Sunday, January 30, 2011

Prokuroria identifikon gardistët që hapën zjarr


Urdhër-ndalimet e lëshuara për dy nga efektivët e Gardës së Republikës, të cilët nuk kanë asnjë rol drejtues, sipas prokurorisë është bërë në bazë të planit operacional për organizimin e shërbimit, në datën 21 janar. Fatos Bushati dhe Altin Kollçinaku, ndaj të cilëve zyrtarisht ka urdhër ndalimi, sipas të dhënave të prokurorisë kanë qenë me shërbim në pjesën veriore të Kryeministrisë, por nuk ka asnjë të dhënë që i implikon ata në hapjen zjarr ndaj demonstruesve. Vetëm ditën e djeshme, organi i akuzës ka marrë informacione për dy efektivë të tjerë të Gardës, identiteti i të cilëve dyshohet se përkon me gardistët që janë fiksuar nga kamerat duke qëlluar, njëri me automatik të modelit “MP5”, ndërsa tjetri me automatik “AK47”. Momentalisht organi i akuzës ka vendosur të mbajë të fshehtë identitetin e tyre, pasi gjithçka është në proces verifikimi nga prokuroria, e cila po shqyrton çdo të dhënë dhe burim të mundshëm informacioni.

No comments: