Friday, January 14, 2011

ENVER HOXHA, FESTIVALI I 11-të (22-25 dhjetor 1972), RAMIZ ALIA DHE TODI LUBONJA

NGA SKIFTER KëLLIÇIJa, pra, këto ishin programet televizive, që zgjatnin çdo ditë jo më shumë sesa pesë orë. Kaq ishte forca e TVSH-së së asaj periudhe, me tri emisione lajmesh çdo ditë, me telereportazhe nga jeta në vendin tonë, rubrika artistike, ku, siç shihet, përfshiheshin emisione me muzikë popullore, me muzikë të lehtë, klasike, rubrika kulturore, shkencore, sportive dhe me filma artistikë, ku, veç filmave të blerë, nisën të shfaqeshin edhe filma të regjistruar nga TV italian (RAI). (Të mos harrojmë se pas viteve 80-të nga TVSH-ja filluan të dërgoheshin në Francë grupe për të blerë filma artistikë, fakt që gjatë kohës së drejtimit të RTVSH-së nga Todi Lubonja do të quhej gabim i madh politik).

Atëherë e përsëris, për çfarë proçkash e ka fjalën diktatori, të cilat nuk do ti lejonte Thanas Nano? Paradoksi më i madh është se Todi nuk hoqi dhe nuk shtoi asnjë nga programet e mësipërme, që i trashëgoi nga koha e Nanos, veçse kërkoi me këmbëngulje që ato të ngriheshin edhe më shumë artistikisht, ashtu siç kërkoi që edhe gazetarët të përpiqeshin që të gjenin rrugë dhe forma të reja për tia arritur këtij qëllimi dhe kjo mund të bëhej vetëm me ngritjen kulturore të atyre vetë.

Sigurisht, ai synoi më pas që të shtonte dhe emisione të tjera, por nuk pati kohë gjatë drejtimit të tij në RTVSH, që zgjati një vit e tre muaj (janar 1972 - prill 1973), ndonëse që nga janari i vitit 1973 ai u bë drejtor fantazmë për arsyet që shpjegova më lart.

Zëvendësimi i tij me Thanas Nanon na kujton një farë mënyre rikthimin pas 100 ditësh e Luigjit XVI-të, në fronin mbretëror, që ishte dëbuar Napoelon Bonaparti, i cili, me të humbur në Vaterloo (18 qershor 1815), u kap nga mbretërorët dhe u internua në ishullin e humbur të Shën Helenës. Në Francë u rikthye kështu monarkizmi konservator, pësoi goditje borgjezia e re kapitaliste e liberale.

Çuditërisht për zëvendësimin e Todi Lubonjës me Thanas Nanon, Ramiz Alia nuk shkruan asnjë edhe një radhë, në një kohë që duhej ta quante atë veprim tiranik të Enver Hoxhës, që hidhte poshtë propozimet e anëtarëve të Byrosë Politike, duke përfshirë edhe vetë Ramiz Alinë, të cilëve as që u kishte shkuar kurrë ndër mend që në RTVSH të kthehej një drejtor konservator, dogmatik, me kulturë të kufizuar, siç ishte Thanas Nano.



A gaboi Todi Lubonja?



Në librin e tij “Dera e prapme e shtypit”, Marash Hajati shprehet kështu:

“Me Todin kishim marrëdhënie të mira, por si kudo, kur ndërrohen drejtuesit, dalin në pah dëshirat për të bërë ndryshime e organizime të reja. Në këtë drejtim, disa gjëra u morën si “me yrysh”. Deri në aparat erdhën lista për zëvendësime të shumta e propozime për largimin e atyre që quheshin të “mefshtë”, konservatorë, pa iniciativë etj. Ky oreks disi i tepruar nuk gjeti jehonë e përkrahje nga lart.” (faqe 78)

Autori i librit nuk përmend emra, por Todi Lubonja e pa të arsyeshme që të largojë, së pari, Klimi Misjen, drejtorin e TVSH-së, me arsyetimin se nuk u përgjigjej kërkesave në rritje të këtij institucioni. Që të flas hapur, nga një pikëpamje kishte të drejtë. Por, çështë e vërteta, asnjë nga ne, jo vetëm që nuk kishte diplomë në fushën e TV-së (duke përjashtuar kryeinxhinierin Alfred Xhufka), por nuk kishim bërë as edhe ndonjë specializim jashtë vendit, problem të cilin Todi e pati parasysh, siç e kam përmendur më sipër.

Sidoqoftë, siç u tha atëherë, largimi i Klimi Misjes u shoqërua me një motivacion të nxituar. Zëvendësimi i tij me regjisorin e mirënjohur Mihal Luarasi u cilësua më pas si gabim i rëndë, sepse në postin e drejtorit të TVSH-së duhej “njeri politik” dhe, për më tepër, komunist. Mirëpo harrohej se as më shumë e as më pak, në tetor të vitit 1972, pra disa muaj më parë, vetë Enver Hoxha, në fjalimin e tij të mbajtur në Mat kishte theksuar se drejtuesit e institucioneve mund të mos ishin komunistë. Pra, duke u zbatuar ky orientim, Mihal Luarasi si drejtor do të merrej me ngritjen artistike të TV-së, kurse problemet politike, emisionet e lajmeve, bisedat me karakter ideologjik do ti mbulonte një nëndrejtor tjetër. Ku ishte, pra, e keqja e këtij vendimi që kishte marrë Todi Lubonja, aq me tepër të miratuar, me siguri, edhe nga Ramiz Alia, sepse ishte KQ që vendoste për çdo emërim të këtij niveli?

Tjetër gabim: Siç kam vënë në dukje edhe më lart, nuk iu përgjigj letrave të ardhura nga të rinjtë, të cilat pa më të voglin dyshim, siç më pohonte Todi Lubonja, ishin të yshtura nga vetë diktatori. Nuk i lexoi, diskutoi ato as në mbledhje partie, as të kolektivave të RTVSH-së. Nuk dërgoi në redaksinë e “Zërit të Rinisë”, ku u botuan këto letra, të paktën një përgjigje autokritike. Po edhe për këto nuk u ysht të vepronte nga të mësipërmit. Dhe kjo, sepse as ata vetë nuk e dinin se çtërmet do të shpërthente tirani gjakësor.



Thanas Nano noton në ujërat e tij...



Për Thanas Nanon, riemërimi i tij si drejtor i Përgjithshëm i RTVSH-së, pa dyshim që ishte ngjarja më e madhe, që nuk e kishte marrë me mend kurrë se do të ndodhte në jetën e tij. Dhe kishte plotësisht të drejtë të ngazëllehej. Kthehej me urdhër të vetë “Zeusit shqiptar”, që e kishte parapëlqyer para emrash me personalitet ku e ku më të madh se ai.

Ai do vinte kështu në jetë porositë personale të “shokut” Enver. Dhe duhet thënë se këtë detyrë e kryente shumë mirë, sepse nuk linte të dilte në ekran qoftë edhe faktin më të vogël që mund të ngjallte dyshim se nuk shkonte me vijën e Partisë. Madje, edhe parukieret mbanin hazër gërshërët që të shkurtonin flokët e ndonjë bashkëpunëtori të TV-së që mund ti kishte disi të gjatë, para se ai të dilte në ekran.

Por, të themi atë që është për të thënë, kushdo që do të ndodhej në detyrën e Thanas Nanos, nuk do të kishte si të vepronte ndryshe. Si pasojë, në RTVSH u hoq çdo e re që kishte sjellë Todi Lubonja në atë vit e pak muaj që drejtoi këtë institucion. Pra, u varrosën në arkiv këngët e Festivalit të 11-të, të festivalit evropian të një viti më parë e këngë të tjera të huaja, u ndanë përsëri redaksitë e informacionit të Radios dhe TVSH-së, që ishin bashkuara në një etj. Nga “Revista televizive” u hoqën lajmet sportive të marra nga RAI.

Gjatë verës së vitit 1972, për të ngritur edhe më lart nivelin e “Revistës televizive” të orës 20.00, që ishte e dobët, me aprovimin e Todi Lubonjës, regjistroja nga RAI rubrikën e përditshme sportive që transmetohej në orën 19.45 dhe, pasi zgjidhja ato kronika që paraqitnin interes, pa kaluar gjysmë ore i komentoja para kamerave në “Revistën televizive”, duke shtuar, natyrisht, edhe lajme nga veprimtaritë tona. Mirëpo këtë nuk e pëlqeu Thanasi dhe dha urdhër të prerë që kjo nënrubrikë e “Revistës telelevizive” të hiqej një orë e më parë. Dhe ashtu u bë. E përse? Sepse teleshikuesit mësonin të reja të freskëta nga sporti në botë? Çpedantizëm!…

Mbetën vetëm transmetimet e ndeshjeve sportive, kryesisht të futbollit, të marra nga televizionet e huaja. Por edhe me to ndodhi çudia. Veçse jo për faj të Thanasit. Këto ndeshje, me urdhër nga lart, filluan të transmetoheshin pa zhurmat e stadiumeve, pra pa brohoritjet ose duartrokitjet e shikuesve, kinse se mos ndoshta dëgjohej… diçka që nuk shkonte. Me fjalë të tjera, në stadiume dukej se kishte shikues… memecë.

Me urdhër nga lart u ndërprenë transmetimet televizive të RAI-t, për shikimin e të cilit ishte vënë enkas një antenë në malin e Dajtit. Por në të njëjtën kohë u ndërtua një antenë speciale që lejonte shokët e udhëheqjes ti ndiqnin këto programe, sepse ata ishin “të imunizuar nga ndikimi i dëmshëm i tyre në masat e popullit”.

Në një kohë kur mungonin fondet për ngritjen e përsëritësve ose përforcuesve, që sinjali i TVSH-së të shihej edhe në zona të thella, kjo nuk ndodhte kur ishte fjala për “…blerjen e disa pajisjeve për garantimin e ritransmetimeve të programeve të huaja televizive në Vlorë dhe Pogradec… Duhen blerë 6 copë përsëritës, grupe diesel-gjeneratorë, 1 makinë “ARO”, gjithsej 77 mijë USD, ose 23 mijë rubla, ose 282 mijë lekë valutë”. (Nga shkresa e Drejtorisë së Përgjithshme të RTVSH-së, drejtuar Komisionit të Planit të Shtetit, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Tregtisë së Jashtme (Dosja 29, Fondi i RTVSH-së, AQSH, datë 24.7.1979).

Shpenzoheshin kështu më mijëra e mijëra dollarë, që Enver Hoxha, kur të pushonte në qytetet e mësipërme, të ndiqte sa më mirë programet e RAI-t. Gjithashtu u dha urdhër që nga çatitë e pallateve a shtëpive në çdo qytet të Shqipërisë të zhdukeshin antenat që shërbenin për shikimin e stacioneve të huaja televizive, e vetmja dritare për të parë një çikë botë, nga e cila diktatori po na ndante…

Dënime të tjera…



Po të kthehemi përsëri tek Todi Lubonja. Më 11 prill vitit 1973 ai u transferua nga RTVSH-ja dhe u emërua drejtor i Ndërmarrjes së Ujërave në Lezhë. Para se të largohej përfundimisht, kur po dilte një ditë nga zyra, u ndodha përballë tij. Më pa dhe mu duk sikur më tha: “Mos më tako, se nuk është rasti…” Dhe unë ashtu veprova.

Por jo me Mihal Luarasin, i cili, kur punonim bashkë në TVSH, më kishte kërkuar ndonjë sugjerim për folësit dhe folëset që provonte për emisionet televizive, kishim diskutuar edhe për çështje artistike dhe sportive. Pati një periudhë që ai u sëmur. I vajta në shtëpi, diku pranë Bllokut të udhëheqësve, ku e gjeta që dergjej në shtrat, të rrethuar nga aktorë, regjisorë, ish-studentë të tij. Ishte takimi im i fundit me të. Nga fillimi i prillit ai u dënua forcërisht, që të edukohej, duke punuar në një kantier ndërtimi në Ballsh. E shoqja e tij, aktorja e njohur Edi, paraqitëse e Festivalit të 11-të, përfundoi nga Teatri Popullor, punëtore në një rrobaqepësi.

Bujar Kapexhiu, edhe ai paraqitës i këtij festivali, pësoi të njëjtin fat: punëtor në fabrikën e tullave. Gaspër Curcia, dirigjenti i orkestrës së vogël frymore, u flak nga orkestra e RTVSH-së diku në një kënd të humbur. Këngëtarja re Justina Aliaj, regjisore në TVSH, që kishte kënduar shumë bukur këngën “Para ekranit të televizorit”, e kritikuar për manierizma, u transferua në Shkodër. Dhe kur më pas u kthye në Tiranë e martuar, me urdhër të Komitetit të Partisë së Tiranës nuk u lejua të punonte askund, veçse punëtore në NISH Mjete Mësimore.

Po pati dhe më keq: Sherif Merdani, që këndoi dy këngë në festival, u arrestua dhe u dënua si këngëtar me ndikime të muzikës dekadente perëndimore, që i kishte shfaqur edhe në Festivalin e 11-të.

Në ditët e para të qershorit të atij viti, i dërguar nga KQ i Partisë erdhi në TVSH Pipi Mitrojorgji, figurë e njohur në fushë e kulturës, publicist dhe kritik letrar, i cili bëri një takim me disa nga redaktorët me përvojë, ndër të cilët isha edhe unë. Na foli gjatë. Ajo që më bëri shumë përshtypje ishte se ai theksoi se Shqipëria tashmë ishte “i vetmi vend në botë që ndërtonte socializmin”, shprehje të cilën do të bënte më pas publike vetë Enver Hoxha, pasi të dilnin në shesh mosmarrëveshjet me Kinën, që do të kishin si pasojë izolimin e plotë të vendit tonë nga bota.

Të them të drejtën, më erdhi për të qeshur nga një përcaktim kaq absurd, të cilin me siguri nuk e miratonte as Pipi Mitrojorgji. Por pastaj, sa mezi përmbajta një klithmë, kur po nga goja e tij dëgjova këto fjalë: “Të punoni me kujdes e vigjilencë, që të zhdukni sa më shpejt gjurmët e punës armiqësore të Todi Lubonjës në RTVSH”. Në ato çaste mu duk se atij iu drodhën buzët, kur po shqiptonte këto fjalë, sepse edhe ai, që e kishte mik dhe koleg Todin, nuk mund të besonte kurrsesi në vërtetësinë e tyre. Todi Lubonja armik i Partisë?!...

As që mund të vihet në dyshim se i tërë skenari për të dënuar Todi Lubonjën, dhe pastaj edhe Fadil Paçramin, ishte projektuar dhe shkruar nga Enver Hoxha dhe askush tjetër. Madje, ai as që kishte marrë mendim prej asnjërit nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, duke filluar nga Hysni Kapo e Mehmet Shehu, pale nga anëtarët e tjerë të Byrosë Politike.

Që nga dita e përfundimit të festivalit nuk dëgjuam hapur, ose mbyllur, ndonjë opinion të tyre për festivalin. E, pra, Mehmet Shehu, kur i hipte diçka në kokë, nuk përtonte të bënte vërejte të menjëhershme për ato që nuk i pëlqente në RTVSH. Mjafton të përmendim vetëm një fakt: Petrit Leka, paraqitësi i kohës pas “Revistës televizive”, mbeti disa javë jashtë ekranit, vetëm se kryeministrit iu tek një ditë të thoshte se ai i ngjante shumë Bernakës, paraqitësit të kohës në RAI. Po si nuk i bëri përshtypje të keqe atij ky goxha festival, që vazhdoi të transmetohej për katër net rresht në ekranin e TVSH-së?

Po ashtu, si nuk i bëri e njëjta përshtypje as Manush Myftiut, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Partisë së Tiranës, se çpo ndodhte para dhe gjatë zhvillimit të festivalit e këto përshtypje tia përcillte së paku Nefos, së shoqes?

Për opinionin e Ramiz Alisë, sekretar i KQ për problemet ideologjike, lidhur me këtë problem, siç dihet, kam shkruar më lart.

Atëherë shtrohet pyetja. Po këta të dy, a nuk kishin përgjegjësi për këtë festival që “Zëri i Popullit” dhe “Drita” nga mesi i marsit 73, siç është vënë në dukje, e cilësuan kopje të shëmtuar të artit borgjezo-revizionist?

Kuptohet se përderisa Todi Lubonja shpallej armik përpara Plenumit të 4-t, që do të mbahej në fund të qershorit, armiq duhej të shpalleshin edhe Ramiz Alia, Manush Myftiu e, doemos edhe e shoqja e tij Nefoja, që ishte drejtoreshë e Radio Tiranës, organizuesja e drejtpërdrejtë e Festivalit të 11-të dhe, mbi të gjitha, siç kam thënë, grua shumë e afërt në marrëdhënie me punonjësit. Dhe mirë që nuk arriti puna deri në këtë pikë…

Mirëpo, po të godiste Ramiz Alinë, Enver Hoxha godiste vetveten. Nuk kishte ndodhur, pas vitit 1960, kur diktatori shpalli Liri Belishovën, anëtare të Byrosë, agjente të revizionizmit sovjetik, që ai të dënonte ndonjë anëtar të Byrosë, i cili punonte në KQ e të ishte, madje, edhe shefi i ideologjisë. Si pasojë, Enver Hoxha e veçoi Ramizin dhe Manushin nga mëkatet e Festivalit të 11-të dhe ato ua ngarkoi Todi Lubonjës e Fadil Paçramit, që ishin vartësit e tyre të drejtpërdrejtë, përkatësisht në KQ dhe në Komitetin e Partisë së Tiranës.

Atëherë, ku është… partishmëria e Enver Hoxhës?

Këtë “partishmëri” të Enver Hoxhës e shpjegon më së miri Marash Hajati në librin e tij “Dera e prapme e shtypit”, kur lidhur me Ramiz Alinë shkruan kështu:

“Së pari, ishte tepër e vështirë në logjikën e gjërave që Ramiz Alia, drejtuesi kryesor në fushën ideologjike, që përfshinte gjithë veprimtarinë e shkencës, arsimit, kulturës, artit etj., të ishte jashtë qendrës së atij tërmeti që po afrohej… Jo vetëm kaq, por ne të shtypit jemi dëshmitarë të këmbënguljes së tij që Todi Lubonja të vihej në atë kohë në krye të RTVSH-së.

Të gjitha këto na bënë të dyshonim, jo pa indiferentizëm, se pas marsit, prillit e majit, mund të kishte shkallëzime të reja në luftën kundër shfaqjeve të huaja, ku në to mund të përfshihej edhe Ramiz Alia. Por ajo që hamendja jonë e kishte të vështirë të konceptonte strategjinë e së ardhmes, e zgjidhi vetë Enver Hoxha, duke nxjerrë në plan të parë R. Alinë… Enver Hoxha me qëllim mori mbi vete gjithçka, që të mos cenohej R. Alia.” (faqe 80).

Kjo do të thoshte hapur se, kur ia donte interesi, ai i shkelte parimet, mënjanonte ata që nuk duhej të shpalleshin armiq, i falte dhe madje i ngrinte edhe më lart, siç bëri më vonë përsëri me R. Alinë.

Fakti është se sikur R. Alia të kishte urdhëruar që të paktën veshjet e këngëtareve të ndërroheshin, të hiqeshin bizhuteritë, që të mënjanoheshin… shfaqjet e huaja, Enver Hoxha, nuk do të mund të kapej pas tyre dhe të niste sulmin pastaj edhe ndaj kulturës dhe artit, siç veproi. Shprehem kështu, sepse edhe Festivali i 2-të i Këngës në Radio, më 1962, të cilin e kam drejtuar së bashku me folësen e njohur Vera Zheji (atëherë Qendra Eksperimetale e TV-së nuk mund të transmetonte jashtë studios), për sa i përket anës muzikore qe kopje e Festivalit 11-të. Por, edhe sikur veshjet të ishin moderne, Enver Hoxha nuk do të reagonte si në rastin e Festivalit të 11-të, sepse nuk kishte si ta shihte. Sidoqoftë, ai ishte nisur të zbatonte planin e tij djallëzor, ndaj do të gjente ndonjë shkak tjetër që të dërmonte artin dhe kulturën.

Plenumi i 4-t i KQ dhe krimet e mëpastajme të Enver Hoxhës

Ai u mbajt nga 26-28 qershori i vitit 1973. Todi Lubonja, ndërkohë ishte transferuar drejtor i Ndërmarrjes së Ujërave në Lezhë dhe, doemos, vazhdonte të ishte anëtar i KQ.

“Kuptohet se mua dhe Fadil Paçramit, - më thoshte Todi Lubonja, - të tërë në sallë na rrinin larg. Ishte e kuptueshme. Po na bëhej gjyqi, i cili kishte për prokuror, kryetar… vetëm Enver Hoxhën. Pra, ai ishte vetë veli e vetë kadi. Sdo mend, deklamoi si deshi me ton të vrazhdë. Kishte, pra, edhe gurin edhe arrën në dorë. E prisja që kështu do të fliste. Por, kur midis të tjerash, më cilësoi …si deviator të djathtë, që ka përkrahur pikëpamje të theksuara liberale dhe oportuniste, shije estetike moderniste pastaj që … u orvat ti jepte Radiotelevizionit një drejtim thjesht informativ e kulturo-njohës, drejtim ky që ishte në kundërshtim me orientimet e Komitetit Qendror mbi karakterin ideologjik e kultoro-edukativ të tij, me gjithë gjendjen e rëndë shpirtërore në të cilën ndodhesha prej javësh, buzëqesha me vete për këtë lajthitje të ideologut tonë gjenial. Unë qenkësha deviator i djathtë, meqë paskam pasur synim që të zbatoj ato që më vinte në dukje për Radiotelevizionin? Si ishte e mundur që ky teoricien i madh, që po e pasuronte marksizëm-leninizmin me teza të reja, të nxirrte nga goja marrëzira të tilla? Tamam si Stalini që e akuzoi Trockin për djathtizëm, e internoi, e dëboi nga Rusia e pastaj më 1929 edhe e vrau, kur ai nuk kishte qenë kurrë për ruajtjen pronës private, për pluralizëm partiak, për luftë kundër komunizmit, që janë disa nga pikësynimet e së djathtës. Kam përqafuar që në vitet 40-të, me bindje të plotë idetë komuniste dhe kam luftuar për triumfin e tyre, pastaj, në vitet e para të pasçlirimit, kam gjykuar se dënimet ndaj elementëve të quajtur atëherë reaksionarë, se ishin kundër komunizmit, ishin me vend, por kam kuptuar shpejt se lufta e klasave ka qenë një metodë vëllavrasëse plotësisht e gabuar. Kam qenë në vetvete kundër despotizmit të Enver Hoxhës, kam krijuar bindjen se ai në Konferencën e Tiranës, më 1956, mbyti prirjet që u shfaqën atje për demokratizim e jetës së partisë dhe të vendit. Kam besuar për një komunizëm me fytyrë njerëzore, një komunizëm shkencor. Por kurrsesi deviator i djathtë, sepse synova ti bëj më tërheqëse programet e RTVSH-së, pa cenuar vijën e partisë. Deri këtu arrinte Enver Hoxha!...”

Këto ide Todi Lubonja i ka shtjelluar dhe më thellë edhe në dy libra të botuar pas viteve 90-të, “Nën peshën e dhunës” (1993) dhe “Ankthi pa fund i lirisë” (1994). Në të parën, kur flet për ngjarjet e vitit 1956, ai shkruan kështu:

“Kongresi XX i PK të BS, që denoncoi kultin e Stalinit dhe zbuloi e krimet e periudhës së sundimit të tij, pati reperkusione edhe në Shqipëri. Konferenca e Tiranës reflektoi në një masë të konsiderueshme ndjenjat e vërteta dhe mendimin e përgjithshëm të komunistëve… Për fat të keq, te ne nuk u vërtetuan ato shpërthime që sollën ndryshime pozitive në vendet e tjera socialiste. Por faktori kryesor duket ka qenë fakti se në Byronë Politike nuk pati elementë që të bënin realitet mundësitë që hapi Kongresi XX për një kthesë rrënjësore drejt demokratizimit të jetës së brendshme të partisë, drejt transformimit pozitiv të shoqërisë sonë…” (faqe 188-67).

Mirëpo, ja si shprehet Ramiz Alia, atëherë 31-vjeçar, në diskutimin që ka mbajtur në Konferencën e Tiranës: “Demokracia ka kufi. Është në interesin e Partisë, deri sa nuk preken interesat e partisë. Por, kur interesat e Partisë e të tjera preken, mendoj se nuk ka të bëjë me demokracinë e brendshme të Partisë.” (AQSH, Fondi 2 i Komitetit të Partisë së Tiranës, dosja A, A/viti 1956).

Kuptohet se, ndonëse shokë të ngushtë, Todi Lubonja kishte ndaj tij kundërti që nuk ia ka shprehur asnjëherë…

Por të kthehemi sërishmi te Plenumi i 4-t. Një i afërm imi, Sh D., atëherë kandidat i KQ, që ndodhej në sallën ku zhvillohej Plenumi i 4-t, kujton:

“Todi Lubonja në autokritikën e tij foli shumë pak. Në pamjen e jashtme dukej i qetë, i përmbajtur, madje gjakftohtë. Një autokritikë e tillë, natyrisht që nuk i pëlqeu Enver Hoxhës. Që ne do të ngriheshim dhe të dënonim me indinjatë gabimet tij dhe të Fadil Paçramit dhe të solidarizoheshim me raportin e Enver Hoxhës, kjo as që vihej në dyshim. Por këtë pjesa më e madhe e diskutuesve e bëri pa zemër, më përjashtim të fanatikëve enveristë. Shihja hera-herës Ramiz Alinë dhe pastaj Todin, që kishte pasur aq shok dhe të cilin jo vetëm nuk mund ta ndihmonte, por edhe ai duhej ta sulmonte. Që nga viti 1946 Enver Hoxha nga sallat e plenumeve kishte shpallur armik Sejfulla Malëshovën, sepse ai kishte dashur që në vendin tonë të vendosej një rend i tipit të demokracisë borgjeze, Koçi Xoxen si armik të partisë, Nako Spirun, një vit më vonë, si agjent të klikës titiste e kishte detyruar të vriste veten dhe më 1955 kishte dënuar Bedri Spahiun dhe Tuk Jakovën për pikëpamjet e tyre që shkonin ndesh me vijën e partisë, e sa të tjerë më pas.”

“Në fund të Plenumit të 4-t, - kujtonte SH. D., - Enver Hoxha mbajti një fjalim të shkurtër, ku, midis të tjerash, shtoi për Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin, tashmë të përjashtuar nga partia, se Radio Beogradi e radio të tjera perëndimore do të flisnin për ta, do ti ngrinin lart ata, që në fakt, nuk ishin gjë tjetër veçse plehra”.

No comments: