Thursday, July 7, 2011

Grass kritikon gazetarët.


Günter Grass duket tamam ashtu si e njohim nga ekranet televizive. Në foltoren në Hamburg, prej nga flet për gjendjen e gazetarisë në Gjermani, duket si një president. Derisa kërkon më shumë kritikë, përmend sensacionalizmin që ka përfshirë gazetarinë.Salla është përplot, dhe disa gazetarë janë ulur edhe në dysheme. Nobelisti gjerman, Günter Grass, flet pa qime në gjuhë."Për ju interesantja ka përparësi ndaj relevantes”, është ndër kritikat qendrore të tij. Gazetarët, pra ne, nuk koncentrohemi sa duhet në atë që është me rëndësi, dhe që ka thelb, por i shpenzojmë fjalët, fjalitë, madje edhe citatet e tëra, për të shkruar, për shembull, për këpucët që mbathë dikush, dhe merremi me çështjen nëse ato përshtaten me pantallonat e dikujt. Kjo është një praktikë e përditshme në gazetarinë gjermane, është i bindur Grass.


"Një gazetari e tillë është përhapur dhe e ngarkuar me sensacione”, tërheq vërejtjen Grass, me gishtin tregues të ngritur lartë.

"Titujt (televiziv) janë më të rëndësishëm sesa raporti që pason”, vazhdon ai. Kjo, ngase del se paralajmërimet e shkurtra janë më të rëndësishme se analiza kritike e, për shembull, ndryshimeve klimatike, reformës së Bundeswehr’it, apo e fuqisë me të cilën disponojnë sot lobuesit e koncerneve farmaceutike. Gazetarët e tillë Grass pohon se nuk i do në asnjë mënyrë, andaj edhe do të kërkonte që atyre t’iu mbyllej rruga për në Bundestag, ashtu që të mos mund të hyjnë fare në të.

"Kjo nuk është aq ide e keqe”, komentoi një gazetar i ulur në dysheme, derisa po përcillte ligjëratën e Grass.

Ndërkohë, Grass iu kthye gazetarisë së shkruar.

Gazetat ditore i akuzon për “bulevardizim”, ngase ato gjithnjë e më shumë po marrin formën e gazetave bulevradeske. Gazetarëve të rinj ua përkujton se nuk janë të pavarur sa duhet, dhe se po kultivojnë njëlloj “kulti të të menduarit si nëpunës”. Gjenerate e re e gazetarëve të pranishëm në sallë, në mesin e të cilëve kishte shumë të diplomuar në gazetari, dhe me një praktikë bukur të gjatë pas vetes, megjithëse ende kishin kontrata me kohëzgjatje të caktuar, u prekën paksa nga fjalët e Grass.

Deformimet në shoqëri

Günter Grass konsideron se ka shumë deformime ndaj të cilave gazetarët duhet të reagojnë. Demokracia, rëndësinë e së cilës gjenerata e tij e kuptoi me mjaft mund dhe për bukur shumë kohë, tani është e kërcënuar nga kapitalizmi i papërmbajtur, nga fuqi e bankave dhe nga rritja e pandalshme e borxheve. Marrë parasysh fuqinë e tyre, politikanët shumë shpejt hoqën dorë nga ekonomia e tregut, e bazuar mbi principet sociale. Dallimet klasore janë gjithnjë e më të dukshme dhe më të thella. Si rezultat e gjithë kësaj, del se “qytetarët po ia kthejnë shpinën demokracisë”, theksoi Grass. Si rrjedhojë, si bashkëfajtorë për të gjitha këto dukuri, Grass i cilësoi edeh gazetarët, të cilët nuk janë sa duhet kritikë, nuk bëjnë pyetjet e duhura dhe nuk pyesin thellë sa duhet. Grass shtoi edhe atë se, përmes kësaj ligjërate nuk dëshiron të nxisë revolucion, por vetëm të shtrojë pyetjen e arsyeshmërisë së sistemit.

Një prej të pranishmëve ia ktheu se zërin e ka tejet të bukur, aq sa të rrëfejë “përralla për natë të mirë”. Kjo, ngase gazetari assesi nuk donte të pranonte se “është bashkëfajtor për rënien, gjegjësisht erozionin e demokracisë”, siç sugjeroi Grass. Një gazetar tjetër ndërkaq ironizoi: “Grass nuk dashka të nxisë revolucion! Mëkat!”

Shkrimtari i njohur, megjithatë vazhdoi me kritika.

"A mos e teprova? Nëse po, atëherë jo aq sa duhet”.

Grass theksoi se përmendi vetëm disa prej dobësive shoqërore, gjegjësisht vetëm disa gjëra që gazetarët i anashkalojnë. Sepse, ai ka edhe shumëçka tjetër për të thënë, si për shembull për fuqinë e koncerneve mediale, ose për ‘talk-show’ e stërmërzitshme televizive. Edhe pse nuk u ndal krejtësisht. "Ju folët për ato që e kemi në shpirt, z. Grass”, tha një gazetar i menduar. "Atëherë, sigurisht që gabova diku”, a ktheu Grass.

Sidoqoftë, pas përfundimit të ligjëratës, Grass braktisi sallën, doli në një rrugë të Hamburgut të lagur nga shiu, dhe hyri në taksi. Me llullë në dorë, dhe me këpucë që i përshtateshin për mrekulli me pantallona. Ky detaj i raportit sigurisht që s’do t’i pëlqente. Por, është shumë interesant sa për të mos qenë relevant. Apo jo? (DW)

No comments: