Sunday, January 16, 2011

Anna dhe roli i saj në rininë e Kremlinit


Ajo është një nga ato personazhe, që nëse nuk do të kishte ekzistuar me të vërtetë, me siguri që do të ishin shpikur nga autorët e filmit James Bond. I ka të gjitha cilësitë për të qenë e tillë, që nga pamja e jashtme, nga fakti se është spiune dhe shumë e zonja në lojën e shtratit, me të cilën duket se ka pasur sukses të madh në profesionin e saj.

Kjo është Anna Chapman, që verën e kaluar, pasi u zbulua në Shtetet e Bashkuara si spiune e fshehur, u rrit në atdheun e saj si heroinë dhe veçanërisht këtë pritje të ngrohtë ia rezervoi Kryeministri rus Putin, edhe ai një ish-spiun i KGB-së. E megjithatë, spiunet e vërteta të së shkuarës, sidomos ato ruse, nuk kanë qenë kurrë kaq seksi. Por në Rusinë e Vladimir Putinit e epoka e shëmtaraqeve ka përfunduar. Anna është shembulli më i mirë i kësaj epoke të re. Emri i saj i vërtetë është Anna Vasiljevna Kushçenko, por Chapman është mbiemri që e mori pas martesës me një britanik. Ajo ishte deri verën e kaluar pjesë e një rrjeti spiunazhi, që punonin të fshehtë në Shtetet e Bashkuara prej vitesh. Disa prej tyre, që në fakt kishin arritur deri në pika të larta dhe të rëndësishme të pushtetit ekonomik dhe politik, ishin spiunë të rregullt dhe aktivë, ndërsa të tjerët thjesht në pritje, ose në “gjumë”, siç quhet edhe në gjuhën profesionale.

Të paktën sipas FBI-së, ky rrjet spiunazhi u shkatërrua, por me t’u kthyer në Rusi, njëra nga eksponentet e tij më të flakta, Anna fitoi trajtimin e një superylli dhe një heroine kombëtare. Asaj sapo i është dhënë një pozicion drejtues në Gardën e Re që është edhe organizata e partisë së Putinit, Rusia e Bashkuar, e cila dominon gjerësisht dhe e vetme spektrin politik të vendit. Është e vështirë që këtë situatë ta perceptosh në një vend tjetër, pra që një spiune e kapur në pritë si heroinë dhe madje të këndojë nëpër karaoke me Kryeministrin e vendit, duke u konsideruar si një aset i çmuar i tij.

Mandej Anna shkon edhe më tej. Ajo pozon në pozicione erotike në revista të ndryshme ruse, duke shfaqur sensualitet të tepruar dhe madje tani kërkon që të bëjë edhe karrierë politike, të paktën këtë nënkupton pranimi që i ka bërë ftesës së Putinit për t’iu bashkuar organizatës rinore që ai drejton. Kjo organizatë rinore është një nga mekanizmat e krijuar nga aparati politik për të mbështetur partinë e vetme të fuqishme në vend. Ajo është tërësisht në dispozicion të regjimit dhe numëron në radhët e saj me mijëra anëtarë. Një nga motivet që i bën të rinjtë që të anëtarësohen në organizatë është mbështetja që një anëtarësim i tillë u jep në karrierat e tyre. Ata janë të indoktrinuar me propagandë antiperëndimore në “kampet verore”, ku u bëhet moral për epokën nostalgjike të Bashkimit Sovjetik dhe ku ushqehen me materiale nacionaliste. Të gjithë ata që kritikojnë regjimin në fuqi, qofshin këta aktivistë të të drejtave të njeriut, gazetarë, apo opozitarë prezantohen si kriminelë nazistë. Garda e Re ka bërë aktivitete të ndryshme për të treguar forcën e saj, kryesisht ndaj përpjekjeve të opozitës brenda vendit, për t’iu dëgjuar zëri.

Vitin e kaluar kanë operuar në hije, por sipas veprimeve të fundit, duket se kanë ndërmend që të dalin sërish në pah para fushatës parlamentare këtë vit dhe asaj presidenciale për ardhjen sërish të Putinit në Kremlin në vitin 2012. Në atë vit, Putini do të ketë mundësi që të lërë mënjanë Medvedevin për të vazhduar atë që la në mes në vitin 2008, kur për shkak të Kushtetutës nuk mundi që të qëndronte në pushtet edhe për një mandat të tretë. Dhe Anna Chapman është në pozicion të shkëlqyer për të luajtur këtë vit, me rolin e një drejtueseje të kësaj organizate, në të gjitha aktivitetet e Gardës së Re. Pas kthimit nga Amerika korrikun e kaluar, së bashku me gjithë grupin e spiunëve, ajo u prit nga Putini, i cili organizoi një darkë të madhe për nderin e tyre. Gjatë kësaj darke u kënduan këngë patriotike dhe u rrëfyen tregime për punë prej spiunëve të mbuluar. Putin ka qenë për shumë vjet anëtar i elitës së kundërzbulimit të huaj pranë KGB-së.

Ajo madje thuhet se është duke shkruar një libër dhe ka zënë vend pune në një bankë të rëndësishme të vendit.

Por veprimtaria më e ashpër e Gardës së Re konsiston në cilësimin e gazetarëve që janë kundër regjimit në “tradhtarë”. Media ruse, veçanërisht televizioni, vendi ku rusët marrin pjesën më të madhe të informacionit të tyre, janë të mbushura me propagandë pro Kremlinit, por revistat e përjavshme, sajtet e internetit dhe gazetat e përditshme ende kanë në stafin e tyre gazetarë të guximshëm që përpiqen të hetojnë në lidhje me abuzimet e pushtetit në Rusi.

Anna në funksionin e saj të ri është një shkëlqim më shumë në propagandën që po përgatitet të risjellë Putin në Kremlin, vitin e ardhshëm.

No comments: