Tuesday, April 19, 2011

Fino: Përdora Zani Çaushin për të vënë rendin në Vlorë


ISH-KRYEMINISTRI BASHKIM FINO (MAJTAS) ROMANO PRODIN NE VLORE NE 1997, NE SFOND ZANI ÇAUSHI

Ashtu si papritur, Bashkim Fino, i cili deri në atë kohë kishte pasur si postin më të lartë, kreun e Bashkisë së Gjirokastrës, do të bëhej një nga eksponentët më të rëndësishëm të vitit të vështirë 1997. Ai do të bëhej Kryeministër i Qeverisë së Stabilitetit në kohën e trazirave. Duhet të vendoste rendin dhe të çonte vendin në zgjedhje. Ish-kryeministri është rrëfyer për Milena Hariton në librin “Pesha e pushtetit”. Si drejtoi qeverinë në atë vit të prapshtë, marrëdhëniet e tij me Presidentin e asaj kohe, Berisha, si shfrytëzonte “të fortët” e qyteteve, mes tyre dhe Zani Caushin, për të vënë qetësinë si dhe raportet me ndërkombëtarët.

Qindra mijëra armë gjenden në rrugë. Situata eksplozive në të gjithë vendin dikton axhendën e Kryeministrit.
Bashkim Fino: Dita e Kryeministrit në ato kushte është shumë e zënë, shumë e ngarkuar. Dita nuk programohej në mënyrë stereotipe të një Kryeministri që fillon punën në 8 apo në 9, shikon gazetat, ka takim me stafin etj. Nuk ishte një ditë e zakonshme pune e një Kryeministri të një vendi demokratik. Dita jonë e punës nuk dihej kur fillonte e kur mbaronte. Mund të mbaronte dita e mëparshme në katër të mëngjesit dhe të fillonte që në 6 dita e re. Me dy orë gjumë mund të të duhej të vazhdoje, se kishe probleme nga më të ndryshmet në gjithë Shqipërinë apo angazhime për t’u takuar me të huajt. Vizitat jashtë ishin shumë të rëndësishme në atë periudhë, ndërsa problematika e brendshme kishte të bënte me ndarje pensionesh, me ndarje ndihmash, me të plagosur, me situata emergjente aty dhe këtu. Kontrolli nëpër rrethe filloi të shtrihej pak nga pak. Në fillim as nuk bëhej fjalë, por më vonë filluam ta vendosim dhe arritëm të rifillonte funksionimi i pushteteve lokale dhe policitë në çdo rreth. Nuk bëhej ende fjalë për gjykatat, por fillonte puna pak nga pak. Rendi qe kryesori dhe filluam ta vëmë në efiçencë. Natyrisht aty ku Komitetet e Shpëtimit Publik ishin të fuqishme, duhet të bashkëpunonim me ta. Pikërisht duke menduar që ky është njeriu ynë, unë mund të isha edhe më i ashpër dhe të negocioja më shumë, ky ishte roli im në raport me ta. Për shembull, stop këtu, atje na prishni punë, jo më këtej se do ju vijë puna që edhe vetë do ta lini këtë pozicion. Shqipëria nuk mund të drejtohet si principatë nga Komiteti i Shpëtimit të Vlorës, që s’do të dijë për njeri. Se as nuk di se si ta drejtojë. Lufta dhe puna kanë qenë shumë të lodhshme, sepse kishe të bëje edhe me njerëzit e tu, edhe me njerëz jo të tutë, edhe me njerëz ekstremistë, të majtë apo të djathtë, të cilët nuk donin të dëgjonin. Puna është që me qetësi, më avash, ne punuam me të gjithë, së pari për t’i kuptuar, por edhe për t’u thënë që tani nuk është më policia e Berishës, jam unë Kryeministër, nuk ka probleme, por ama duhet të vendosim rendin, duhet të fillojë të punojë policia. Se ju si Komitet Drejtues mbani përgjegjësi për çdo vjedhje, çdo lloj anarkie që po ndodh nëpër qytete. Njerëzit ruanin çdo shtëpi me automatik, bënin roje nëpër pallate, se mund të vente kushdo t’i grabiste, pasi nuk kishte polici. Natyrisht që ka qenë e vështirë të menaxhoje një situatë të tillë. Ka qenë shumë e vështirë edhe të menaxhoje njerëz që deri dje ishin për rrëzimin e Berishës dhe sot duhet t’ju shpjegoje që nuk mund të vazhdohet më kështu, që ne kemi një tjetër platformë dhe, meqë e krijuam këtë qeveri të pajtimit kombëtar, duhet ta mbyllim me sukses, domethënë, duhet të bëjmë zgjedhje të pranueshme, por edhe të vendosim një rend publik në Shqipëri. Duhet t’ju mbushje mendjen këtyre të Komiteteve të Shpëtimit që hiqeshin si kapo nëpër qytete, si drejtues, ndërkohë që gjithë familjet qenë të armatosura. Kur vinte Prodi, unë e merrja me vete Zan Çaushin në kuadrin e mbrojtjes së Kryeministrit italian, të mbajtjes së qetësisë kur ulej helikopteri i Prodit. Ishe i detyruar të luaje të gjitha rolet, që t’i mbaje të qetë këta njerëz, se s’kishe rrugë tjetër. Zani Çaushi ka fotografi me mua, me Prodin, me të gjithë, në kuptimin, jo se kemi dalë ne në krah me të, por ka qenë prezent në situatat. Kur e mendon më pas, është edhe mire, edhe keq mbase, duke menduar bëmat që kanë bërë këta njerëz, por në atë moment ata ishin të fuqishëm në zonat përkatëse. Nuk mund të mendohej që mund të bëje diçka në kundërshtim me ta. Po të bëje diçka në kundërshtim me ta, s’dihet se si mund të përfundoje, kështu që nga kjo pikëpamje, qe gjë e domosdoshme.
Presidenti Berisha pranon kryeministrin socialist Fino në vitin 1997, por bën gjithçka që të minimizojë humbjen e Partisë Demokratike dhe humbjen e tij personale.
Bashkim Fino: Natyrisht, si Kryeministër për shumë gjëra kisha debate me Berishën. Por për mua, Presidenti i asaj kohe ishte një njeri i cili e njihte shtetin. Më duhet të them që kam punuar me një njeri që ishte më i zoti nga unë në aspektin e eksperiencës së punës në pushtet. Unë kisha qenë katër vjet kryetar bashkie dhe erdha të drejtoj Kryeministrinë, në një kohë që ai kishte 4-5 vjet si President, e njihte shtetin shumë mirë, i njihte dispozitat kryesore, kishte informacion të bollshëm, sepse çdo gjë kalonte më shumë tek ai se sa tek Kryeministri në atë kohë. Le të themi që në çdo debat që unë bëja me Presidentin, isha inferior, i defavorizuar, në sensin që nuk e dija se ku do të dilte, nuk e dija se çfarë do të thoshte. Jam i bindur që ai çdo gjë e bënte të mirëorganizuar. Ai kërkonte të minimizonte sa të ishte e mundur humbjen e Partisë Demokratike dhe humbjen e tij personale mbas 1997, që ishte vërtetë një tragjedi e paparë. Në këtë kuptim e luajti mirë rolin, në sensin që të merrte aq sa mund të merrte dhe të mos humbiste pambarimisht pikë në publik, sidomos në zgjedhjet e 1997-s. Kam përshtypjen që Berisha nuk kishte ndonjë iluzion se mund ta mbante ende pushtetin, edhe ai vetë e kishte të qartë, të kuptueshme që njerëzit nuk mund ta mbështesnin më. Problemi i tij ishte thjesht që humbja të ishte sa më minimale. Këtë unë e kuptoja, jo se ai qe shprehur, por në të gjithë veprimtarinë që ai mundohej të mbulonte me dorë të fortë. Në fillim Presidenti ishte në një gjendje shpirtërore shumë të keqe dhe me të drejtë. Shteti që ai kishte ngritur kur qe Kryetar i Shtetit, ishte shkërmoqur, kishte rënë. Por duke kaluar muajt, ai rimori veten, u bë më i ashpër, më agresiv, jo ndaj meje si person, por në përgjithësi në procesi e punës së tij si President. Këtë agresivitet unë e interpretoj si një mundësi për të minimizuar sa më shumë rënien e Partisë Demokratike. Fakti që drejtoi vetë si President edhe fushatën elektorale të 1997-s dhe doli gjithandej, përveçse në Vlorë, tregoi që pati kurajë. Ky është një vlerësim që unë po bëj për të. Luftoi që të minimizonte humbjen e Partisë Demokratike, dhe jo se mendonte se do të mbante pushtetin.
Mars-qershor 1997, është një periudhë krejtësisht e veçantë edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me ndërkombëtarët. Angazhimi i fortë i Trojkës për të stabilizuar gjendjen në Shqipëri pas rënies së Piramidave.
Bashkim Fino: Në atë kohë, në Shqipëri kanë vërshuar delegacione të papara. Unë e kam thënë gjithnjë që ‘de jure’ isha unë Kryeministër, por ‘de facto’ ishte Vranicki, sepse ai qe njeriu i caktuar nga Europa dhe Amerika për të monitoruar situatën. Ne kërkuam që të vinin forcat shumëkombëshe në Shqipëri që në fillim të marsit 1997, por ishte një procedurë e vështirë, sepse ndërhyrja në Shqipëri duhej ratifikuar nga të gjitha parlamentet e vendeve pjesëmarrëse, pra s’bëhej dot menjëherë. U desh rreth një muaj e gjysmë dhe në prill erdhën forca nga shumë vende të Europës, nga Turqia, nga Greqia, nga Italia dhe Spanja. Aktiviteti diplomatik në atë periudhë ka qenë veçanërisht i ngjeshur, si në delegacionet që vinin takonin Kryeministrin dhe Presidentin, se s’kishte tjetër. Vinte shpesh Vranicki, vinin kryetarët e shteteve të vendeve europiane. Kryeministri italian, Prodi, ka qenë disa herë në Shqipëri gjatë atyre muajve. Bile ka ardhur më ka takuar në Gjirokastër, kemi vajtur dhe në Vlorë. Po ashtu unë kam drejtuar gjithë vizitat diplomatike jashtë, si njeriu më i ekuilibruar, si njeriu i besueshëm gjatë atyre gjashtë muajve. Në çdo vizitë jashtë, unë duhet t’ju transmetoja mesazhin, arsyet se pse duhet të vinin në Shqipëri të na ndihmonin. Shumë takime të rëndësishme u organizuan në atë periudhë, qoftë në Departamentin e Shtetit në Amerikë, qoftë në Greqi, qoftë në Itali ose në Turqi, qoftë edhe në 50-vjetorin e fitores së Luftës II Botërore në Hagë, ku u mblodhën gjithë kryetarët e shteteve ose në një takim të NATO-s në 2-3 korrik në Madrid. Sekretarja e Shtetit, Ollbrajt, luajti një rol veçanërisht aktiv për Shqipërinë, bashkë me ambasadoren amerikane në Shqipëri, zonjën Lino. Zonja Ollbrajt ishte disponibël në çdo kohë kur e merrja në telefon. Mbaj mend njëherë ndodhi një problem i madh midis meje dhe Berishës, gati për shpërthim të luftës civile. Berisha me gardën përpiqej të bënte reprezalje. Unë tërë natën kam qëndruar zgjuar, morëm në telefon zonjën Ollbrajt nga zyra me Fatos Nanon dhe ajo na u përgjigj menjëherë dhe na dha garanci. Ndërhyri Ollbrajt, por edhe Prodi, Simitisi, shumë personalitete, që të qetësohej situata. Ndërkohë, unë dola në një konferencë për shtyp ku deklarova që ishim në pragun e luftës civile. Pas një ore, Sali Berisha doli pas meje dhe tha: “ Unë thjesht doja të nxirrja Gardën se kisha një informacion që do të vidhej Banka e Shqipërisë dhe doja të mbroja bankën “, manovra politikanësh…

MILENA HARITO

No comments: