Wednesday, May 18, 2011

Rama dhe Doshi rrahin për vdekje Gramoz Ruçin

Linçohet Sekretari i Përgjithshëm në zyrat e selisë së PS

Rama dhe Doshi rrahin për vdekje Gramoz Ruçin

Dhuna e Edvin Kristaq Ramës ka mbërritur në zyrat e PS. Kryetari i PS dhe deputeti me precedentë kriminalë, Tom Doshi, kanë rrahur për vdekje Kryetarin e Asamblesë së PS dhe njëkohësisht kryetar i Grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak ditë më parë, kur Ruçi është shfaqur në zyrën e tij në selinë e PS. Mes Ramës dhe Ruçit ka pasur një debat të ashpër, i cili është shoqëruar me goditjen me grushta dhe shkelma të Ramës ndaj Gramozit. Më pas, në sherr është përfshirë edhe deputeti Doshi, i cili së bashku me Ramën kanë vazhduar linçimin e kryetarit të Grupit parlamentar të PS, Ruçi. Ramës dhe Doshit i është bashkuar në dhunën e ushtruar ndaj Ruçit edhe një nga sekti i ylberistëve që qëndron gjithnjë poshtë tavolinës së Ramës, E.Fuga.

Masakrimi i Gramoz Ruçit ka zgjatur për disa minuta. Askush nga njerëzit e tjerë prezentë në selinë e PS nuk ka guxuar të ndalë çmendurinë e Ramës dhe të ndërhyjë për të ndaluar dhunën ndaj Ruçit. Vetëm, pasi kanë parë që Gramozi ishte në një gjendje mjaft të rëndë dhe nuk lëvizte nga vendi, tre masakruesit janë tërhequr, duke e lënë atë të shtrirë në tokë. Është dashur ndërhyrja e njerëzve të tjerë, që të marrin Ruçin për ta çuar që të merrte ndihmën e parë mjekësore. Vetëm pak minuta pasi Ruçi ka marrë ndihmën mjekësore, janë shfaqur edhe të afërm të familjes së Ruçit. Ata janë shprehur se gjendja e tij shëndetësore ka qenë e rënduar, por nuk kanë dhënë detaje rreth dhunës së ushtruar.

Gramozi u masakrua për disfatën e PS

Masakrimi i Gramoz Ruçit nga Rama dhe Doshi ka pasur si shkak humbjen e PS në zgjedhjet lokale. Rama ka humbur durimin, kur ka parë se Gramozi nuk është angazhuar për asnjë ditë të vetme në fushatën e tij në Tiranë. Në të vërtetë, konflikti mes Ramës dhe Ruçit është shfaqur pak ditë përpara fillimit të fushatës elektorale. Duke qenë numri dy i PS, Ruçi ka kërkuar që të ishte ai propozuesi i emrave të të zgjedhurve vendorë, për një sërë njësish vendore, kryesisht në Fier, Tepelenë dhe Sarandë. Debatet e para ishin për kandidatin që do të konkurronte për Bashkinë e Fierit, nëse do të ishte Kryetari i PS së rrethit, apo kryebashkiaku që mbante këtë post. Një tjetër debat i nxehtë ka qenë edhe për disa komuna të Fierit. Rama, në asnjë rast nuk ka marrë parasysh emrat e propozuar nga Gramoz Ruçi, por e ka bërë përzgjedhjen, duke anashkaluar të gjitha kandidaturat e tij. Kjo ka sjellë irritimin e Ruçit, i cili i është shprehur se përderisa ai nuk e pyet për asnjë nga emrat e zonës së tij elektorale, atëherë ishte i kotë vazhdimi i mëtejshëm i bashkëpunimit.

Ky debat është pasqyruar edhe në hapjen e fushatës elektorale të PS. Ruçi nuk ka qenë prezent, por dhe nuk është shfaqur për asnjë moment të vetëm në krah të kreut në turin e tij elektoral. Ai ka zhvilluar fushatën në mënyrë të pavarur, kryesisht në zonën e jugut të vendit.

Mungesa në selinë e PS

Ka rënë në sy të mediave mungesa e Gramoz Ruçit në selinë e PS, që pas dhunës së ushtruar ndaj tij nga Rama dhe Doshi. Mbledhja e Grupit parlamentar të PS, e thirrur dje me urgjencë nga Rama është drejtuar nga Braçe dhe Majko, ndërsa Rama ishte në takimin me ambasadorët e SHBA, BE dhe OSBE. Për të hequr hijet e dyshimit tek mediat, Rama urdhëroi zëdhënëset e tij, por dhe deputetët që të pohonin se, mbledhja e Grupit parlamentar të PS ishte drejtuar nga Ruçi. Gramozi, jo vetëm që nuk ka qenë prezent në mbledhje, por gjendja e tij vazhdon të jetë e përkeqësuar. Ka rënë në sy të të gjithëve se, daljet e shpeshta të tij para mediave tani ka nisur t'i zëvendësojë Braçe dhe Majko. Të dy këta janë piketuar nga Rama si njerëzit e mundshëm që mund të zëvendësojnë Ruçin si kryetar i Grupit parlamentar të PS.

Dhuna e Ramës nga familja në PS

Dhuna histerike e Ramës ka nisur të ushtrohet së fundi edhe ndaj titullarëve dhe njerëzve me kontribute historike në PS. Linçimi i Gramoz Ruçit, pritet të ketë një impakt jo të vogël tek e ardhmja e Ramës në PS. Nuk është rasti i parë, që Rama ushtron dhunë ndaj deputetëve dhe të zgjedhurve të PS. Më parë edhe Majko i ka shpëtuar një linçimi të ngjashëm si ai i pak ditëve më parë i Ruçit. Në ato kohë u desh ndërhyrja e Blushit për të shpëtuar goditjet me grushta të Ramës ndaj Majkos. Megjithatë, kohët kanë kaluar dhe Majko duket sikur e ka harruar ngjarjen në mbledhjen e Kryesisë së PS. Edhe Blushi gjatë një prononcimi publik u shpreh pak kohë më parë, se gjatë mbledhjes të Grupit parlamentar të PS, deputetët e saj linçohen. Njeriu që ka dhunuar më parë familjen e tij e ka spostuar atë si model për të gjithë shoqërinë me grushtin e dështuar të shtetit të 21 janarit dhe tani viktimë e kësaj dhune është as më shumë dhe as më pak, por njeriu më me reputacion dhe socialisti më i vjetër në PS, Gramoz Ruçi.

Endri DIBRA

No comments: