Wednesday, December 29, 2010

Urim për Vitin e Ri dy analistëve, Andrea Stefanit dhe Salajdin Salihut

Nga Kastriot MYFTARAJ

Analistët shqiptarë kanë zakonin e keq që kur kërkojnë të tregojnë erudicion, jo rrallë shkruajnë pa lexuar për temën për të cilën shkruajnë dhe për këtë arsye

bëjnë marrëzi nga më të çuditshmet. Prandaj në këtë fundviti kam përzgjedhur dy analistë shqiptarë, një nga Tirana, Andrea Stefani dhe tjetri nga Tetova, Salajdin Salihu, për t’ i sjellë si shembull të kësaj dukurie, dhe për t’ u uruar që këtë vit të lexojnë para se të shkruajnë, për ato tema për të cilat pretendojnë që të shfaqen si shumë të dijshëm para lexuesit.
Andrea Stefani, në shkrimin “Jubileu i harruar i Kushtetutës së përdhunuar”, të botuar në gazetën “Shqip”, në 29 nëntor 2010, shkruan: “Amendimet e Kushtetutës e kanë bërë më të aftë Berishën të realizojë ambicjet e tij autokratike. Prandaj ato na kujtojnë ‘Aktin e Aftësimit Ligjor’ që ju ofrua verbërisht nga Bundestagu gjerman Adolf Hitlerit, pa e kuptuar se Fyhreri do ta përdorte atë Akt për të zhdukur Bundestagun dhe demokracinë”. (Gazeta “Shqip”, 29 nëntor 2010, f. 8)
Andrea Stefani në këtë paragraf bën disa marrëzi të çuditshme, më qesharaken ndër të cilat nuk e ka të vështirë që ta kuptojë edhe një njeri që nuk është ndonjë njohës kushedi se çfarë në historinë e Gjermanisë. Fjalën e kam për përdorimin prej Andrea Stefanit të fjalës “Bundestag” për parlamentin gjerman të vitit 1933, kur ndodhi kjo ngjarje. Bundestagu u krijua në vitin 1949 si parlamenti i Gjermanisë Perëndimore (Republika Federale e Gjermanisë), me anë të Grundgesetz fur die Bundesrepublik Deutschland (Ligji Bazik për Republikën Federale të Gjermanisë), që ishte Kushtetuta e vendit. Në vitin 1933, parlamenti i Gjermanisë quhej Reichstag. Bundestastagu është edhe sot dhoma e ulët e parlamentit gjerman.
Që Andrea Stefani ta kuptojë marrëzinë që ka bërë mjaft që t’ i kujtoj fotografinë e famshme të ngritjes së flamurit sovjetik në Berlin, në maj 1949. A është ngritur flamuri mbi ndërtesën e Bundestag-ut apo të Reichstag-ut? Të thuash se Gjermania në 1933 kishte Bundestag, është njëlloj sikur të thuash në 2010 se Angela Merkel është Fyhrere! Që Andrea Stefani të bindet përfundimisht për atë që po i them, mjaft që ai kur shkon tek “Bookhouse” në Tiranë, ku pi shpesh kafe, të zgjasë dorën tek raftet me libra dhe të marrë ndonjë nga librat e shumtë për Hitlerin, apo Gjermaninë Naziste, nga autorë perëndimorë, të botuar në shqip. Nëse i shfleton sadopak ato libra, do të mësojë atë që i them unë. E ç’ faj të ka Andrea që nuk lexon, sa bën ai të marrë në dorë ndonjë libër, tek “Bookhouse” shfaqet Maks Velo dhe i thotë se Tirana është Teheran dhe këtu nuk mund të ketë libra, kështu që këtu nuk duhet të prekë asgjë me dorë se janë iluzione orientale.
Gjithsesi, unë mendoja se meqënëse Andrea Stefani nuk është shfaqur në ekrane këto muajt e fundit, ai e ka kaluar kohën duke lexuar libra, por definitivisht kjo nuk paska qenë e vërtetë. Andrea Stefani nuk lexon libra, se me punët e shumta që bën, ai nuk ka kohë të lexojë libra. Njerëzit të cilët e shikojnë Andrean të ulur tek “Bookhouse” në Tiranë, mendojnë se ky është një njeri që lexon shumë, por ai ulet atje jo për të shfletuar apo blerë libra, por për të pirë kafe, e për të folur kundër regjimit autoritar të Berishës. Andrea nuk mund të lexojë se e di që kështu i pëlqen Berishës që ta kalojë kohën ai. Nëse Andrea lexon libra atëherë do të shkëputet për një pjesë të madhe të kohës nga realiteti i autoritarizmit të Berishës, nuk do të mendojë për këtë gjë dhe kështu do të përfitojë Berisha. Andrea Stefani nuk mund t’ ia bëjë këtë dhuratë Berishës.
Prandaj Andrea zbaton atë që mund të quhet si Rregulli intelektual i treshit. Kështu, Andrea Stefani mendon se parlamenti gjerman sot quhet Bundestag, një në dorë. Në kohën kur erdhi në pushtet Hitleri Gjermania kishte parlament, dy në dorë. Prandaj parlamenti gjerman i kohës së Hitlerit e kishte emrin Bundestag, ja ku i erdhi në dorë Andrea analistit emri i parlamentit gjerman të kohës kur Hitleri erdhi në pushtet! Me kaq Andrea ulet dhe gatuan shkrimin. Më tepër kohë Andrea nuk ka që të merret me këtë punë, se ai është edhe drejtor i IREX për Shqipërinë (OJF amerikane për median), çka e bën përgjegjës edhe për trajnimin e gazetarëve që të mos bëjnë marrëzi të tilla. Paragrafi i cituar më lart i Andrea Stefanit mund të sillej si një minierë marrëzish në seminaret e IREX. Se Aktin e Aftësimit nuk ia ofroi parlamenti Hitlerit, por ishte qeveria ajo që ia paraqiti parlamentit.
Kur një njeri artikulon injorancën e vet në shkrime në shtyp, siç bën Andrea, e keqja është se ai influencon në keqformimin intelektual të lexuesve, të cilët i marrin si të mirëqena ato që shkruan Andrea Stefani, duke menduar se ai ka lexuar libra. Gjithsesi, i uroj Andrea Stefanit që në vitin 2011 të lexojë para se të shkruajë.
Njëjtë edhe për Salajdin Salihun, analist shqiptar nga Maqedonia. Salajdin Salihu, në 5 dhjetor 2010 ka botuar në gazetën “Koha e Re” në Shkup shkrimin “Mungesa e polifonisë”. Në këtë shkrim, Salajdini ndër të tjera thotë: “Franc Fanon në librin ‘Njollat e tokës’ thotë se ‘arma kryesore e kolonialistëve ishte që tek të kolonizuarit të impononte bindjen se ishin të kolonizuar”.
Këtë lexuesit mund ta gjejnë në faqen online të gazetës, çka nuk është shumë e nevojshme se Salajdini nuk i mohon kolumnet e veta, ai përgjithësisht mohon vetëm skriptet që u jep studentëve. Në paragrafin e cituar më lart Salajdini ka bërë një marrëzi të madhe. Franc Fanon (Frantz Fanon) nuk ka shkruar ndonjë libër me titullin “Njollat e tokës”. Frantz Fanon ka shkruar librin “Les Damnes de la Terres”. (1961), Kjo fjalë në frëngjisht do të thotë “Të Mallkuarit e Tokës”. Frantz Fanon mori si titull vargun e parë të këngës “Internacionalja”, Hymni i Komunizmit ndërkombëtar. Në anglisht libri është përkthyer me titullin “The Wretched of the Earth”. Në gjuhën shqipe libri është botuar me titullin “Të mallkuarit e botës” (me përkthimin e Muhamedin Kullashit) nga Shtëpia botuese “Rilindja”, Prishtinë, në 1984.
Frantz Fanon nuk ka shkruar asnjë libër me titullin “Njollat e tokës”, përveçse ndoshta në fantazinë e Salajdin Salihut. Salajdini, qartësisht nuk e ka lexuar librin e Fanon të cilit i referohet, as në shqip, as në ndonjë gjuhë tjetër. Salajdini thjesht ka dëgjuar në ndonjë tryeze kafeterie për librin e Frantz Fanon, dhe ashtu të tjetërsuar e ka hedhur në kolumnen e radhës këtë informacion. Salajdini lexon vetëm kur i duhet të vjedhë ide, e meqënëse nga Frantz Fanoni nuk kishte gjë për të vjedhur, nuk kishte arsye përse ta lexonte.
Kjo që ka bërë Salajdin Salihu me Frantz Fanonin ka vetëm një emër, punë sharlatani! Çdo kolumnist i përgjegjshëm do t’ u kërkonte falje lexuesve të tij për një lajthitje të tillë, por Salajdin Salihu natyrisht se nuk ka asfare ndërmend që ta bëjë këtë gjë. Tekefundit, në rast se Salajdini do të fillonte t’ u kërkonte falje lexuesve për gjërat e tilla që ka shkruar, atëherë ai duhej t’ i kalonte 20 vitet e ardhshme duke bërë kolumne ku t’ u kërkonte falje lexuesve. Se Salajdini ka zakonin që kolumet t’ i mbushë me citime dhe perifrazime nga autorë të huaj, duke dashur të mbushë kështu zgavrën e boshësisë së vet intelektuale dhe të mungesës së ideve. E të mendosh pastaj se Salajdinit do t’ i duhet që t’ u kërkojë falje edhe studentëve të tij për skriptet. Jo, Salajdinit i del më mirë të vazhdojë me marrëzitë e tij.
Edhe Salajdin Salihu, si Andrea Stefani, e mban veten për intelektual elitar. Saljadini, ashtu si Andrea është drejtor i një OJF-je (në rastin e Salajdinit Instituti për Demokraci dhe Zhvillim). Salajdini ashtu si Andrea është pjesëmarrës në shumë workshop. Salajdini ashtu si Andrea është edhe mësimdhënës në universitet. Salajdini madje në dy universitete, Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë dhe Universitetin Shtetëror të Tetovës. Injoranca e Salajdin Salihut po ngrihet lart me shpejtësinë e fluturimit të kapelave që hedhin studentët e tij ditën e përfundimit të shkollës, pa e ditur se Salajdini i ka ngopur me marrëzira. Se mund të imagjinohet lehtë se çfarë marrëzirash ka shkruar Salajdini në skriptet që u jep studentëve të tij. Edhe Salajdin Salihut i uroj që në vitin 2011 të lexojë para se të shkruajë.
Aspekti më i keq në të gjithë këtë histori është se njerëz si Andrea Stefani dhe Salajdin Salihu përdoren nga ndërkombëtarët si interlokutorë intelektualë mes tyre dhe shoqërive shqiptare në dy anët e kufirit. Të huajt natyrisht e kuptojnë injorancën e Andreas, Salajdinit dhe të tjerëve si ata, por thonë se: “Çka të bësh, këta janë shqiptarët!”. Por shqiptarët nuk janë këta, se ka shumë shqiptarë që kanë lexuar Frantz Fanonin e shumë autorë të tjerë.
Filozofi britanik Alfred North Whitehead ka thënë “Not ignorance, but ignorance of ignorance, is the death of knowledge”. Me këtë ai donte të thotë se padija e të qënit injorant është më e keqe se injoranca. Në rastin e Andrea Stefanit dhe Salajdin Salihut duhet thënë se: Kur vetëdija e të qenit injorant nuk frenon dëshirën për të shkruar, kjo është me të vërtetë versioni intelektual i barbarisë.
kastriotmyftaraj@sot.com.alQuesto indirizzo e-mail è protetto dallo spam bot. Abilita Javascript per vederlo.

No comments: