Sunday, May 22, 2011

Pse Rama po humb Tiranën – Nga prof.dr.Reshat Nexhipi


Pse Rama po humb Tiranën – Nga prof.dr.Reshat Nexhipi

Paraqitja dinjitoze e Bashës, tre veprat e tij kombëtare, veprimet e shëmtuara të PS: me çadëret si të çergarave dhe mongolëve para Ministrisë, dhe posaçërisht me grushtetin e dështuar të 21 janarit, shkaktuan disfatën e tij në Tiranë.

Përgjigjen e pyetjes, vendosur në titullin e këtij shkrimi, do përpiqem ta jap përmes tre fjalëve popullore: Kush kërkon shumë, mbetet me gisht në gojë, Dy kunguj nuk mbahen dot nën sqetull dhe I miri i botës i ligu i shtëpisë. Dy të parat, kuptohen, prandaj do përqendrohem te e treta. Rama, i bindur që Tiranën s ka se kush ia rrëmben, tërë potencialin e tij e fokusoi në qytetet e tjera të Shqipërisë, posaçërisht te bastionet e PD-së, ku, përmes mënyrave të ndryshme, të cilat kërkojnë elaborim serioz, realizoi qëllimin, duke vendosur në krye ithtarët e tij, të cilët tani, me dëshirë apo pa të, janë të detyruar t i shpërblehen, duke organizuar protesta në rrugë kundër KQZ-së për ta shpëtuar nga disfata, e cila, siç duket, çdo moment po i afrohet dhe i përngjet shpatës së Demokleut. Nuk jam jurist dhe nuk e di a është në rregull procedura e KQZ-së, por kjo nuk ka fare rëndësi. Një është e sigurt, të cilën as topi nuk e luan: vota e çdo qytetari duhet të vendoset atje ku e ka drejtuar,pa marrë parasysh kush e numëron atë. Qytetarit nuk i intereson procedura. Kjo që po bën KQZ-ja është në favor të të gjithë atyre të cilët të gjendur para 4 kutive, nuk dinin se ku të hedhin votën e vet. Rasti i kryetarit të shtetit, i vuri kapak kësaj pune. Por, ti kthehemi shkaqeve për mosrealizimin e verdiktit që priste z. Rama në Tiranë, pa marrë parasysh epilogun përfundimtar.

Përballë kishte një njeri, që thotë populli, me tërë të mirat, ose siç tha kryeministri, me nota 10, që nga klasa e parë e gjer në fund. Me paraqitjet e tij dinjitoze, civilizuese, evropiane, me vizionin konkret dhe të qartë për Tiranën, si dhe me tre veprat e tij madhështore dhe mbarëkombëtare:Hyrja në NATO,vizat dhe rruga e bashkimit të kombit të ndarë, nuk mund të mos përfitonte simpatinë e qytetarëve të Tiranës, të cilët dy vjet me radhë nuk dëgjojnë gjë tjetër përveçse fjalëve: hap kutitë, poshtë Qeveria kusare, etj.etj. që nuk i kanë hije as një rrugacaku e jo një piktori të shquar. Për këtë, fajtorë janë edhe disa analistë, të cilët, edhe pse, të vetëdijshëm për gabimet e tilla, i anashkalonin, duke mos e përfillur thënien popullore që mikut duhet t ia tregosh edhe të metat, për të mos i përsëritur më, gjë që e kanë praktikuar analistët e tjerë, të cilët, edhe pse anojnë nga PD-ja, nuk e kursejnë Qeverinë, duke ia treguar edhe të mirat por edhe mangësitë eventuale të saj, me çka kontribuan që mazhoranca të dalë fituese në rrafshin kombëtar. Analistët e parë, më kujtojnë rastin e djalit, i cili, kur e dënuan në gjyq për vjedhjet që kish bërë, në vend që ta puthte, ia kafshoi gjuhën sëmës që me diferencën e saj, e nxiste të vjedhë sa më tepër, në vend që ta bënte të kundërtën. Kur jam te këta analistë, habitem që nuk kam dëgjuar asnjë fjalë të mirë për tre veprat e lartpërmendura të Qeverisë, në përgjithësi dhe Lulzim Bashës në veçanti, ose të fajësojnë kryetarin e PS për protestat e pakuptimta, ngritjen e çadëreve si në kohën e Xhingiskanit të Mongolisë, grushtetin e dështuar të 21 janarit, etj. E them këtë, sepse jam plotësisht i bindur që këta analistë, të cilët i çmoj për inteligjencën e tyre, nuk e thonë të drejtën, me çka komprometojnë edhe veten para shikuesëve të tërë botës.

Shkaku tjetër për këtë mossukses të pa pritur nga z.Edi Rama në Tiranë, sipas meje, është edhe pothuajse vetëkandidimi i tij për kryetar, pa e përfillur sa duhet, mos them fare, Kryesinë e Partisë, duke u bazuar, siç tha, në ,,lutjen,, e njerëzve përmes mobileve të tyre, dhe se ky, nuk kishte fuqi që t i refuzonte!!! Kjo, me siguri, ka revoltuar njerëzit e ndershëm të Kryesisë, të cilët, me mjeshtëri, filluan të distancohen prej tij, me përjashtim të dy vetave, të cilët, janë edhe një shkak tjetër për humbjen e tij, sepse njëri prej tyre ishte figurë kryesore në kohën e Enver Hoxhës, të cilit, Tirana, nuk do t ia dëgjojë emrin, kurse tjetri, me llomotitjet e tij të pa matura kundër kryeministrit, të cilin e çmon tërë bota, komprometoi Partinë në maksimum. Habitem dhe më vjen keq kur këtyre dy shokëve, iu afrohen personalitete të njohura dhe të çmuara të PS-së, ish kryeministra,etj. të cilët kanë harruar fjalën popullore: Tregomë me kë ri, të të them cili je ti.

Të përfundoj. Mua, t iu them të drejtën, si ithtar i PD-së, nuk do më vijë mirë po të humbë z. Rama, sepse, siç më tha një miku im, si me shaka:Rama doli demokrati më i madh në Shqipëri, për shkak se, me veprimet e tij, Partinë socialiste e komprometoi në maksimum para Evropës dhe SHBA-ve dhe, sikur të qëndronte edhe pak kohë në pozicionet e mëparshme, pa dashur, do t ia shkulte rrënjët e komunizmit, kurse nga Partia socialiste, nuk do mbetej as nam as nishan. Prandaj, do Zoti shpallet fitues.

Dhe, fare në fund, do them edhe një të vërtetë. Për shkak të disa sukseseve që ka mbrirë në Tiranë, z. Edi Rama do zinte vend të merituar në historinë e këtij qyteti, sikur mos kandidohej kësaj here dhe të dilte në ekran, me këto fjalë: ,,Zonja dhe zotërinj, ju faleminderit për përkrahjen që ma dhatë tri herë me radhë dhe tani duhet të më zëvendësojë ndonjë tjetër, se Partia socialiste ka edhe njërës të tjerë të aftë, që do ta vazhdonin punën time,, Me këtë, do mbetej kryelartë tërë jetën. Këtë, duhej t ia thoshin analistët e tij, të cilët, duke i bërë lajka, e sollën në një pozitë shumë të vështirë, të cilën nuk e di si do ta arsyetojë dhe do ta përballojë para njerëzve të vet,nëse shpallet humbës?

(Autori është historian nga Manastiri)

No comments: