Saturday, December 25, 2010

Mediat perëndimore, 1990: Ç’do të bëhet me Shqipërinë?

Nga Armand Plaka
image

Çfarë shkruante 20 vjet më parë shtypi perëndimor për ngjarjet në Shqipëri? Cila ishte kurba e zhvillimeve politike në vendin e fundit të mbetur në dukje akoma i paprekur nga vala e ndryshimeve demokratike në Lindjen ish-komuniste? Cilët ishin hapat që po ndërmerrte udhëheqja e atrofizuar shqiptare për t’u afruar me Perëndimin dhe pse ky i fundit i vlerësonte ato si të pamjaftueshme për të qenë të besueshme?

Një mori artikujsh të nxjerrë nga arkivat e disa platformave të njohura mediatike amerikane dhe gjermanoperëndimore, na japin një tablo të qartë të zhvillimeve të brendshme që lidheshin me Shqipërinë në vitin 1990 dhe perceptimit apo vlerësimit të tyre nga bota perëndimore, ndërkohë që Shqipëria po konsumonte vitin e saj të fundit të një totalitarizmi të stërzgjatur dhe po niste të ndiente pakëz aromë lirie.

Artikujt në fjalë, të rreshtuar në mënyrë kronologjike, reflektojnë ngjarjet dhe hapat që po ndërmerrte Shqipëria, sidomos në gjysmën e parë të vitit ‘90 për t’u afruar me Perëndimin dhe përpjekjet dëshpëruese të regjimit të vjetër për të gjetur një mënyrë për t´i shpëtuar izolimit dhe përfundojnë me fundin e këtij viti, me ngjarjet e dhjetorit, të cilat do të sillnin përfundimisht edhe rrëzimin e diktaturës dhe ndërrimin e sistemeve.

Në mënyrë dinamike, na përcillen nga “New York Times”, “Der Spiegel”, “Die Zeit”, “Time” etj., stacione kulmore të këtij viti, siç janë: vizita e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Havier Perez de Kuelar, hapja e ambasadave dhe ngjarjet e dhjetorit, duke gjetur vend madje edhe plot detaje të njohura e të panjohura, por gjithsesi të rëndësishme.

Pika të tjera me interes janë edhe kontaktet e para shqiptaro-amerikane, për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike, vizita e ish-kreut të shtetit komunist, Ramiz Alia, në OKB, çështja e vëllezërve Popa, atmosfera shpërthyese në shumë qytete të Shqipërisë, e cila kulmon me protestat në Kavajë e Shkodër, intervistat dhe mendimet e intelektualëve të kohës si Ismail Kadare, Gramoz Pashko etj.

Asgjë nuk i shpëton dot vëmendjes së gazetarëve të huaj, të cilët gjithashtu vlerësojnë si pozitiv madje faktin që thjesht janë lejuar të futen në vendin e izoluar hermetikisht qysh në fund të vitit 1989, duke theksuar nga ana tjetër se aroma e lirisë sapo kishte filluar dhe se regjimi komunist shqiptar nuk do të ishte më në gjendje të ndalte dot vrullin e një populli të lodhur deri në vdekje për të hipur në trenin e lirisë.

Madje ka nga ato, të cilëve u pëlqen të citojnë edhe refugjatët e parë që kishin nisur të kalonin kufirin me Greqinë, për të përshkruar më me realizëm për lexuesit e tyre në Perëndim, natyrën e vërtetë dhe ekzemplare të represionit komunist 45-vjeçar shqiptar, ndërsa theksojnë se “nëse hapen kufijtë, edhe breshkat nuk do të mbesin më në Shqipëri”.

Përshkruhen kësisoj edhe ato të cilat regjimi i paraqiste në sytë e botës si “reforma” dhe të cilat Perëndimi i shihte me shumë skepticizëm, duke komentuar edhe qëllimin e tyre, ndërsa has në të tillë paragrafë: Reformat e para të nevojshme duhet të pengonin një kryengritje me bazë pakënaqësinë e popullsisë. “Për postet politike do të ketë në të ardhmen dy kandidatë, drejtoritë e ndërmarrjeve do të kenë më shumë sovranitet, në konsumin e të mirave do t'i kushtohet pak më shumë vëmendje kërkesës. Bujqit lejohen të mbjellin perime në kopshtet e tyre private dhe të korrat t'i shesin më pas në tregun e lirë…”

Apo dhe kur konstatojnë se bustet e lyera në ar të Leninit dhe Stalinit, të cilët hijeshonin bulevardin… u zhdukën... ''për pastrim'', thuhej. Çdo mëngjes këtu formohen radhët e gjata me shqiptarë, të cilët këmbejnë flori dhe bizhuteri të tjera familjare me dollarë, që të blejnë më pas në dyqanet e paktë me valutë, makina larëse apo ora.

Por, antipodi i kësaj ishte vijimi i masave represive e mbikëqyrëse dhe krijimi i një atmosfere të mbushur me ankth e frikë, siç shkruante “Der Spiegel”: njëkohësisht me valën e parë të liberalizimit në shtetin e fundit komunist të Evropës, është forcuar sërish, edhe më shumë mbikëqyrja e njerëzve. ''Sigurimi'' ka 30 000 nëpunës, krahasuar me tre milionë banorë, tri herë më shumë sigurimsa, sesa po i njëjti institucion në RDGJ, në raport me rrjetin e spiunëve e bashkëpunëtorëve si sipërfaqe.

Në lidhje me Nexhmie Hoxhën, platformat mediatike perëndimore përcjellin pikërisht imazhin dhe idenë të cilën e kishte shumëkush në kokë asokohe dhe flasin për vështirësinë e kreut të regjimit, Ramiz Alia, për të shmangur “vejushën Hoxha”, paçka se edhe sot e kësaj dite, kjo çështje ka mbetur në pikëpyetje të madhe, ku në lojë akoma janë nga njëra anë, dëshira e dyshimtë e Alisë për ta ndërmarrë një hap të tillë dhe nga ana tjetër, pamundësia për ta kryer. Madje “Der Spiegel” shkruan në një njoftim të shkurtër nga mesi i majit 1990, se sipas thashethemeve që qarkullonin nga Greqia, Ramiz Alia, kishte arrestuar Nexhmie Hoxhën, pasi ishte bërë pengesë për reformat e tij.

Bazuar po në këtë logjikë, pak më herët diku shkruhet se edhe vejusha e Hoxhës, Nexhmia, 69-vjeçare, luan një rol shumë të rëndësishëm në grupin e kokave të ngurta; më pak kjo lidhet me funksionin e saj si kryetare e organizatës së masave Fronti Demokratik, sesa si një figurë përfaqësuese e të djeshmëve të përjetshëm. Për të rrëzuar "vejushën e kuqe" Alia nuk ka pasur shumë forcë.

Një valë protestash të heshtura apo aktive dhe shkrimi i parullave mbi mure shtëpish e ndërmarrjesh që përmbanin mesazhe të qarta për rrëzimin e pushtetit e veprime të tjera të kësaj natyre, na përcillen nga gazetarët perëndimorë, sidomos gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit ‘90, të cilat shoqërohen më pas menjëherë me njoftimin, atmosferën dhe komentet mbi hyrjen masive të shqiptarëve në ambasada dhe ngjarjet që pasuan.

Gjithsesi, më shumë informacion japin materialet e plota, të cilët unë i kam përzgjedhur nga burimet origjinale për t’i botuar (për herë të parë në shqip) në tre numra radhazi, si pjesë të ciklit “Shqipëria moniste në mediat perëndimore, 1945-1990”.

Artikujt që botohen në këtë numër, në fakt bazohen më shumë në arkivin e përcjellë nga gazeta më e njohur në botë, “New York Times”, dhe madje aty ka edhe një apo dy raporte nga ish-gazetari i njohur, David Binder, i cili punoi për 23 vjet me radhë për të e që vlerësohet si një personalitet i padiskutueshëm në lëmin e gazetarisë. Kujtimet dhe artikujt që ai shkruante në atë kohë për Shqipërinë, më vonë ai do t’i risillte edhe një herë të përmbledhura në vëllimin “Albania”, pjesë të të cilit mund të gjejnë vend më vonë edhe në ciklin tonë.

Heqja e vizave për shqiptarët si dhe diskutimet publike e mediatike aktuale për ngjarjet e ndodhura në vitin 1990, bëjnë që botimi i këtyre artikujve në shqip, të kthehet në një kontribut real - e të ardhur në kohën e duhur - për pasurimin e arkivit historike që lidhet me ngjarjet e njëzet viteve më parë, të para nga një këndvështrim i ndryshëm e të përcjella me syrin e vëzhguesve të huaj.

“Der Spiegel”, maj ‘90: Vejusha Hoxha ndodhet në burg?

Për të ndalur rezistencën ndaj kursit të përmbajtur reformator, shefi i shtetit dhe i Partisë në Shqipëri, Ramiz Alia, sipas informacioneve nga Greqia ka arrestuar së fundmi të venë e paraardhësit të tij të vdekur, Enver Hoxha. Nexhmie Hoxha, pas vdekjes së të shoqit është përpjekur më kot të mbledhë pushtet në duart e veta. Si kryetare e organizatës së masave Fronti Demokratik, ajo ka dalë kundër të gjitha reformave. Por në fillim të muajit, Shqipëria – si vendi i fundit në Evropë – bëri aplikimin për anëtarësim në Konferencën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (KSBE). Javës që shkoi, Parlamenti shqiptar në Tiranë vendosi që të bëhet një devijim relativ nga normat e ekonomisë së centralizuar. Stalinizmi shqiptar megjithatë akoma nuk ka shkuar drejt fundit. Për të diskutuar mbi situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri, në Tiranë ka shkuar për t´u takuar me Ramiz Alinë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Havier Perez de Kuelar


“New York Times”, janar 1990: Shqipëria, dominoja e fundit

Vala demokratike në Evropën Lindore më në fund po bën etapën e fundit në kufijtë e mbyllur të Shqipërisë. Kjo enklavë hermetike ballkanike, për dekada të tëra ka shtypur çdo përpjekje liberalizuese në botën komuniste. Por tani, sundimtarët e saj stalinistë janë të zënë me mohimin e raporteve se një goditje e forcave policore ka qenë e pamëshirshme kundër atyre që mendojnë ndryshe në qytetet veriore të vendit. Megjithëse këto raporte mbesin akoma të pakonfirmuara, ankthi në Tiranë është evident. S´ka si të ndodhë ndryshe ndaj një tiranie të merituar si kjo. Në Shqipëri, pothuajse çdo gjë është e ndaluar: të gjitha format e besimit, çdo pëshpëritje mospajtuese, madje edhe pronësia mbi makinat. Rrugët e saj të mbushura me statujat e Stalinit dhe të Enver Hoxhës, sundimtarit të saj me grusht të hekurt që udhëhoqi për 40 vjet, deri në vdekjen e tij në 1985. Ky është një komb i qerreve dhe kasolleve; aq i varfër sa për mungesë gazi e karburanti, nëpër shtëpia djegin bajga e plehra për t´u ngrohur. Me rënien e regjimeve autokratike, kudo në Evropën Lindore, Shqipëria ka rënë nën një vëzhgim të mprehtë për abuzimet e saj flagrante me të drejtat e njeriut. Tek të viktimizuarit përfshihen edhe një pakicë etnike greke, e cila numëron më shumë se 400.000 vetë në këtë vend prej 3 milionësh. Ata janë të ndaluar të mësojnë gjuhën e tyre apo të praktikojnë fenë e tyre ortodokse. Refugjatët tregojnë histori të tmerrshme të represionit të egër, të cilat përbëjnë një bazë të mjaftueshme për të justifikuar çeljen e një procesi hetimor nga Komisioni i të Drejtave të Njeriut i OKB-së. Sikurse një refugjat i tha gazetares së “N. Y. Times”, Howe Marvine, rezulton se “në qoftë se Shqipëria hap kufijtë e saj, 'edhe breshka do të kalojë me vrap kufirin”. Udhëheqësit e vijës së ashpër në Tiranë, me nervozizmin e tyre, nuk janë bërë akoma të vetëdijshëm për vulnerabilitetin e tyre. Pasardhësit e z. Hoxha, kanë filluar përpjekjet për t'i dhënë fund izolimit total të Shqipërisë me përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike dhe tregtare me Evropën Perëndimore. Duke mos qenë më aq mospërfillëse ndaj opinionit botëror, Shqipëria ka ftuar për një vizitë zyrtare Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së. Në vitin 1989, 10.000 turistë, përfshirë edhe një zonjë Howe të habitur, u lejuan të hyjnë, megjithëse të mbikëqyrur vazhdimisht. Për të qenë të sinqertë, këto gjeste janë të shoqëruara me një fushatë propagandistike kundër asaj që shtypi i partisë e cilëson si ''përcaktimet drejt rrugës kapitaliste, të perestrojkës dhe reformimit borgjez''. Por Shqipëria nuk është Kina gjigante; ajo është vetëm mbetja e fundit e një rendi të vjetër në skandencë në Evropë. Dhe nuk ka as mure të larta të mjaftueshme për të mbajtur njerëzit e tij nga të vërtetat e hidhura, të cilat në kohën e duhur do t´i çojnë ata drejt lirisë".

N.Y. Times, 26 janar 1990

“New York Times”, maj 1990: Shqipëria, po bën reforma të një lloji hibrid

Një çarje po shihet të ndodhë në Shqipëri, bastioni i fundit i absolutizmit komunist në Evropë. Ligje të reja u lejojnë tashmë shqiptarëve të udhëtojnë jashtë vendit dhe të adhurojnë të tjerë idhuj nga Marksi, Stalini apo Enver Hoxha, tirani shqiptar që udhëhoqi vendin deri pesë vjet më parë, kur vdiq. Ligjet në fjalë, janë aplikuar në mënyrë unanime, ashtu siç ndodh gjithmonë në Kuvendin Popullor dhe të printuara nga një kopje për shtyp, të bëra gati pikërisht në kohën kur pritet që vendin ta vizitojnë gazetarët sovjetikë e ato amerikanë. Këto ligje mund të jenë vetëm një hapje dritareje, sa për të impresionuar pak Evropën Perëndimore, me të cilën Shqipëria zhvillon edhe tregti. Por, kur një nga personat e shtypur flet për mundësinë e ndryshimeve, duke tundur në dorë pranga të ndryshkura, atëherë gjithçka do të bëhej e patolerueshme. Shqiptarët janë bërë të vetëdijshëm për trazirat në Evropën Lindore, falë “Zërit të Amerikës”, BBC-së apo stacioneve të tjera radiotelevizive nga Italia, Greqia apo Jugosllavia. Edhe shtypi i kontrolluar, ka mundur të raportojë rrëzimin e dhunshëm nga pushteti të autokracisë rumune. Ndërkohë, arroganca e erës së Hoxhës, ka bërë që të shpërthejnë gjeste nervozizmi. Presidenti Ramiz Alia ka lejuar një kritikë të tërthortë, por të matur ndaj forcave të policisë sekrete, të njohur për brutalitetin e saj, “Sigurimi”. Ai u takua gjatë nëntorit të shkuar me një lider të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, kontakti i parë i kësaj natyre. Dhe zoti Alia, gjithashtu, ka konsumuar sot edhe vizitën e paprecedentë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Havier Perez de Kuelar. Të gjitha këto i përgjigjen një turbullire në rritje që nga ana tjetër gjithsesi vë në dukje të vetmen arritje reale të komunizmit shqiptar – kapërcimin nga masa 15 % në atë të mbi 75 % të atyre që dinë tashmë shkrim e këndim. Shqiptarët e rinj janë tashmë dukshëm të lodhur nga parullat bajate, sheshet e shkreta publike dhe një ekonomi që ecën me ritmin e qerres. Ata kanë filluar të pyesin se pse ata janë të ndaluar të ushtrojnë të gjitha format e adhurimit fetar, të kenë pronësi mbi makinat dhe të kenë të drejtën për të udhëtuar. Prandaj tentativat për koncesione apo ndryshimet e pavlera me ligjet penale, Perëndimi i sheh me mospërfillje.

N. Y. Times, 11 maj 1990

“New York Times”, maj 1990: Policia sekrete shqiptare nis të kritikohet me përmbajtje

Diplomatët perëndimorë në Shqipëri thonë se nëse politika e re e “demokratizimit” do të bëhet realitet, parakusht për këtë është një reduktim i ndjeshëm i kompetencave themelore të policisë sekrete. ''Demokratizimi'' u shpall publikisht nga Presidenti Ramiz Alia nga fundi i vitit të shkuar dhe avancoi më tej me një seri ligjesh liberalizuese, të bëra publike ditën e mërkurë. Për herë të parë, edhe shqiptarët po diskutojnë mbi temën, e cila ka qenë për shumë kohë tabu: atë të policisë sekrete, megjithëse vetëm në mënyrë të tërthortë. Ismail Kadare, një shkrimtar i botuar gjerësisht jashtë vendit dhe një intelektual, i cili gëzon privilegje të pazakonta në këtë vend ku sundon regjimi represiv komunist, foli negativisht mbi rolin e Sigurimit në një intervistë të kohëve të fundit, por bëri kujdes që ai të mos përmendej me emër. ''Një psikozë kriminale është ajo që e çon vendin drejt krimit'', - tha z. Kadare në një intervistë të publikuar në revistën “Zëri i Rinisë” në fillim të këtij viti. ''Krijuar nga forcat e errësirës, ajo ka depërtuar me sukses në aparatin represiv të shtetit''.

N. Y. Times, 11 maj, 1990

“New York Times”, mj 1990: Evolucion në Evropë - nisin bisedimet shqiptaro-amerikane
Zyrtarët amerikanë dhe ata shqiptarë u takuan kohët e fundit për të diskutuar mbi vendosjen e marrëdhënieve normale diplomatike, në takimin e parë zyrtar mes dy vendeve në më shumë se 50 vite, tha sot një zyrtar nga Departamenti i Shtetit. Zëvendëssekretari i Shtetit, Curt Kamman, udhëtoi sot drejt Nju Jorkut për t´u takuar me një delegat shqiptar në Kombet e Bashkuara, tha një zyrtar, duke folur nën kushtet e anonimitetit. Takimi u zhvillua pak pasi qeveria komuniste e Shqipërisë tha se po përgatitej të normalizonte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Sovjetik. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane u prenë në vitin 1939. Shqipëria në përgjithësi nuk ka pasur shumë kontakte me botën e jashtme, por së fundmi ajo ka ndërmarrë hapa për t ´i shpëtuar izolimit.

N. Y. Times, 15 maj, 1990

No comments: