Wednesday, February 23, 2011

Çun Lajçi rrëfen prapaskenat e Berlinales

Alfred Beka

Aktori Çun Lajçi ndihej i entuziazmuar me pjesëmarrjen e tij në Festivalin e Filmit në Berlinale dhe defilimin në tapetin e kuq. Pas kthimit nga Gjermania, ai tregon për "Express" përjetimin dhe emocionet e tij për diçka që dikur e kishte konsideruar vetëm si ëndërr. Kur kishte filluar të merrej me aktrim, Çun Lajçit nuk i kishte shkuar mendja se do të merrte pjesë në ndonjë festival të madh europian. Kur kolegu i tij tashmë i ndjerë, Bekim Fehmiu i tregonte për ecjet e tij nëpër tapet të kuq, Çunit kjo i dukej si ëndërr. Por, kjo ëndërr iu realizua para disa ditësh. Ai sapo është kthyer nga Berlini, ku së bashku me aktoren tjetër nga Kosova Ilire Vinca Çelaj, ka marrë pjesë në Festivalin e Filmit Berlinale, me filmin "Falja e gjakut", me regji të Joshua Marston dhe skenar të Andamion Murataj. Ky film u shpërblye me "Ariun e argjendtë" për skenarin më të mirë dhe kjo e kishte ngazëllyer tej mase aktorin kosovar. "Kur kam zbritur nga vetura më është ndërruar mendja dhe ndjenja një milion për qind. Je aq i hutuar saç janë disa njerëz aty, sigurisht duke e ditur këtë, që të udhëzojnë 'kthehu, qeshu, buzëqeshu, spostohu', të orientojnë si marionetën. Sepse sigurisht ata e dinë se para gjithë atyre njerëzve ndërrohet ndjenja. Ke një ndjenjë të kënaqësisë ndoshta të tepruar. Megjithatë, pak a shumë, e kam humbur kontrollin", tregon Lajçi për përjetimin e tij në momentin kur ka shkelur në tapetin e kuq të Berlinales.
Veshja
Por, para se të nisej për në Berlin, atij i duhej ta tejkalonte një problem jo edhe aq të vogël. Në ftesën që i kishin dërguar organizatorët shkruhej se ç'duhej të vishte kur të ecte në tapetin e kuq, çfarë në konferencë për shtyp e çfarë në natën finale. "Unë nuk i kisha asnjë. Por, të them të drejtën, duhet të falënderoj jashtë mase Behxhet Pacollin, pasi iu drejtova atij, ai më tha se do më dërgonte në Milano për të më blerë rroba dhe se do më priste biletën. I thash se biletën ma ka prerë Ministria e Kulturës dhe në Milano nuk mund të vij, por vetëm po t'i jap numrat. Dhe unë e falënderoj sepse në Milano m'i ka blerë dy palë rroba, sigurisht të kategorisë më të lartë", - shprehet ai, ndërkohë që tregon se nga Ministria e Kulturës u janë dhënë të hollat për një biletë aeroplani dhe pesë mëditje. Lajçi thotë se për pjesëmarrjen në këtë festival duhet të falënderohet regjisori amerikan Joshua Marston, i cili ka marrë guximin të trajtojë një temë që është shumë e ndjeshme, ajo e gjakmarrjes, pra të merret me një temë mbi të cilën shumë filma shqiptarë janë punuar dhe e kanë shfrytëzuar aq sa ndoshta ka kaluar në banalitet, sepse nuk është shfrytëzuar ashtu siç duhet. "Ky regjisor merret me temën tonë dhe në mënyrën më të pastër, do të thosha jo klishe, e paraqet mënyrën se si njerëzit në një Ballkan, në një Shqipëri, në një Kosovë, për një cikërrimë, janë në gjendje ta likuidojnë njëri-tjetrin edhe t'i durojnë pasojat, pra të ngujohen me vite e vite. Pra është një guxim i madh i një njeriu që vjen duke mos e njohur realitetin dhe ballafaqohet rreth gjashtë muaj, duke e studiuar kanunin dhe e punon filmin në mes të asaj që është dokumentare dhe asaj artistike, duke i përzier gjithsesi dhe duke i baraspeshuar", - shprehet Lajçi. Ai shton se Berlinale bashkë me Kanën janë ndër festivalet më prestigjioze të filmit dhe mënyra se si kanë shkuar deri atje është punë e merituar e një njeriu që ka lënë gjurmë para shtatë vitesh, me filmin 'Maria full of grace' në këtë festival dhe përderisa e punonte në Shkodër, ky e kishte synimin e qartë: 'E dua Berlinalen'. Ai tregon se regjisori ka punuar një muaj në përzgjedhjen e aktorëve dhe është ndarë i kënaqur me aktorët nga Kosova. "Për një muaj është endur në mes Shqipërisë, Shkupit dhe Prishtinës. Tri herë ka bërë audicion këtu në teatër dhe mbas tri herësh ka shkuar në Shkup dhe në Tiranë përsëri dhe është kthyer përsëri në Prishtinë, dhe prej 3.500 nxënësve të Shkodrës ka zgjedhur Tristan Halilajn dhe Sindi Laçajn, ka zgjedhur Ilirën, mua, Selman Lokajn, Veton Osmanin dhe Luan Jahën. Të tre kanë nga një rol të vogël në film dhe si personazhe kanë qenë shumë të limituar. Kërkesa e regjisorit ka qenë e jashtëzakonshme dhe ai nuk është pajtuar kurrsesi as me aktorët që i ka sprovuar në Shkodër dhe Tiranë, por as në Shkup dhe këtu siç duket, ka nuhatur, siç thoshte ai, aktorë që janë shumë më të lirë para kamerës, që janë shumë më filmikë sesa aktorët që i ka parë në Shkodër dhe Tiranë, janë më pak teatralë dhe shumë më shumë për film dhe ka qenë, në një farë mënyre, shumë i kënaqur me ne", - thotë Lajçi, duke theksuar se Marston është një prej atyre njerëzve i cili punon me ty dhe ti nuk e kupton se është duke e krijuar personazhin brenda teje.
Kryetarja e jurisë
Duke folur për Berlinin, Lajçi tregon se kanë qenë në mesin e konkurrentëve më seriozë. "Që në fillim na është kumtuar se ne jemi ndër konkurrentët më seriozë të festivalit. Mbasi janë ndarë çmimet, shkuam në darkë ceremoniale vetëm ne laureatët dhe juria. Kur hyri ekipi ynë, juria u ngrit në këmbë dhe na duartrokitën. Kryetarja e jurisë, Isabela Roselini na u afrua, na uroi çmimin dhe na tha: 'Më besoni, keni qenë në teh thike si ju, si iranianët, por kemi anuar Iranin sepse ne si Evropë po duam në një mënyrë ta sensibilizojmë edhe Evropën edhe popullin iranian se çka iu bën regjimi iranian regjisorëve dhe njerëzve që krijojnë art'", - tregon Lajçi. Ai po ashtu tregoi se kanë biseduar me regjisorin Marston dhe producentët e tij që ta bëjnë një film në Kosovë. "Ata janë shumë të gatshëm që të vijnë dhe të bëjnë film këtu, por e kishin një lutje të jashtëzakonshme që në një mënyrë këta si producentë nga Amerika të gjejnë përkrahje prej ministrisë me aq pak para, pasi me një shumë prej dhjetë për qind duhet të kontribuojë shteti që të mund të konkurrojë dhe të kandidojë si film i jashtëm në 'Oscar'. Këtë që nuk kanë mundur ta arrijnë me Shqipërinë me 'Faljen e gjakut'. E kanë lutur Shqipërinë që të kontribuojë me dhjetë për qind, që i binte 160 mijë dollarë, pasi buxhetin e kanë pasur një milion e 600 mijë dollarë, në mënyrë që të jetë Shqipëria mbrapa filmit, por kjo nuk ndodhi. Joshua më ka thënë se ka dëshirë që me mjetet e tyre të vijnë këtu, por t'i ndihmojë edhe Ministria e Kulturës. Këtë porosi do t'ia çoj në vend sepse do të bëjmë çmos që ta sjellim në festivalin PriFilmFest dhe pastaj të bisedojmë që çka mund të bëjmë që ta krijojmë një film me temë kosovare. Ata janë shumë të gatshëm që të vijnë ta bëjnë një film", - thotë Lajçi. Por, sidoqoftë, edhe çmimi me të cilin u shpërblye ky film iu dedikua Shqipërisë. Lajçi tregon se kur regjisori Marston bashkë me skenaristin Andamion Murataj dolën për të marrë çmimin, ai e ngriti ariun dhe tha: "Këtë ari ia dedikoj Shqipërisë".

No comments: