Saturday, December 25, 2010

Barbara Berlusconi: “Gabimet e babait tim”.


Në një intervistë dhënë për “Vanity Fair”, vajza e Silvio Berluscon-it, Barbara, flet për jetën politike dhe skandalet me drita të kuqe të të atit. “E di që ka gabuar. Shumë prej sjelljeve të tij kanë qenë të patolerueshme”, tregon ajo...

“Nuk besoj se ke ardhur për të më bërë që të zihem me babin tim”. Kështu nis intervista me Barbara Berlusconi-n për “Vanity Fair”.

Duam vetëm që të thuash atë çka mendon në një situatë delikate për vendin, ku sigurisht protagonisti kryesor është babai juaj.

Barbara Berlusconi, e lindur në vitin 1984, është vajza e parë e lindur nga martesa e Kryeministrit italian me Veronica Lario. Pas saj vijnë Luigi dhe Eleonora. “Pranoj me kënaqësi të flas, por dua të bëj një premtim: edhe pse shpesh më është dashur të mos jem në sintoni me mendimet dhe veprimet politike të Silvio Berlusconi-t, nuk mund të quhem një vajzë e keqe dhe as do të thotë se e dua më pak babain tim. Kam për të dhe për sukseset e tij të shumta, admirim të madh, por duhet të them se kam një mendim kritik për jetën që bën. Përndryshe do të isha një person mosmirënjohës, i cili nuk ka ditur të shfrytëzojë për mirë mundësitë e shumta që babai dhe familja ime më kanë dhënë. Të arrish të dallosh politikën nga jeta private është një privilegj që kam si vajzë e që Berlusconi ka si baba, por jo si politikan. Për këtë jam më se e bindur.

Kohët e fundit në Arcore keni marrë pjesë në një drekë me babain tuaj dhe kryetarin e Bashkisë së Firences, Matteo Renzi. Çfarë përshtypje ju ka bërë?

Më është dukur një person që kërkon vërtet t’i ndryshojë gjërat. Unë ndihem e përfaqësuar nga njerëz si ai. Mendoj se ajo që na afron nuk janë idetë politike, por kultura e njëjtë e përgjithshme që kemi.

Berlusconi është krahasuar me një popstar. Ju çfarë mendoni?

Më duket një krahasim i drejtë, sepse ai arrin t’i bëjë shumë për vete njerëzit që flasin gjuhën e tij. Ai e shpreh ndjenjën si një popstar, ka spontanitet mbresëlënës dhe të bën për vete. Edhe kundërshtarët e tij janë pak të magjepsur me këtë mënyrë sjelljeje.

Për Kryeministrin, ky ka qenë vit i skandaleve me drita të kuqe...

Sigurisht që janë fakte që më kanë hidhëruar shumë, ndaj e kam të vështirë t’i përgjigjem qetësisht kësaj çështjeje. Do të doja që një lexues të provonte këtë që unë ndiej, duke u vënë në vendin tim. Sigurisht që nuk jam dakord me një lloj sjelljeje të caktuar por më duhet t’i besoj edhe të vërtetave të babait tim.

Mamaja juaj, Veronica Lario, këtë verë u filmua nga paparacët teksa lexonte në plazh në Formentera, “Sii bella e stai zitta”, të Michela Marzano. Një sagë për gjendjen e femrave në Italinë e drejtuar nga Berlusconi, një analizë e hidhur që flet për regresin e grave. Çfarë mendoni ju?

Që është një analizë e vërtetë. Një grua nuk mund të mos bezdiset nga imazhet e realitetit që e rrethojnë, që nënvizon se si roli i grave në shoqëri lidhet me bukurinë e tyre.

Çfarë ju pëlqen te një grua?

I dua shumë gratë, ato të sinqertat dhe koherentet. Vlerësoj ato që luftojnë për atë që duan pavarësisht nëse është Lady Gaga apo Michelle Obama.

Ministrja e Shanseve të Barabarta, Mara Carfagna, flet për një maskilizëm politik, si reflektim i një vendi që i trajton gratë keq. Gjëja më e keqe është se Mara Carfagna gjen kurajën dhe ankohet. Ndonjëherë është më mirë të heshtësh. Nëse ndihet e diskriminuar ajo që nga “Telegatti” u bë ministre, kjo çështje merr përmasa edhe më groteske.

Por Silvio Berlusconi është ai që i ka çuar “showgirl”-et në Parlament...

Por le të mos harrojmë që kanë qenë italianët ata që i kanë votuar. Sigurisht që nuk dua ta shmang kështu problemin, sepse mendoj se janë bërë vlerësime sipërfaqësore. Të shohësh disa zonja të caktuara që shëtisin me makina blu nuk i bën mirë imazhit të vendit.

Si do të përfundojë për Berlusconi-n, ky sezon politik?

Nuk mund të bëj parashikime. Mendoj vetëm se ato që im atë i quan publikisht dobësi, kanë pasur ndikim në jetën e tij private, por edhe në jetën politike. Keqardhja ime më e madhe bëhet më e fortë sepse nuk mendoj se Silvio Berlusconi si Kryeministër i meriton disa trajtime të tilla. Ka bërë shumë të mira për të ardhmen e vendit, ka punuar me pasion, me krenari dhe ka arritur objektiva të rëndësishme. Por shumë prej sjelljeve të tij mund të ishin shmangur nëse nuk do të kishte lënë pas dore idenë se të gjithë ne kemi pika të dobëta. Disa sjellje mund t’i bëjnë gjërat më të brishta. Do të ishte e padrejtë se nga jeta e tij e jashtëzakonshme politike të kujtoheshin vetëm gjërat e këqija.

Do të jetë Barbara Berlusconi presidentja e ardhshme e Milanit?

Presidenti i vetëm është Silvio Berlusconi. Më duket vendim i pamenduar mirë të mendosh për një zëvendësim. Do të hyj te Milani, sepse dua të kuptoj disa dinamika në një shoqëri kaq komplekse dhe gjigante. Pastaj pas kësaj qëndron edhe interesi i familjes, që vazhdon të jetë e pasionuar çdo ditë e më shumë pas kësaj skuadre.

Më 20 shkurt të vitit 2011 bëhen 25 vjet që familja Berlusconi ka në pronësi Milanin...Çfarë përfaqëson për vajzën e këtij padroni kjo skuadër?

Për mua Milani është “avatari” i babait tim. Ai ka me skuadrën një lidhje sentimentale shumë të fortë, sepse përfaqëson suksesin që e ka ndjekur pas në çdo fushë që ka vepruar. Për mua është një mundësi për t’u rritur profesionalisht. Do të përqendrohem më shumë në administrimin e kompanisë, por kjo nuk do të thotë se do të heq dorë nga të qenit tifoze e tij.

No comments: