Saturday, April 23, 2011

Franca në Tirane, Rumania ndoshta në Prishtinë



KombetarjaNdeshja në mes të kombëtares së Shqipërisë dhe të asaj të Francës do të zhvillohet në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" në Tiranë. Këtë e ka bërë të ditur të premten sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Eduard Prodani.
Në të vërtetë së fundi është folur për mundësinë që ndeshja Shqipëri - Francë të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Prishtinë. Ky takim duhet të zhvillohet më 2 shtator, ndërsa i takon eliminatoreve për kampionatin evropian "Euro 2012".

Drejtues të klubit Prishtina, të enjten, në një konferencë për shtyp kanë thënë se Shqipëria do të luajë ndeshjet me Francën e Rumaninë në Prishtinë, nëse stadiumi përgatitet për të plotësuar kriteret e kërkuara nga FIFA e UEFA për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Drejtues të Prishtinës madje kanë kërkuar ndihmën e institucioneve për të përgatitur stadiumin. Drejtues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ata të Federatës së Futbollit të Kosovës kanë theksuar se nuk kanë mjete për të investuar në stadium, në mënyrë që ai brenda një kohe të shkurtër të përgatitet për të plotësuar kriteret ndërkombëtare.

Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Prodani ka theksuar të premten se Federata franceze më herët është njoftuar se ndeshja do të luhet në "Qemal Stafa" dhe se vendi nuk mund të ndërrohet më.

"Ndeshja kundër Francës do të luhet në 'Qemal Stafa',për shkak se sipas rregullores ne duhet të njoftonim Federatën e këtij vendi për stadiumin ku do të luhet takimi. Përgjigjja jonë ka qenë 'Qemal Stafa'. Sa i përket Rumanisë, ka shumë mundësi që ndeshja të mos luhet në stadiumin kombëtar", ka thënë Prodani të premten për gazetën tiranase “Sport Ekspres”, transmeton Koha Ditore.

Stadiumi "Qemal Stafa" pritet të rrënohet gjatë këtij viti, ndërsa në vend të tij do të ndërtohet një stadium i ri modern. FSHF-ja ende nuk ka vendosur se kur do të fillojë rrënimi i stadiumit. Sipas Prodanit, kjo ka gjasë të ndodhë menjëherë pas ndeshjes me Francën. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që ndeshja me Rumaninë të zhvillohet në Prishtinë, nëse stadiumi i këtij qyteti i plotëson kushtet e kërkuara nga FIFA e UEFA. Ndeshja me Rumaninë do të zhvillohet më 11 tetor. Zyrtarë të FSHF-së kanë shumë dyshime nëse stadiumi i Prishtinës mund të përgatitet për të plotësuar kriteret e kërkuara nga FIFA e UEFA. Ndeshjet me Francën dhe Rumaninë janë të vetmet që Shqipëria i luan në shtëpi deri në fund të këtij cikli eliminator.

Mediumet rumune janë shqetësuar për mundësinë që përfaqësuesja e këtij vendi të luajë në Prishtinë ndeshjen eliminatore kundër Shqipërisë. Rumunët vlerësojnë se në Kosovë futbollistët e përfaqësueses së tyre do të kishin pritje armiqësore.
"Pasi barazoi me ne në Rumani, Shqipëria po përgatit një goditje të radhës. Zyrtarët e Federatës po mendojnë që ndeshjen kundër Rumanisë ta bartin në Kosovë, provincën që ka shpallur pavarësinë nga Serbia dhe ka popullatë shumicë shqiptare", ka shkruar "prosport.ro" të premten.

"Në këto rrethana, bartja e ndeshjes në Kosovë, do të siguronte një stadium plot me dashuri për shqiptarët. Për përfaqësuesen tonë do të thoshte një pritje armiqësore si pasojë e ngjarjeve të ndodhura atje në vitet e fundit. Rumania është nga shtetet e pakta të Bashkimit Evropian, që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Në vitin 2007 policët rumunë kanë qëlluar për vdekje me armë dy protestues shqiptarë gjatë një proteste, duke krijuar atje urrejtje edhe më të madhe ndaj vendit tonë", ka komentuar mediumi rumun.

Po ashtu, të premten u mësua se kombëtarja e Shqipërisë ka refuzuar ofertën për të zhvilluar një ndeshje miqësore me Argjentinën. Këtë e kanë bërë të ditur drejtues të FSHF-së. Shqipëria kishte ofertën që me Argjentinën të luajë më 3 qershor. Por, përzgjedhësi Josip Kuzhe vlerësoi se ky termin është i papërshtatshëm dhe oferta u refuzua. Shqipëria më 7 qershor luan ndeshje të rëndësishme eliminatore kundër Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa Kuzhe ka kërkuar që skuadrën ta ketë në dispozicion për një javë. Shqipëria ka pasur ofertë që më 3 qershor të luajë edhe kundër SHBA-së. "Kuzhe ka kërkuar që skuadra të ketë të paktën një javë të plotë për t'u përgatitur për ndeshjen kundër Bosnjës. Jemi të pafat, pasi mund të luanim kundër një ekipi me emër të madh në futbollin botëror më 3 qershor. Kishim mundësinë që të viheshim përballë Argjentinës", ka thënë sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani. Ai ka njoftuar se FSHF-ja po kërkon kundërshtar për 30 apo 31 maj. Si kundërshtar të mundshëm përmenden Ukraina e Bullgaria. (Koha)

No comments: