Monday, April 18, 2011

Anti-Amerikanizmi i porositur

Shkruan:
Artur Zheji
18-04-2011 10:06


Ambasadori amerikan Arvizu, është shndërruar, në shumicën e rasteve në mënyrë të porositur, në një objekt sulmi të habitshëm dhe të paprecedent. Ai sulmohet, mbi dhe nën brez, për një pozicion gjoja të njëanshëm në qëndrimet e tij në zhvillimet e politikës shqiptare. Ky sulm aspak simpatik, filloi vrullshëm dhe ka të bëjë sidomos me disa prononcime të qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në lidhje me ngjarjet e 21 janarit, si dhe me mosaprovimin e frymës kaotike revolucionare në sfond të së cilës, opozita shqiptare mendonte të afronte axhendën elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme.
Së pari, personalisht mendoj që si produkt i një analize racionale, nuk mund të mos bihet dakord me parashtrimin e ambasadorit amerikan, i cili ka qenë politikisht korrekt dhe mbi të gjitha ka qenë dhe është në favor të stabilitetit substancial të Shqipërisë. Nuk besoj se ka njeri në Shqipëri të mendojë se Arvizu dhe SHBA, kanë frikë apo dipendencë nga Sali Berisha. Do të ishte absurd pra të mendosh apo të hedhësh në eter një hamendje të tillë sa qesharake aq edhe të pavend.
T’i hapje rrugë zgjedhjeve të parakohshme mbas 21 Janarit, kur më 21 Janar, u bënë provat e përgjithshme të një pothuaj “lufte civile”, do të ishte një gabim i rëndë, që një Ambasador i Shtetit më të madh të botës, me qëndrim gjeopolitik të qartë dhe largpamës nuk mund ta bëjë kurrësesi. Dhe kjo zgjidhje, apo kjo zgjedhje e zotit Arvizu, nuk ishte as kundër Ramës dhe as kundër Partisë Socialiste. As pro Berishës dhe as në favor të tij. Përkundrazi, po ta analizosh hollë hollë, ishte vetëm në favor të stabilitetit dhe pse jo të Ramës, i cili ato ditë ishte i frymëzuar për të hyrë në një aventurë emocionale, pa rrugëdalje politike.
Mirëpo, ose sepse ka një keqkuptim të madh, ose sepse një projekt politik ambicioz dhe agresiv, filluar më 21 Janar, ngeli pa mbështetje ndërkombëtare, ose më saktë u bë e qartë, papranueshmëria ndërkombëtare ndaj këtij operacioni politik emocional dhe revolucionar, duke e bërë pra praktikisht i parealizueshëm; ashtu si kërpudhat, gazetarë dhe gazeta të angazhuara, filluan kriticizmin dhe më pas sulmet direkte kundër ambasadorit Arvizu.
Sigurisht nuk është e thënë që një ambasador të pëlqehet masivisht, por ambasadori amerikan në Shqipëri, si përfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili nuk është një vend dosido në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, është padyshim një ambasador i veçantë, edhe kur na pëlqen në shijet apo interesat tona personale, edhe kur na pëlqen më pak.
Në vitet ‘96, kam qenë shumë kritik me Presidentin Berisha, i cili, së bashku me një anturazh të caktuar, mendonte se Amerika duhet të ishte një përkrahëse e njëanshme e demokratëve antikomunistë. Kjo solli pasoja jo të vogla. Aso kohe, por edhe sot, mendoj që përkujdesi dhe mbajtja në një nivel sa më të lartë e marrëdhënieve më një aleat të madh strategjik si SHBA, është një prioritet madhor i klasës politike shqiptare, pavarësisht ngjyrimit dhe kahjes.
Pyetjes se: “Përse Arvizu është një ambasador i veçantë?” e kam shumë të lehtë t’i përgjigjem. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i Shtetit që ka bërë shumë më tepër së çdo vend tjetër në botë për Shqipërinë, ambasadori i Shtetit garant për Pavarësinë e Kosovës, garant për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve etnikë të Maqedonisë, Shteti lider që është guri më i fortë i themelit të Aleancës më të madhe në botë, NATO, ku sot Shqipëria është anëtare, është padyshim vendi që ka mbrojtur dhe mbron Shqipërinë gjeostrategjikisht, në rajon dhe më gjerë, është vendi, më proshqiptar i sëpaku këtyre 200 viteve të fundit.
Të krijosh miq të fuqishëm për vendin tënd është e vështirë, t’i dëmtosh ata është fare më e lehtë. E lehtë, por e kushtueshme.
Anti-Amerikanizmi nuk është emancipim, nuk është as trendy dhe as patriotik. Ndikimi te më të rinjtë i kësaj fryme, është një farsë zymtake. Kuptueshëm që do të mbetet në minorancë. Padyshim pavarësia e mendimit është e shenjtë, por jo më pak e shenjtë mendoj se është vlera historike e rolit amerikan në krijimin e një identiteti të ri rajonal të Shqipërisë. Një identitet që gjithmonë nuk ka pasur përkrahës dhe tani e ka. Të reflektosh për këtë, sidomos në refleksion politik dhe gjeopolitik, është e domosdoshme për një politikan dhe anturazhin e tij, që nga zelli i tepruar për Liderin lokal, i bëjnë atij dhe Vendit një dëm të panevojshëm.

No comments: