Friday, June 24, 2011

Rama: Humbja, nga vetëkënaqësia dhe neglizhenca

Erjola Azizolli

Kryetari i PS-së Edi Rama ishte mbrëmjen e sotme në qytetin e Beratit ku ka zhvilluar një takim me drejtuesit e strukturave të degës dhe të zgjedhurit vendorë të kësaj partie të zgjedhjeve të 8 majit. Rama i shoqëruar nga deputetët e PS-së në këtë qark Marko Bello, Ermonela Felaj, Fidel Ylli dhe Erjon Braçe rreth orës 18:30 mbërriti në ambjentet e pallatit të kulturës “Margarita Tutulani” ku është zhvilluar takimi i parë me drejtuesit e strukturave të PS-së pas zgjedhjeve të 8 majit.

Edi Rama

Takimi është zhvilluar pa praninë e medias, ndërkohë që vetë kreu i PS-së në këtë qytet, Selman Hodaj, bëri me dije se takimi ishte planifikuar për t’u zhvilluar ditë më parë dhe kishte si qëllim analizimin e situatës politike në vend dhe diskutimin mbi rezultatet e zgjedhjeve lokale të 8 majit. Ky takim zgjati për më tepër se një orë dhe pati në epiqendër diskutimet mbi rezultatet e zgjedhjeve të 8 majit në këtë qark.

Rama në fjalën e tij porosity të zgjedhurit vendorë që t’i japin seriozitetin e duhur procesit të konstituimit që do të zhvillohet në njësitë vendore të këtij qarku. Kreu i socialistëve mësohet se është shprehur kritik në rezultatet që kjo parti ka arritur në shumë komuna të këtij qarku. Rama është shprehur se vetëkënaqësia dhe neglizhenca bëri që për herë të parë PS të humbasë dy nga komunat më të rëndësishme të këtij qarku, siç është ajo Perondi dhe Kozare, të cilat u fituan nga koalicioni i Alenacës për Qytetarin.

Në këtë takim mësohet se është diskutuar dhe në lidhje me situatën politike në vend, ndërkohë që Rama ka kërkuar një frymë bashkëpunuese ndër radhët e strukturave të PS-së.

No comments: