Thursday, April 7, 2011

Tri memorandume të gushtit 1912 Shqipëria etnike një bashkësi territoresh

Javën e kaluar botuam memorandumin e Komitetit kryengritës të Jugut drejtuar qeverisë turke. Sot po botojmë një triptik projektesh memorandumi, të formuluara nga Mustafa Kruja e të firmosura nga Avdi Be Toptani, përkatësisht sekretar e kryetar i Komitetit të Vilajetit të Shkodrës. Ky dokument, në synimin e hartuesve, do të ballafaqohej me të tjerë të këtij lloji, në takimin e krerëve të kryengritjes së vilajeteve të ndryshme, që ishte parashikuar të mbahej në Shkup. Por kur delegacioni mbërriti në Shkup, Komiteti i Kosovës kishte përfunduar marrëveshjen me Misionin e qeverisë turke, duke i dhënë praktikisht fund vetë kryengritjes.
Megjithëse nga ana praktike projektet e memorandumit nuk patën asnjë efekt, vlejnë të lexohen për të kuptuar mendimin politik të një pjese të veprimtarëve të kryengritjes. Tre projektet duhet t’ishin shtruar në tryezën e bisedimeve me Misionin qeveritar turk.
Në vija të përgjithshme memorandumi i Jugut dhe tre projektet e Durrësit kishin një identitet qëllimesh e vizionesh të përbashkëta: Ata kërkonin gjuhën shqipe e nëpunësit shqiptarë në organizmat administrative, shkollat shqipe në të gjithë territorin, barazinë e kombësivet të ndryshme të Perandorisë, Mbikqyrësin si përfaqësues i Potës së Lartë dhe hallkë lidhëse mes Stambollit dhe Shqipërisë, një autoritet që do të luante rolin drejtues të Shtetit e të Qeverisë, ushtrinë shqiptare në mbrojtje të kufijve të Vëndit e shërbimin ushtarak prej dy vjetësh në territorin e tij, sigurinë e respektit të besimit fetar, por edhe të traditave, dokeve e zakoneve të shqiptarëve.
Ndryshimet ndërmjet projekteve e memorandumit të Ismail Qemalit janë të natyrës administrative kushtetuese të shtetit t’ardhshëm. Vizioni i I.Qemalit është federalist, pika 5 e memorandumit thotë: “Shqipnija të qeveriset mbas systemës shqêndralizatore.”, një vizion shteti që paraprin një projekt politik që, ende mbas njëqind vitesh, nuk është sendërtuar, jo vetëm në Shqipëri por as në një pjesë të mirë t’Evropës. Vizioni i Krujës është më në sintoni me epokën historike në të cilën lind dhe kontekstin e saj ndërkombëtar. Ai buron nga ideja e shtetit centralist dhe unitar, i parë si modeli më i përshtatëshëm për të garantuar dhe mbrojtur kombin e bashkuar mbas më shumë se dymijë vitesh përvoje negative historike. Jo rastësisht pesë pikat e para të projektit pasqyrojnë arkitekturën e shtetit të ardhshëm: një bashkësi territoresh jo më të ndara në vilajete, por të përmbledhura në një “Elajet”, në kufijtë etnikë të trevave të banuara nga shqiptarët. Është modeli i një demokracie parlamentare, me dy dhoma përfaqësuese, të dala nga zgjedhje të lira që shpreh një “kshill Drejtorash nën kryesin e Sundimtarit”, praktikisht Qeveria e Vendit e përbërë nga 7 ministri. Për të përcaktuar statutin e shtetit t’ardhshëm, me votim të përgjithshëm zgjidhet një Kuvend Kushtetues që ka vetëm funksionin e përcaktimit të projekt – shtetit dhe rregullave të tij.
Me pak fjalë këto ishin projekt – idetë e etërve themelues një shekull më parë që, në shumë drejtime, janë edhe sot një thesar i madh, prej të cilit mund të nxirren mësime të vlefshme edhe në ditët tona, sidomos në ditët tona, kur jemi të pranishëm në një rënie vertikale të vlerave që duhet të jenë në bazën e funksionimit të një shteti e të qeverisjes së një populli.
Eugjen Merlika

Gusht 1912
Mustafa Kruja. Tri projekte memorandumi n’emen të kryengritësvet të Prefekturës së Durrsit. Tyrqisht.
Shënim : Dokumenti i shkruem tyrqisht prej dorës së M. Krujës, paraqet tre projekte të ndryshme, qi shkojnë nga nji autonomí e vërtetë e Shqipnís (i pari) e deri në nji shqêndralizim administratuer (i treti).
Kanë qênë hartue për t’i a paraqitun si proponim Kuvêndit të Përgjithshëm të kryengritjes qi kujtohej se kishte për t’u mbledhun në Shkup. Por kur mbërrîni atje dërgata e kryengritësvt të vilajetit të Shkodrës, krenët e Kosovës e kishin pasë krye marrveshtjen me Qeverín për hesap të tyne.

Projekti I

1. Vilajetet shqiptare të bashkohen në një Ejalet1të vetëm me emën Ejalet i Shqipnís, dhe dasija e tij në qarqe administrative të bâhet simbas nevojavet lokale.
2. Ejaletit të Shqipnís t’i epet nji regjim autonom i mbrêndshëm ndën sypranín e Madhnís së Tij Mbretit dhe drejtpërdrejt ndën auktoritetin politik të Tij.
3. Ejalet’i Shqipnís të ketë nji kshill deputetësh të zgjedhun e nji senat.
4. Në krye t’Ejaletit t’emnohet prej anës së M. T. Mbretit nji Sundimtar qi të gzojë besimin e të dý kshillevet. Nëpunsija e Sundimtarit ngjat tri vjet, por mund edhe të përsritet.
5. Ejaleti do të ketë nji kshill Drejtorash ndën kryesín e Sundimtarit e t’emnuem me dekret Mbretnuer mbas proponimit të këtij, gjithsej shtatë vetë : nji për punët e mbrêndshme, nji për punët ushtarake, nji për drejtí, nji për financa, nji për arsim, nji për tregtí e punë botore, e nji për pyje e bulqsí.
6. Mbasi në kohë paqe ushtrija shqiptare mjafton për rojën e kufîjve e të qetís së vêndit, mos të lêhet tjetër fuqí ushtarake në Shqipní veç asaj së vêndit.
7. Sadoqi fuqija ushtarake e detare e Shqipnís âsht pjesë e padame e atyne të Mbretnís, gjithça i përket organizimit dhe rregullimit të tyne përmbrênda do të caktohet me ligjë e rregullore të vêndit.
8. Të tânë nëpunsit e Shqipnís të jenë Shqiptarë, edhe oficerat e ushtrís me parapëlqim po prej race shqiptare.
9. Fuqija gjyqsore t’organizohet me ligjë të vêndit simbas karakterit dhe dokeve të popullit Shqiptar.
10. Veç taksavet doganore, të postës e të telegrafës, të duhanit e të pijevet dhe të pullavet fiskore, të gjitha taksat tjera të caktohen prej ligjve të vêndit dhe të harxhohen për nevojat e vêndit, tue mbetun për thesarin e Mbretnís vetëm teprica e taksave të përmênduna mâ nalt si të jenë hjekun ça âsht caktue me ligjë m’u pague prej sosh.
11. Vetëm arsimi i naltë do të nepet në gjuhë tyrqishte dhe në krejt shkollat e arsimit fillor e të dytë do të mësohet shqip tue u mësue tyrqishtja si gjuhë e dytë. Veçse në shkollat normale, edhe në qofshin me gradë të naltë, mësimet do t’epen në gjuhë shqipe.
12. Në parlamentin othoman të marrë pjesë nji dërgatë shqiptare e zgjedhun prej kshilit të deputetënve e senatit të vêndit.
13. Punët e kulteve e të vakufeve të rregullohen me ligjët e vêndit.
14. Gjuha zyrtare e Ejaletit të Shqipnís të jetë shqipja dhe vetëm korrespondenca ndërmjet qeverís së vêndit e qeverís mbretnore të bâhet tyrqisht.
15. Qeveríja lokale të ketë të drejtë me lidhun traktate e kuvêndesa ekonomike me kusht qi t’i pëlqejnë dý kshillet e vêndit e të shinatohen me dekret mbretnuer.
Nyjë e përkohshme : Të zgjidhet me votim të përgjithshëm e të mblidhet menjiherë nji Kuvênd Kushtetuer për të hartue e pëlqye Statutin e Shqipnís dhe ligjën e zgjedhjevet për deputetën e senatorë; porsa të zgjidhen këto dý kshille Kuvêndi Kushtetuer të quhet i shpërdamë.

Projekti II

1. Të bashkohen në nji vilajetet e Shqipnís dhe të krijohet nji administratë lokale me ligjë të posaçme simbas karakterit e natyrës së popullit e mbas zakoneve të vêndit.
2. T’emnohet për Shqipnín nji Sundimtar i përgjithshëm prej anës së M. T. Mbretit me kompetencë të gjânë, nëpunsit e tjerë simbas gradës qi të kenë, a t’i proponojë Sundimtari e t’i emnojë qeveríja qêndrore ase t’i emnojë drejtpërdrejt Sundimtari vetë.
3. (Nyja e tretë e projektit të parë).
4. Policat dhe gjindarmët me gjithë ndënoficerat e tyne të zgjidhen e t’emnohen në mes të banorvet të vêndit.
5. Shërbimi ushtarak t’ulet në dý vjet dhe Shqiptarët në kohë paqe t’a bâjnë këtê në Shqipní.
6. Mësimi i shkollavet fillore dhe në gjymnazet e ulta (ryzhdije) t’epet shqip.
7. Të çilet menjiherë nji shkollë normale shqipe për me nxjerrë mësues për shkollat fillore e gjymës gjymnazore.
8. Shkollat private shqiptare të kenë po ato të drejta qi kanë shkollat zyrtare të Shtetit.
9. Të niset menjiherë ndërtimi i rrugavet mâ rândsore të Shqipnís dhe pak nga pak të lidhen të gjitha qytetet me rruga; të merren masa qyshë tashti për ndërtimin e nji hekurudhe; të rregullohen ujnat e të thahen kënetat.
10. Në Shqipní ndërmjet popullit e qeverís të njihet dhe gjuha shqipe për zyrtare baraz me tyrqishten.
11. Kshilli provincuer i Shqipnís të ketë të drejtë me vûmë ligjë e rregullore lokale me kusht qi t’i pëlqejë ato edhe qeveríja qêndrore e të shinatohen me dekret mbretnuer; si edhe të vërtetojë bugjetin e Shqipnís.
12. Nga t’ardhunat e Shqipnís 10 për qindt’i kushtohen arsimit dhe 20 për qind punvet botore të vêndit.
13. Të njihet zyrtarisht kombsíja shqiptare nji për nji si kombsít tjera të Mbretnís dhe po me ato të drejta e privilegje qi gzojnë ato.
14. Të falen të gjitha taksat e prapambetuna në Shqipní dhe tatimet të bâhen me të drejtë, sidomos xhelebi të pakohet.
15. Të bâhet nji amnistí e përgjithshme për të tâna fajet politike, pa asnji përjashtim, qi u ngarkohen Shqiptarvet.
16. Pranim’i këtyne kërkesave prej anës së Qeverís të shpallet pikë për pikë dhe qartas në fletoren zyrtare.

Projekti III2

1. T’emnohet për vilajetet e Shqipnís nji Mbikqyrës i përgjithshëm me kompetencë të gjânë.
2. Nga nëpunsit e Shqipnís vetëm ata qi sod emnohen me dekret mbretnuer t’i emnojë qeverija qêndrore me proponimin e Mbikqyrsit, tue mbetun emnimi i gjithë tjervet në kompetencën e këtij të fundit. Si ata si këta të zgjidhen prej Shqiptarvet qi kanë cilsít e nevojshme.
3. (Nyja 4 e projektit II).
4. Shërbimi ushtarak t’ulet në dý vjet, Shqiptarët në kohë paqe t’a bâjnë këtê në Shqipní, oficerat të parapëlqehen prej kombsije shqiptare.
5- 9. (6 – 10 të projektit II).
10. Kshillet provincore të kenë të drejtë me përpilue rregullore lokale, me kusht qi këto mos të jenë në kundrështim me ligjët e mbretnís, dhe me vërtetue bugjetin e vilajetit të vet.
11 – 14. ( 13 – 16 të projektit II)

(Footnotes)
1 Ejalet quheshin heret krahinat e mëdhá të Tyrqís, para krijimit të vilajeteve.
2 Ky do t’ishte “ultima ratio”

No comments: