Friday, April 8, 2011

Kongoli: Jam përlyer në dënimin e kolegut në '81. S'mund të jem i larë


Elsa Demo

U bënë disa muaj që është botuar autobiografia "Iluzione në sirtar. Pothuajse roman për vetveten" e Fatos Kongolit, (Toena, 2010). Shkrimtari tani jeton pjesën më të madhe të vitit në Nju Jork, e ç'mbetet në Tiranë. Vala e diskutimit mbi këtë rrëfim të Kongolit për veten ka rënë, e tani ai po e prezanton vetë veprën kur e ftojnë qoftë në Universitet të Elbasanit së fundi, e qoftë në Muzeun Kombëtar si dje, në Tiranë.


Libri i tij ka ngjallur reagime pro dhe kundër për rrëfimin e një episodi nga më të vështirët e jetës së tij: në vitin 1981, ai dëshmon në gjyq ndaj ish kolegut Hysenli Dume në Shtëpinë Botuese "Naim Frafshëri", i cili u dënua me 8 vjet burg. Është një periudhë e zymtë politike për vendin, po aq edhe për autorin. I ati ishte përjashtuar nga Partia.
Ashtu si në gjithë romanet e tij ku elementet autobiografike janë të gjithëpranishme, edhe episodi në fjalë është ndërthurur te "Kufoma".

Në intervistën për "Shekullin", po i japim lexuesit që nuk e ka marrë akoma në dorë këtë libër, rrëfimin e Fatos Kongolit për dobësinë dhe brengën njerëzore, për një "pisllëk" nga i cili ai thotë nuk del dot i larë.


Zoti Kongoli, ju nuk e keni mohuar ndonjëherë që romanet tuaja, kanë pothuajse të gjithë lëndë autobiografike. E megjithatë ishte e nevojshme të shkruanit një autobiografi ku të shpjegonit gjerësisht origjinën e letërsisë suaj?
Ky libër shpjegon atë që kam shkruar deri më sot, si e shoh unë këtë krijimtari qysh kur kam shkruar librin e parë në periudhën e realizmit socialist deri tek romani "Bolero" që mbyll periudhën e dytë të krijimtarisë sime që fillon me romanin "I humburi", i shkruar në fillim të vitit 1990 dhe i botuar më 1992.


Deri më 2008 janë tetë romane që tek ne quhen epoka e tranzicionit. Prandaj edhe mund të quhem zakonisht "shkrimtar i tranzicionit". Mendoj që pas këtij libri të hyj në një hapësirë tjetër letrare.

Ndiheni në ato ujëra?
Po. Ky ka qenë synimi i librit: të vendos rregull në atë që kam shkruar. Tani për mua fillon një periudhë e tretë.
A janë librat e mi autobiografikë, është pyetja më e shpeshtë që më bëjnë. "Iluzione në sirtar" është një libër kryesisht për ata që i kanë lexuar librat e mi.

Por vëmendjen e ka tërhequr episodi i jetës suaj, i vitit 1981, kur ju punonit në shtëpinë botuese shtetërore. Të jetoje në rrethanat e kontrollit dhe të survejimit shtetëror, janë të qartë njerëzit sot për këtë aspekt të së kaluarës?

Meqë njerëzit fokusohen pikërisht në këtë episod të jetës sime, e them edhe njëherë se unë e kam shkruar atë si një detyrim ndaj vetes në radhë të parë mbas kaq vitesh, si një brengë shumë e madhe e jetës për atë që ndodhi.


Nuk kam qejf të bëj komente. Mbi të gjitha, nuk kam menduar që duke bërë këtë rrëfim për të cilin nuk më detyroi askush, të më japë ndokush ndonjë dekoratë. Është thjesht një rrëfim i jetës sime. Këtë mund ta interpretojë kushdo si të dojë vetë.


"Iluzione në sirtar" është libër shumë i gjerë. Aty ka shumë personazhe realë. Kur e kam shkruar këtë libër, e kam ditur që të gjithë këta personazhe janë gjallë, dhe nuk i jam trembur faktit që ndokush mund të mos i gjente me vend ato që kam shkruar. Deri tani nuk ka dalë kush të më thotë që gënjen.


Nuk më ka shkuar mendja kurrë që kujtimet e mia të botohen 100 vjet pasi të jenë shkruar. Mua kjo kurajë nuk më ka munguar.
Në fund të fundit, për disa mijëra lexues që kam në Shqipëri, - jam i sigurt që i kam disa mijëra lexues, - e kanë më të qartë pse i kam shkruar ato libra.

Ka jo pak njerëz që mendojnë se kjo që keni bërë do i vlejë diskutimit tek ne për të kaluarën.
Nuk e kam shkruar këtë libër për t'iu treguar të tjerëve ç'duhet të bëjnë e nuk duhet të bëjnë. Kjo është një brengë personale.

Ka të tjerë që kanë të njëjtën brengë.
Besoj se ka dhe ka shumë, varet sa e ndjen ai për ta rrëfyer një brengë të tillë, dhe kjo varet nga shumë rrethana. Meraku im ka qenë që të jem sa më i saktë në dhënien e gjërave, sepse janë gjëra që i përkasin një të kaluare, të mos kem lajthitje.

Është shkruar vetëm në bazë të kujtesës?
Vetëm me kujtesën time.

Si e kanë pritur ish kolegët e "Naim Frashërit"?
Ish kolegëve të shtëpisë botuese iu ka pëlqyer libri. Por në shtyp është përdorur edhe një gjuhë shumë agresive ndaj meje, do të thosha e turpshme, poshtëruese sepse manipulon thëniet e mia, i shkëput nga konteksti. Kanë qenë momente shumë të vështira për mua edhe këto. Ashtu siç do të kishte edhe shkrime që e lexonin ndryshe këtë libër.

Tani keni nisur ta prezantoni librin. Duket t'ju ketë çliruar.

Jo. Është diçka shumë e çuditshme. Relavitisht, nuk çlirohet njeriu nga disa brenga sepse janë gjëra që nuk kthehen më. Dëmi që është bërë nuk ndreqet. Është bërë ai dëm. Kështu që këtë brengë, pavarësisht se sa ka qenë pjesa ime, unë sidoqoftë u përlyeva në atë pisllëk që u bë. Edhe pse e bëra gjestin që duhej të bëhej, ajo është diçka shpirtërore, nuk mund të jem i qetë, nuk jam i larë.

Nuk është kaq e thjeshtë, të paktën jo në rastin tim. Ndryshe unë nuk do ta kisha bërë fare këtë. Kam qetësinë që thashë të vërtetën time, e vërteta që duhet besuar. Sepse në realitet ndodhnin gjëra nga më të çuditshmet. Fillojnë të tjerët dhe bëjnë historinë tënde, siç kishte bërë dikush.


Domethënë ta bëjnë të tjerët portretin. Unë nuk kam dashur të bëjë portretin tim, kam dashur të bëj një rrëfim. Edhe këtu jam gjithmonë brenda natyrës sime, brenda personazheve të mi. Kam bërë atë që bëjnë personazhet e mi, jam rrëfyer.


Po të lexosh librat e mi dhe po të lexosh "Iluzionet", unë kam që nga 1991 e këtej që s'bëj gjë tjetër, vetëm rrëfehem. Tani që bëra këtë, kam menduar që është një fazë tjetër e tërë.

Do ndërroni melodi?
Të shikojmë. Besoj që do ta kem të vështirë që pas këtij libri të shkruaj vërtet.

Po pse është nevoja për të shkruar ndryshe? Çfarë ka ndodhur?
Unë e respektoj lexuesin shumë dhe e kam edhe shumë frikë. Kur them lexuesin, nuk kam parasysh një lexues konkret. Kam parasysh qoftë edhe lexuesin virtual. Lexuesi i sotëm ka kontakte të jashtëzakonshme, ka mundësi të zgjedhë, e nëse ti nuk i thua diçka të re, ose hesht ose thuaj diçka më të mirë se heshtja.


Pra është ajo kërkesa e përhershme e një autori që mundësisht të mos përsërisë veten. Por kjo është diçka shumë metafizike. Si do dalësh para lexuesit me L të madhe kur ky ka njëmijë variacione për të lexuar gjëra më të këndshme?

Ka ndikuar distanca për të shkruar "Iluzionet"?
Jo. Unë këtë libër e kam shkruar në Amerikë. Amerika është një dimension që unë jam fillestar e nuk e njoh.

Ju e ndjeni agresiv mjedisin këtu dhe nuk ju ndikon për mirë.
Unë pa këtë mjedis nuk do shkruaja dot, por në Nju Jork kam kushte të shkruaj qetësisht. Kam mbërritur te kjo fazë e jetës sime: të vij këtu, të ngarkohem e të shkarkohem atje.

Keni shkruar ndërkohë?
Gjërat që tregohen nuk bëhen. Ka disa gjëra që nuk tregohen pa u bërë. Bëhen në errësirë si ajo bima që mbin në errësirë, nën tokë, nën dhe. Sheh gjë në një fushë që papritur bëhet e gjelbër e pastaj me grurë? Fillimisht ti nuk sheh asgjë. Mirëpo ajo është aty brenda. Duhet pritur çfarë do dalë. Do mbijë a s'do mbijë fare.

Por duhej të shkruanit kujtimet njëherë...
Mbasi mbarova "Boleron", kisha një ide ngacmuese për një roman të ri. U ktheva në Amerikë me idenë e romanit të ri. Po gjithnjë e më shumë ngurroja. Derisa një ditë në bukur kur u ngrita në mëngjes, thashë: nuk është kjo që duhet të bëj tashti.


Duhet të bëj një bilanc meqë jeta ime hyri në një kthesë ku pjesën më të madhe të kohës do e kaloj andej, një pjesë tjetër këtu. Ika nga jeta ime e përditshme, u prish ai rregulli i gjithë jetës. Doja të vija një rregull, plus nevoja ime e përhershme për të rrëfyer shumë gjëra. Vërtet romanet e mia janë trillime por janë shumë gjëra që janë përjetime të miat.


Gjithmonë kam menduar që njeriu duhet të shkruaj kujtimet e tij mbasi i ka mbyllur të gjitha hesapet. Mirëpo qëllimi nuk ishte të tregoja kujtime të jetës sime, siç bëhet zakonisht ku njerëzit evidentojnë veten e vet, sa të zotë kanë qenë, sa të zgjuar. Doja të vendosja një rregull në krijimtarinë time dhe të bëja një rrëfim vetjak në funksion të kësaj.

Një nga personat kryesorë që ju lidh me iluzionet, është babai juaj, Baki Kongoli.
Është drama e tim eti që ka ndikuar shumë tek unë. Prandaj unë këtë libër e kam quajtur "Iluzione në sirtar". Janë iluzionet e tim eti, një artist i shkolluar në Perëndim, që përqafoi idetë komuniste në Itali. Kështu ma kishte shpjeguar. Kishte dy alternativa për të: o komunizmin e Antonio Gramshit, o fashizmin e Duçes.


Ai ishte alergjik ndaj këmishëzinjve, edhe si shumë intelektualë të kohës përqafoi komunizmin. Shkoi në luftë, doli partizan dhe pati një fund tragjik. Ai i kishte besuar idealit për të cilin punoi gjithë jetën. Ai mbeti i tillë edhe mbasi e dënuan dhe e flakën si limon i shtrydhur.

Deri në fund, shumë shenja tregojnë se ai i besonte atij ideali. Kam një episod, kur unë kam parë që ai shkoi pshurri në sirtarët e tryezës së punës, - sot e kam unë, në atë tryezë punoj. Kështu përfundoi ai njeri që gjithë jetën ia kushtoi idealit të gabuar.

"Iluzione në sirtar" janë edhe zhgënjimet juaj..
Shumë i hidhur, shumë i thellë, fill pasi u përmbys diktatura, në vitet e para të epokës së demokracisë, me zhvillimet e kapitalizmit të egër dhe që i dimë, ato drama të tmerrshme të tranzicionit që kaluam e po kalojmë sot e kësaj dite.


Dhe librat e mi çfarë janë? Janë gjendja e dëshpëruar që përfundon në vetëvrasje, psiqika e rëndë e personazheve të mi në një realitet zhgënjyes. Ato janë shprehje e zhgënjimit të iluzioneve të mia. Mbase mund të ketë njerëz që këtë zhgënjimin tim mund të mos ma falin. Mund të jenë edhe ata që kanë shkruar kundër meje.

E keni çuar nëpër mend vetëvrasjen?
Ka pasur momente, sigurisht. Ka pasur momente shumë të rënda të jetës sime. Më se një herë i kam shkuar tangent... Nuk mendoj që është një zgjidhje. Nganjëherë, ky është edhe egoizëm. Është egoizëm, sepse ti shpëton veten tënde, po iu lë të tjerëve trashëgim, s'po themi mungesa, po një vuajtje të tmerrshme.

Atëherë rëndësi merr vetëm akti i të punuarit, në rastin tuaj, akti i të krijuarit, asgjë më pas, asgjë më përpara.
Ashtu si për Sifizin merr kuptim vetëm akti i ngritjes së gurit, për mua vetëm puna merr kuptim.

No comments: