Friday, May 13, 2011

Armë... ose burrë

Anjola Hamzaj

Gara për Tiranën konsiderohet e ashpër. Madje dje kryeministri e konsideroi shpirtnxjerrëse. Avaritë në numërim, tensionet mes forcave politike, deklaratat aspak të moderuara të deputeteve të PS, etj., janë një sërë faktorësh që kontribuojnë në pyllëzimin e kësaj gare.

Kjo ashpërsi lindi si fillim mes militantëve, me dhunë verbale dhe fizike, për flamuj dhe banderola. Një ashpërsi që duket se do të mbyllet me shpalljen e fituesit. Kjo garë duket se ka përfshirë pa dallim të gjithë shoqërinë, militantë ose jo. Baret e Tiranës janë në heshtje, të gjithë të ulur dhe me laps në dorë llogarisin votat, ndjekin “live” numërimin, në ankth për rezultatin.

Por dje një simpatizant i PS nga një fshat i Pogradecit plagosi 6 vetë. Militanti po gëzonte fitoren e liderit të tij me çifte. Nga gëzimi pa kufi, ai merr çiften dhe qëllon në ajër. Rezultati 6 të plagosur. Kjo konsiderohet më shumë se ashpër.

Fenomeni i të festuarit me armë nga shqiptarët është kaq i vjetër sa edhe ekzistenca e tyre në këtë planet. Raste të tilla shoqërojnë median, por më shumë individin, veçanërisht në dasma, lindje fëmijësh- nëse është djalë, edhe breshëritë e plumbave janë më të mëdha- për shyqyr që u shërove, etj. Kjo festë e dhunshme nuk është vetëm pjesë e kujtimeve fëminore, por prezent dhe rrezik permanent.

Historia e fiseve shqiptare, e familjeve të vogla e të mëdha, armët i ka në repertorin e gëzimeve, hidhërimeve dhe hakmarrjeve. Gjithçka zgjidhet me armë, konfliktet e vogla, konfliktet e mëdha, por edhe kur nuk ka konflikt, armë ka gjithmonë. Ajo rri aty si për shprehur burrërinë e shqiptarëve, që më shumë do t’i përshtatej burracakëri, për të shprehur siguri dhe të qënit të fortë. Këtë anë, që shpesh ka karakterizuar në thelb identitetin e shqiptarëve me shpatë ose me revole , Kadare e ka shpjeguar te “Darka e Gabuar” me një përshkrim mbi fshatarët e Lazaratit. Ai thotë se kur lazaratsit shikonin dritat e zbehta të qytetit të Gjirokastrës iu ngriheshin nervat dhe dilnin pastaj të qëllonin me automatikë në ajër drejt dritave për të shfryrë inatin.

Kjo pjesë, por edhe historia e shqiptarëve e mbushur me armë që në fillimet e këtij populli, tregon se lidhja me armën nuk është nevojë, as koleksion, por një mjet i kapriçove të tyre. Kjo marrëdhënie e ngushtë me armët dhe për pasojë me dhunën nuk është venitur aspak edhe me vrapin e kohës. Edhe sot që vendi ynë është në një tjetër status, ku aderon për t’iu bashkuar shoqërisë evropiane, sebepet, veçanërisht gëzimet, shoqërohen me armë përveç rakisë dhe mezeve. Në shtëpitë muze, qofshin pronë e shtetit apo edhe personale, motivet e armeve janë të reklamuara. Burra të fortë, me mustaqe, dhe me armë. Kjo tablo e burrit shqiptar vazhdon edhe sot të jetë e gjallë, por e përshtatur me novacionin. Nëse dikur revolja mbahej në brez, tani mbahet në kroskotin e fuoristradës apo Benzit, në vend të mustaqeve janë flokët me xhel, por sa më shumë, aq më mirë.

Gjak ballkanas
Në analiza akademike ose amatore justifikohet kështu. Gjak ballkanas, që përkthehet gjak i nxehtë, mendje impulsive, mungesë arsyeje. Ky pellg i vendeve të Ballkanit bie dakord vetëm në këtë pikë. Në të gjitha të tjerat e shpallin veten me identitet të theksuar dhe të mëvetësishëm, pa asnjë lidhje me vendet fqinje. Shpesh herë diskutohet për këngët e transmetuara gojarisht, ku një këngë është e njëjtë në të gjitha vendet e Ballkanit. Por kjo nuk pranohet kurrë qoftë edhe me arsyen se lëvizja sjell ekspansion të kulturës. Debate dhe kritika mes studiuesve për origjinën e një kënge, për të mos llogaritur eposin, ku edhe kjo e fundit konsiderohet pikë e nxehtë e komunikimit mes popujve të Ballkanit. Këto vende gjaknxehta shpesh marrin atributin e origjinës së një vepre, ose hedhin akuza për vjedhje teksti, muzike apo eposi.

Ashpërsia e maleve të këtij gadishulli thuhet se ka ndikuar në karakterin e burrit, duke i transmetuar atij ashpërsinë e tij dhe forcën e tij.

Por në të vërtetë a është burrëri, a është burri shqiptar i fortë dhe burrë, me dy rr- siç thuhet. E gjithë koha duket se kalon si era në lëkurën e burrave shqiptarë. Novacioni, lëvizja, shkëmbimi i kulturave nëpërmjet internetit, emigracionit veçanërisht, janë të papërfillshme. Lidhja me armët është po aq e fortë sa ajo e burrit me grua, e kthyer thuajse në ligjësi natyrore. Nga kjo “dashuri” e madhe për të qenë i vlefshëm vetëm me armë, pasojat janë jo vetëm sporadike, por me dimensione të mëdha.

Gjakmarrja në veriun e Shqipërisë ka këtë origjinë, pavarësisht analizave në kohë që mund të bëhen, xhelozia ndaj gruas zgjidhet me armë, konflikti me fqinjin, abuzimi me pronën, mungesa e respektit etj. Madje, ka raste kur edhe dashuria shprehet me armë. Djem që kërcënojnë se do të vrasin vetën nëse e dashura i braktis, ose do të vrasë të dashurën, njëra nga këto. Babai që i dhuron djalit një armë, lodër, por që të njihet me simbolin e burrërisë që fëmijë, që të mos i trembet jetës se zgjidhja është një armë. Në shoqëritë evropiane fjala armë ka konotacion krejt tjetër në përdorimin e përditshëm, ku në kuptimin e vërtetë thuajse nuk përdoret. Armë janë kapacitetet intelektuale, ekonomike, fizike, etj.

Për këtë lloj arme ka nevojë njeriu në jetë.

No comments: