempujve të parë e të dytë dhe eksodin e dhjetë të bijve të Izraelit. Te hebrenjtë (izraelitët ose çifutët), muaji Ab është muaji i pestë i kalendarit fetar. Bie pjesërisht në korrik e, pjesërisht, në gusht. Dita e nëntë është shumë e rëndësishme sepse u kujton hebrenjve përvjetorin e shembjes së tempullit të parë nga Buhtunnasr-i dhe të tempullit të dytë, nga romakët. Në sinagogat ortodokse mbahet agjërim i rreptë, hiqen zbukurimet dhe stolitë dhe ceremonitë vazhdojnë me këngë matemi të marra nga libri i elegjive.[8]

Disa çifutë fanatikë i respektojnë tri javët ndërmjet 17 korrikut dhe 9 gushtit si ditë të një sakrifice të madhe, nuk hanë mish, nuk pinë pije alkoolike, bëjnë shumë të mira. Në disa vende ky lloj agjërimi mbahet dhjetë ditë para 9 gushtit.[9]

3) Agjërimi i 3 Tishrit (tetorit). Edhe pse është agjërimi i muajit të shtatë fetar, ky agjërim është i njohur me emërtimin “agjërimi xhedelja”. Xhedelja ka qenë emërtuar nga Niozorada si guvernator hebre në Jerusalem, ku është vrarë nga pushtimi i huaj. Meqë Xhedelja mbahet si një nga dhjetë dëshmorët hebrenj, dita e vrasjes së tij është caktuar për agjërim. Ky agjërim mbahet shtatë ditë para Jom Kipurit.[10]

4) Agjërimi i 10 Tibetit (janarit). Ky është agjërimi i muajit të dhjetë fetar që përkujton fillimin e rrethimit të Jerusalemit.

Veç këtyre janë edhe agjërime të tjera që mbahen nga hebrenjtë (izraelitët, çifutët) kohë pas kohe. Ne do të mjaftohemi duke dhënë vetëm emërtimet e tyre.[11]

1. Agjërimi Ester.[12]

2. Agjërimi për lindjen e fëmijës së parë mashkull.

3. Agjërimi i ditës së vogël Kipur.

4. Agjërimi i heshtjes.

5. Agjërimi që mban dhëndërri ditën e martesës.

6. Agjërimi në ditën e përvjetorit të vdekjes së prindërve.

7. Agjërimi para hënës së re.

8. Agjërimet e riteve të mëdha fetare.

9. Agjërimet e mbajtura disa herë për të protestuar urdhrat e rënda të rabinëve për popullin.[13]

Te hebrenjtë, agjërimi fillon me zbradhjen dhe vazhdon gjer në mbrëmje kur dalin dy yjet e parë. Agjërimi i Ditës së Shëlbesës dhe i 9 gushtit, ndryshe nga kjo, zgjasin nga një mbrëmje në tjetrën. Nuk ka ndonjë urdhër të veçantë apo traditë për agjërimet e zakonshme. Por ka nxitje dhe shtytje për të dhënë lëmoshë, për të ushqyer të varfërit, veçanërisht për ta shpërndarë gjellën tradicionale të mbrëmjes. Nëntë ditët e para të gushtit dhe disa ditë ndërmjet 17 korrikut dhe 10 gushtit janë ditë kufizimi në të ngrënë, gjatë të cilave nuk hahet mish e nuk pihen pije alkoolike.[14]

2. Agjërimi në kristianizëm

Në burimet mbi agjërimet e krishterëve hasim në këto veçori.

Para profetësisë, Hz. Isai mbante dyzet ditë agjërim. Veç kësaj, sipas një pikëpamjeje të parapëlqyer, mbante edhe agjërimin e shëlbesës që ishte detyrim te hebrenjtë. Profeti Isa nuk ka vënë konkluzione të veçanta mbi agjërimin.

Pas Reformës, kisha anglikane i përcaktoi dhe vendosi ditët e agjërimit, por nuk vuri legjislacionin përkatës që duhet të respektonte agjëruesi, duke ia lënë këtë ndërgjegjes dhe ndjenjës së përgjegjësisë së agjëruesit.[15]

Profeti Isa u jep këto porosi apostujve të tij mbi agjërimin: “Kur të agjëroni, mos u bëni fytyrëngrysur si hipokritët. Sepse hipokritët e ngrysin fytyrën dhe tregohen të lodhur për t’u treguar të tjerëve se agjërojnë. Por t’ju them të drejtën, ata e kanë marrë shpërblimin për këtë. Kurse ju, kur të agjëroni, lajeni fytyrën dhe lyejeni kokën me vaj. Ju duhet t’u tregoni njerëzve hapur se mbani agjërim, por vetëm në mënyrë të fshehtë Atit tuaj dhe Ati juaj që e sheh të fshehtën, do t’ju shpërblejë ju haptazi!”[16]

3. Agjërimi në fetë e tjera

Agjërimi me qëllim pastrimin e vetvetes, i mbajtur në induizëm, mbahet në ditë dhe festa të caktuara të vitit. Çdo sekt i ndjekësve të induizmit ka ditë të posaçme që kalohen me lutje dhe adhurime. Në këto ditë, shumica nuk ha ushqim dhe gjithë natën e kalon me leximin e librave të quajtur të shenjtë dhe me ndjerjen e Zotit. Ka edhe ditë të posaçme gjatë të cilave agjërojnë vetëm femrat (gratë).

Brahmanët ende mbajnë agjërim në ditët e njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë të muajve lokalë, kështu që numri vjetor i ditëve të agjëruara arrin në njëzet e katër.

Feja “zhainizëm” në Indi përmban kushte dhe rregulla më të rënda; ndjekësit e kësaj feje mbajnë dyzet ditë me radhë agjërim.

Në egjiptianët e vjetër, agjërimi duket pranë ditëve të festave. Agjërimi te grekët, i mbajtur në ditën e tretë të muajit “Themsufirja”, ishte i posaçëm vetëm për femrat (gratë). Edhe në librat e zoroastrianëve nuk mungojnë urdhrat dhe nxitjet për të mbajtur agjërim, edhe pse kufizohen për grupe të caktuara.[17]

4. Agjërimi në periudhën pagane paraislamike

Mes arabëve, koncepti i agjërimit ekzistonte edhe para se agjërimi të bëhej detyrim. Madje edhe Profeti pati mbajtur agjërimin e ditës së Ashures dhe pati urdhëruar mbajtjen e këtij agjërimi. Sipas rrëfimit të Ibni Abbasit, kur Profeti (s.a.s.) arriti në Medine, pa se hebrenjtë mbanin agjërimin e Ashures. Dhe i pyeti: “Ç’është kjo?” Ata i thanë: “Kjo është një ditë e bekuar, dita kur Zoti i shpëtoi bijtë e Izraelit nga armiqtë. Edhe Moisiu pati agjëruar këtë ditë!” Profeti u tha: “Unë jam më afër dhe më i denjë për Musanë se ju!” Dhe pastaj e mbajti agjërimin e asaj dite dhe urdhëroi mbajtjen e atij agjërimi edhe për të tjerët.[18]

Sipas një rrëfimi tjetër, thuhet se në periudhën pagane paraislamike, kurejshët agjëronin ditën e Ashures. Edhe Profeti (s.a.s.) agjëronte. Pas hixhretit (mërgimit) në Medine, Profeti e mbajti vetë këtë agjërim dhe ua urdhëroi edhe sahabeve, shokëve të vet. Më vonë, kur agjërimi i ramazanit u bë farz (detyrim), Profeti e la agjërimin e Ashures. Pastaj, kush dëshironte, agjëronte këtë ditë, kush nuk dëshironte, s’agjëronte.[19]

[1] Bakara, 2/183.

[2] Ahmet Karaman, Dinler Tarihi, f. 145, ‹stanbul, 1975.

[3] Tahir Olgun, Müslümanl›kta ‹badet Tarihi, f. 125, ‹st. 1946.

[4] Prof. Dr. Ahmet Çelebi, Mukayeseli Dinler Aç›s›ndan Yahudilik, f. 326 (përkth. A.M.Büyükç›nar, Ö.F.Harman), ‹stanbul, 1978.

[5] Elmalili Hamdi Yazir, Hak Dini Kur’an Dili, I, 626.

[6] Elmalili Hamdi Yazir, Hak Dini Kur’an Dili, 6/2275.

[7] Tahir Olgun, Müslümanl›kta ‹badet Tarihi, f. 125, 126, ‹st. 1946

[8] Prof. Dr. Mehmet Toplamac›o€lu, Karfl›laflt›rmal› Dinler Tarihi, f. 179.

[9] Olgun Tahir, po aty, f. 125, 126.

[10] Olgun Tahir, po aty, f. 126.

[11] en-Nedvi, Dört Rükun, f. 203.

[12] Tora, Ester, 9/20-32.

[13] Tahsin Feyizli, Islam’da ve Di€er Inanç Sistemlerinde Oruç-Kurban, f. 25-27.

[14] en-Nedvi, Dört Rükun, f. 203.

[15] Nedvî, Dört Rükun, f. 203-205.

[16] Mateu, 6/16-19.

[17] Nedví, po aty, f. 200, 201.

[18] Buhari, Savm, 69; Muslim, Sijam, 111, 112; Ebu Davud, Savm, 63.

[19] Buhari, Savm, 69.

No comments: