Tuesday, June 7, 2011

Griselda: Jastëkun në bark e vura muajin e fundit

Zbardhet dëshmia e Griselda Zaimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Një ditë pas denoncimit të rremë që 28-vjeçarja bëri në Polici, për rrëmbim dhe lindje të parakohshme, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dëshmia ka qenë krejt tjetër.Pas intervistës me kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, i cili sqaroi pozicionin e tij në ngjarje, gazeta “Panorama” tentoi disa herë të kontaktojë me Griselda Zaimin për versionin e saj. Në pamundësi të komunikimit direkt me të, gazeta siguroi dje dëshminë e 28-vjeçares në Prokurori, ku ajo sqaron pozicionin e vet në ngjarje. Griselda ka sqaruar momentin kur ka mësuar se nuk do të bëhej dot nënë, pas dështimit të një fëmije dhe më pas kontrollin mjekësor tek klinika “Ikeda”, ku mësoi që nuk mund të mbetej shtatzënë. Ajo ka treguar para prokurorit dhe zv. drejtorit të Policisë së Tiranës dhe shefit të Krimeve të Rënda, se shtatzëninë e saj e stimuloi për të ruajtur lidhjen me Elvis Rroshin. Ajo vazhdimisht në deklarimin e saj i referohet kryebashkiakut të Kavajës me termin bashkëshort edhe pse shprehet se të dy ishin të fejuar dhe nuk ishin celebruar ende zyrtarisht. Ideja për t’u shtirur sikur ishte shtatzënë i lindi kur filloi të shëndoshej dhe t’i fryhej barku. Griselda tregon se jastëkun e ka mbajtur nën rroba në bark vetëm muajin e fundit, ndërsa më përpara nuk ka vendosur asgjë për të rënë në sy si shtatzënë. Sipas saj, gjatë kësaj kohe ajo ishte shëndoshur mjaftueshëm sa për t’u dukur si e tillë. Gjatë deklarimeve të saj, Griselda tregoi se në një moment, Elvis Rroshi (të cilin ajo vazhdimisht e quan Ervin, pasi të afërmit dhe miqtë e ngushtë e thërrisnin me këtë emër) e ka pyetur, “Çudi si nuk ke bark t’i?…”. Griselda Zaimi shpjegon se e ka shmangur përgjigjen duke e bërë të fejuarin e saj të besonte se sjellja e tij mund t’i bënte dëm fëmijës. Vajza që u bë e famshme pas denoncimit për rrëmbim tregon edhe për marrëdhëniet e tendosura që kishte me kreun e Bashkisë së Kavajës dhe frikën e herë pas hershme se ai mund të ndahej me të. Ndërsa historinë e rrëmbimit tregon se e ka sajuar, sepse nuk dinte se çfarë të bënte tjetër, pasi kishte ardhur një moment që e vërteta do të zbulohej dhe nuk dinte si ta shpjegonte faktin që nuk ishte shtatzënë. Griselda ka dëshmuar gjithashtu se ka tentuar të vrasë veten me një thikë dhe duke u helmuar në hotel, pasi historia e saj po vinte drejt fundit. Ajo tregon se jastëkun, rrobat dhe sendet e saj personale i ka hedhur në një kosh mbeturinash pranë kryqëzimit të spitaleve dhe më pas është nisur me taksi drejt Kavajës. Megjithatë, edhe pas gjithë kësaj historie, Griselda këmbëngul dhe është e bindur që ka parë të paktën tri herë makinën e zezë dhe dy persona që e ndiqnin. Madje tregon edhe për telefonata anonime që i kanë ardhur në telefon gjatë fushatës elektorale, për të cilat ajo tregon se e kishte vënë në dijeni Elvis Rroshin. Por edhe pas gjithë sajesës së shtatzënisë dhe historisë së rrëmbimit, Griselda deklaron se nuk donte që të lajmërohej policia për këtë, pasi ajo kërkonte vetëm që të takonte bashkëshortin e saj dhe të tregonte të vërtetën. Por sipas saj, kur kunati dhe bashkëshortja e tij e kanë parë të tronditur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, janë shqetësuar dhe, pasi ajo u ka treguar historinë e sajuar, ata kanë ngulur këmbë që duhej lajmëruar policia.

Pyetje: A është e vërtetë që të kanë rrëmbyer?

Jo nuk është e vërtetë.

Në këtë moment, dëshmitares prokurori i bën të qartë se mund të akuzohet për “kallëzim të rremë” dhe rrezikon të dënohet deri në një vit burg. I shpjegon se ka të drejtën e një avokati, në rast se nuk do të vazhdojë deklarimet pa praninë e tij. Ajo nuk kërkon avokat, por shprehet se do të vazhdojë deklarimet me vullnetin e saj lirë.

Pyetje: A ke qenë ndonjëherë shtatzënë?

Kam qenë shtatzënë para një viti e gjysmë dhe kam dështuar, sepse ngrita një divan në shtëpinë në plazh duke pastruar. Shkaku i abortit ishte hemorragjia spontane.

Pyetje: Shtatzëninë ta konfirmoi mjeku?

Nuk kam bërë vizitë tek mjeku. Kuptova vetë diçka, nga vonesa e ciklit dhe më pas bleva një test shtatzënie. E bëra testin dhe më rezultoi pozitiv. U ngjyrosën të dy vijat. Pasi bëra testin e futa poshtë dyshekut të krevatit dhe po prisja të kthehej Ervini (Elvis Rroshi, por Griselda gjatë rrëfimit të saj e quan Ervin). Atë ditë ndodhi që ngrita divanin kur po pastroja shtëpinë. U futa të bëja një dush dhe pashë që kisha hemorragji. Pas kësaj që pashë vendosa të bëja një vizitë.

Pyetje: Gjatë kësaj kohe si ishte marrëdhënia jote me Elvis Rroshin?

Me Ervinin ishim të fejuar, nuk kishim bërë celebrim, por unë e konsideroja si bashkëshortin tim. Me të shkoja herë mirë e herë keq. Unë edhe pse e dija që nuk isha shtatzënë, me bashkëshortin në plazh bëja shumë debate, sepse gjërat kishin filluar të shkonin keq mes nesh. Në këtë kohë fillova të shëndoshesha vetë. Dhe aty më lindi mendimi që të shtiresha si shtatzënë. Duke qenë se raporti me bashkëshortin po përkeqësohej, duke menduar se ai do të më ndante, vazhdoja ta bëja Ervinin të besonte se sjellja e tij ndaj meje mund t’i bënte dëm fëmijës.

Pyetje: Ishe vizituar ndërkohë për të kuptuar nëse ngelesh shtatzënë apo jo?

Unë nuk ngelesha dot shtatzënë. Nga kontrolli që kam bërë tek klinika “Ikeda” me doktoreshë Kozetën, ajo më ka thënë që në njërën nga vezoret e mia kishte probleme.

Pyetje: Si vazhdove të simuloje shtatzëninë?

Fillova të shëndoshesha dhe barku po më dilte para sikur të isha shtatzënë. Ervini vinte shumë vonë në shtëpi dhe shpesh herë më thoshte, “Çudi si nuk ke bark ti…”. Në fakt unë jastëk kam vendosur vetëm muajin e fundit që të simuloja shtatzëninë.

Pyetje: Përse sajove historinë e rrëmbimit?

Për sa i përket makinës me dy persona të panjohur që unë kam përmendur, ajo është e vërtetë. Madje edhe gjatë fushatës elektorale në telefon më vinin thirrje anonime, për të cilat i kam treguar Ervinit. Makinën e zezë për herë të parë e kam parë para 2-3 javësh, kur isha duke shkuar tek ETC-ja për të takuar një shoqe me të cilën do të pija kafe. Gjatë kohës që po shkoja atje me taksi, ajo makinë më ndiqte nga pas. Ktheva kokën dhe pashë që ishin dy vetë. Herën e dytë e kam parë te Medreseja. Ndërsa herën e fundit e kam parë kur po numëroheshin votat. Unë isha tek dyqani i babait tim, tek “Harry Fultzi”. Makina dhe dy personat që i kisha parë edhe më parë, kishin ndaluar përballë dyqanit dhe po shikonin nga unë.

Pyetje: Pas kësaj të lindi ideja që të sajoje rrëmbimin?

Jo nuk ishte kjo arsyeja. Këtë ua thashë për të treguar se jo gjithçka ka qenë fantazi. Unë isha e vetëdijshme për atë që po ndodhte. Unë nuk isha shtatzënë dhe e dija që kjo histori një ditë do të zbulohej dhe nuk dija si të veproja.

Pyetje: Po prindërit e tu ishin në dijeni që ti nuk ishe shtatzënë?

Jo prindërit e mi nuk kanë ditur asgjë. Askush nuk ka ditur gjë veç meje. Ata besonin që unë isha shtatzënë dhe prisja të lindja.

Pyetje: Po në Tiranë, çfarë bërë të martën?

Kur kam ardhur në Tiranë, u nisa për të takuar një shoqe, me të cilën e kisha lënë të pija një kafe. Fillimisht kam shkuar tek “Conadi” për të blerë nja dy gjëra. Aty më shkoi mendja që të blija edhe një thikë.

Pyetje: Na rezulton që edhe të “Kristali” ke blerë një thikë. Për çfarë të duhej thika?

Thikën e doja për t’i bërë keq vetes. Kisha tentuar edhe disa herë tjera që të vetëvritesha. Nuk dija çfarë të bëja tjetër, sepse fantazisë time një ditë do t’i vinte fundi, do të zbulohej shumë shpejt dhe nuk dija se çfarë të bëja. E kam provuar një herë me thikën që bleva që të vrisja veten, e provova diku tek këmba, por thika nuk më priste. Pastaj u përpoqa të helmohesha në hotel dhe kisha të vjella dhe diarre. Prandaj edhe shkova tek klinika “Ikeda” me taksi.

Pyetje: Po rrobat, jastëku dhe plaçkat e tua që thoshe se t’i kishin marrë personat që të rrëmbyen?

Jastëkun, rrobat dhe plaçkat e tjera që kisha në çantë dhe një shishe betadinë që e përdorja pasi kisha djegie urine, i kam hedhur në kazanin e plehrave. Pasi mbarova punë tek klinika, do të kthehesha për në Kavajë. Në unazë i kam thënë taksistit të ndalonte dhe tek kryqëzimi i spitaleve i kam hedhur tek kazanët e plehrave.

Pyetje: Ndërkohë taksisti të pyeste se për çfarë do të ndalosh?

Më pyeti dhe i thashë që do të hidhja diçka dhe pastaj të më çonte në Kavajë.

Pyetje: Kujt ia tregove këtë histori kur shkove në Kavajë?

Atë natë që shkova në Kavajë isha shumë e shqetësuar, nuk dija se si të veproja dhe çfarë të bëja. Doja vetëm të takoja Ervinin që t’i tregoja të gjithë historinë nga fillimi deri në fund se si kisha vepruar. Kur shkova në shtëpi personi i parë që takova ishte kunati im, Sajmiri, vëllai i Evinit dhe më pas edhe gruaja e tij. Të dy më panë që isha e shqetësuar dhe po më pyesnin. Përqafova kunatën, gruan e Sajmirit dhe fillova të qaja. Nuk flisja dot. Më pyesnin se çfarë kishte ndodhur dhe fillimisht nuk po flisja, pastaj tregova historinë që kisha sajuar. Ata më thanë që duhej të lajmëronim policinë. Iu luta që të mos e lajmëronin policinë, sepse nuk doja që kjo gjë të bëhej e madhe. Unë doja vetëm të bisedoja me Ervinin. Vetëm kaq, por ata ngulnin këmbë që duhej lajmëruar policia për të gjithë këtë. Ju thashë edhe një herë që mos ta bënim të madhe dhe të prisnim sa të kthehej Ervini, por ata e lajmëruan policinë. /Panorama

No comments: