Tuesday, June 14, 2011

Sa i pasur qe mbreti Zog dhe jeta prej kurnaci

Mbi pasurinë e mbretit Zog u bë një bujë e madhe, mbi sasinë e saj sa dhe mbi origjinën e saj. U tha se pasuria ishte jashtëzakonisht e madhe: 100.000.000 lira stërlina ishte një nga shifrat që dëgjova njëherë dhe më duket se një shifër e këtillë është jashtë çdo logjike. Asnjëri përveç mbretit Zog nuk e dinte se sa para kishte me të vërtetë. Por do të bazohem mbi fjalët e tij, pasuria e tij e mbyllur në kasat e famshme së bashku me xhevahiret e motrave të tij nuk kapërcente 100.00 lira. Por për hesapin tim kjo shifër minimum ka kaq saktësi sa dhe shifra që përmenda më sipër. E vërteta është midis këtyre dy ekstremeve. Kur u largua Mbreti dhe qeveria nga Tirana morën me vete një shumë parash nga arka e shtetit. Nuk kam dijeni direkte për sasinë e marrë, por Mbreti na ka thënë gjithmonë se ishte rreth 470 000 franga ari. Ata që kanë sado pak dijeni mbi financat e shtetit tonë e kuptojnë se do të ishte çudi e madhe sikur arka shtetërore të kishte ndonjë shumë më të madhe në një çast të caktuar

Më poshtë do të jap një çmim aproksimat (të përafërm) të shpenzimeve që pashë të bëjë mbreti Zog dhe disa elementë të tjerë, prej të cilëve njeriu mund të krijojë një ide mbi pasurinë e tij. Por duhet të bëj dikat se mbreti Zog kishte idera ekonomike të veçanta dhe pra shpenzimet e tij s’duhet të merren si bazë për kapitalin e tij se mund të bëhet me njerëz normalë. Sidoqoftë për atë që na intereson ne këtu fakti mbetët një pasuri private sado e madhe s’mund të përballonte nevojat e një shteti.

A ishte pasuria e mbretit Zog private?!

Asnjëri s’beson se këtë pasuri mbreti Zog e kishte të vetën nga trashëgimi ose nga fitime të ndershme. Familja e mbretit Zog nuk ishte nga të pasurit e vendit. Vetë, me të gjithë magalomaninë e tij, ma ka pohuar shumë herë këtë fakt. Vjen fjala, z. Shefqet Verlaci ishte shumë më i pasur se ai. Pretendonte se kishte një pasuri tokësore të madhe, por vetë Mbreti pohonte se ajo nuk i solli kurrë gjëra të mëdha. Një përjashtim ishte pylli i cili u shit tri a katër herë duke sjellur gjithsej 100.000 napolona. Vetë mbreti Zog duke më treguar shumë herë këtë histori pranonte pa rregullimin e shitjeve të ndryshme dhe batakçillëkun e tij. Kështu kujtoj se çdo farë pasurie që kishte mbreti Zog do të jetë zor për të, të provojë se e fitoi pa përdorur influencën e shtetit. Të ardhurat e tij private dhe rroga e tij shtetërore nuk ishin të tilla sa t’i lejojnë të bëjë shumë ekonomi, megjithëse ka jetuar gjithnjë në mënyre shumë kurnace. Duhet që një shumë mjaft e majme të këtë ardhur prej një burimi tjetër. Por kjo është vështirë të provohet. Por edhe sikur të provohet s’mund të quhet as vjedhje as prevetim, përveç prej demagogëve. Dhe s’ka mënyrë ligjore që kopjuesi të quhet si pasuni e shtetit. Mbetet pra një pasuri private pavarësisht nga gjykimi moral mbi mënyrën e krijimit të saj. Përsëri një pasuri e tillë s’mund të jetë e madhe sepse Shqipëria s’ka pasur allishverish të madh. Natyrisht të vobektit një pasuri prej 1000.000 lira stërlina i duket kolosale, por nuk është gjë në barazim me nevojat e një shteti qoftë edhe të vogël si Shqipëria.

Një fjalë e përhapur dhe e thënë me insistim është që mbreti Zog iku nga Shqipëria duke marrë me vete “thesarin e shtetit”, “gjakun e popullit shqiptar” dhe “milionat e shtetit”.

Çdo njeri që jetoi në Shqipëri dhe është nga Shqipëria e di fort mirë që kurrë arka e shteti në Tiranë s’kishte “thesare” apo “miliona”. Edhe mbreti Zog me “kusarët” e tij, s’mund të merrte më shumë se sa kishte arka. Kështu që shuma e marrë s’mund të ishte me të vërtet e madhe. Mbreti Zog na tha shumë herë se ai mori me vendimin e qeverise 470.000 fr. shqiptare. Nuk mendoj se arka e Tiranës ka pas më shumë se aq. Mbreti Zog u akuzua pse i mori këto para. Përgjigjja më e mirë është ajo që dha avokati i tij kur e mbrojti kundër gazetës “Daily Sketc”: “Mos duhej t’ia linte Italisë ato para?”

Sa për përdorimin e këtyre parave kujtoj se mbreti Zog mund të provojë shumë kollaj se i harxhoi duke paguar oficerët dhe nëpunësit e shtetit që dolën bashkë me të. Kështu që edhe akuza mbi përdorimin e tyre nuk pi ujë.

Le të shikojmë si e përdori këtë pasuri mbreti Zog, jashtë nevojave të tij personale dhe familjare. Mbajti dy legata tre katër sekretare, një përfaqësi në Amerikë, për çdo kohë dhe bëri disa harxhime për propagandë, përveç ndihmës që u dha disa oficerëve. Nga shërbimet jo personale kujtoj se vetëm shpenzimet e propagandës dhe mbajtja e Legatave i shërbeu çështjes kombëtare me të vërtetë. S’ka dyshim se dhe këto dy shërbenin gjithashtu për qëllime politike të mbretit në pikëpamjen e tij mbi fronin, por s’mund të bëhej ndryshe, sepse shteti përfaqësohej prej tij. Pastaj është jashtë realitetit t’i kërkohet mbretit Zog të bëjë diçka pa pasur interes personal të vogël ose të madh të afërm ose të largët, pse nuk është njeriu i këtij karakteri. Por mbetet fakti që duke mbajtur legatat mbajti funksionin e shtetit shqiptar dhe duke bërë propagandën i shërbeu idesë kombëtare. Shumat që u harxhuan dhe shërbimet që u bënë janë fare të vogla, po thuaj hiç gjë. Kujtoj se kishte mundësi të bëhej më shumë dhe duhej të bëhej më shumë. S’mund të bëhej gjithë ç’duhej, por sigurisht nuk u bë e gjitha ç’mundej. Pse-ja gjendet në psikologjinë dhe mentalitetin e mbretit Zog. Disa pika të saj interesojnë këtë tregim sepse shpjegojnë arsyen kryesore të dështimit të emigratës.

No comments: