Sunday, April 17, 2011

Fatos Nano: S’e kam ëndërr Presidencën, në ’97-ën bëhesha Perëndi

Fatos Nano: S’e kam ëndërr Presidencën,


Ish-kryeministri Fatos Nano, është një nga të intervistuarit e Milena Haritos në librin “Pesha e pushtetit”.Nano, ka pranuar të flasë gjërë e gjatë për periudhat kur ka qeverisur, për kohën e burgut në Bënçë, si i merrte informacionet aty, çfarë lexonte, tregon për dorëheqjen në vitin 2005, pas humbjes së PS-së në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Fatos Nano nuk nguron të japë mendimin e tij mbi presidentët Meidani, Moisiu e Topi. Si një njeri hokatar e i batutës, ai nuk lë mënjanë edhe ndonjë bisedë pikante me ndonjë diplomat të huaj. Për këtë pjesë, MIlena Harito i ka rezervuar një “kapitull” të vogël.

Nano: S’kam hequr dorë,
jam një “kafshë” politike

Në vitin 1991 ishte një ndër kuadrot më premtues të PS-së… ndaj natyrshëm, Fatos Nano emërohet Kryeministri i parë pas rënies së diktaturës
Fatos Nano: Me shtimin e problemeve, të vështirësive, të krizës ekonomike sidomos, por edhe problemeve me ashpërsimin dhe afrimin e pasojave të luftës së ftohtë nga bota e madhe te rajoni, në fund të viteve ’80, u ftova natyrshëm në studime, takime, tryeza në të cilat jepeshin sugjerime për reforma ekonomike. Ramiz Alia pas vdekjes së Enver Hoxhës filloi të kërkonte ndonjë rrugëdalje dhe të ishte më i hapur për të biseduar me specialistë, intelektualë, me ekonomistë, për ndonjë reformë përsëri të kontrolluar, të ngushtë, të vockël, pa vizion, pa strategji, se Ramiz Alia nuk arriti të bëhej strateg. Mbeti takticien në manovrat midis anëtarëve të Byrosë Politike, të cilët herë pas here prodhonin grupe armiqësore, shumë koka të të cilëve edhe u prenë në vite. Ramizi shpëtoi, por mbeti takticien. Alia ka qenë kryesisht njeri i propagandës, më shumë sesa i politikës qeverisëse. Ka qenë njeri që eksperienca, jeta, regjimi, kushtet në të cilat e zhvilloi jetën politike, i kishin caktuar detyrën e përpunimit të kokave, por edhe shpirtrave të njerëzve.
Kur ra muri i Berlinit, kur u hapën ambasadat në Tiranë, kur nisën grevat e studentëve etj., Ramiz Alia më ftoi të futem në qeverinë e Adil Çarçanit me detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të saj. Është fundi i dhjetorit të 1990, mbas shpalljes së pluralizmit. E pranova këtë gjë duke e kushtëzuar që mandatin ta kisha kryesisht për reformat në ekonomi. Ramiz Alia e pranoi sepse më kishte njohur dhe vlerësuar si të tillë dhe ishte në nevojë për ca ndryshime sado të vogla, por që duheshin bërë.
Kjo pastaj më afirmoi shumë shpejt. Gërmadha e regjimit që lidhej edhe me simbolet, u rrëzua me bustin e Enver Hoxhës. Ajo politbyro mediokrish ishte e atrofizuar, nuk reflektonte fare një histori 40-vjeçare, nuk ishin, ta zëmë, produktet e mbledhjes së Moskës, ishin produktet e arave dhe të uzinave. Jo vetëm imazhi, por edhe prezenca e tyre në forumet vendimmarrëse të kohës u shua menjëherë. Unë u afirmova sepse njerëzit në përgjithësi, jo vetëm brezi im, por edhe ai opinioni publik që mund të krijohej nga kontakti i pakët mediatik i atëhershëm, vetëm me një televizion publik dhe me zgjedhjet e para, panë tek unë një figurë krejt ndryshe nga të mëparshmit. Kjo më çoi natyrshëm nga sekretar i përgjithshëm, në zv/kryeministër pas dy muajsh dhe në formimin e qeverisë së parë prej meje në 25 shkurt 1991, pak përpara zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit dhe pastaj në riformimin e qeverisë, pas fitores së zgjedhjeve nga Partia e Punës. Qeveria filloi punë në fillim të prillit dhe u detyrua të japë dorëheqjen në fillim të qershorit, për shkak të bllokimit me greva etj.
Fatos Nano arrin të ndiejë ndryshimet në opinionin e elektoratit socialist që nga burgu dhe propozon “Mocionin për ndryshim në PS” në vitin 1995. Lideri ecën gjithnjë një hap përpara të tjerëve, por di edhe të mbajë lidhjet e fuqishme dhe të strukturuara partiake.
Fatos Nano: Periudha e parë katërmbëdhjetë mujore në burgun e Tiranës ka qenë shumë e vështirë, sepse isha në kushtet e paraburgimit dhe të izolimit total, ku nuk lejohej as karrigia në qeli. Kisha vetëm një dyshek dhe dy batanije të vjetra, të grisura dhe flija në dysheme. Nuk lejohej as shtypi, asnjë mjet tjetër për katërmbëdhjetë muaj, derisa mora dënimin e majit 1994 dhe më zhvendosën në burgun me siguri të lartë në Tepelenë, në Burgun e Bënçës. Pastaj për vuajtjen e dënimit për të burgosurit e gjykuar ka pasur pak më shumë lehtësira (tani ka edhe shumë më tepër se në vitin 1994) mund të hynte edhe shtypi dhe të dëgjoje legalisht ndonjë radio ose televizion. Natyrisht komunikoja me jashtë me një sistem konspirativ që përfshinte dhe gardianët nëpërmjet korrespondencave që shkruheshin vetëm në orët e vogla të natës dhe dilnin po natën, sepse ditën duhet t’u shmangesha kontrolleve që për mua kanë qenë shumë të rrepta dhe shumë të shpeshta. Kjo është teknika dhe teknologjia e liderit, e njeriut që e njeh jetën dhe që e duan njerëzit. As në Burgun e Tiranës në kushtet e një izolomi të plotë, mua nuk më ka munguar as informacioni dixhital, sepse në mes të këmbëve mbaja një radio sa gjysma e pëllëmbës së dorës dhe dëgjoja me kufje “BBC”, “Zërin e Amerikës”, “Francë International”… një transistor shumë i fuqishëm që ma kapën vetëm dy javët e fundit. Të gjitha këto ishin elementët që më informonin dhe më mundësonin të komunikoja edhe me partinë, edhe me njerëzit, edhe me shtypin, edhe me botën jashtë. Për shembull, kam dërguar letra në Parlamentin Europian nga burgu. Të gjitha këto më pasuruan edhe formimin si lider. Nuk ka vend më perfekt sesa burgu për të qenë i informuar për gjithçka ndodh në shoqëri dhe në dynja. Është në të vërtetë aksiomatike, sidomos për burgjet politike, që del nga gjithë rrëfimet e të burgosurve politikë edhe të kohës së komunizmit edhe në Shqipëri edhe jashtë. Duket e çuditshme, por atje vijnë të gjitha informacionet e mundshme edhe ato që regjimet përpiqen t’i ndalojnë, vijnë gojë më gojë, vesh më vesh, nga familjarët, nga të katër anët e dynjasë, nga brenda, nga jashtë, me mjete të lejuara e të ndaluara.
Në vitin 1997, pas daljes nga burgu, Fatos Nano është kreu i padiskutueshëm i krahut socialist… Dhe zgjedh ai vetë të jetë Kryeministër, dhe jo President.
Fatos Nano: Kur dola nga burgu në 1997 isha pothuajse me aureolën e heroit dhe zgjodha të bëj detyrën e Kryeministrit, në kundërshtim me atë që paradoksalisht shpallet si dëshira ime e përjetshme për t’u bërë President! Edhe sot e kësaj dite më akuzojnë në mënyrë naive me këtë skemë, në një kohë që unë në 1997 mund të bëhesha edhe perëndi, jo më President. Por zgjodha të bëj Kryeministrin, sepse ishte e qartë që rivendosja e normalitetit, rindërtimi i shtetit dhe rivënia në funksionim e ekonomisë kërkonte një drejtues me luspa të trasha. Kështu që ia delegova kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë funksionet e Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, ministrit të Jashtëm, ca që duken si ofiqe honorifike, dhe vetë mora detyrën më të vështirë, që, për shkak të klimës tradicionalisht konfliktuale të politikës shqiptare, më dha mandatin më të shkurtër. Presidenti ndenji pesë vjet, ndërsa unë katërmbëdhjetë muaj.
Në vitet në vijim, kryeministrat marrin në postet shtetërore militantët e partive apo rrethin e tyre të afërt. Me më pak a më shumë tolerancë pranojnë, ose jo njerëzit e krahut tjetër politik
Fatos Nano: Kur erdha në qeveri në 1997-n, nuk preka specialistë të mirë të administratës publike brenda apo jashtë vendit, as në misionet e përfaqësimit të Shqipërisë, edhe pse ishin emëruar nga PD-ja, përveç arsyeve strikte administrative të mungesës së performancës. Kjo solli që ata të konsolidohen edhe vetë, por të konsolidohet edhe administrata përreth tyre, sepse ishin në funksione vendimmarrëse. Në mënyrë paradoksale, këto janë humoret negative të tranzicionit tonë, kur erdhi Berisha në pushtet në 2005-n, i largoi një pjesë të tyre, sepse kishin punuar me Nanon. Ishin të vetët! Kjo ka dobësuar administratën, këto janë oshilacionet e ndikimit politik mbi administratën dhe institucionet publike dhe pastaj mbi ekonominë. Por, nga ana tjetër ka forcuar sektorin privat, sepse shumë syresh kaluan në sipërmarrje. Shqipëria ka balancat e veta, pavarësisht nga ndikimet e politikës. Në fillim të vitit 1998 pati një fushatë në media kundër disa ministrave. Në një takim me ambasadorin e OSBE-së, i thashë:
-Unë nuk mund të largoj një ministër vetëm për shkak të sulmeve të medias, pa fakte.
-Në politikë paguhen edhe percepsionet, më tha.
-Për mua percepsioni më i rëndësishëm që dua të ruaj është që të mos i flak bashkëpunëtorët e mi, të cilët po i mbajnë kosto të larta dhe me përgjegjësi, sepse ai që vjen më pas nuk do të pranonte më të shërbente vendin, i thashë.
Rotacioni paqësor i pushtetit në 2005-n mbetet ende sot, mbas gati 20 vitesh pluralizëm, një rast i veçantë. Zgjedhjet si institucioni i llogaridhënies para zgjedhësve.
Fatos Nano: Demokracitë janë sisteme që kërkojnë lidershipë kolektivë, kolegjiale, natyrisht të hierarkuara dhe të organizuara mirë me rregullën e “primus inter paris” (i parë midis të barabartëve), por që të jenë të përgjegjshme për të dhënë llogari për performancën dhe për sjelljen, respektimin ose jo të standardeve përballë atyre që i zgjedhin. Për këtë arsye, zgjedhjet janë periodike. Kultura e dorëheqjes është një nga standardet në demokraci, në shërbim të paqtimit të konflikteve që shoqërojnë debatin politik në një vend tradicionalisht ballkanas si jemi ne, jo vetëm nga pikëpamja politike. Demokraci më të brishta se ato ballkanase në Europë nuk mund të gjesh, edhe për shkak të rrethanave objektive, derisa u paqtua rajoni. Përdorja e dorëheqjeve është një standard në demokraci jo vetëm në dobi të shuarjes apo zhvendosjes së konflikteve, por edhe në dobi të respektimit të institucioneve të një shoqërie demokratike. Sigurisht tek vetja në këtë rast vjen nga një karrierë e shëndetshme, vjen nga eksperienca, vjen nga formimi, vjen sigurisht nga autoriteti. Ky i fundit, që të jetë i vërtetë, nuk mund të mos ketë elementë të eksperiencës, të formimit kulturor dhe profesional brenda dhe për më tepër, nuk mund të mos mbështetet (pa to është fals) mbi marrëdhënie të forta dhe të shëndosha me shoqërinë… jo vetëm thjesht me bazën, por me grupet e interesit që përbëjnë pjesën më vitale të shoqërisë. Jo më kot ju fola për studentët, jo më kot ju fola për akademikët dhe kërkuesit nga sektorët e ndryshëm, jo më kot ju fola për të rinjtë.. Ndër institucionet demokratike ka shumë rëndësi institucioni i llogaridhënies: kur humbet zgjedhjet duhet të mbash përgjegjësi, kur fiton duhet të qeverisësh në mënyrë të përgjegjshme. Unë e kam bërë këtë gjë, përfshirë një standard të munguar në Shqipëri, rotacionin paqësor të pushtetit, kurrë i ndodhur më parë.. Nuk mund të jepja dorëheqjen në 2005-n, pa siguruar rotacionin paqësor, pasi natyrisht nuk mund ta lija në duart e plaçkitësve pushtetin. Për herë të parë shteti është dorëzuar me inventar, dosje qindra-faqëshe të çdo ministrie si pjesë e dosjes qendrore që kryeministri Nano la në tryezën e kryeministrit në ardhje, Berisha.
Por ime shoqe Xhoana, bën një dallim midis dorëheqjeve të mia dhe heqjes dorë nga politika, janë dy gjëra të ndryshme. Unë tani jam një ‘kafshë politike” siç i thonë francezët, në kuptimin më njerëzor të fjalës, ky është profesioni im.
Jashtë logjikës “bardhë e zi”, i njohur për gjithëpërfshirje të talenteve të shumëllojshme dhe delegim të përgjegjësive në praktikë, Fatos Nano e ka tolerancën edhe pjesë të filozofisë së tij.
Fatos Nano: Lidershipi shumë i fortë është mungesë lidershipi. Një lider autoritar sjell mungesë lidershipi, sepse lidershipi nuk mund të jetë i një njeriu, lidershipi duhet të jetë kolegjial. Në kushtet e një lideri të fortë, nuk guxon të rritet asnjë lider tjetër, asnjë pjesëtar i lidershipëve. Unë kam ditur të disiplinoj veten, të frenoj autoritetin e pakontrolluar dhe sjelljen e papërgjegjshme që vjen prej tij edhe në kurriz të karrierës sime politike, në dobi të standardeve dhe të kultivimit të një kulturë europiane në Shqipëri, pa të cilën nuk mund të arrihen standardet europiane për shoqërinë dhe për të gjithë njerëzit.
Në thelb, për shkak të historisë dhe jetës sime politike dhe sidomos prej burgut, në filozofinë time politike prej lideri ka mbizotëruar shpirti i bashkëjetesës, mirëkuptimit dhe tolerancës, i ndarjes së autoritetit, i delegimit të pushtetit në një skemë udhëheqjeje kolegjiale, në një skemë ku lideri është “primus inter-paris”. E theksoj burgun në këtë arsyetim, sepse ajo që ndodhi me burgosjen time për një periudhë të mesme, as e shkurtër dhe as shumë e gjatë (pavarësisht dënimit 12-vjeçar, historia dihet që ishte një burgosje politike dhe u pasua nga pafajësia ime më vonë), duke parë edhe eksperiencën e të tjerëve, më solli në konkluzionin që, kur qëndron pak në burg, bëhesh shumë hakmarrës. Kur qëndron gjatë, ose shumë gjatë në burg, Mandela është një përjashtim, kam frikë se nuk je më i aftë për ndonjë gjë të saktë në arsyetime politike, apo lidership. Eksperienca ime për një periudhë të moderuar në burg, është e tillë që më lejoi një hapësirë të mjaftueshme për reflektim, përse ndodhi kjo gjë, dhe jo vetëm kush e bëri, por si mund të korrigjohet që këto gjëra të mos ndodhin në kurriz të të tjerëve më pas. Në këtë arsyetim dhe konkluzion filozofik më ka ndihmuar shumë edhe leximi i literaturës fetare. Gjatë 14 muajve në Burgun e Tiranës, kur çdo gjë tjetër ndalohej, Bibla ishte e vetmja gjë që lejohej, ashtu si edhe Kurani dhe botime rreth tyre. Madje në mendjen time kam bërë edhe një studim krahasues midis biblës dhe kuranit, e kam shkruar diku këtë konkluzion. Pa i dhënë avantazhin asnjërës prej feve, teksteve apo predikuesve të tyre, më rezulton se ndonëse kurani është sipas kalendarit islamik 600 vjet pas biblës nuk e ka shfrytëzuar shumë avantazhin e atij që vjen pas. Bibla e krishterë, e vjetra apo e reja, përgjithësisht karakterizohen edhe nga eksese në frymën e faljes “kur fqinji të godet, ktheji faqen tjetër”. Kurani ka gjithashtu një sistem të tërë rregullash të bashkëjetesës, por më rigoroze. Kur kapërcehen limitet e sjelljes së pranuar, vjedhësi apo goditësi, shkelësi i të drejtës së tjetrit ndëshkohet rëndë, për shembull, vjedhësit i pritet dora. Në këtë sens, po them që zhvillimi i njerëzimit ka kaluar nga intoleranca në tolerancë. Kryqëzatat e krishtera janë histori të përgjakshme apo luftërat fetare që sot janë kthyer në një rrezik që përpiqen ta shfrytëzojnë terroristët e çdo feje apo kombësie. Ndërkaq, zhvillimi i njerëzimit, përparimi i shkencës, zgjerimi i kulturës dhe e dijes në tërësi ka sjellë zëvendësimin e intolerancës me tolerancë, ka sjellë bashkëjetësë në diversitet, ka sjellë çeljen e kufijve, madje edhe deri në pakësimin e autoritetit të shteteve kombëtare. Ky është avantazhi i atij që vjen pas. Prandaj po them që në studimin tim krahasues të biblës dhe kuranit atëherë më rezultoi se kurani nuk e kishte shfrytëzuar avantazhin e atij që vjen pas.
Në një nga intervistat e mia nga burgu në 1995 ose 1996, tek “Koha Jonë”, kam lëshuar sentencën “Politikanët e tranzicionit në Shqipëri duhet ta kalojnë sprovën e burgut”. Gazetarët, aq ngacmues dhe vitalë siç janë, shkuan dhe morën në intervistë politikanët.
-Si e kuptoni këtë që ka thënë Fatos Nano nga burgu? Ai thotë që të gjithë duhet të kaloni nga shkolla që po bën ai?
Profesor Servet Pëllumbi që ishte nënkryetar i PS-së, përgjigjet
-Do e ketë me shaka.
Instrumentalizimi politik i vrasjes së Azem Hajradit dhe konflikti i shtatorit 1998.
Fatos Nano: Në shtator 1998, konflikti politik në Shqipëri ishte ndërthurur me konflikte të tjera të trashëguara dhe të reja, të një shoqërie tradicionale ballkanase, çoi në vrasjen e njërit prej liderëve të Partisë Demokratike, vrasje e cila u politizua menjëherë. Reagimi opozitar, jo thjesht emocional, por deri në kufijtë e dhunës ndaj shtetit demokratik dhe institucioneve të ligjshme, mori në shtator të 1998-s ato përmasa që është quajtur si grusht i dështuar shteti. Ai solli dorëheqjen time që u bë me koshiencën dhe arsyetimin tim të plotë profesional dhe politik si një nga instrumentet e filozofisë sime për të paqtuar palët dhe për të siguruar një mjedis normal për zhvillim. Ka shumë të dhëna që konflikti i mesit të shtatorit 1998 është i ndërlidhur me zhvillimet në Kosovë dhe me përplasjet e fraksioneve të ndryshme të shqiptarëve të Kosovës, jo vetëm me Beogradin, por edhe me afinitetet politike të Shqipërisë apo me faktorë të tjerë.
Në kushtet kur politika prodhon konflikte apo luftëra, ka disa kategori të tjera që s’kanë të bëjnë fare me politikën dhe interesat politike, të cilët përfitojnë për kontrabanda, për trafiqe, për pasurim të paligjshëm. Jo më kot luftërat janë momentet kur krijohen pasuritë e mëdha dhe pastaj vijnë tatimet e jashtëzakonshme të luftës. Paradoksalisht duhet të kesh një pjekuri të mbështetur në eksperiencë, që kur udhëheqësit e vendeve në luftë ushqejnë flakët e konfliktit me njëri-tjetrin, të kesh mendjen që të shohësh edhe të evitosh në të ardhmen, që kontrabandistët, trafikantët, apo krimi i organizuar i vendeve në luftë shtrëngojnë duart dhe vazhdojnë të bëjnë biznes. Pavarësisht se luftërat kanë retorikën etnike nacionaliste, aty shtrëngohet dora dhe shkëmbehen paratë e pista midis etnish që zyrtarisht janë në luftë. Një serb, një shqiptar, një maqedonas dhe një grek në kohën e konflikteve edhe të kohëve të fundit, kanë vazhduar trafiqet, pikërisht sepse qeveritë kanë qenë të paafta për të zgjidhur konfliktet që sjellin mjegullën aq të kërkuar prej çakejve.
Pas aprovimit të Kushtetutës së nëntorit të 1998, prerogativat e Presidentit dhe të Kryeministrit janë të qarta, por çdo President ka stilin e tij. Përshkrimi sipas Fatos Nanos
Çështja e ndarjes së pushtetit nuk është çështje zgjedhjesh apo preferencash të njeriut që merr detyrën kushtetuese, çështjen e ka ndarë Kushtetuta dhe ajo krijoi një situatë pushtetesh të balancuara, komplementare, natyrisht hierarkike sipas parimit të “check& balance”, të balancës dhe të kontrollit reciprok. Pushteti ekzekutiv është tashmë në duart e Kryeministrit.

No comments: