Friday, July 22, 2011

Norvegji, polica konfirmon 7 viktima nga shpërthimi dhe 10 në kampin veror

(I plotësuar) - Në një konferencë për shtyp, kryeministri Jens Stoltenberg u shpreh se fajtorët për këtë ngjarje do të mbajnë përgjegjësitë. Stoltenberg theksoi se “ju nuk do mund të na shkatërroni dot. Ju nuk do mund të shkatërroni demokracinë dhe idealet tona për një jetë më të mirë”. Nga ana tjetër ministri i Drejtësisë tha se për të mësuar më shumë mbi arsyet e këtyre sulmeve do të merret në pyetje i arrestuari, për të cilin tha se ishte vendas.

Zyrtarisht numri i viktimave ka shkuar në 17-të. Shtatë viktima nga shpërthimi me bombë dhe 10 të tjerë nga sulmi me armë në kampin veror. Një dëshmitarë nga ishulli ku ndodhi sulmi me armë tha për televizionin norvegjez NRK se ka evidentuar rreth 20-25 viktima ndërsa policia ka konfirmuar deri tani 10 të vdekur.

Gazeta Nju Jork Tajms raporton se agresori ishte punonjës sigurie kurse policia bën me dije se ai ka lidhje me shpërthimin në qendër të Oslos. Gjithashtu po kjo gazetë raporton se grupi “Ansar al-Jihad al-Alami” ka marrë përgjegjësitë për këtë sulm por sipas BBC ky grup nuk ka të bëjë me këtë sulm. Ndërkohë i arrestuari nga policia si agresori që ka qëlluar mbi të rinjtë është me racë kaukaziane që do të thotë se është evropian.

Së fundmi Norvegjia ishte kritikuar për mos marrje të masave mbrojtëse për parandalimin e terrorizmit. Këtë treguan disa dokumente të publikuara nga Uikiliks. Presidenti i SHBA-së Barak Obama ka bërë thirrje për bashkëpunim global në luftën kundër terrorizmit. Ngjarja tha Obama na kujton se kemi për të detyrë të parandalojmë që të tilla ngjarje të mos ndodhin.

Sulmi me armë ku një person i armatosur dhe i veshur me uniformë policie ka qëlluar mbi disa persona ndodhi një orë pas shpërthimit në qendër të kryeqytetit. Ngjarja ka ndodhur në periferi të Oslos në ishullin Utoya ku po zhvillohej një kamp veror me mbështetëstit e rinj të partisë laburiste. Të pranishëm në këtë takim ishin rreth 500 persona nga mosha 15 deri në 25. Në këtë takim pritej të merrte pjesë dhe kryeministri i Norvegjisë dhe besohet se shpërthimi dhe sulmi janë të lidhura bashkë.

Ndërkohë ushtria ka marrë pozicion përreth Oslos ndërsa në ambientet e takimit të të rinjve të partisë laburiste mendohet se mund të jetë vendosur eksploziv dhe kjo është arsye që policia nuk mund të konfirmojë numrin e të vrarëve.

SHPËRTHIMI - Gazeta norvegjeze Dagbladet raporton se shpërthimi pranë ndërtesës së qeverisë është shkaktuar nga plasja në seri dhe në mënyrë të sinkronizuar të makinave-bombë. Si pasojë qendra e kryeqytetit ngjan me një zonë lufte. Shpërthimin me bombë e ka pranuar dhe policia ndërkohë që nuk bëhen të ditura detajet.

Pas shpërthimit ajo ka urdhëruar largimin e qytetarëve nga qendra e kryeqytetit. Kryeministri Jens Stoltenberg në reagimin e parë është shprehur se sulmi është “shumë serioz” por ka shtuar se është herët për të thënë nëse ishte një sulm terrorist.

Sulmi ende nuk ka asnjë përgjegjës por Norvegjia ka qenë pjesë e kërcënimeve pasi si anëtare e NATO-s ajo është e përfshirë në konfliktin në Afganistan dhe së fundmi në Libi.

Dhuna politike është një gjë jo e zakonshme në vendin e njohur për çmimin nobel dhe ndërmjetësimin e konflikteve përfshirë Lindjen e Mesme dhe Sri Lanka dhe ende nuk ka konkluzione se nga mund të ketë ardhur ky sulm.

Mediat norvegjeze sqarojnë se kryeministri nuk ishte në zyrë në kohën kur ndodhi shpërthimi por janë dëmtuar zyrat e kryeministrit dhe të disa ministrave të tjerë. Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 15:30 me orën lokale.

* * * * * *

Lajme të pakonfirmuara nga Oslo flasin për një person të veshur si polic, që ka hapur zjarr ndaj personave që kishte përreth, duke plagosur pesë prej tyre.

Ngjarja, nëse konfirmohet, vjen pas shpërthimit në ndërtesën e qeverisë norvegjeze, të cilin edhe pse kanë kaluar disa orë s’e ka marrë përsipër askush.

Ndërkohë, autoritetet lokale njoftojnë se një numër i pacaktuar personash kanë mbetur ende të bllokuar në ndërtesat e dëmtuara nga shpërthimi, në disa prej të cilave ka rënë edhe zjarr.

Pamjet e televizioneve lokale tregojnë xhama të thyer dhe ndërtesa të dëmtuara nga shpërthimi në lagjen qeveritare, ku kanë rënë edhe zjarre.

Të shtënat me armë zjarri, sipas raportimeve të mediave të huaja, kanë ndodhur gjatë një mitingu elektoral të Partisë së Laburistëve të kryeministrit Stoltenberg.

Një shpërthim i madh trondit Osllon

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur selinë e Qeverisë norvegjeze në Osllo, duke vrarë të paktën dy persona dhe dëmtuar zyrat e kryeministrit Jens Stoltenberg. Policia e qytetit ka bërë evakuimin e banorëve nga zona.

Sekretari norvegjez i Shtetit, Hans Kristian Amundsen, i tha CNN-it se Stoltenberg nuk ishte në ndërtesë në kohën e shpërthimit.

"Mund të konfirmoj se kryeministri është i sigurt. Ai nuk ishte në zyrë dhe tani është duke punuar", tha Amundsen.

Radioja norvegjeze raportoi edhe për disa persona të plagosur.Shkaqet e shpërthimit nuk janë të qarta ende.

Norvegjia, anëtare e NATO-s, ka qenë disa herë objekt i kërcënimeve, sidomos në lidhje me përfshirjen e saj në konfliktet në Afganistan dhe Libi.

Shpërthim në Osllo, dy të vdekur

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur sot në kryeqytetin norvegjez Oslo rreth orës 15.20, pranë selisë qeveritare duke shkaktuar të paktën dy të vdekur dhe tetë të plagosur.

Një zyrtar i policisë njoftoi se shpërthimi ishte prej një bombe, ndërsa priten njoftime zyrtare nga autoritetet mbrojtëse norvegjeze.

Raportimet e mediave ndërkombëtare bëjnë me dije se në një prej qyteteve të më qeta të botës, në këto momente ka probleme dhe kaos. Të gjitha rrugët që të cojnë në qendër janë të bllokuara, ndërsa në vendin e shpërthimit duken qartë ndërtesat e dëmtuara, xhamat e thyer dhe dëme të tjera materiale.

Ajo që dihet me siguri është se në momentin e shpërthimit kryeministri Jens Stoltenberg, nuk ndodhej në zyrën e tij.

Ndërsa disa burime të tjera thonë se shpërthimi ka ndodhur mes Ministrisë së Financave dhe zonës ku ndodhet selia e tablodit të famshëm norvegjez "VG".

Një ekspert vendas i terrorizmit, i intervistuar nga televizioni shtetëror NRK, ka deklaruar se ndoshta mund të bëhet fjalë për një atentat terrorist te planifikuar.

No comments: