Thursday, January 13, 2011

Kryeministri: Racizmi i senatorit, veshkat që hiqeshin në Shqipëri i blinin izraelitët

Amendim rezolutës së Martyt, të gjejë provat

Delegacioni shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KiE do t'i kërkojë anëtarit të PACE, Dick Marty, përmes një amendamenti në rezolutë, të paraqesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe pranë misionit EULEX, provat dhe faktet mbi pretendimet e tij të ngritura për Shqipërinë dhe Kosovën. Kështu ka bërë të ditur dje Kryeministri Berisha, në një takim me Presidentin në detyrë të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ku ka rishprehur edhe qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj hamendësimeve të ngritura në raportin e deputetit zviceran Dick Marty. Berisha e ka cilësuar si racist dhe shpifës raportin Marty për trafikim organesh, ndërsa ka theksuar se qeveria shqiptare i ka dërguar një ftesë zyrtare EULEX-it dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për një hetim të plotë. "Në takimin tonë u diskutua edhe problemi i raportit të senatorit Dick Marty. Ne besojmë dhe mendojmë se përgjigjja më e mirë ndaj këtij raporti, fund e krye racist e shpifës, është kërkesa jonë për hetim të plotë për të gjitha problemet që shtrohen në këtë raport nga EULEX dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Theksoj edhe një herë se qeveria shqiptare i ka bërë ftesë zyrtare EULEX dhe Gjykatës Ndërkombëtare që të rinisin hetimet e këtyre pretendimeve të senatorit Marty, i cili nuk sjell asgjë të re, veçse rreshton akuza të hedhura poshtë në mënyrë të përsëritur nga hetime të mëparshme, por, pasi tani që vijnë në një institucion, e bën të domosdoshëm edhe një herë, mendoj unë, një hetim të plotë. Qeveria shqiptare do të krijojë të gjitha lehtësirat e nevojshme për hetimin e problematikave që ai ngre. Ne nuk pengojmë, por ne e dëshirojmë këtë hetim, ndonëse ne shprehim të gjithë keqardhjen që raporte të tilla raciste lexohen në Këshillin e Europës. Dua të sqaroj këtu se nuk e vlerësoj racist Dick Marty-n për akuzat që bën", u shpreh Berisha. Duke u ndalur në akuzat e raportit, kreu i qeverisë bëri me dije opinionin publik se ato janë akuza të marra nga analet serbe, fakte të cilat tregojnë hapur racizmin kundër shqiptarëve. "Akuzat, ai i ka mbledhur nga analet e Beogradit, nga lobet ruse e të tjerë me radhë, por Dick Marty dëshmohet e del lakuriq para botës me racizmin e tij në përshkrimin që i bën shoqërisë shqiptare. Ai i ka lejuar vetes të përdorë shabllone të doktrinës raciste serbe ndaj shqiptarëve dhe t'i transkriptojë ato në një raport për Këshillin e Europës. Shoqëria shqiptare nuk është ajo që përshkruan as Dick Marty, as Çubrilloviçi në shkrimin e tij. Shoqëria shqiptare, natyrisht, është një shoqëri që ka historinë e saj urbane mijëravjeçare, ka edhe historinë e saj të zonave periferike me elementet e tyre. Po ta vini re, Dick Marty shkulës të veshkave ka zgjedhur shqiptarët dhe marrës të veshkave ka zgjedhur hebrenjtë. Nuk mund të ishte ndonjë rus apo ndonjë tjetër për të marrë veshka të trafikuara, por duhet të ishte hebre, për të dalë akoma më lakuriq në racizmin tij", theksoi Berisha. Gjithashtu Berisha shprehu në fjalën e tij garancinë për të qenë të hapur ndaj çdo hetimi. Ndër të tjera, gjatë takimit, dy personalitetet diskutuan edhe për forcimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve, zhvillimet e fundit në Kosovë pas zgjedhjeve të përgjithshme etj.

Institucionet ndërkombëtare të bëjnë një hetim të gjithanshëm, për të gjitha akuzat që i bëhen luftës së Kosovës për liri

Krasniqi: Kosova, e gatshme për hetimin e çdo akuze

"Delegacioni ynë shkon në Asamblenë Parlamentare, me porosinë dhe vendimin që të kërkojë hetim në rezolutën që do të votohet, të kësaj çështje nga institucionet ndërkombëtare, EULEX dhe Gjykata Ndërkombëtare dhe amendimi i delegacionit që do të jetë në rezolutë, t'i kërkojë Dick Marty-t, që të gjitha të dhënat që ka t'ia dorëzojë EULEX ose Gjykatës Ndërkombëtare" tha Berisha.

Kosova është e hapur për çdo hetim ndaj akuzave që raportuesi i KiE-së, Dick Marty, ka ngritur kundër shqiptarëve. Ushtruesi i detyrës së Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka theksuar pas takimit me Kryeministrin Berisha se edhe Kosova është e gatshme për çdo hetim në lidhje me këtë çështje. Sipas tij lufta që ka bërë UÇK ka qenë vetëm për fitimin e lirisë dhe kjo është një bindje e të gjithë shqiptarëve. "Kjo akuzë e ngritur, jo e re, por e ripërsëritur, na obligon që dy vendet tona, dy politikat e diplomacitë e vendeve tona t'i koordinojnë punët për ta kundërshtuar këtë raport, që është vlerësuar edhe si një pamflet politik. Ne kemi gatishmërinë që institucionet profesionale ndërkombëtare të bëjnë një hetim të gjithanshëm profesional, për të gjitha akuzat që i bëhen luftës së drejtë të popullit të Kosovës për liri e çlirim. Ne jemi të bindur se në gjithë programin politik të lëvizjes kombëtare për çlirim në Kosovë, në asnjë fazë të tij nuk ka pasur qëllim e synim tjetër përveç luftë për liri e çlirim dhe nëse në faza të caktuara ka, mund të trajtohet si mëkat apo ka qenë lufta për çlirim e bashkim kombëtar, por nuk ka shkuar përmes asnjë forme të krimit të organizuar ndaj një grupi etnik apo populli tjetër për rrëmbim, për shfarosje, për zhdukje apo për të trafikuar organet e as secilit njeri për qëllime kriminale", u shpreh Krasniqi. Në këtë kontekst ushtruesi i detyrës së Presidentit në Kosovë shprehu bindjen se Bashkimi Europian ka një trupë profesionale në Kosovë, për të ndihmuar sistemin e drejtësisë në përmasat ekzekutive dhe është kërkuar që EULEX t'i vazhdojë hetimet aty, ku më herët i ka përfunduar administrata ndërkombëtare në Kosovë. "Në këtë rast, konsideroj se edhe Kosova, edhe Shqipëria jemi në të drejtën tonë, jemi në bindjen tonë se lufta jonë ka qenë e drejtë, ka luftë për dinjitet dhe duke qenë e tillë, ajo ka pasur mbështetjen edhe të BE-së, edhe të SHBA-ve, edhe të NATO-s. Në këtë rast, këtë akuzë ne e shohim si akuzë që i drejtohet të gjitha vendeve që ndihmuan në shumë drejtime, edhe ushtarake, edhe humanitare, lirinë e popullit të Kosovës. Kështu që unë jam i bindur siç biseduam me Kryeministrin Berisha që koordinimi ynë tani e tutje do të jetë në shërbim të drejtësisë, të stabilitetit dhe të zhvillimit edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë", theksoi Krasniqi.

-Zoti Krasniqi a mendoni se këto akuza po e dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe a do të kenë ndikim në bisedimet e pritshme mes Kosovës dhe Serbisë ?

Sigurisht që raporti i reporterit të Këshillit të Evropës e ka dëmtuar, sepse vetë mashtrimi që i është bërë atij raporti, ka pasur për qëllim realisht dëmtimin politik të Kosovës. Por a do të ndikojë ky raport në bisedimet që pritet të zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë, unë them se nuk do të mund t'i pengojë, ndoshta mund t'i vonojë. Kosova asnjëherë, që nga Konferenca e Rambujesë dhe këtej, gjithnjë e ka pasur dhe e ka gatishmërinë për të biseduar për gjithçka që është në interes të Republikës së Kosovës, të qytetarëve të saj, por dhe në interes të Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj. Kur them qytetarëve të Serbisë dhe qytetarëve të Kosovës, e kam fjalën edhe për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Republikën e Serbisë dhe për qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë. Gjithçka që shkon në drejtimin e përmirësimit dhe të ngritjes së kualitetit tjetër së këtyre qytetarëve të dy vendeve tona ne jemi të gatshëm të bisedojmë.

-Zoti Kryeministër që nga 22 dhjetori ju i keni bërë ftesën EULEX-it dhe Gjykatës së Hagës për të hetuar, a ka një përgjigje prej tyre, cili do të jetë reagimi i Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe si vend anëtar çfarë do të kërkohet konkretisht?

Së pari, vetëm një shtesë dua të bëj për pyetjen e parë. Një histeri raciste antishqiptare, nuk mund t'i intimidojë shqiptarët në kursin e tyre, përpjekjen e tyre për paqen, stabilitetin dhe integrimin. Pavarësisht se është e tillë, jemi të hapur tërësisht për hetim serioz ndërkombëtar dhe në besim të plotë për të kontribuar në çdo të vërtetë që do të dalë. Së dyti, delegacioni ynë shkon në Asamblenë Parlamentare, me porosinë dhe vendimin që të kërkojë hetim në rezolutën që do të votohet, të kësaj çështje nga institucionet ndërkombëtare, EULEX dhe Gjykata Ndërkombëtare dhe amendimi i delegacionit që do të jetë në rezolutë, t'i kërkojë Dick Marty-t, që të gjitha të dhënat që ka t'ia dorëzojë EULEX ose Gjykatës Ndërkombëtare. Ky është një detyrim madhor, ligjor dhe moral i Këshillit të Evropës. Ne do të votojmë rezolutën, natyrisht edhe njëherë kemi përçmimin tonë për racizmin e Dick Marty-t në raport. Por racizmi nuk i bën nder askujt, përkundrazi është një atavizëm nga i cili njerëzit e qytetëruar duhet të luftojnë, të çlirohen dhe të gëzojnë dhe ata vlerat, sepse pengojnë shumë. Ky do të jetë qëndrimi ynë, i delegacionit tonë. Ftesa ime për të qenë atje ka ardhur muaj përpara nga Kryetari i Asamblesë Parlamentare, zoti Çaushoglu. Kam shumë kënaqësi t'i adresohem asamblesë. Ne do të kërkojmë një amendim ku Dick Marty t'i dorëzojë EULEX të gjitha provat, dëshmitë që ai pretendon se i ka mbledhur, në interesin më të mirë për zbardhjen e së vërtetës.

-Pavarësisht se ne nuk mund t'i paragjykojmë ndikimet që mund të ketë rezoluta e Këshillit të Evropës, doja t'iu pyesja në kuadër të angazhimeve tuaja, për të shkruar një kapitull të ri të shoqërisë shqiptare. Prishtina dhe Tirana, kanë mundësi dhe kapacitete që me logon e dy shteteve tona të ndihmojnë hartimin e një projekti apo raporti, që do t'i kundërvihej shkencërisht të verifikueshme, historikisht të drejtë dhe politikisht të ligjshme, gjithë atyre që i referohet Dick Marty. Cilat janë mundësitë që të dilet me një dokument të tillë?

Berisha: Studiuesit mund të bëjnë punën e tyre, autoritetet qeveritare do t'i përgjigjen duke ndihmuar, lehtësuar, kërkuar, hetim të plotë ndërkombëtar të akuzave të raportit të Dick Marty. Por që të harxhojmë ne si qeveri dhe të merremi me arkivat e racizmit kundër shqiptarëve jo. Ne do të merremi me të ardhmen. Studiuesit le të bëjnë punën e tyre, ne do të merremi me ndërtimin e së ardhmes, me kombet që na rrethojnë, me vendet fqinjë.

Krasniqi: Jam dakord me këtë që tha Kryeministri Berisha, do të thotë që politika në Kosovë dhe Shqipëri ka si obligim ta zhvillojë vendin, t'i njohin perspektivat për qytetarët e dy vendeve tona dhe pas qershorit të vitit 1999 Kosova dhe Shqipëria kanë filluar një periudhe të re të bashkëjetesës, e cila ka mundësi të zhvillohet në shumë fusha. Ndoshta gjatë këtyre pak viteve kemi arritur t'i thellojmë marrëdhëniet e bashkëpunimit në të gjitha fushat e mundshme, por pres që edhe Shqipëria dhe Kosova të bëjnë programe për zhvillimin ekonomik të vendeve të tyre dhe për unifikimin e gjithë asaj që mund të unifikohet mes dy vendeve tona, të një populli që ka një kulturë dhe një histori.

-A ka zhvillime të reja për formimin e qeverisë së re në Kosovë?

Ju e dini tanimë që në Kosovë më 12 dhjetor 2010 kemi pasur një proces zgjedhor, një proces i cili është ende në vazhdim, më 23 janar 2011 kemi zgjedhje të përsëritura në Mitrovicë dhe ne presim mbylljen e këtij rezultati dhe pastaj formimin e qeverisë dhe institucioneve që do të dalin nga këto zgjedhje. Ne jemi duke pritur dhe besojmë që institucionet e pavarura zgjedhore do ta korrigjojnë këtë proces dhe do të formojnë institucionet e reja.

Topalli: Marty ka keqpërdorur besimin e Këshillit të Evropës

Raporti i Dick Marty-t ka keqpërdorur besimin e Këshillit të Europës, pasi nuk mbështetet në prova dhe fakte. Kështu e ka komentuar Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, raportin e Dick Marty-t gjatë një takimi me Presidentin në detyrë të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi. "Ne duam që në lidhje me këtë raport EULEX të bëjë hetimet e nevojshme", u shpreh Topalli. Të dy bashkëbiseduesit shprehën dëshirën për hetimin e plotë të fakteve nga EULEX. Dy personalitetet shprehën domosdoshmërinë që t'i kërkojnë reporterit të PACE, të çojë provat pranë misionit të EULEX. Gjatë takimit, Kryeparlamentarja Topalli dhe Presidenti në detyrë Krasniqi vlerësuan se në raport nuk ka asnjë fakt dhe asnjë provë. Gjatë takimit, Jozefina Topalli dhe Krasniqi konstatuan marrëdhëniet e ngushta, të shkëlqyera midis dy vendeve në të gjitha fushat, ndërsa shprehën angazhimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve. Në mënyrë të veçantë, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi shkëmbimet e shumta të eksperiencave dhe bashkëpunimin midis Parlamenteve dhe komisioneve parlamentare të të dyja vendeve. Ajo vlerësoi qetësinë dhe përgjegjësinë në të cilën u zhvilluan zgjedhjet në Kosovë, si zgjedhjet e para plotësisht të organizuara nga shteti i ri i Kosovës. Në mënyrë të veçantë, Topalli theksoi se çështja e statusit të Kosovës është një çështje tërësisht e mbyllur.

E.KUÇI

No comments: