Friday, July 15, 2011

VLLAZNIA KA ENDE SHPRESA

15/07/2011 Ndoshta pak kush e kishte menduar atë paraqitje dinjitoze të Vllaznisë ditën e djeshme, por në fakt shkodranëve u ka munguar vetëm një gol në përballjen me Thunin, në ndeshjen e parë të turit të Ligës së Ligës Europës, ku kanë barazuar 0:0. Kjo për faktin se përgjithësisht skuadrat shqiptare në turin e dytë sikur “lëshojnë” shumë terren dhe nuk janë në gjendje të përballojnë kundërshtarë të këtij rangu, plus kësaj shkodranët nuk bënë një paraqitur të mirë, një javë më parë, me maltezët e Birkirkara. Janë këto arsyet që nuk pritej vijë paraqitje e tillë e Vllaznisë, mbrëmjen e së enjtes në tempullin e futbollit shqiptar, në stadiumin “Loro Boriçi”. Shanset dhe mundësitë kuqeblutë i patën për të shënuar të paktën një herë në portën e zvicerianëve, por në fakt, ndonjëherë, edhe fati nuk ishte me ta. Megjithatë edhe miqtë kanë pasur mundësitë dhe rastet e tyre, të cilët, mund të kishin marrë një tjetër rezultat. Pjesa e dytë thuajse foli për vendasit, dhe me atë nivel, që paraqiti Thuni, në ndeshjen e parë apo më mirë të themi me atë paraqitje të shkodranëve në ndeshjen e parë dhe me një gol në avantazh, që në fakt mungoi, në ndeshjen e kthimit Vllaznia do të ishte më e qetë dhe shanset për të shkuar për herë të parë në turin e tretë të një kompeticioni europian do të ishin më të mëdha. Megjithatë edhe kështu nuk i dihet. Futbolli ka të papritura, prandaj shkodranët nuk kanë seç humbin dhe ndoshta mund të ndodhë edhe mrekullia me ndonjë gol në fushë kundërshtare. Gjithsesi këto tani mbeten vetëm në kuadrin e hipotezave dhe të parashikimeve. Gjithashtu pozitive për Vllazninë është, cilido qoftë rezultati i ndeshjes së kthimit, se përballë publikut të saj, mbrëmë ka dhuruar emocione, përmes një lojë përgjithësisht të mirë, me zemër në fushë, por edhe me mjaft emocione.

No comments: