Sunday, November 7, 2010

Vetëm te shqiptarët partia është shumë më e vlefshme se atdheu e kombi, Pse?

Shqiptarëve si popull nuk ua gjen shokun për atdhetarë e për cilësi humane. Po të gjendeshin edhe udhëheqës me këto veti nga ilirët e këndej ne nuk do të ishim në këto situata që të lusim të tjerët të na pranojnë në BE po do të diktonim tempin e politikës . Mirëpo po ky popull i mrekulluar nuk i harroi inatet e tekat dhe gjithë angazhimet e vuajtjet kolektive,po ende, pranon dhe ia vesh njerëzve elementet e miteve –. Populli ia lë pastaj këtyre miteve fatin në dorë dhe po dihet edhe nëpër shekuj, por edhe në këtë dekadën e parë të shekullit XXI si i kemi punët. Ne shqiptarët e Kosovës jemi VRIMË E ZEZË NË BALLKAN E KEMI DERDHUR SHUMË GJAK E LOT NË EMËR TË LIRISË E DEMOKRACISË .

Shqiptarët në Maqedoni janë bërë pikë e pesë dhe duan të copëtohen , dhe jo për kombin e atdheun e copëtuar , por për interesa personale e partiake. Në Malësi e kudo në tokat shqiptare të administruara nga Mali i Zi po e njëjta gjendje. Shumë parti shqiptare e pak zgjedhës për to. Liderët e atje nuk e thonë as edhe një fjalë atje ku duhet por gjendjen e mjeruar të shqiptarëve në Malësi, se si duket nuk kanë forcë e trimëri, por për njëri- tjetrin janë bërë nepërka. Po në trojet shqiptare nën okupimin serb në Kosovën Lindore a mund të thuhet diçka më mirë e më bukur? Jo. Intelektualë të devotshëm nga ato troje shqiptare kanë ngritur zërin kundër një Këshilli të ashtuquajtur “nacional”, por kanë dalë shqiptarë të tjerë që e kanë përqafuar këtë ide dhe jo për popullin e shtypur , por për të qenë afër karrigeve.

Kjo ka ndodhur e do të ndodh gjatë gjithë shekujve në Kosovë sepse kemi krijuar mite-njerëz dhe atyre ia kemi dhënë gjithmonë mandatin që të venë interesin e tyre mbi çdo gjë kombëtare. Për këtë lexuesi do të bindet nëse shikon ngjarjet e kohëve të fundit në të gjitha trojet shqiptare, po unë po ua kujtoj ato të këtyre muajve të fundvitit në Kosovë. Këto ngjarje me plot elemente vajtuese tragjike tregojnë se partia për shumë shqiptarë është më e vlefshme se atdheu e kombi. Nëse e shtrojmë pyetjen Pse ? Atëherë duhen bërë analiza të shumta, por ajo që vërehet hapur është se “liderët “ në parti e shohin atë mundësin për të qenë “mit” dhe për të bërë çfarë u teket sot e gjithë ditën. Trambolina në parti për ta është e fortë, se janë bërë mite, për të kërcyer në pozita që lakmojnë. Nuk kanë faj këta se kështu janë mësuar. Ani vajtshin me djallin këta politikanë , por si t’ia bëjmë kur me këto veprimet e tyre kanë lënë gjurmë dhe vështirë është të hiqen , as me buldozerë , nga karriget e tyre. Pra, është vështirë të mënjanohen nga skena e lodhur politike e vendit më të varfër e më të korruptuar këto mite, që i kemi krijuar vetë.

Duke parë këtë realitet do njerëz me nam prej njerëzve të devotshëm dhe do të tjerë që vetëm kanë bërë komente dhe kanë marrë para nga institucione të huaja për të sharë e përlyer çdo gjë në Kosovë, tani duan të marrin pjesë të në njëjtin koncert “shunt” , që quhen zgjedhje. Njëri ngas ata që ka nam dhe respekt në gjithë hapësirën shqiptare është Albin Kurti. Nuk është mirë që ai vendosi të dëgjojë tekat e do njerëzve , që i qëndrojnë afër, dhe do të futet në politikë e të pretendojë të marrë ulëse në Kuvend e madje edhe karrige në Qeveri. Pse nuk është mirë. Nuk është mirë sepse bazuar në skenografinë pas tij në do takime me popullin, duhet ta dijë se në rrugë institucionale nuk e bën dot. Albinin nuk e lënë ditën e parë të punës së Kuvendit të ri të Kosovës ta heq flamurin zhelan e ta vë në ballë atë të kombit shqiptar. Albini duhet ta di se në këto kushte e në këto rrethana kur Kushtetuta e Kosovës është veshur me petkat që i ka pre “tereziu” dhe që janë sjellë në Kosovë me atë Pakon e famshme, nuk mund të bëhet ajo që po thuhet në takimet publike. Mundësitë do të ndryshojnë nëse ai , gjegjësisht “Vetëvendosja” është fitues i shumicës së ulëseve në Parlament dhe pastaj sa një e sa dy ndërron Kushtetuta dhe me të edhe “simboli” dhe “ himni” e gjepurat tjera të Kosovës. Por, edhe nëse ndodh kështu, nuk di çfarë do të thonë këto ambasadat e botës te ne, që po matin e po presin si po u teket.

Romantizmin u duhet lënë poetëve e njerëzve të artit e në politikë duhet punuar me realitetin. Kombi ynë , kudo është, ka nevojë të unifikohet duke bërë bashkë celulat që janë dëshmuar për bashkimin e trojeve dhe kombit dhe të punohet për të realizuar këtë ideal. Për ta bërë këtë duhet ndërruar qasjen. E ajo ndërrohet kur për shqiptarët kombi e atdheu janë shumë më me vlerë se përkatësia a aderimi në një parti . Shqiptarët në të gjitha trojet kanë nevojë për një platformë unike të bashkimit, që bazohet në aktivitete konkrete dhe që sajohet e mbështetet, jo nga një a dy individë, po nga njerëz e Shoqata që janë dëshmuar me punë e aktivitete se janë për kombin dhe bashkim e tij e të trojeve në të vetmin shtet e nën të njëjtin flamur. Këto që kam thënë , e di, nuk do t’u pëlqejnë as disa mediave në shqip, por është mirë ta botojnë këtë shkrim në merr të asaj që po quhet – liri e të shprehurit të lirë.

Rrahman Jasharaj , koordinator i trojeve etnike në Shoqatën e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”

No comments: