Monday, March 14, 2011

Italia, festë apo jo për 150-vjetorin e republikës?

Ndërsa republika italiane mbush 150 vjet, ja cilat janë disa nga dasitë kulturore që po e pengojnë këtë vend që të shndërrohet në një forcë të vërtetë globale

Këtë muaj, republika italiane do të mbushë 150 vjet. Por ndërsa ditëlindja e madhe afrohet, duket se ajo është duke gjeneruar më shumë kontradikta e madje edhe armiqësi se sa një klimë gëzimi që do ta meritonte një vigjilje e tillë. Kreu i shtetit, Napolitano, i ka bërë thirrje italianëve që të bëhen pjesë e festimeve. Por rreth e qark mund të përballesh me apati, apo diku gjetkë edhe me gjëra më të këqija. Bolzano, krahina që ndodhet në kufi me Austrinë, e cila drejtohet nga guvernatori Luis Durnwalder, ka thënë tashmë “nein” (jo) dhe ka deklaruar se nuk ka dëshirë që të marrë pjesë në këtë klimë festimesh. Në kundërshtim me këtë qëndrim, ministri italian i Mbrojtjes, La Russa, i ka urdhëruar bolzanezët të bëhen gati për festë. Madje për këtë ka edhe plane për mbylljen e shkollave dhe zyrave ditën e madhe të 17 marsit. La Russa ka qenë pjesë e Aleancës Nacionale, partisë që nuk ekziston më, por që ka qenë me kah neofashist. Ai pret një shfaqje kombëtare të patriotizmit në ditën e shënuar të republikës. Në tryezën e kabinetit qeveritar përballë La Russa-s ndodhet partneri i Legës së Veriut, i cili jo vetëm që nuk është për festime mbarëkombëtare, por po t’ia linin atij në dorë, do të ngrinte një mur të madh ndarës mes Veriut dhe Jugut të Italisë. Për të nuk ka ditë më të keqe se ajo që celebron unifikimin e Italisë. Dhe nëse do të ndalësh njerëz nëpër rrugë, nga Napoli në Milano dhe t’i pyesësh se çfarë mendojnë, ata ka shumë të ngjarë që të të përgjigjen: “Ditëlindje? Po për çfarë? Veriu dhe Jugu janë shumë të ndryshëm. Italia nuk është në të vërtetë një shtet”.

Ndërkohë Italia është zyrtarisht një shtet që nga viti 1861. Në fund të viteve ‘700, idetë liberale që u krijuan në Britaninë e Madhe dhe në Francë nisën që të gjenin rrugën e tyre edhe drejt Alpeve. Ato ndihmuan që të nxisnin aktivizimin revolucionar në të gjithë gadishullin italik. Në fund të vitit 1850, Mbretëria e Sardenjës (e cila përfshinte edhe një pjesë të madhe të veriperëndimit të Italisë) i kishte mbushur mendjen Napoleonit që ta ndihmonte për të përzënë austriakët. Dhe brenda pak vitesh habsburgët, të cilët më parë kishin pasur zotërime të mëdha në Itali, do të mbeteshin vetëm me një zonë si Venecia në verilindje. Pengesa e fundit për bashkimin e Italisë mbeti Mbretëria e Napolit, ose “Mbretëria e dy Sicilive”, e cila kishte ndikim shumë të madh në të gjithë zonën jugore të gadishullit. I madhi Garibaldi, luftëtari i pavarësisë, krijoi një ushtri dhe fillimisht mori Sicilinë dhe më pas Napolin, në vitin 1860. Me të dyja pjesët e vendit të bashkuara, një vit më pas, më 18 shkurt të vitit 1861, Viktor Emanueli II i Mbretërisë së Sardenjës mblodhi Parlamentin e parë italian në qytetin verior të Torinos. Parlamentarët ia kthyen nderin, duke e deklaruar Emanuelin Mbret të Italisë më 17 mars. Dhjetë ditë më pas, Roma u shpall kryeqytet i shtetit, edhe pse ishte zyrtarisht shtet papal. Brenda dhjetë vitesh, megjithatë, si Venecia ashtu edhe Roma u bënë pjesë e Italisë. Disa muaj pas ditëlindjes së 17 marsit, Camillo Benso, konti i Cavour-it, i cili ishte edhe Kryeministri i Emanuelit II dhe shefi i unifikimit të vendit, thuhet se në shtratin e vdekjes ishte shprehur me kënaqësi: “Italia u bë. Tani gjithçka është e sigurt”. Por edhe pse austriakët ishin larguar prej kohësh, sipas komenteve të një diplomati shumë të shquar austriak të shekullit të 19, Klemens von Metternich, Italia ishte “thjesht një shprehje gjeografike”. 150 vjet më pas, në vitin 2011, me ish-komunistët si Napoletano, neofashistët si La Russa dhe me separatistë të betuar si përfaqësuesit e Legës së Veriut që kanë pushtetin në dorë, mund të krijosh një ide jo të vogël në lidhje me dasitë e këtij vendi.

Kjo është e vërtetë. Sot, njeriu më i fuqishëm në Itali është autokrati i vetëm i botës perëndimore. Partia që ai drejton, Poli i Lirisë, ose PDL, është thuajse po aq demokratikisht llogaridhënëse sa edhe klubi i futbollit “Milan”, që është gjithashtu një nga pronat e Berlusconi-t. Për tmerr të gjysmës së italianëve, Kavalieri, siç e njohin shpesh në vendin e tij Berlusconi-n, tashmë i është bashkëngjitur listës së gjërave që përbëjnë esencën dhe thelbin e Italisë, si Koloseu, Leonardo da Vinçi, pica “Margarita” dhe sigurisht mafia. Për rreth dy dhjetëvjeçarë ai i ka mbuluar të çarat, duke i mbajtur italianët të fiksuar pas plehrave televizive, të televizioneve në pronësi të tij, si dhe duke u mprehur shumë instinktet e shmangies së taksave dhe të shpërfilljes së përgjegjësive publike. Silvio Berlusconi aktualisht dominon Italinë, por tendencat që ai i ushqeu kishin kohë që ekzistonin. Janë tendenca moskokëçarëse dhe dredharake, që e kanë ndihmuar italianin që të përballojë edhe krizat më të këqija financiare, pavarësisht borxhit të madh kombëtar dhe rritjes shumë të ngadaltë ekonomike. Miliona njerëz ia dalin mbanë që t’u mbijetojnë kohëve të vështira, duke jetuar së bashku me familjet e tyre, veçanërisht të rinjtë dhe duke u varur nga prindërit, të cilët kanë pasur traditë që të kursejnë paratë për ditë të keqe. Dhe pavarësisht gjithë burokracisë dhe korrupsionit, kreativiteti dhe shija e modës e ka pajisur Italinë me tregje konkurruese të veshjeve, mobilieve, makinave e të tjerë. “Ferrari”, “Dolce & Gabbana” dhe “Alessi” janë marka që dëshirohen në të gjithë botën. Si e tillë, Italia mund të pretendojë se është ekonomia më e madhe në botë që prodhon sende që njerëzit, veçanërisht personat që janë pjesë e tregjeve në zhvillim, kërkojnë që të blejnë. Por korrupsioni i kudondodhur është një tipar jashtëzakonisht i shëmtuar i Italisë, si nga ana financiare, ashtu edhe nga ana psikologjike. Mafia ka ndihmuar në mbajtjen e Jugut të vendit në duart e Romës. Kjo ka shkaktuar probleme në Veri dhe ka ushqyer forcimin e separatistëve të Legës së Veriut, e cila ka kapur shifra të larta në votime. Por Veriu nuk është i pafajshëm nga ana tjetër. Bankierët dhe biznesmenët milanezë bëjnë miliona nga pastrimi i parave të mafies dhe kompanitë e Veriut paguajnë klane për të hedhur mbetjet e tyre toksike në vendet e varfra të Jugut. Mafia, sipas një shkrimtari italian, nuk përfaqësohet nga burrat me kostume dhe syze të zeza që shëtisin nëpër Palermo. Mafia është zonja plakë që kur shkon për të paguar faturën e dritave në postë nuk pret radhën, por shkon drejt te kasa, sepse e njeh fare mirë kasieren. Italianët e dinë që janë duke shigjetuar njëri-tjetrin dhe shumë prej tyre nuk e duan një gjë të tillë. Ati i Italisë moderne, Cavour, i cili thoshte se “njerëzit që besojnë te njerëzit janë të prirur të bëjnë më pak gabime se ata që nuk kanë besim te njerëzit”, e dinte se sa vlerë kishin ndershmëria dhe besimi. Ndërkohë italianët e kanë shumë të vështirë që të bëjnë një zgjedhje në votime, duke qenë se nuk kanë ndonjë opsion të mirë. Me një të majtë që nuk e ka harruar komunizmin dhe një qendër politike që është ende e ndotur me konservatorizmin social të Vatikanit, frymëzimi politik është i pakët.

Ndërkaq Italia ka disa nga universitetet më të famshëm dhe më të vjetër të botës në Bolonjë, Modena dhe Padova, por asnjëri prej tyre nuk bën pjesë në listën e universiteteve më të mira. Muajin e kaluar, lideri i opozitës, Pier Luigi Bersani i Partisë Demokratike, u shpreh se dështimi i festimit të 150-vjetorit të republikës do të jetë një shenjë e keqe, që mund “ta dobësojë vendin”.

No comments: