Monday, May 2, 2011

Këshilltari i presidentit jep detajet e operacionit për asgjesimin e Osamës

Presidenti Obama tha se vrasja e themeluesit të al-Qaidës tregon se çfarë mund të bëjnë amerikanët kur punojnë sëbashku.

Besoj se të gjithë jemi dakord se kjo është një ditë e mirë për Amerikën. Vendi ynë ka zbatuar angazhimin për vënien e drejtësisë në vend. Bota është më e sigurtë. Është një vend më i mirë si rezultat i vrasjes së Osama bin Ladenit.

Gjatë një ceremonie në nderim të heroizmit të dy ushtarëve amerikanë gjatë Luftës së Koresë, zoti Obama tha se ishte tejet krenar për trupat që ndërmorën aksionin të dielën ndaj vendstrehimit të bin Ladenit në Pakistan.

Më vonë gjatë ditës së djeshme, John Brennan, ndihmësi i presidentit për sigurinë e vendit dhe antiterrorin, u tha gazetarëve se forcat amerikane ishin përgatitur për ta zënë të gjallë bin Ladenin, nëse ishte e mundur. Por ai tha se kjo mundësi ishte e vogël dhe se kryeterroristi ishte vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit në kompleksin ku strehohej. Zoti Brennan tha se udhëheqësi i al-Qaidës po fshihej, siç u shpreh ai, aty ku e shihnin të gjithë dhe mund të ketë patur ndihmën e dikujt.

Mendoj se është e pabesueshme që bin Laden nuk pati një sistem mbështetjeje në vend që e lejoi atë të qendronte aty për një kohë të gjatë. Nuk do të spekuloj se çfarë lloj mbështetje mund të ketë patur në baza zyrtare.

Zoti Brennan tha se zyrtarët amerikanë të zbulimit po bisedojnë me homologët pakistanez, bashkëpunimi i të cilëve tha ai, është i rendësishëm për të asgjesuar më shumë terroristë.

Këshilltari i presidentit për antiterrorin tha se Pakistani ka kapur dhe asgjesuar më shumë terroristë brenda territorit të tij se sa asnjë vend tjetër. Zoti Brennan tha se takimi i së dielës i presidentit me këshilltarët e tij të lartë në Dhomën e Situatës në Shtepinë e Bardhë për të vëzhguar përparimin e operacionit ishte mjaft tensionues. Ai tha se kishte mosmarrëveshje mes këshilltarëve mbi mënyrën se si duhej vepruar.

Ishte ndoshta një prej periudhave kohore më të kapluara nga ankthi për njerëzit e mbledhur këtu dje. Minutat zgjatën sa ditët.

Sipas zotit Brennan, tensionet u shtuan pasi një helikopter pësoi difekt por ai tha se lajmi për asgjesimin e Osama bin Ladenit solli qetësimin e situatës. Ai tha se rrethanat e vdekjes së bin Ladenit zbulojnë hipokrizinë e tij.

Kemi bin Ladenin i cili ka bërë thirrje për sulme, që jetonte në një kompleks që kushton më shumë se një milion dollarë, që jetonte në një zonë larg frontit dhe fshihej pas grave të cilat u vunë para tij si mburojë. Kjo tregon se sa fallso ka qënë thirrja e tij gjatë viteve.

Zoti Brennan u tha gazetarëve se al-Qaida është dëmtuar por mbetet e rrezikshme, si një tigër i plagosur rëndë.

Ekziston mundësia e grupeve terroriste që mund të provojnë të sulmojnë për të marrë hak për operacionin. Por gjithashtu, mendoj se disa prej tyre po i thonë vetes, Bin Laden ka vdekur dhe al-Qeda po bëhet gjithnjë e më e falimentuar. Është një valë e re që po përfshin Lindjen e Mesme tani që vë premisa në të drejtat e individit, lirinë dhe dinjitetin.

Zoti Brennan tha se autoritetet pakistaneze nuk ishin njoftuar para operacionit. Dhe si rezultat disa avionë luftarakë pakistanez ishin vënë në alarm. Por ai tha se nuk kishte patur përplasje me forcat amerikane.

Këshilltari tha se zyrtarët amerikanë janë 99.9 përqind të sigurtë se njeriu që ata vranë ishte Osama bin Laden dhe se besimi ishte shtuar me kalimin e kohës.

Zoti Brennan tha se trupi i bin Ladenit ishte varrosur në detë të henën. Ai tha se nuk mund të gjendej një vend për tu varrosur në tokë brenda kohës që kërkon tradita islame.

Këshilltari i presidentit e quajti vrasjen e Osama bin Ladenit një goditje strategjike kundër al-Qaidës, por jo goditje fatale. Ai tha se vendimi i presidentit Obama për të vazhduar misionion ishte një prej vendimeve më kurajoze të ndonjë presidenti gjatë viteve të fundit.

* * * * * *

Presidenti Obama njofton vrasjen e Osama Bin Ladenit

Presidenti amerikan Barak Obama tha se terroristi më i kërkuar në botë, udhëheqësi i al-Kaidës Osama bin Laden u vra nga forcat amerikane në një kompleks brenda Pakistanit. Testi i ADN-së e ka konfirmuar këtë. Zyrtarë amerikanë të mbrojtjes thanë se bin-Laden u varros në det nga një anije amerikane. Ata thanë se kufoma e tij u trajtua sipas praktikës dhe traditës islame. Presidenti Obama e quajti vrasjen e bin-Ladenit si arritjen më domethënëse në misionin për mposhtjen e al-Kaidës Presidenti amerikan tha se drejtësia është vënë në vend.

Mbrëmë, presidenti Barak Obama njoftoi se Osama bin Laden, themeluesi i rrjetit terrorist të al-Kaidës, ishte vrarë. 25 minuta para mesnatës, presidenti Obama dha njoftimin që populli amerikan priti gati dhjetë vjet për ta dëgjuar.

“Dua ta njoftoj popullin amerikan dhe botën, se Shtetet e Bashkuara kanë kryer një operacion përmes të cilit është vrarë Osama Bin Laden, kreu i al-Kaidës dhe terroristi përgjegjës për vrasjen e mijëra burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm”.

Zoti Obama tha se ishte informuar që në gusht mbi vendndodhjen e mundshme të bin Ladenit. Ai tha se kreu terrorist fshihej në një kompleks në Abotabad të Pakistanit.

Presidenti tha se e kishte autorizuar misionin javën e kaluar “për ta kapur bin-Ladenin dhe për ta sjellë atë para drejtësisë”. Zoti Obama tha se një njësi e vogël amerikanësh e kryen operacionin dje kundër kompleksit.

“Pas një shkëmbimi zjarri, ata e vranë Osama bin Ladenin dhe morën trupin e tij”.

Presidenti e pranoi se al-Kaida do të vazhdojë përpjekjet për sulme kundër Shteteve të Bashkuara, dhe paralajmëroi amerikanët të jenë vigjilentë.

“Unë e kam bërë të qartë, ashtu sikurse presidenti Bush pas 11 shtatorit, se lufta jonë nuk është kundër islamizmit, sepse bin-Ladeni nuk ishte udhëheqës mysliman. Ai ishte vrasës i myslimanëve. Al-Kaida ka vrarë qindra myslimanë në shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara”.

Zoti Obama tha se bashkëpunimi me Pakistanin kundër terrorizmit i ka ndihmuar forcat amerikane ta gjejnë bin-Ladenin. Ai tha se i kishte telefonuar presidentit pakistanez Asif Ali Zardari për ta njoftuar atë për vrasjen e bin Ladenit. Presidenti tha se zyrtarët pakistanezë ishin dakort se kjo ishte një ditë e shënuar dhe historike për të dy vendet.

Zoti Obama i telefonoi edhe ish presidentit Xhorxh W. Bush, i cili ishte president me 11 shtator dhe nisi luftën kundër terrorizmit.

Ndër hollësi të tjera mbi ngjarjen, administrata e Presidentit Obama tha se terroristi më i kërkuar në botë, Osama bin Laden u vra në një operacion gjatë natës që zgjati më pak se 40 minuta. Gjatë një takimi, një zyrtar i administratës tha se një njësi e vogël forcash amerikane arritën të hynin në kompleksin në Abotabad, rreth 56 kilometra larg kryeqytetit Islamabad.

Zyrtarët thanë se kompleksi jashtëzakonisht i veçantë, kishte dy porta sigurie, mure 3-5 metra të lartë me tela me gjemba, dhe një tarracë në katin e tretë të rrethuar me mure dy metra të larta. Një zyrtar tha se shtëpia ishte më shumë se 8 herë më e madhe se shtëpitë e tjera në atë zonë, nuk kishte telefona apo internet, dhe njerëzit që banonin aty i digjnin plehrat në vend që t’i nxirrnin jashtë.

Zyrtarët thanë se vlera e përafërt e shtëpisë ishte rreth një milion dollarë. Zyrtarët e zbulimit amerikan arritën në përfundimin se në kompleksin e dy vëllezërve, që nuk kishin burime të qarta pasurie, jetonte një person me rëndësi. Sipas zyrtarëve, bin-Ladeni i rezistoi sulmit dhe u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit, së bashku me dy nga korrierët e tij dhe një djalë. Një grua, që u përdor si mburojë nga një prej luftuesve, u vra gjithashtu dhe dy gra të tjera u plagosën.

Një nga helikopterët amerikanë u shkatërrua për shkak të problemeve mekanike. Banorë lokalë, thanë se nuk e dinin që bin-Ladeni jetonte në atë kompleks. Banorët thanë se kishin dëgjuar krisma armësh dhe kishin parë nga çatitë e tyre flakët që kishin përfshirë kompleksin. Zona u bllokua më vonë nga forcat pakistaneze.

Në ketë pronë duket se është fshehur vitet e fundit Bin Ladeni


No comments: