Saturday, July 2, 2011

Topalli në Kiev, kërkon njohje

Jozefina Topalli
Jozefina Topalli

Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet anëtare të Organizatës së Detit të Zi në Kiev të Ukrainës. Thirrja e Topallit ka nxitur reagimin e përfaqësuesve të Serbisë, të cilët e kanë cilësuar jodiplomatik veprimin e zyrtares shqiptare

Nga Express më 02 korrik

Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, u ka bërë thirrje të shtunën vendeve anëtare të organizatës së rajonit të Detit të Zi për bashkëpunim ekonomik (BSEC) që të njohin pavarësinë e Kosovës.

Delegacioni i Kuvendit të Serbisë, që ka marrë pjesë në takimin e kësaj organizate në Kiev të Ukrainës, ka protestuar ndaj thirrjes së Kryeparlamentares së Shqipërisë duke e quajtur si një veprim jodiplomatik të Topallit.

Kryeparlamentarja shqiptare në mbledhjen e Asamblesë së përgjithshme të kësaj organizate, duke marrë rolin e kryesueses, deklaroi se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë pavarësinë Kosovës, ka njoftuar agjencia ukrainase e lajmeve.

Shefi i delegacionit serb në këtë tubim të BSEC-së, Aleksandar Vlahovic, ka deklaruar se përfaqësuesit serbë kanë reaguar menjëherë, duke theksuar se pavarësinë Kosovës e kanë pranuar vetëm tri nga gjithsej 12 anëtare të BSEC dhe se nuk e pranojnë shumica e anëtareve të OKB-së.

Paraqitja e Topallit erdhi vetëm një ditë pasi Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, në samitin e vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Shën Stefan ftoi shtetet pjesëmarrëse që të njohin pavarësinë e Kosovës.

Presioni i shteteve që lobojnë për Kosovën ishte i dukshëm edhe gjatë takimit të paradokohshëm të Komitetit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s, ku thuhet se është zhvilluar një luftë e vërtetë diplomatike ndërmjet grupit të vendeve që e kanë njohur Kosovën dhe atyre që e mbështesin Serbinë.

No comments: