Tuesday, June 7, 2011

Demonstratat e vitit 1981


Monika Shoshori Stafa
Në 30-vjetorin e “Pranverës 1981”

SIPAS BURIMESH TË PANJOHURA

I.

Gjatë gjithë viteve 1980-1990 ka pasur dy nivele komunikimi për ngjarjet në Kosovë: njëri, për lidershipin, përmes buletinit sekret të ATSH-së; dhe tjetri për publikun, përmes shtypit zyrtar.

Buletini i ATSH-së kishte këtë strukturë: lajme të brendshme, lajme të jashtme, lajme kulturore e sportive - pjesë që ushqenin shtypin e përditshëm; buletini i verdhë, buletini sekret dhe buletini për Kosovën, që shpërndaheshin vetëm në udhëheqjen e lartë politike dhe shtetërore.

Në fillim lajmet për Kosovën ishin pjesë e “buletinit special” të Agjencisë Telegrafike Shqiptare; kurse më pas “Buletini për Kosovën” u nda më vete. Kjo ndodhi menjëherë pas ngjarjeve të vitit 1981, kur çështja e Kosovës u bë dominante në jetën shtetërore të Shqipërisë së vjetër.

Me këtë trajtesë kam për qëllim të bëj të njohur dallimin midis këtyre dy niveleve të komunikimit, nivelit popullor dhe nivelit shtetëror, duke iu përgjigjur pyetjeve se cila ishte pjesa që i fshihej popullit prej informacionit që merrej për Kosovën, cilat ishin burimet e informacionit për lidershipin, çfarë përkthehej prej shtypit perëndimor dhe prej atij jugosllav, çfarë censurohej në rastet kur autorizohej botimi i artikujve që qarkullonin fillimisht të përkthyer në “Buletinin për Kosovën”, cila është rëndësia e këtij buletini për plotësimin e pamjes së përgjithshme për demonstratat e vitit 1981. Nga kërkimi në arkivat e ATSH-së rezultoi pikërisht një dyfishësi e tillë në informacion dhe ato që quheshin “axhanse” janë burim parësor që të bëhen krahasime me qëndrimet e mbajtura në shtyp. Por synimi im për të gjetur mundësi krahasimi duke këshilluar buletinet e periudhës mars-prill 1981, periudhë gjatë së cilës pati një heshtje publike prej autoriteteve të Tiranës, me qëllim që të verifikohej sa e vërtetë është teza se udhëheqja politike e asaj kohe u gjend e painformuar, nuk kishte dijeni se çfarë po përgatitej në Kosovë, nuk pati ndonjë rezultat të dukshëm. Përmes këtij buletini mund të bëhej e njohur si erdhën duke u përpunuar qëndrimet politike të lidershipit të Tiranës në një periudhë të mëvonshme, si u ndikuan ato prej shtypit gjerman e austriak; si u debatua me tribuna të mirënjohura të gazetarisë në botë si “Le Monde”, “El Pais”, “La Reppublica” etj. Është vendi të tërhiqet vëmendja e historianëve për t’iu kthyer këtij buletini, gjysmëzyrtar e gjysmë jozyrtar; që botohej dhe nuk botohej dhe që edhe sot e kësaj dite është i pashfrytëzuar prej dijes.

II.

Në procesin e përgatitjes së kësaj trajtese një burim tjetër, i të njëjtit karakter, sekret e për përdorim të brendshëm, më dha më shumë mundësi informimi për gjykimin politik të Tiranës në ditët e para të demonstratave të vitit 1981, pikërisht gjatë muajit prill e pak ditë në vijim gjatë majit.

Ky burim është ditari personal i Enver Hoxhës, që ishte përgatitur në disa kopje për lehtësi komunikimi qysh në vitin 1985. Origjinali i “Ditari personal” të Hoxhës ruhet në AQSH, ndërsa kopjet e pakta të radhitura prej ish-drejtores së Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste për t’i dhënë një formë zyrtare-shkrimore tekstit janë zhdukur. Ditari personal i E. Hoxhës nuk gjendet në asnjë bibliotekë të vendit dhe kopja e këshilluar prej meje është unikale. Zhdukja nuk ka të bëjë aq me mllefin antikomunist që shpërtheu në fundin e viteve 1990, i cili çoi në zjarr veprat e tij publike. Zhdukja ka të bëjë kryesisht me kopjet e kufizuara që ishin prodhuar në kohën që përmenda.

Për ngjarjet në Kosovë shenjimet e para në ditarin politik të E. Hoxhës gjenden në vëllimin e 13-të, i cili, si gjithë vëllimet e tjera, mban në krye shkallën zyrtare të sekretimit shtetëror: “për përdorim të brendshëm”, që do të thotë se nuk mund të këshillohej pa pëlqimin e Nexhmije Hoxhës, që u mor me formatimin si tekst i shtypur të gjithë ditarit personal të të shoqit.

Duke qenë përgatitur në formën e një libri në vitin 1985, Ditari politik i E. Hoxhës mund të merret në konsideratë pa kontestim, sepse në vitin 1985 koha politike nuk kishte ndryshuar ende, situata ishte e tillë që as Gjermanitë nuk e mendonin rënien e mureve ideologjike, pra, përjashtohet konformimi me kohërat e reja që erdhën pas vitit 1990.

Ditari politik i E. Hoxhës, sa i takon kronologjisë së veprimit shqiptar në Tiranë ndaj demonstratave në Kosovë, nuk ndryshojnë gjë. Shenjimi i parë është i datës 1 prill dhe është mbajtur në Vlorë. Një ditë më parë, në ditarin e Hoxhës gjendet komenti me titull “Atentat kundër Reganit”. Shenjimi i parë i Hoxhës për demonstratat në Kosovë mban titullin “Demonstrata të fuqishme politike në Kosovë”. Në këtë shenjim përmendet fakti se “demonstrata janë bërë dy herë gjatë dhjetëditorit të fundit të muajit mars dhe të dy herët janë shpërndarë me dhunë”, çka përbën argument se udhëheqja politike shqiptare kishte dijeni për ato rrjedha që po merrnin ngjarjet në Kosovë. Më 2 prill gjendet një shenjim me dy fjali, ku përmendet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme. Më 4 prill Hoxha vendos të kthehet nga pushimet dhe në dy shenjime në vijim denoncohet dhuna serbe dhe veçohen parullat “Duam liri”, “Duam republikë”, si parulla me karakter politik. Më 5 prill E. Hoxha thërret për herë të parë mbledhjen e Byrosë Politike, ku merret vendimi për botimin e artikullit “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë”, që doli në “Zërin e popullit” tri ditë më vonë. Për hartimin e këtij artikulli u ngarkua R. Alia. Më 7 prill në “Ditar” gjendet shenjimi i parë analitik dhe polemizues, me titull “Çfarë pohon e çfarë mohon zoti Dragosavac”, përgjigje fjalimit të Dushan Dragosavacit mbajtur më 3 prill. Në shenjimin e E. Hoxhës refuzohet pikëpamja e liderit jugosllav se ish-federata jugosllave kishte gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme për çështjen e kombeve dhe kombësive, argumentohet pse shqiptarët në Kosovë meritojnë statusin e republikës brenda federatës, theksohet se shqiptarëve atje nuk u është dhënë asnjëherë e drejta e vetëvendosjes, demaskohet fabrikimi i së quajturës “kombësi myslimane”, për të konkluduar se as Traktati i Londrës dhe as Traktati i Versajës nuk janë të përjetshëm dhe nuk mund të dënojnë pa cak fatin e shqiptarëve. Më 11 prill në “Ditar” gjendet shenjimi “Shqiptari nuk e ka duruar kurrë robërinë”, në të cilin polemizohet ashpër me pohimin e Stane Dolanc-it se “Kosova nuk do të bëhet kurrë republikë” (cituar prej shtypit perëndimor) dhe për herë të parë përmenden dëshmorët e lirisë të demonstratave të para: në Prishtinë 150-200 veta, në Ferizaj 13, në Prizren 3 veta. Veprimi serb në Kosovë cilësohet masakër. Në fund E. Hoxha shenjon se “ne do t’i mbrojmë vëllezërit tanë kosovarë deri në fund”. Pas një ndërprerjeje njëditore - data 11 prill i rezervohet një komenti për protestat e palestinezëve ndaj terrorit izraelit - më 17 prill gjendet vështrimi panoramik “Arsyet e vërteta të gjendjes dhe të ngjarjeve të kohëve të fundit në Jugosllavinë titiste”, që, sipas N. Hoxhës, përbën tezat themelore të artikullit “Kush e nxit armiqësinë midis popujve të Jugosllavisë”, botuar në “Zëri i popullit” më 23 prill. Hoxha shenjon në ditarin e vet se Stane Dolanc gënjeu opinionin botëror kur tha se në Kosovë janë vrarë gjithsej 11 veta, akuzon drejtpërdrejt pjesëmarrjen e UDB-së në dhunën shtetërore ndaj shqiptarëve, sistemon fakte për të certifikuar gjendjen e shtetrrethimit, përjashton shkaqet e jashtme dhe ndikimin e mërgatës shqiptare prej Shtutgartit, Brukselit apo ndonjë kryeqyteti tjetër europian në nxitjen e kryengritjes shqiptare, i përgjigjet pyetjes “A ka gisht Shqipëria”, demaskon pikëpamjen e Beogradit se po të bëhet Kosova republikë federata do të shkatërrohet. Ky shenjim përmban 27 faqe dhe është më i gjati në muajin prill. Shenjimi ka karakter analitik dhe herë-herë fragmentar, cilësi e njohur e ditarëve. Në datat 18 dhe 22 prill ka dy shenjime rutinë për orientimin e shtypit për polemikën politike me Beogradin. Ndërsa më 26 prill gjendet komenti “Udhëheqja jugosllave ka humbur krejtësisht toruan”. Hoxha mendon se në Jugosllavi po vendoset një diktaturë ushtarake dhe se pasi plasi në Kosovë do të shpërthejë kriza e mosfunksionimit të vetadministrimit dhe të bashkim-vëllazërimit në gjithë federatën. Më datat 5 dhe 6 maj gjenden katër shenjime për përgatitjen e librit “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”. Shenjimi i fundmë për Kosovën marrë në shqyrtim nga ana jonë është ai i datës 8 maj dhe mban titullin “Si t’i çminojmë e si t’i shpartallojmë akuzat antishqiptare të titistëve lidhur me ngjarjet në Kosovë”. Ky shenjim përmban 15 faqe. Më tej ditari ka shenjime të rregullta, thuajse të përditshme, për polemikat e njohura të kohës, dhe nuk është ndjekur prej nesh, duke qenë jashtë qëllimit të kësaj trajtese. Në shenjimin e datës 8 prill gjenden tezat themelore për artikullin “Kërkesa për t’i njohur Kosovës statusin e republikës është e drejtë, botuar në “Zërin e popullit” më 17 maj. Ky artikull ka një interes të posaçëm duke e ditur se për një kohë të gjatë pikëpamja e E. Hoxhës ka qenë se një shtet i dytë shqiptar në Ballkan mund të ndërlikonte fatin e kombit shqiptar në tërësinë e vet. Shenjimi i Hoxhës nis në formën e polemikës me pikëpamjet e Milosh Miniçit se Shqipëria shtetërore, përmes trupit diplomatik në Beograd, ka nxitur kryengritjen në Kosovë. Për herë të parë përmendet se e drejta e shqiptarëve për republikë dhe vetëvendosje deri në shkëputje është shqiptuar në Konferencën e Bujanit, pa mbaruar ende lufta antifashiste. Pasi bëhet një retrospektivë ndaj zhvillimit të çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi tërheq vëmendjen në njëfarë mënyre diferencimi i pikëpamjes se Titos ndaj lidershipit jugosllav, duke cituar mendimin e tij se ai i ka vlerësuar shqiptarët si faktor pozitiv për federatën.

III.

Në përmbajtjen e shenjimeve të mbajtura gjatë një muaji, gjatë prillit të vitit 1981, të cilat do t’i jepen kësaj konference, dalin këto përfundime:

1. Çështja e shqiptarëve në Kosovë hyn në “Ditarin” e E. Hoxhës gati rastësisht, pa ndonjë histori paraprirëse. Gjatë periudhës janar-mars 1981 shumica e temave të trajtuara prej tij në ditar kanë të bëjnë me superfuqitë, padrejtësitë botërore, dhunimin e popujve të kolonizuar, lëvizjen marksiste në botë, demaskimin e revizionizmit kinez. Çështja shqiptare në Kosovë bëhet dominante vetëm pas demonstratave të vitit 1981.

2. Fillimisht polemika ka nisur në formën e dënimit të dhunës ushtarake dhe kundër vendosjes së gjendjes së shtetrrethimit në Kosovë.

3. Në mesin e muajit prill për herë të parë mbështetet politikisht kërkesa e popullit të Kosovës për vetëvendosje dhe republikë.

4. Polemika në ditët e para ka karakterin e demaskimit të sistemit jugosllav të rregullimit të statusit të kombeve dhe kombësive.

5. Vihet re një kujdes paraprak për të mos dhënë shkas që Beogradi ta akuzojë Tiranën për ndërhyrje në punët e brendshme, duke argumentuar se kriza e federatës në Kosovë është vetëm nyja e parë e tronditjes së bashkëjetesës në kuadër të federatës.

6. Për herë të parë polemika kalon gradualisht prej dominimit të argumentit ideologjik në përparësinë e argumentit kombëtar.

7. Paralajmërohet se mosndreqja e padrejtësisë historike ndaj Kosovës, vullneti plebishitar i së cilës u shpreh për “vetëvendosje deri në shkëputje” qysh në vitin 1944, me konferencën e Bujanit, do të jetë shkas që “vetë federata të jetojë mbi mina”.

8. Së fundmi, nuk mund të mos vihet re se në të gjitha shenjimet e muajit prill dhe në fillim të majit parulla maksimaliste “Bashkim” nuk përmendet. Kjo parullë do të jetë pjesë e shenjimeve të Hoxhës vetëm disa muaj më pas, kur shtypi perëndimor, kryesisht ai austriak dhe gjerman, do ta veçojnë si thelbin e kryengritjes shqiptare në Kosovë.

No comments: