Wednesday, May 25, 2011

Sa durohet Edi Rama?!…

Frrok Çupi

Është hera e parë që emrin e këtij njeriu e vë në titull shkrimi; edhe kjo është një kosto plus, më në fund. Dikush e ka për “modë” të nisë tituj shkrimesh me emrat e “tregut” politik, por për mua s’është e shëndetshme. Megjithatë, ja ku jemi, Edi Rama iu ka zënë rrugën të gjithëve dhe pa “e prekur” nuk ke shteg ku të kalosh.

Prej dy vjetësh, të paktën, çdo njeri në Shqipëri, ka ndjerë se o mëngjes, o mbrëmje, do të ndeshet me Edi Ramën. O një nga një, o të gjithë së bashku, e kemi hasur rrugës, apo ka penguar rrugë e të gjithëve. Është politikani i parë në historinë e re të Shqipërisë, që zë rrugën kudo. Vetë Enver Hoxha, udhëheqësi komunist gjysmë- shekullor që krijoji ferrin e diktaturës më të egër, më në fund nuk ishte aq prezent përditë në ekranin televiziv, në radio, në gazetë, në Lanë, në sheshin Skënderbej, në themelet e pallatit, në betonin e lulishtes, në kutinë e votimit…, siç është Edi Rama… Të paktën prej dy vjetëve të fundit, kjo është prezenca maksimale e një individi para të gjithëve në grup.

Dje ishte pamja e fundit. Presidenti i Delegacionit të Këshillit të Europës, Barroso, anuloi vizitën në Shqipëri. Vizita e përfaqësuesit të lartë Europian, nuk mund të bëhej në kushtet kur Edi Rama kishte dërguar “ushtrinë” e tij të vogël, por të dhunshme, që të sulmonte Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Të tjerët militantë të afërt u nxitën që të bllokojnë rrugët e vendit dhe të ndezin zjarre. Bota pa përsëri “luftë në Shqipëri”; vallë si mund të bisedonte Europa në kushte lufte?!. Përsëri lufta për votën, ose për humbjen- siç kishte ndodhur gjatë dy vjetëve. Edi Rama, në krye të Partisë Socialiste nuk kishte pranuar humbjen dhe kishte kërkuar “hap kutitë”. Dy vjet në bojkot; dy vjet shko-eja nga Brukseli dhe nga Strasburgu; dy vjet luftë nervash; grevë urie në sheshin kryesor; humbje investimesh të huaja; humbje e Gjykatës Administrative dhe e reformave evropiane… Sa shumë kanë duruar njerëzit në grup?

Vizita e zotit Barroso, parashikuar për dje, u anulua, dhe kjo është kosto për të gjithë në grup. Kjo vizitë kishte në qendër axhustimin e 12 kërkesave të Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë. Një ditë më parë, është një ditë avancë për statusin e kandidatit të Shqipërisë në BE. Në kushtet e “luftës” nuk mund të bisedohej as vendosej për afrimin me Europën. Edhe një shtyrje tjetër do të thotë edhe një kohë tjetër më e gjatë për Shqipërinë kandidat. Para disa muajsh, Bashkimi Europian la mënjanë aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit, me argumentin se opozita bojkoton parlamentin dhe situata politike është e acaruar. Në shekuj, shqiptarët kanë aspiruar afrimin me Europën; më në fund në vitin e kthesës së madhe 1990, shqiptarët përmbysën regjimin komunist anti- evropian dhe mori drejtimin e ëndërruar. Një politikë e ardhur fshehurazi prej të shkuarës mundi të krijojë idenë se “shqiptarët ndërruan drejtim”. Në fakt kjo nuk është e vërtetë, sepse do të ishte tragjike për një komb si yni në kufi të Europës. Por, vallë, një për një, secili prej nesh, do të mund të zinim përdore çdo qytetar evropian për të sqaruar se “ndodhi një çmenduri”?!… Jo, kjo është e pamundur. Atëherë kemi fatin e keq ta pësojmë atë që kërkuam me shekuj, për shkak të sjelljes së një njeriu të vetëm.

Kaq shumë durojmë?…

Dje e pardje, disa djem e vajza të Policisë së Shtetit kanë duruar dhimbjen deri në palcë kur militantët e Edi Ramës i gjuajtën për vdekje. Kanë rrethuar selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kanë bllokuar rrugët, që janë kapilarët e vendit. Qëllimi ishte pushtimi me zjarr i selisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të djegur të gjitha fletët e votimit të votuesve të Tiranës. Vetëm kështu mund të dilte “fitues” Edi Rama, duke djegur vullnetin e popullit. “Fituesi” do ta shkelte me këmbë popullin pasi të fitonte me zjarr e hekur. Për herë të parë fituesi do të vinte si në periudhën e para- Mesjetës. Sa shumë do të kishte humbur njerëzimi në grup! Ndoshta presim që edhe pasi të shpallet fituesi sipas votave, Edi Rama të mos dalë nga zyra në Bashkinë e Tiranës. Do të humbasim edhe shansin për të qenë me pamje normale mes politikës së Europës… Prapë do të durojmë në grup, dmth., vetëm Edi Ramën po durojmë në gjithë historinë tonë qytetare…

… Madje edhe në titullin e shkrimit e vura emrin e tij… E shikon sa i mundimshëm bëhet durimi në gjithçka.

No comments: