Saturday, February 5, 2011

Kush ishin ish-ushtarakët që drejtuan sulmin e dhunshëm për marrjen e Kryeministrisë

Gjeneralët e Grushtit të Shtetit

Provohet se tentativa për grusht shteti e opozitës së drejtuar nga Edvin Kristaq Rama ka pasur në krye të shtabit disa prej ish-ushtarakëve, që kanë drejtuar për 4 vite me radhë forcat e rendit dhe ato të Gardës së Republikës. Nga të gjitha pamjet filmike të transmetuara nga mediat, në krye të turmave që tentuan të futen me dhunë në selinë e Kryeministrisë qëndronin persona me njohuri të mirë ushtarake. Gramoz Ruçi ish-ministri i Brendshëm dhe i Sigurimit të Shtetit, Arben Çuko ish-Komandant i Gardës së Republikës, Zyhdi Dajti ish-efektiv i gardës, si dhe Drejtor i Policisë Bashkiake në kryeqytet, Pjerin Ndreu ish-drejtor i Policisë së Tiranës, Paulin Sterkaj ish-drejtor i Policisë së Shkodrës. Përzgjedhja dhe vendosja e këtyre emrave nga radhët e ish-Forcave të Armatosura në krye të demonstruesve që përplaseshin me policinë dhe forcat e gardës, duke i qëlluar ata me mjete të dhunshme dhe zjarr, përmes bombave molotov, është një tjetër dëshmi se kemi pasur të bëjmë me një plan të pastër të grushtit të shtetit. Këta ushtarakë nuk qëndronin aty për të bërë paqe, por për të bërë luftën. Ata morën komandën e sulmit menjëherë sapo Rama u fsheh, duke soditur kthimin e bulevardit në shesh beteje. Ish-ushtarakët e vendosur në krye të sulmit ndaj Kryeministrisë kanë qenë edhe përgatitësit e grupeve, të cilët nisën menjëherë sulmin ndaj forcave të policisë, duke i qëlluar ata me mjete të forta. Megjithëse kanë kaluar dy javë nga tentativa për grusht shteti, Prokuroria ende nuk ka thërritur dhe nuk ka bërë padi ndaj ushtarakëve që drejtonin sulmin mbi Kryeministrinë. Prokuroria vazhdon të jetë palë dhe të marrë në mbrojtje autorët e grushtit të shtetit, duke mos i dhënë përgjigje pyetjeve që ngre cilido që ka parë sulmin ndaj efektivëve të policisë dhe gardës, se cili ishte roli i këtyre ushtarakëve në grushtin e shtetit, përse u vendosën ata në krye të sulmit mbi policinë dhe gardistët, si shpjegohet që ata ishin të parët që e shpërthyen derën e Kryeministrisë dhe u larguan andej vetëm pas kërcënimeve të drejtuesit të gardës. Disa nga këto emra janë përmendur edhe gjatë Komisionit Hetimor parlamentar, të cilët janë cilësuar si personat e vijës së parë të sulmit ndaj godinës së Kryeministrisë. I thirrur nga ky komision, Komandanti i Gardës së Republikës, Gjenerali Ndrea Prendi, u shpreh se, "sulmi ndaj Kryeministrisë ishte nga disa drejtime", një sulm i tillë nuk mund të bëhej nga njerëz jo profesionistë dhe të painformuar rreth situatave të tilla. Njëri nga këto emra, që drejtonin turmën që theu portën e hekurt të Kryeministrisë është edhe Arben Çuko, ish-Komandanti i Gardës së Republikës. "Goditja e objektit të Kryeministrisë ka qenë në disa drejtime, shkatërrimi ka qenë tek porta numër një, por rrezikshmëria ka qenë në shumë drejtime. Shkatërrimi i portës një dhe futja e njerëzve brenda apo goditja me mjet, i cili do të kishte qenë tragjik për forcat e gardës në atë pozicion, nëse mjeti do të avanconte dhe nuk do të ndalej nga ura antikarrocë. Në këtë moment nuk kisha shumë pamje dhe ishte e kufizuar, sepse kam qenë në pjesën e hyrjes kryesore të Këshillit të Ministrave. Por, në kohën e një pauze, nëse mund ta them kështu të sulmeve të vazhdueshme është futur në perimetrin e rrethimit ish-Komandanti i Gardës, Arben Çuko, brenda objektit. Është ndaluar nga forcat e gardës, jam vënë në dijeni, kam shkuar e kam takuar, i kam thënë, që urgjentisht të dalësh jashtë dhe ai ka zbatuar urdhrin", u shpreh Prendi gjatë dëshmisë së tij në komision. Gjithashtu edhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka shprehur shqetësimin e tij për pjesëmarrjen në demonstratën e dhunshme para Kryeministrisë së Zyhdi Dajtit, drejtor i Policisë Bashkiake në kryeqytet, një ish-efektiv i gardës. Pjesëmarrja e Dajtit, si dhe disa prej drejtorëve të tjerë të policive bashkiake të drejtuara nga Partia Socialiste, është në kundërshtim të ligjit për të qenë të pranishëm në tubime politike. Sipas informacioneve të dhëna nga ministri Basha shumë nga këta efektiva janë parë në krye të turmave që sulmuan godinën e Kryeministrisë. "Policia Bashkiake e Tiranës dhe pjesëtarë të Policisë Bashkiake të qyteteve të tjera të qeverisura nga Partia Socialiste kanë qenë të pranishëm në 21 janar, janë evidentuar si të pranishëm në 21 janar, kjo do të mjaftonte të hynte në veprim ligji, i cili i ndalon ata të jenë të pranishëm në aktivitete politike. Megjithëse, 21 janari nuk ishte aktivitet politik në rast se do t'i shkojmë logjikës së absurdit deri në fund, këto forca policore nuk ishin aty për të mbështetur një aktivitet politik, por për të mbështetur një përpjekje të dhunshme për të rrëzuar një institucion. Vazhdon evidentimi i çdo qytetari, duke përfshirë anëtarë të Policisë Bashkiake për t'i vënë përpara përgjegjësisë penale", u shpreh Basha në Komisionin Hetimor. Gjatë demonstratës së dhunshme përpara godinës së Kryeministrisë, e cila u organizua nga Partia Socialiste për 5 orë rresht, në drejtim të forcave të rendit u hodhën shkopinj, gurë, shishe molotov dhe u tentua hyrja me forcë drejt Kryeministrisë, duke u përdorur edhe makina për shembjen e pengesave të betonit. Si rezultat i kësaj demonstrate u vranë tre njerëz dhe u plagosën me qindra të tjerë, ku 81 ishin efektiva të rendit publik.

Ish-ushtarakët që ishin në krye të Grushtit të Shtetit më 21 janar

Gramoz Ruçi-Gramoz Ruçi ishte ministër i Brendshëm i Shqipërisë gjatë periudhës 22 shkurt 1991-10 tetor 1991. Njeriu i masakrës së 2 prillit 1991 në Shkodër dhe përgjegjës për zhdukjen e dhjetra të rinjve që tentonin të arratiseshin gjatë rënies së diktaturës.

Pjerin Ndreu-Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ndaj Pjerin Ndreut rezultojnë të paktën katër kallëzime penale në Prokurorinë e Tiranës, ku më i rëndë është ai për "vrasje me dashje". Një akuzë tjetër është ajo e pengimit të punonjësve të policisë për arrestimin e elementëve kriminalë. Pjerin Ndreu akuzohet për skandalin e 350 pasaportave të lëshuara në mënyrë të jashtëligjshme në Gjirokastër, për implikimin në një incident me armë, të ndodhur gjatë aksionit për kapjen e të kërkuarit Petrit Lleshi.

Arben Çuko-Ish-Komandanti i Gardës së Republikës, nga viti 1998 deri në vitin 2005. Akuzohet për vrasjen e Skënder Kalenjës më 14 shtator 1998.

Zyhdi Dajti-Drejtor i Policisë Bashkiake të Tiranës. Ish-efektiv i Gardës së Republikës. Njeriu i afërt i Dritan Dajtit, serial killeri i vrasjes së pesë policëve dhe i konsideruar si baroni i drogës, i kërkuar nga pesë shtete të Europës. U vendos në krye të Policisë Bashkiake për shkak të lidhjeve të ngushta të Ramës me njeriun e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.

Paulin Sterkaj-Ish-efektiv policie në kryeqytet dhe më pas ish-drejtor i Policisë së Shkodrës.

No comments: