Saturday, January 15, 2011

Opozita në protestë: Do të bllokojmë Tiranën

OLI XHILAGA
PS mbledh sot asamblenë kombëtare për qëndrimin ndaj institucioneve

Bllokimi i pikave kyçe të kryeqytetit dhe moslejimi i qarkullimit në to në të njëjtin moment do të jetë një nga detajet kryesore të protestës së madhe që pritet të organizojë Opozita e Bashkuar. Kështu, kundërvënia ndaj mazhorancës aktuale, njëkohësisht dhe kërkesa për largimin e saj dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, do të jetë e përqendruar në organizimin e një proteste të fuqishme në kryeqytetin e vendit. Në këtë mënyrë kampi i majtë rimerr sërish zhvillimin e tubimeve dhe një vendim i tillë u mor dje në tryezën që organizuan partitë pjesë e Opozitës së Bashkuar.

Strategjia

Përgjimi Meta-Prifti ka shtyrë dhe më shumë lidershipin socialist që të ndërmarrë hapa konkretë lidhur me pozicionin e Partisë Socialiste dhe të aleatëve të saj ndaj institucioneve të dala nga zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009. Për këtë arsye, mësohet se një nga momentet më të rëndësishme të strategjisë së aksionit opozitar konsiston fillimisht me organizimin e një proteste të madhe në Tiranë. Burime pranë takimit që zhvilloi dje kryetari i PS-së, Edi Rama me krerët e majtë, aleatë të kësaj partie, bënë me dije se tashmë oponenca ndaj qeverisë “Berisha” do të jetë dhe më e ashpër, duke përdorur si armë të fortë pikërisht protestat qytetare. Për këtë arsye, pritet që protesta e parë që do të zhvillohet në kryeqytet të sjellë pjesëmarrjen e sa më shumë njerëzve, të cilët të kërkojnë largimin e kryeministrit dhe zëvendësit të tij.

Protestat

Një nga detajet më të rëndësishme të protestës, që pritet të organizohet në ditët në vijim në metropolin e vendit, është pikërisht bllokimi i katër pikave kryesore të këtij qyteti. Në këtë mënyrë moslejimi i qarkullimit apo i lëvizjes në këto pika në të njëjtën kohë, si dhe qëndrimi i qytetarëve për disa orë aty do të përbëjnë disa nga momentet kryesore të strategjisë së aksionit politik që do të ndërmarrë Opozita e Bashkuar. Njëkohësisht, secila nga partitë pjesë të këtij kampi, por kryesisht Partia Socialiste, do të mobilizojnë të gjitha strukturat e saj në bazë për mbështetje të kësaj proteste. Mbledhja e sotme e asamblesë kombëtare të PS-së pritet që të vendoset dhe data në të cilën do të zhvillohet tubimi, si dhe pozicionin e kësaj partie përkundrejt institucioneve.



Kreu socialist reagon ndaj deklaratës së Berishës

Rama: S’ka bashkëpunim me mazhorancën

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama reagoi ashpër ndaj deklaratave të ardhura nga Kryeministri Berisha. Në deklaratën e tij, kreu i ekzekutivit e cilësoi si të trukuar, të falsifikuar dhe të montuar videon Meta-Prifti nga kryetari Rama. “Berisha dhe Meta duhet të largohen, pasi me qeveri të inkriminuar dhe që mohon sy më sy një shfaqje tronditëse, dhe të sulmojë opozitën si të lidhur me krimin, nuk ka bashkëpunim”, vuri në dukje Rama reagimin e tij menjëherë pas deklaratës së Kryeministrit Berisha. Në qëndrimin e tij, kreu socialist mohoi që videoja të jetë prodhim i opozitës. “Sot doli në pah sa e kërcënuar është shoqëria nga ky çift, pasi nesër do jetë tepër vonë se ky bashkim i llumit pas vjedhjes së zgjedhjeve vazhdon të mendojë se dhe pas asaj shfaqjeje të neveritshme, mendon se ky popull i meriton këta kusarë”, vlerësoi Rama. Për këtë arsye, Rama deklaroi se “Saliu e Meta do të largohen një orë e më parë, me këtë qeveri që mohon sy më sy e jo përpara faktit, por përpara tërë botës në një shfaqje tronditëse e madje të sulmojnë e të skërmiten që media e pavarur është e lidhur me krimin. Ky vend s’mund të lejojë që të zhytet në llumin e Saliut e Metës”.

Tryeza e opozitës

Opozita e Bashkuar vendosi dje që të rinisë protestat masive në vend me synim largimin e qeverisë “Berisha”, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Kështu, kreu i PS-së, Edi Rama, thirri dje në një tryezë aleatët e kësaj partie me qëllim diskutimin e situatës politike në vend. Pas takimit, në emër të Opozitës së Bashkuar, Spartak Ngjela bëri të ditur se “partitë e majta vlerësuan se situata aktuale në vend është tepër e rëndë dhe se kjo është e papranueshme”, Sipas tij, videoja e përgjimit të Metës është fytyra e vërtetë e qeverisë aktuale që qeveris vendin. “Opozita do të rifillojë protestat masive në popull për largimin e qeverisë. Të nevojshme janë dhe zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të largojnë nëpërmjet votës qeverinë që ka vendosur sistemin diktatorial në vend”, theksoi Ngjela.

No comments: