Wednesday, February 23, 2011

Ruçi: Tre kushtet tona për të hyrë në zgjedhje

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi deklaroi dje, se PS-ja ka 3 kushte për të hyrë në zgjedhje e që kanë të bëjnë me lista të pastra zgjedhore, karta të besueshme identiteti. Ndërsa kushti i 3-të është shkrirja e KQZ-së. Gjatë intervistës në emision “5 pyetjet nga Babaramo”, në Neës 24, Ruçi kritikoi ashpër ambasadorin e OSBE-së, duke thënë se ai ende nuk njeh si funksionon parlamenti.
Çfarë kërkoni konkretisht? Zgjedhje të parakohshme?
Nuk kemi diskutuar për zgjedhjet të parakohshme në fillim. Ne thamë, e para të bëhet transparenca e zgjedhjeve, dhe e dyta të bëhet një reformë e plotë zgjedhore. Për një vit e gjysmë nuk u pranua as e para dhe as e dyta. Kështu që në këto kushte, kjo u pasua me një keqqeverisje të vendit, me mosfunksionimin e parametrave të kësaj qeverie. Kemi gjithashtu një parlament që nuk përmbush funksionet e saj. S’kemi asnjë ligj të miratuar që t’u shërbejë reformave tërësore për të zgjidhur ato probleme që ka Shqipëria. S’kemi funksionin kontrollues të parlamentit. Mungon kontrolli i parlamentit ndaj Ekzekutivit.
Kërkesën për zgjedhjen e parakohshme është e panegociueshme?
Siç ka ardhur problemi, kërkesa e zgjedhjeve të parakohshme është e shtruar në tavolinë. Është e vetmja zgjidhje që kjo maxhorancë i ka çuar problemit. Zgjidhja është që Sali Berisha duhet të largohet.
Por, ndërkombëtarët thonë që s’ka zgjedhje të parakohshme?
Unë i kam dëgjuar ndërkombëtarët dhe nuk i lexoj siç më pyesni ju. Problemi i zgjedhjeve nuk është problem i ndërkombëtarëve, por është i politikës dhe i popullit shqiptar. Ndërkombëtarët nuk janë për të caktuar datën e zgjedhjeve. Berisha e ka mekanizmin, ai duhet të pranojë këtë zgjidhje politike që ofron opozita. Nuk është hera e parë që zhvillon zgjedhje të parakohshme Shqipëria.
Ky pushtet u gjakos, vrau 4 njerëz të pafajshëm. La 8 fëmijë jetimë, në sytë e opinionit publik shqiptar pa asnjë shkak, në kundërshtim me ligjin. Përdori armën e Gardës së pushtetit. Mjafton kaq ë të thuash që ky pushtet moralisht ka mbaruar.
Ambasadori i OSBE-së ka deklaruar se duhet të vijojë procesi, ndërkohë që sot ka thënë se ka ende kohë që të dorëzoni anëtarët e KZAZ-ve?
Sigurisht më çudit deklarata e tij, se është jashtë funksionit të tij, funksioni i tij është të promovojë parametrat ligjorë, funksionimin e parlamentarizmit të atij vendi dhe të shtetit të së drejtës. Dhe të vijmë te zgjedhjet. Është një nga funksionet që OSBE-ja duhet të kryejë, të shikojë, t’i monitorojë. Më vjen keq që ambasadori i ri i OSBE-së nuk ka ardhur në Shqipëri. Është në Gjermani. Do t’i kërkoja ambasadorit që të më jepte parametrat e Gjermanisë. Ai s’ka njohur Shqipërinë, sepse s’ka njohur si funksionon parlamenti shqiptar. S’është as në hyrje të Bundestagut gjerman. Deri më sot s’kemi dëgjuar asnjë deklaratë pse s’funksion shteti i së drejtës. Pra, hiqet imuniteti i së drejtës dhe nuk gjykohen ministrat. Pra, nuk funksionon mekanizmi i zgjedhjeve. Në 20 vjet demokraci, sipas OSBE-së, Shqipëria nuk ka plotësuar standardet. Po ambasadori nuk njeh kodin elektoral në Shqipëri.
Ju nuk hyni në zgjedhje me këtë komision?
Absolutisht nuk hyjmë. Nuk bëhet fjalë, që të bëhen zgjedhje në këto kushte, sepse duhen 3 elementë. Ky komision ka shkelur ligjin dhe duhet shkarkuar me ceremoni. Që të hyhet në zgjedhje duhet të ketë lista të besueshme zgjedhore. Pushtetin vendor vërtetë e kemi ne, por nuk janë vetëm qytetet e mëdha që kemi ne.
Ç’garanci do të ketë me këto karta identiteti?
Elementi i tretë është institucioni që administron zgjedhjet. Çfarë besueshmërie do të kemi ne nga ky institucion që shkel kodin elektoral në mes të ditës, çfarë garancie do të kemi ne nga ky njeri që vendimet i merr në mënyrë të njëanshme. Ai ka nxjerrë një tog vendimesh vetëm me një firmë. Do vemi tek parimi stalinist?!
A do të kërkoni shkrirjen e KQZ-së si garanci për t’u futur në zgjedhje?
Ne kërkojmë tre gjëra: garanci për listat, garanci ligjore, të besueshme dhe të zbatueshme për kartat e identitetit dhe e treta garanci e institucionit që menaxhon, administron rezultatin e zgjedhjeve.
Ne kemi propozimet tona konkrete që fillojnë me aksesin e plotë te listat e zgjedhjeve. Kemi propozime konkrete për kodin elektoral. Ky komision duhet të shkrihet dhe të jepen garanci nëpërmjet përbërjes për të zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin.
Nëse kjo nuk ndodh, ju nuk do të futeni në zgjedhje?
Këtu nuk bëhet fjalë do marrim apo jo pjesë në zgjedhje, ne jemi e vetmja alternativë për të alternuar pushtetin. Ne vijmë në pushtet vetëm përmes mekanizmit të zgjedhjeve. Ne do të jemi barrikadë që të zhvillohen zgjedhje të vërteta. Sali Berisha thotë shumë gjëra, koha e Sali Berishës ka përfunduar. Ka vrarë 32 vetë dhe s’ka asnjë përgjegjës me veprimet dhe mos veprimet e veta. Mjafton kaq që kjo qeveri, që kjo qeveri moralisht dhe politikisht duhet të ishte dorëhequr.
Nëse Berisha bën zgjedhje pa ju, ç’do të ndodhë?
S’ka zgjedhje në Shqipëri dhe s’kanë për t’u bërë zgjedhje në Shqipëri. Zgjedhjet s’bëhen kur është një. Sjellja jonë do të jetë siç sillesh me një sundimtar në një grusht shteti. Përgjigjen do ta marrë nga populli shqiptar si sundimtar. Do ndeshet ballë përballë me një publik të tërë. Detyra jonë është t’ia bëjmë të qartë kundërshtarit, partnerit dhe opinionit publik shqiptar.
A do t’i vazhdoni protestat?
Protestat do të vazhdojnë. Nuk mund të caktojmë këtu se, cila do të jetë filozofia e protestave, por ne do të vazhdojmë deri në zgjidhjen e të gjitha problemeve të vendit, edhe ne të duam që të mos i bëjmë sigurisht do të na ndëshkonte populli shqiptar.
Nëse Sali Berisha mendon se protestat do të jenë një rutinë çdo të premte apo një herë në muaj gabohet. Do të vijë dita që populli do jetë në bulevard çdo ditë, çdo orë, çdo muaj. Do të jetë protestë nonstop. Vendimet i ka marrë vetë populli. Të fitojmë kohën e humbur.

No comments: