Wednesday, January 5, 2011

VITI 1946... VIT TERRORI DHE PËRGJAKJE SLLAVOKOMUNISTE !

Nga Fritz RADOVANI
65 vjet ma parë... Shkodren...
Viti 1946 e gjenë me 26 burgje, hetuesi e podrume masakrash komuniste...
Zgjedhjet e 2 Dhetorit 1945 zbuluen surratin e vertetë të sherbtorit dhe agjentit jugosllav në krye të qeverisë kukull të Tiranës, terroristit dhe amoralit të kabareve masone të Parisit, atij që do të mbesin në fletët ma të zeza dhe ma të gjakosuna të Historisë së Popullit Shqiptar, kriminelit të pashoq e tradhëtarit sadist Enver Hoxha. Dora e zezë e tij e maskueme me sigurimin e shtetit të drejtuem nga klika e spijunve gjaksorë Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Sheuqet Peçi, Haxhi Lleshi, Omer Nishani etj., të pasuem nga brigadat e ndjekjes dhe të vrasësve të pashoq që kishin pushtue anë e kand Shqipninë, mbas shpalljes së “republikës” komuniste nën mbikqyrjen Jugosllavisë së Josif B. Titos, me 11 Janar 1946, do të fillojë qeverisjen diktatoriale me mjetet ma të dhunshme që ka njohtë historia, me të cilat do t’i shërbehet nga Enver Hoxha dhe të gjithë bashkpuntorët e tij për nënshtrimin dhe skllavrimin e Popullit Shqiptar. Ata ishin vrasjet pagjyq, masakrimi masiv i popullsisë së pambrojtun, arrestimet, torturat, gjyqet false të mëshefta dhe të montueme publike, burgosjet, kampet e shfarosjes dhe të punës, interrnimet dhe zhdukjet pa procedura juridike, shkelja e të gjitha të drejtave elementare të njeriut, dhunimi dhe masakrimi në masë, përsekutimi dhe lufta antinjerzore e “kllasave” ndaj çdo elementi të konsideruem “armik” kjoftë ky edhe i palindun ende, e këte e dokumentojnë thanjet e terroristëve të pashpirtë, se: “Kur të përmendet emri ‘komunist’ ka për t’u tmerruar edhe fëmija në barkun e nënës..!”, një e vertetë që ndodhi atëherë e prap sot në Shqipni, për Ata që nuk mund të harrojnë kurrë ata tradhëtarë!
Komunistët “shqiptarë” ishin të njohtun mjaft mirë në Jug të Shqipnisë që në luftën e tyne civile, të ashtuquejtun “nacional – çlirimtare” në vitet 1943 - 44, kur mizoritë dhe vrasjet u kryen gjoja nën masken e luftës kundër armiqve të mbrendshëm vegla të okupatorëve, “Ballit Kombëtar” dhe Legalitetit apo dezertorëve etj. Kjo u vazhdue në Veri mbas 29 Nandorit 1944 tue përfshi edhe masakren kundër kosovarëve nga Kukësi e deri në Tivar e Ulqin, ku humbën jetën mbi 12.000 shqiptarë kosovarë të çarmatosun nga tradhëtarët Ramiz Alia, Haxhi Lleshi, Rahman Perdhaku, Sheuqet Peçi etj. në bashkpunim me forcat komuniste të Titos në Kosovë e Malin e Zi. Në janarin e vitit 1945 Mehmet Shehu dhe Koçi Xoxe të lidhun me forcat jugosllave, arrijnë me thye mbas shpine Prek Calin dhe malësorët e Kelmendit, ku vrasin mbi 118 malësorë pagjyq, i hudhin kufomat e tyne ndër prroje e prroska, i djegun kullat dhe i plaçkisin gjanë e gjallë...vetem me një qellim: “Për hirë të kolltukut personal të tradhëtarëve, Populli Shqiptar duhej skllavrue nga armiku shekullor i tij; sllavokomunistët jugosllavë të Titos!”
Shqiptari i Alpeve i brumosun me idealin e Atdheut e të Fesë duhej shkombtarizue!
Mbas betejës së Kelmendit, në gjysen e Janarit 1945, arrestohen nga komunistët dy klerikët e parë At Gegë Lumaj e At Dioniz Maka, tue u akuzue se kane mbajtë armë pa leje...
Para Bashkisë së Shkodres, vriten Atdhetarë në prani të Popullit. Kjo ishte “Liria”!
Me daten 2 dhe 3 shkurt 1945 fillojne arrestimet edhe në Shkoder me Don Mikel Koliqin, famullitar i Shkodres, Prof. At Giakomo Gardin SJ, dhe xhakonin jezuit Gjergj Vata.
Me 5 Mars 1945, mbasi sigurimi masakron klerikun Don Lazër Shantoja, tue i sharrue kambët me sharrë druevari e pushkaton me Sulçe Beg Bushatin, bri lumit Lana në Tiranë e, poatë kohë Don Ndre Zadejen e vrasin pranë vorrezave të Rëmajit në Shkoder, me grupin e Prek Calit me 25 Mars 1945. Vazhdohet nënshtrimi i Veriut me pushkatimet e Ndue Palit e Caf Metit për me mërritë në arrestimet e anëtarve të Organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” në fundin e nandorit, e thëmelueme nga Mark Çuni në muejn Maji 1945. Kjo asht Organizata e Parë antikomuniste në krejt Lindjen komuniste kur lufta nuk kishte përfundue ende.
Në Qershorin e vitit 1945, i tradhëtuem nga një kushri i veti (LB), arrestohet nga forcat e ndjekjes At Anton Harapi, ish Regjent i Qeverisë Shqiptare që ndodhej i mëshefun tek një mik i veti në malet e Dukagjinit. Sillet në Shkoder dhe mbas pak ditësh dergohet në hetuesi në Tiranë.
Në shtator të 1945 arrestohet dhe masakrohet barbarisht Don Mark Gjani në Mirditë, tue u kerkue prej Tij me akuzue Imzot Frano Gjinin, i cili ishte emnue në muejn Maji 1945, mbas largimit të Delegatit Apostolik të Vatikanit Imz. Leone G.B. Nigris, nga Shqipnia, i dëbuem nga qeveria komuniste e Tiranës si zëvendës i Tij në Shqipni. Don Marku ishte sekretar i Regjentit të posa emnuem Imz. Gjinit. Don Marku u torturue nga shefi i sigurimit Bardhok Biba, i cili i dogj kambët me hekur të skuqun, ia sharroi me sharrë dhe mbasi i vdiq ndër duer e vari me e pa ashtu të gjymtuem populli i Sh’Palit...mandej, e hodh në breg të prronit me e ngranë qentë e fshatit...
Në muejn dhetor 1945 mbyllen shkollat e Motrave Stigmatine dhe Servite në Tiranë, të cilat shpejt pasohen edhe në Shkoder, mbas zbulimit të Organizatës “Bashkimi Shqiptar” tue u mbyllë edhe seminaret dhe shkollat e Françeskanëve dhe Jezuitëve në Shkoder dhe, tue u nxjerrë jashta Shqipnie edhe jezuitët italian që nuk ishin të arrestuem me atë rast.
Nësa me 11 Janar 1946 organizohet shpallja e “Republikës”, në Shkoder punohet për me mbushë burgjet e podrumet e shtëpijave të Ulqinakut, Rrojit, Fasli Ademit, Vuksanve etj. me “armiqtë e popullit” që nuk pajtohen me pushtimin sllavokomunist të Jugosllavisë titiste...
Vetem qyteti Verior i Shqipnisë Shkodra, në vitin 1946 kishte 26 burgje, hetuesi dhe sa e sa podrume për tortura dhe masakra të sigurimit të shtetit komunist...të cilat, në një kohë të shkurtë do të mbushen plotepërplot me nga ma të rijtë e deri tek pleqtë e këtij qyteti që, atëherë nuk kishte ma shumë se 28.000 banorë. Pra, gati për 1000 banorë një qender torturash.
Arrestimet fillojnë me tregtarët e Shkodres nga të cilët Enver Hoxha kerkon thesaret e arit, të diamanteve e brilantave që grabiten nga oficerët e sigurimit ndër arkat e grave të tyne ...të cilëve, u shtetizohen fabrikat, pronat, dyqanet dhe shtëpijat e tyne. Vetem tregtarit Man Tepelia më ka tregue ishoficeri i ndodhun prezent Nazif Pira, i janë marrë në rranjët e fiqve në fshatin e Vukatanës 13 teneqe vojit gurit me napolona ari. Në Shkoder janë shtetizue mbi 40.000 napolona ari, të cilat dokumentohen nga fletoria zyrtare e asaj kohë...Posa, nuk u dëshmuen kurrë?
Me datën 20 Shkurt 1946 pushkatohen Anëtarët e Regjencës At Anton Harapi, Lef Nosi dhe Maliq Bushati, në breg të lumit Lana në Tiranën “demokratike”...
Me 4 Mars 1946 pushkatohen të akuzuemit për Organizaten “Bashkimi Shqiptar” ku, veç anëtarëve të saj, thëmeluesit Mark Çuni 26 vjeç, Prof. Gjelosh Lulashi 30 vjeç, Frano Mirakaj 29 vjeç dhe Qerim Sadikut 27 vjeç, i bashkëngjiten me akuza false edhe klerikët At Giovani Fausti 44 vjeç, At Daniel Dajani 40 vjeç dhe At Gjon Shllaku 39 vjeç, të gjithë me nga dy e tre tituj doktor shkencash përveç laurimit në teologji. Me këte rasë shpejt arrestohet deputeti Prof. Kolë Prela dhe Avokati Muzafer Pipa, që mbyten në tortura. Hetuesia plotson proces – verbal fals të mbajtun gjoja në gjyqin e mbyllun të tyne, ku “pushkatohet” edhe avokati i Nderuem Paulin Pali. Me 23 mars 1946 vritet tradhëtisht në malësi të Veriut edhe dijetari Don Nikoll Gazulli.
Në malet e Mirditës me 13 qershor vritet Mark Gjon Markagjoni, i Pavdekshem në fletët e historisë së asaj krahinë heroike, e cila, vazhdoi përpjekjet për Liri deri në vitin 1954.
Mbas vdekjes së Imz. Gasper Thaçit me 25 Maji 1946, fillojnë arrestimet e të rijve dhe të rejave të shkollave të mesme të Shkodres. Arrestohen vajzat Marije Tuçi, Angjelina Marku, Agime Pipa, Terezina e Liza Pali, Ana Daja, Drita Kosturi, Frida Sadedini, Viktore Kuka, dhe Marije Zojzi, vritet në Sheldi me burrin e saj Pjetër Deden, nga forcat e ndjekjes.
Në mesin e korrikut 1946 pushkatohet Don Alfons Tracki, Kol Ashiku, Nikoll Dedaj dhe tek Dugajt’ e Reja varet Llesh Marashi...Këta pushkatime shoqnohen me grupe të mëdha nga të gjitha shtresat shoqnore qytetarë, fashatarë, studentë, bujq, gra e pleq që janë arrestue njëheresh dhe dënue randë apo janë mbajtë sa kohë të izoluem në banesen e Guljelm Lukës, pranë shkollës së jezuitëve e mandej me gra e fëmijë janë interrnue ndër kampet e shfarosjes komuniste.
Në muejn gusht 1946, në Pukë dënohet Don Nikoll Mazrreku, dhe posa plotson dënimin interrnohet në Tepelenë dhe Lushnje. Menjëherë mbas Tij arrestohet edhe Don Pjeter Tusha. Në Lezhë arrestohet Don Nikoll Troshani...që i paraprinë ngjarjeve të montueme të shtatorit 1946.
Vjeshta e 1946 fillon me ngjarjet e 9 Shtatorit, që sjellin skenarët e zi të asaj Lëvizje të Postribës, që vazhdoi për sa vite me ngranë koka njerzish të pafajshem...të gjithë, të lidhun gjoja me këte ngjarje që mbetët ndër plagët e pambylluna të historisë. Ndër viktimat e para janë Ata Burra që mbasi u vranë në afersi të Shkodres, trupat e Tyne u hodhën tek kanali i gjatë pranë fabrikës së venës, dhe i arrestuemi i parë i asaj dite asht romancieri Don Ndoc Nikaj, të cilin mbasi e “mberthyen” me armë kraheqafë, e shetitën mbi një gomar në rrugët e Shkodres...
Në Lëvizjen e Postribës u bane shumë arrestime dhe mbas sa muej torturash u pushkatuen dhe u mbyten në hetuesi Kolec Deda, Riza Dani, Cin Serreqi, Dulo Kali, Caf Dragusha, Rasim Gjyrezi, Simon Darragjati, Ingj. Fahri Rusi, Guljelm Suma, Murat Hysen Haxhija, Bilbil Hajmi, Pjeter P. Pali, Gaspër Simon Gaspri, Xhelal e Abdyl Hardolli, Prof. Kolë Prela, Avokat Paulin Pali, Avokat Muzafer Pipa, dhe vargu i pafund i klerikëve katolikë që janë një kapitull në vete.
Arrestohen shumë hoxhallarë që masakrohen tek burgu i Kishës së Fretenve: Hafiz Ali Tari, Hafiz Myftia, Hafiz Musa Derguti, Hoxhë Xhemal Najpi, Hafiz Bushati dhe në Tiranë Hafiz Ibrahim Dalliu. Të gjithë krahinat e Shqipnisë pasojnë Shkodren me arrestime e internime nga intelektualët Maliq Xhemal Bushati, Prenkë Kaçinari, Arshi Pipa, Elez Troshani, Fahri Rusi, juristi Qazim Dani, Adem Bazhdari, Sami Repishti, Ragip Meta, Loro Vata, Kolë Alimhilli, R. Barbullushi, Qazim Dervishi, Xhevat Meta, Qamil Nikshiqi, Ruzhdi Baja, muzikanti Gac Çuni, vllaznit Serreqi Gjoni, Ejlli, Luigji dhe Cini që do të pushkatohet etj. Të kësaj kohë janë edhe mbytjet në torturë të Profesorëve Qemal Draçini dhe Simon Deda. Vriten barbarisht vllaznit Palë e Mark Thani dhe në Gjinokaster vriten ushtarët Xhel Kamata e veterineri Paulin Shestani.
Vazhdojnë arrestimet me Don Mark Bicaj, At Karlo Serreqi, Don Ndre Simoni dhe në Tiranë, At Pjeter Mëshkalla, Don Shtjefën Kurti, Imzot Irene Banushi, Ipeshkëv orthodoks që punoi për unifikim të Kishave, At Pashko Gjadri, At Mëhill Troshani. Dora e sigurimit tashti zgjatet deri në Korçë ku arrestohet Papa Josif Papamihali...që do të gjejnë edhe një nga vdekjet ma të shemtueme të organizueme nga sigurimi kur po punonte në kënetën e Maliqit, Atij i bie të fikët dhe për së gjalli policët e mbulojnë me baltë ku, Ai, jep edhe Shpirtë...
Në Mirditë arrestohet Don Prenkë Qafalia në nandor të 1946, kater ditë para se forcat e sigurimit organizojnë me Asllan Licin e Pal Mëlyshin vrasjen pagjyq të Don Luigj Picit, me 10 Nandor në fshatin Reç të Koplikut të Shkodres.
Në Elbasan arrestohet një tjetër klerik At Petraq Isak...i cili dënohet me 15 vjet burg.
Në Shkoder, me 12 Nandor arrestohet Don Mark Hasi sekretar i Argjipeshkvisë, At Donat Kurti drejtor i Gjimnazit Fretenve dhe meshtari i ri Don Anton Muzaj...
Në Tuz të Malit të Zi pushkatohet Imz. Nikoll Tusha, një nga Klerikët Katolik ma aktiv që ia ka kushtue gjithë jeten e Tij bashkimit të Trojeve tona...bashkluftar me Cafo Beg Ulqinin.
Me 15 Nandor 1946 në Shkoder Kuvendi Françeskan këthehet në burg....
Arrestohet Provinçiali i Fretenve At Mati Prennushi dhe Rektori At Çiprian Nika...
Arrestohen ato ditë edhe Imz. Frano Gjini, Regjent i delegacionit Apostolik në Shqipni, Imzot Nikoll Deda, Don Tomë Lacaj, At Palë Dodaj, At Mëhill Miraj, At Gjon Karma, Don Ndoc Sahatçija, Don Nikoll Shelqeti, Fra Ndue Vila dhe xhakoni Zef Pllumbi. Me këte grup u arrestue edhe deputeti Zef Haxhija nga Shkodra. Akuza kryesore asht “futja e armëve në Kishë”, veper e cila u krye edhe në Orosh të Mirditës nga sigurimi i shtetit komunist, mbas instruksionit të oficerëve jugosllav, ngjarje e cila lidhej me vepra të tilla të kryeme pothuej në të gjitha vendet komuniste të Europës Lindore satelit të Bashkimit Sovjetik, që drejtohej nga Stalini dhe Beria.
Me 17 Nandor Don Zef Maksen, misionar gjerman në zonat e thella të Mirditës, mbas dënimit me dy vjet në burgun e Tiranës, merret nga burgu dhe pushkatohet tradhëtisht...
Në Prizren të Kosovës bahet gjyqi i njohtun nga trupi gjykues jugosllav i të akuzuemve në organizaten “Katoliçeskaja banda” dhe pushkatohen At Bernardin Llupi, vajza Maria Shllaku nga Shkodra si dhe mësuesit e nderuem Kolë Parubi dhe Gjergj Martini...Me 25 Nandor, hapet edhe një gropë për Këta Shqiptarë mbas vrasjes Prof. Ymer Berishës e Kolë Margjinit!
Në fillim të Dhetorit 1946, mbytet në tortura nga katilët Fadil Kapisyzi e Dul Rrjolli dijetari At Bernardin Palaj...i cili, vorroset në oborrin e hetuesisë ish konvikti “Malet tona”.
Vazhdojnë arrestimet e Françeskanëve At Alfons Çuni, At Aleks Baqli, At Leon Kabashi, At Sebastjan Deda në Shkoder, ndërsa në Vlonë arrestohet Imzot Jul Bonatti, i posa sjellun nga Italia, që mbasi u dënue me 5 vjet heqje lirije, dergohet në një çmendi ku e shkyjnë të “sëmurët”.
Ky shkrim asht vetem një skicë e thjeshtë, ku unë kam vue penelatat e para të atij kuadri aqsa të dhimbshëm sa edhe të zymtë, të përgjakun nga një terror i pashembullt në histori që kje organizue nga specialistët jugosllavë të Beogradit me “urdhën” nga Moska stalinjane. Për këte vepër u zgjodhën kuadrot terroristë të sigurimit të shtetit shqiptar nga vetë Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Kristo Themelko, Kadri Hazbiu e të pasuem nga fanatikë anadollakë e sllavokomunistë të gjithë bashkë “grusht çeliku rreth partisë”, me kriminelët Zoji Themeli, Ndrekë Nallbani, Zoji Shkurti, Dul Rrjolli, Lilo Zeneli, Kasem Troshani, Aranit Çela, Mustafa Iljazi, Gjon Prendushi, Dulaç Lekiqi, Çesk Shoshi, Idriz Çoba, Bashkim Kasoruho, Fadil Kapisyzi, Nesti Kopali, Hysni Ndoja, Ali Xhunga, Xheudet Miloti, Pjerin Kçira, Zoji Shkurti, Elez Mesi, Nevzat Haznedari, Kapo Kapaj, Gafur Çuçi, Lin Çollaku, Asllan Lici, Bardhok Biba, Toger Baba, Faik Nuti, Sadik Rama, Bexhet Meksi, Xhemal Selimi, Haki Llazani, Filip Pema, Ferit Mandija, Hamdi Ulqinaku, Ali Qorri, Fadil Paçrami, Gjeli Argjiri, Tonin Miloti, Misto Bllaci, Gjon Banushi, Rasim Dedja, Isa Miloti, Anastas Koroveshi, Niko Çeta, Ago Dino, Zurdi Shehu, Ali Paçrami, Petrit Hakani, Halim Ramohito, Thoma Rino, Zhule Çiriako, Alush Bakalli, Shyqyri Qoku, Jonuz Dini, Ahmet Suji, Shyqyri Kaçorri, Bastri Beqiri, Bilo Bregu, Zija Dibra, Vaskë Koleci, Çiril Pistoli, Fahri Kraja, Hys Zaja, Faik Spahija, e sa të tjerë që nuk harrohen kurrë nga Ata Shkodranë fatzezë që kanë pasë rasën me ra ndër thojtë e këtyne katilave ...derisa, një ditë u doli Shpirti nga gazepi, torturat dhe tmeri i pashoq që kanë provue prej këtyne bishave të pranguem, të gjakosun dhe të shkrryem ndër çimento të qelive të akullta të sigurimit!
Në këte 65 vjetor të këtij viti të përgjakun nuk duhet të heshtim, të flejmë në gjumin e randë të narkozës që komunistët kerkojnë me i vue Popullit Shqiptar!
Në këte 65 vjetor të këtij viti masakrash, po nuk u dënue përfundimisht tradhëtari Enver Hoxha, Shqiptarët shumë shpejtë do të puthin përjetsisht prangat e robnisë komuniste!
Në këte 65 vjetor të këtij viti të mnershëm të kerkojmë nga të gjitha intitucionet e vendit dhe ndërkombëtare hapjen e dosjeve dhe dënimin e figurave kriminale, tue fillue nga terroristët Enver Hoxha, Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha, e kështu me rradhë deri tek ata që ishin roje dere në hetuesi, burgje e kampe shfarosje ku, nga Populli Shqiptar kanë humbë jeten mbi 45.000 viktima nga komunizmi barbar, gjakatar dhe kriminal i pashembullt në krejt Lindjen Europjane...

Melbourne, 5 Janar 2011

No comments: