Thursday, June 16, 2011

Eurodeputetja Fajon theksoi se ajo i referohej e-mailit që Veliaj kishte dërguar për vendet e BE

Fajon rrezikoi të infektohej nga virusi "V"

Parlamenti Evropian është përfshirë dje në një debat sa absurd aq edhe qesharak, ku delegacioni shqiptar gjatë një seance për të drejtat e njeriut në Shqipëri u përball me akuzat e eurodeputetes Tanja Fajon, e cila dënoi shtetin shqiptar për moszbulimin e rrëmbyesve të Griselda Roshit. Eurodeputetja Fajon i referohej vetëm një e-maili të dërguar nga koordinatori i Partisë Socialiste, Erion Veliaj për këtë ngjarje dhe nuk kishte informacion mbi përfundimin e hetimeve. Veliaj, menjëherë pas denoncimit të rremë të vëllait të kryebashkiakut të Kavajës, lëshoi një e-mail në drejtim të ndërkombëtarëve dhe ambasadorëve të akredituar në Tiranë, ku i informonte për "rrëmbimin" makabër të bashkëshortes së Roshit. Por, pas zbardhjes së të vërtetës mbi këtë ngjarje, Veliaj nuk u kujtua të bënte një e-mail përgënjeshtrues, ku të sqaronte lidhur me lajmin që kishte përhapur brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Nisur pikërisht nga ky e-mail, eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon tha përpara eurodeputetëve në seancën e djeshme të takimit Shqipëri-BE, se: "gjendja e të drejtave të njeriut në Shqipëri është shumë e rëndë. Këtu nuk mund të lë të papërmendur rastin e kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë së Kavajës, gruaja e së cilit u rrëmbye nga persona të paidentifikuar. Ajo ishte 9 muajshe, iu nxor fëmija nga barku në mënyrë kanibale dhe u hodh në kanal. Nga shteti shqiptar nuk ka asnjë reagim. Këto janë sinjale të forta që shteti ka gisht në këtë ngjarje dhe në Shqipëri nuk ka drejtësi". Pas kësaj deklarate të eurodeputetes sllovene, kanë ndërhyrë deputetët shqiptarë, të cilët kanë sqaruar eurodeputeten Fajon, por edhe të pranishmit në sallë. Deputetja demokrate, Mesila Doda e informoi eurodeputeten se kjo ngjarje është zbardhur brenda 24 orëve dhe kjo histori rezultoi e pavërtetë. "E nderuara zonja Fajon, më duhet t'ju abdetoj në lidhje me këtë ngjarje, ka mbi 10 ditë që në të gjithë Shqipërinë dhe më gjerë e dinë që kjo ishte një histori e sajuar. Sajimin e së cilës e kanë pranuar vetë protagonistët e ngjarjes edhe Griselda madje. Kryebashkiaku i ri i Kavajës i ka kërkuar falje të gjithë shqiptarëve kudo që janë", u shpreh Doda.

Fajon: U bazova tek email-i i Erion Veliaj

Pasi u njoh me rrjedhën e ngjarjeve nga deputetja Doda, eurodeputetja Fajon theksoi se ajo i referohej e-mailit që Erion Veliaj kishte dërguar për vendet e Bashkimit Europian. "Unë këto që po them i kam të bazuar në fakte dhe po të doni ju citoj e-mailin e socialistit Erion Veliaj lidhur me këtë ngjarje, që ka informuar jo vetëm vendet e Bashkimit Europian", tha Fajon. Ndërsa deputetja Doda u shpreh se, "e nderuara zonja Fajon, Erion Veliaj ka bërë shumë mirë që ka dërguar e-mailin e parë, por mendoj se duhet t'ju kishte dërguar me dhjetëra e-maile të tjerë ku t'ju bënte të ditur se kjo ngjarje ishte e sajuar". Eurodeputetja Fajon u informua nga deputetja Doda pas seancës për të drejtat e njeriut për Shqipërinë mbi historinë e vërtetë të Griselda Roshit. Doda u shpreh se çdo përfaqësues politik duhet të thotë të vërtetat edhe kur ato nuk i pëlqejnë. Pas sqarimit të këtij fakti, eurodeputetja Fajon u shpreh se, "unë fola në përgjegjësi për disa pika që lidhen me të drejtat e njeriut në Shqipëri, ka disa shqetësime. Lidhur me çështjen specifike të Kavajës, unë kisha një informacion, por kolegët shqiptarë më paraqitën një tjetër panoramë dhe unë i përmbahem asaj që dëgjova sot".

Përdorimi politik i Ramës me ngjarjen e Grisilda Roshit

Denoncimi i Griselda Roshit, bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi për një rrëmbim makabër në mes të Tiranës, që nga hetimet e kryera nga organet e Policisë dhe Prokurorisë rezultoi një mashtrim, u nxitua të vishej politikisht nga Partia Socialiste. Nëpërmjet organit zyrtar mediatik, gazetës "Zëri i Popullit", Partia Socialiste akuzoi menjëherë qeverinë shqiptare për "grabitjen", duke synuar kështu fitimin e kredibilitetit politik. "Në humnerë, rikthehen metodat e rrëmbimeve të SHIK-ut në 1992-1997", ka qenë titulli i madh i gazetës "Zëri i Popullit" të datës 02.06.2011, duke iu referuar denoncimit të Griselda Roshit për rrëmbim dhe abort me dhunë, e rezultuar mashtrim pas hetimeve të Prokurorisë. Akuzat e Partisë Socialiste në drejtim të qeverisë u drejtuan ende pa folur organet e Prokurorisë dhe Policisë. E braktisur nga qytetarët, strategjia politike e Partisë Socialiste për t'u ngjitur në pushtet është përqendruar në shpifje, trillime e sajesa të mirorganizuara për t'ia veshur fajin më pas qeverisë shqiptare. Politizimi i rrëmbimit të bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Kavajës nisi që në orët e para të rrëfimit të Griselda Roshit, kur kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama lajmëroi mediat për një reagim publik mbi ngjarjen që rezultoi mashtrim në orën 19 e 30 minuta mbrëmjen e 2 qershorit, por dijenia se gjithçka ishte mashtrim e shtyu atë të anulonte daljen publike, për të lajmëruar më pas një vizitë në shtëpinë e familjes Roshi në qytetin e Kavajës. Për ta bërë sa më shumë tragjike si ngjarje, kreu i PS-së urdhëroi edhe deputetët e tij që të pushtojnë shtëpinë e kryebashkiakut të ri të Kavajës në shenjë solidarizimi dhe shtimin e vëmendjes së mediave për një histori të trilluar nga fillimi deri në fund. Kjo nuk është hera e parë që Partia Socialiste dhe personalisht kryetari i saj shpërndajnë lajme të këqija, siç ishte vjedhja e orës së Presidentit Bush. I njëjti skenar ishte edhe me liberalizimin e vizave, ku PS alarmoi BE se do të kishte 1 milion emigrantë pas heqjes së vizave.

E-maili i Erion Veliajt dërguar ndërkombëtarëve

Koordinatori i PS-së, Erion Veliaj, informoi ambasadorët në Tiranë se gruaja e kryebashkiakut të Kavajës është rrëmbyer dhe i është marrë peng fëmija. Nëpërmjet një e-mail-i, Veliaj ka përshkruar në anglisht ngjarjen me nota politike, duke përmendur edhe kërcënimet gjatë fushatës për kandidatin e PS në Kavajë. Veliaj ka paralajmëruar edhe një reagim të Ramës për ngjarjen, por që pas vizitës në shtëpinë e Roshit mund të jetë anuluar. Më poshtë po botojmë tekstin e plotë të e-mail-it të Erion Veliajt:

"Miq, një lajm i trishtuar na ka shokuar të gjithëve ne në PS. Natën e kaluar, gruaja shtatzënë e kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, u rrëmbye në një qendër tregtare në Tiranë. Pasi është keqtrajtuar barbarisht nga rrëmbyesit, ajo është dërguar në një vend të panjohur, ku i kanë hequr fëmijën. Në orën 4 të mëngjesit, e mbuluar nga gjaku, zonja Roshi është lënë afër shtëpisë së saj në Kavajë (50 kilometra larg kryeqytetit). Nuk ka ende ndonjë njoftim nga policia. Kavaja ka qenë zona elektorale ku është zgjedhur Berisha deputet për 20 vjet. Socialistët fituan në Kavajë për herë të parë më 8 maj dhe kjo është konsideruar si fitorja më simbolike e zgjedhjeve. Gjatë fushatës elektorale, zoti Roshi dhe shtabi i tij kanë marrë kërcënime për shkak të garimit të tij për postin e kreut të Bashkisë. Kreu i PS, Edi Rama, do të lëshojë një deklaratë shtypi pas një ore… Duke pasur parasysh rrethanat shumë të rënda të situatës në Kavajë, ky njoftim do të jetë i shkurtër dhe më tepër informacion politik do t'ju japim nesër.

Falëminderit Erion".

Pack: Deputetët e PS e kanë vendin në Parlament, ata s'janë Kryetarë Bashkie

Komiteti i Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe PE-së në Bruksel, i cili diskutoi gjatë dy ditëve mbi situatën postzgjedhore të vendit dhe përmbushjen e 12 kërkesave që Komisioni Europian i ka parashtruar Shqipërisë si detyra për integrimin, u zhvillua mes debateve të shumta midis deputetëve të mazhorancës dhe opozitës shqiptare, ku ajo që u vu re ishte prishja e imazhit të Shqipërisë nga deputetët e opozitës. Eurodeputetja Doris Pack në ndërhyrjen e saj në debatin e krijuar ka konsideruar të rëndësishëm kthimin e opozitës në Parlament. "Ju jeni anëtarë të Parlamentit, e ajo çfarë thoni këtu, ju duhet ta ngrini në Parlamentin tuaj. Ka shumë gjëra që mund të bëhen në Parlament, ku nevojitet një shumicë, e ka gjëra që nuk mund të bëhen pa ju. Ne nuk jemi mësuesit tuaj. Mendoj se ju duhet të veproni për atë që ju jeni zgjedhur, të gjithë ju, në Parlament. Ju nuk jeni të zgjedhur në nivel lokal, nuk jeni kryetarë bashkish, jeni zgjedhur për Parlamentin, ndaj duhet të shkoni në Parlament e bëni atë çfarë është planifikuar", u shpreh Pack. Pavarësisht se në fjalën e tij përshëndetëse të mbajtur në çeljen e këtij komiteti, komisioneri Fule vlerësoi hapat e hedhura nga Shqipëria, deputetët e majtë të Parlamentit shqiptar u munduan t'i nxinin ato. Ndërkohë, kjo solli një reagim të menjëhershëm të deputetëve të mazhorancës kur deputetja Albana Vokshi kërkoi të dinte nëse komisioneri Fule është vënë në dijeni të letrës së hapur të kryesocialistit Rama ku kërcënoheshin gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor. "Së pari, do të doja të shikoja nëse zoti Fyle është vënë në dijeni me deklaratën e fundit të zotit Rama, në letrën e hapur të zotit Rama të përpara disa ditëve dhe të kërcënimeve që ai i ka bërë deri tani gjyqtarëve, a e keni bërë mirë llogarinë mirë me etikën? Po ashtu do të doja të pyesja nëse është vënë në dijeni me deklaratën e fundit, të sotme, të bërë vetëm një orë përpara, të zotit Rama, ku jo vetëm që nuk e pranon vendimin e institucionit më të lartë, vendimin e mbrëmshëm, pra të Kolegjit Zgjedhor mbi ankesën e Partisë Socialiste, por në fjalimin e fundit të tij, ai thekson se tashmë rruga e Partisë Socialiste është që të shkohet deri në fund me atë plan që ka nisur, pra që të shkohet deri në rrëzimin e qeverisë", u shpreh deputetja Vokshi në reagimin e saj. Gjithashtu deputetja pasi përshëndeti në emër të Partisë Demokratike vendimin e Kolegjit Zgjedhor, kërkoi një përgjigje se cili do të ishte reagimi nëse kërcënimet e hapura do të bëheshin në vendet e Bashkimit Europian. "Pyetja ime e fundit është që: Nëse kjo gjë, nëse një person do të bënte një deklaratë të tillë në vendet tuaja, cili do të ishte reagimi juaj ndaj këtyre deklaratave? Dhe më lejoni së fundmi që në emrin tim, por dhe të gjithë kolegeve dhe kolegëve të mi, të përshëndes vendimin e mbrëmshëm të Kolegjit Zgjedhor, i cili është në një linjë me nenin 48 të Kushtetutës, i cili e bën votën të vlefshme dhe të barabartë për çdo qytetar shqiptar", u shpreh Vokshi.

No comments: