Friday, May 20, 2011

Berisha: Tirana do vendoset në Kolegj, nuk parashikohet

Në një intervistë dhënë gazetarit Blendi Fevziu në emisionin “Opinion”, në TV “Klan”, kryeministri Sali Berisha foli mbi situatën e krijuar pas numërimit në KQZ të votave të gjetura në kutitë e gabuara.Kreu i qeverisë u shpreh se mandati për Tiranën do të vendoset nga Kolegji Zgjedhor. Berisha komentoi rezultatet e zgjedhjeve të 8 majit, duke marrë mbi vete edhe përgjegjësi për humbjen në disa bastione. Ai u shpreh se do të ketë ndryshime në qeveri.
A ishte i detyruar KQZ të deklaronte në datën 14 maj, që zoti Rama ishte fitues me 10 vota karshi konkurrentit të tij, Basha, nga numërimi i 11 KZAZ-ve të Tiranës?
Nuk ekziston asnjë nen në Kodin Zgjedhor që e autorizon KQZ të shpallë rezultat paraprak. E vuajtëm këtë në vitin 2009. U kritikua kjo sepse nuk ka një nen që të autorizojë. Po teknologjia e numërimit të votës, transmetimi i tyre online në serverët e KQZ-së, e bën de fakto të qartë rezultatin paraprak. Zoti Rama rezulton me 10 vota para.
A është ende fitues në Tiranë?
Aktualisht zoti Basha ekziston me 35 vota para dhe të më pyesësh mua a është fitues zoti Basha, nuk e them dot këtë. Sigurisht që është 35 vota para, por janë për t’u numëruar dhjetëra e dhjetëra vota të tjera të panumëruara që janë hedhur në kutitë e ndryshme nga ato të kryetarit. Janë për t’u rivlerësuar mbi 300 vota të kontestuara. Sistemi ynë është një sistem, për mua personalisht, i shkëlqyer, ndonëse unë në këtë rast do të kisha dashur rinumërimin adevicio të të gjitha votave të Tiranës për arsye të 10 votave diferencë të rezultatit. Në ligje të ndryshme elektorale, për rezultatet e këtij lloji ekziston rinumërimi automatik.
Pse nuk e mori KQZ një vendim të tillë?
Nuk e lejon ligji. Ky është një sistem tjetër, i cili bazohet në kontestim, nuk bazohet në rinumërim. Çdo votë e vlerësuar konsensualisht i jep të drejtën çdo komisioneri dhe vëzhguesi për të bërë veton. Në rast se 3 komisionerët e numërimit e konsiderojnë atë jo të rregullt, nuk ka asnjë mundësi ndërhyrjeje. Doli rezultati plus 10 vota, Edi Rama e shpalli veten fitues.
Ishte fitues me dhjetë vota, e pamë në televizor…
Një njeri, për mua, me abc elementare zgjedhore, kur del 10 vota para, thotë unë jam, sipas këtij rezultati, fitimtar dhe pres rezultatin përfundimtar. Një rezultat i ngushtë me 10 vota mund të ndryshojë nga votat e kontestuara që janë mbi 300, teorikisht mbi 10 herë. Mund të mbetet po ky rezultat, mund të bëhet plus 150 vota, plus 200 vota. Këto vota janë detyrim absolut ligjor për rishqyrtim në KZAZ, në KQZ dhe në Gjykatën e Apelit. A mund të thuash ti që unë jam fituesi?
Z Berisha, ka dy pikëpyetje në lidhje me procesin në Tiranë. E para, pse nuk u dha një udhëzim që të numëroheshin që në fillim, por vetëm pasi u pa që rezultati i ngushtë dhe pse nuk u numëruan pas ankimimit, pasi të shpallet rezultati paraprak. Kështu u shpreh edhe ambasadori amerikan Arvizu?
Ka edhe një kriter tjetër. Pesha e votës është individuale për të gjithë, por pastaj ka një vlerësim të dytë se si ndikon ajo në rezultat. Po të jap një shembull në zgjedhjet e vitit 2009 në Minibashkinë Nr. 1, PD kishte 1300 vota, por votuesit kishin shkruar aty “rroftë Sali Berisha”. Ato u cilësuan të pavlefshme dhe ne nuk bëmë rekurs, sepse edhe po ta bënim, nuk do të ndryshonin rezultatin, sepse do të ishte një kosto nga ana administrative dhe nuk do të ndryshonin rezultatin. Tani, në këtë rast, me 10 vota diferencë, këto vota janë si penalltitë. Penallti që përcaktojnë fitoren. Pse ka frikë nga penalltitë ai?
Po si e shpjegoni që të gjitha këto penallti po hyjnë gol në portën e Ramës, sepse vetëm në këto 100 vota, vetëm 40 kanë shkuar në favor të Ramës?
Nga zoti Rama nuk kam dëgjuar që këto vota janë të pavlefshme dhe nuk ka si ta thotë, sepse i ka vota të qytetarëve. Sepse nuk mund të thotë tezën “flaki ato se më flakin mua”. Janë votat e qytetarëve. Po të ketë dyshimin më të vogël, përfaqësuesit e tij në KQZ le të kontestojnë. Ç’po bëjnë ata? Votat e Bashës po i kontestojnë, ndërsa të Ramës po i miratojnë. Në KQZ ato do të vlerësohen prapë dhe më pas është rruga për në Kolegj Zgjedhor. Ky është procesi ligjor dhe e vetmja gjë që s’mund të ndodhë, për shkak të nenit 117, ato vota nuk mund të rrinë pa u numëruar.
Nuk po ju duket çudi që ka shumë në favor të Bashës. Apo i keni votuesit që nuk i njohin mirë ngjyrat?
Ka shpjegimet e veta. Basha pati shumë fansa tek të rinjtë dhe mund të kenë pasur emocione në hedhjen e votës së tyre.
Z Rama i ka kërkuar Presidentit dhe komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë…
Së pari, i bëj thirrje KQZ të punojë me përkushtim të madh në përmbushjen e detyrës së tij, së bashku me të gjitha institucionet. Por ka një gjë kur sheh ata policë që rrinë aty, që janë djem, prindër, familjarë që agresohen në mënyrë primitive e barbare nga një grup deputetësh që shfrytëzojnë imunitetin me akte primitive. Apo nga njerëz shumë të afërt të Edi Ramës, si badigardët privatë që qëndrojnë në krye. Institucionet e tjera të zbatimit të ligjit po sodisin këtë. Kjo përbën një gjë shumë të rëndë për to. Çdo gjë duhet të hetohet. Ajo çka dua të theksoj është se në mënyrë absolute nuk ka asnjë në tendencën më të vogël për të ndryshuar këtë apo atë rezultat, por është themelore që të numërohet çdo votë. Ky rezultat, që sipas staticienëve mund të ndodhë njëherë në 10 mijë vjet, përbën një rast unikal me specifikat e veta, ku çdo votë përbën një të dhjetën e fitores, sepse dhjetë vota është diferenca. Në këtë rast, për të vendosur është e domosdoshme për një shqyrtim të hollësishëm dhe e ftoj z Rama që ç’do problematikë ta paraqesë në rrugë ligjore, por është e papranueshme që me moton 2-vjeçare, “hap kutitë, të numëroj votën”, edhe pse kishte një vendim gjykate. Duhet të dini një gjë, që në datën 29 mars nuk firmosi marrëveshjen për qëndrimin e partive, sepse kërkoi hapjen e kutive, ndërsa tani thotë mos numëro asnjë votë.
Përse nuk e shpallën njëherë z Rama fitues me 10 vota?
Sepse nuk kanë bërë akoma tabelën.
Me çfarë të drejtë KQZ ndërhyn tek tabelat e KZAZ-së?
Sepse të drejtën ia ka dhënë ligji. Kjo KQZ e kryen detyrën si KZAZ dhe e merr pastaj si KQZ. Është shumë e thjeshtë. Në këtë Kod, KZAZ merr vendimet katër me tre dhe vendimet po merren kështu. Përfundimtar vendimi është në KQZ, i cili kërkon vendimmarrje 5 me 2.
Po se morën vendimin 5 me 2?
Shkon në kolegj.
Pra me të gjitha gjasat mandati i Tiranës do të vendoset në kolegj?
Ky është një rezultat shumë i ngushtë sa edhe unë, të them të vërtetën, askush nuk mund ta parashikojë, megjithëse astrologët e kanë parashikuar Bashën, por nuk i besoj. Ky është një rezultat prej 10 votash.
Sot, në emisionin e lajmeve doli momenti i votimit të kreut të shtetit, i cili ka ngatërruar kutinë. Pra, fletën e verdhë për kryetar e hedh tek Bezha, që është për minibashkinë. Pra është një votë e panumëruar?
Emocionet janë njerëzore. Nga emocionet nuk privohet as Presidenti.
Pse Partia Demokratike ka humbur në mjaft zona. Keni ju përgjegjësi personale për kandidatë apo koalicioni?
Koalicioni ka funksionuar. Ky rezultat i jep 17 % vota më shumë se koalicioni tjetër dhe është tërësisht dëshmi e një funksionimi pothuaj të përkryer të këtij koalicioni. Kjo është e vërteta. Humbjet janë reale. Ato nuk u bënë në tavolina.
I prisnit këto humbje?
Diku po, dhe diku jo. Shkaqet janë komplekse dhe nuk dua që ky problem të shkojë në ndonjë gjueti shtrigash, por analiza do të jetë në sensin e përgjegjësive. Sigurisht që në këto humbje ka përgjegjësi të padiskutueshme të kryetarit të PD-së.
Pra ju personalisht keni përgjegjësi?
Padyshim. Ka përgjegjësi kryetari i PD-së, ka përgjegjësi i ngarkuari i kryetarit të PD-së dhe të kryesisë së PD-së, ka përgjegjësi dega e PD-së dhe përgjegjësi ka edhe kandidati. Pra, ne jemi parti që i marrim përgjegjësitë, por që të them që është vetëm e kandidatit, jo nuk e them. Kjo duhet të analizohet. Më e vështirë është analiza e fitores, por analiza e humbjes është e thjeshtë. E ka mekanikën më të thjeshtë.
Ka zëra që do të tërhiqeni në vitin 2013 dhe nuk do të garoni. Përmendeni që do të tërhiqeni në favor të ndonjë kandidati tjetër siç është kandidati Basha?
Tani mbani shënim. Koalicioni me LSI-në vazhdon deri në vitin 2023. E kemi deklaruar ne këtë.
Do të dilni ju apo z. Basha për ta udhëhequr koalicionin?
Unë e kam deklaruar që mua më shmang nga politika vetëm sovrani, verdikti i shqiptarëve. Pra humbja.
A do ta formatoni qeverinë në raport me leximin e 8 majit?
Siç e dini, kam dy vende të paplotësuara. E vërteta është që sapo të përfundojë ky proces, do të përqendrohem tek problemi i qeverisë se si do të zgjidhjet.

No comments: