Sunday, November 21, 2010

Rama: Tavo kërkoi 3 mln euro për të qëndruar në PS

SHKRUAN: Alfred Peza 20-11-2010 11:54

Ju keni bërë këto ditë një ofertë të re, në fakt për zgjidhjen e krizës politike, për procesin e transparencës së zgjedhjeve të kaluara. A është e mundur ta kuptojmë, se nuk është kuptuar qartë, se ku ndryshon kjo ofertë e re nga të gjitha ato të vjetrat që janë bërë deri tani?

Oferta e re nuk është bërë këto ditë, është bërë ditën që unë së bashku me kryetarin e grupit parlamentar socialist kemi shkuar në tryezën e thirrur për reformën zgjedhore, është bërë atë ditë, i është lënë në tavolinë kryetarit të qeverisë së votave të vjedhura dhe i është thënë, ja ku është oferta jonë për të zgjedhur krizën politike dhe për t’i hapur rrugë reformës zgjedhore që nuk mund të bëhet pa zgjidhur krizën. Në këtë ofertë të re, që është oferta për të ngritur komisionin hetimor parlamentar, është vendosur e zeza mbi të bardhë, ajo çfarë shkruhet në rezolutën e Parlamentit Europian, hetim i kutive të materialeve zgjedhore. Nuk ka asnjë fjalë për fletët e votimit dhe më pas unë kam shpjeguar që ne jemi tërësisht të vetëdijshëm, që duhet të vazhdojmë të përpiqemi për një zgjidhje që Sali Berisha nuk e do, por që shqiptarëve dhe Shqipërisë i duhet. Në këtë funksion, ne kemi lënë jashtë kornizës së hetimit fletët e votimit. Nuk i kërkojmë fletët e votimit për këtë hetim, që besoj se e plotëson në mënyrë konsiderueshme dhe të mjaftueshme për të nxjerrë problemet e rënda që kanë zgjedhjet në Shqipëri, me hetimin e kutive të materialeve zgjedhore.

Po, por edhe zoti Patozi ka kthyer një përgjigje, edhe thotë që në një sistem demokratik asnjë institucion nuk ka pushtet të pakufizuar, dhe nuk mund të ndërmarrë një hetim të pakufizuar. Ju keni hequr dorë nga hetimi i pakufizuar?

Po jua përsëris, në ofertën tonë ne jemi të qartë. Gjithçka është e shkruar shumë qartë. Duam të implementojmë Rezolutën e PE-së, duam të hetojmë kutitë e materialeve zgjedhore dhe jo fletët e votimit.

Jeni dakord që ndërkohë që ju do të hetoni materialet zgjedhore, fletët e votimit të digjen, sipas nenit 178, pika 6 të Kodit Zgjedhor?

Ne nuk japim asnjë dakordësi për asgjë që ka të bëjë me ndërhyrjen në fletët e votimit. Por, ne nuk i duam fletët e votimit për këtë hetim dhe sigurisht që do të mbajmë qëndrimin tonë, që nuk kushtëzon marrëdhënien me parlamentin, që nuk mban krizën politike hapur, por sigurisht dallon qartë modelin tonë të bërit gjërave, me modelin e Sali Berishës.

Që është?

Digj, shkatërro, dërrmo, pengo, blloko, sa të mundesh, si të mundesh dhe ku të mundesh.

Zoti Berisha, ua ka kërkuar me shkrim dhe me sa dimë akoma nuk ua keni çuar këtë që konsideroni si ofertë të re...

Zoti Berisha e ka ofertën e re me shkrim dhe firmat e më shumë se 30 deputetëve të PS-së. Ky është një angazhim i marrë publikisht dhe kjo është një ofertë që ka marrë dhe një mbështetje aspak për t’u neglizhuar, siç është mbështetja për këtë ofertë nga vetë Komisioneri i Zgjerimi, Stefan Fyle.

Ju po kërkoni hetim të materialeve zgjedhore dhe ndërkohë nuk kërkoni fletët për hetim, për asgjë, por të mos digjen...

Jo, jo. Ne nuk hymë fare në këtë çështje. Sigurisht nëse duhet që ne të themi fjalën tonë, ne do ta themi fjalën tonë. Por, kjo nuk do të thotë që ne kushtëzojmë çfarëdo, qoftë me fletët e votimit.

Pra, nëse zbatohet neni 178 i Kodit...

Tani të mos i referohemi nenit 178 në këtë formë. Neni 178 i Kodit flet për kushtet kur s’ka asnjë kontest. Këtu ka një kontest shumë të madh, që zgjat prej më shumë se një viti. Në këto kushte ka edhe një gjë tjetër, ka një të drejtë tjetër, që është mbi Kodin dhe mbi çdo ligj, që është e drejta kushtetuese për hetimin parlamentar. Thënë kjo, ne heqim dorë nga fletët e votimit, për t’i hapur rrugë transparencës, duke besuar që një pjesë e konsiderueshme dhe e mjaftueshme për kësaj here, të asaj që ne duam të hetojmë, mund të plotësohet me kutitë e materialeve zgjedhore. Këtë e bëjmë edhe për vetëdijen e plotë se duhet të japim një kontribut më shumë, duke bërë edhe një sakrificë nga vetja për një interes më të madh, që është interesi i vendit, që të dalë nga kjo krizë politike ku e mban me pahir Sali Berisha.

Do u jepen, në mënyrë hipotetike, kutitë e votimit, do të filloni hetimin me shumicë dhe kryesim të opozitës, ndërsa fillon puna digjen fletët e votimit. Konsiderohet e zgjidhur, sipas jush, kriza, pavarësisht se fletët e votimit do të digjen, ju do të vazhdoni punë me materialet?

Ne do të vazhdojmë punë me hetimin, pavarësisht se çfarë ndodh me fletët. Por, për atë që ndodh me fletët ne do të themi fjalën tonë, që do të thotë se kjo nuk kushtëzon qëndrimin tonë ndaj parlamentit, por ama sigurisht që nuk jep dakordësinë tonë për një gjë që është plotësisht e evitueshme.

Pra ju do të mbani qëndrimin tuaj, pavarësisht nëse digjen apo jo fletët...

Siç e mbajmë qëndrimin tonë për çdo çështje për të cilën nuk jemi dakord me Sali Berisha, kjo është normale, apo jo...?!

Pra, kjo do t’i dërgohet me shkrim Sali Berishës sepse ka një ndryshim qëndrimi...

Çfarë t’i çojmë me shkrim? T’i çojmë me shkrim Saliut që shikoni madhëri, se në rast se ju do ta bëni këtë makabritet, ne do të vazhdojmë të përunjur punën tonë? Çfarë t’i çojmë me shkrim?

A jeni ju që po thoshit deri tani që ne jemi për një shtet, ku të funksionojë me letra të përpunuara mirë. Pra ju keni një ofertë të re.

Oferta e re është në tavolinë, ia kam thënë publikisht atë ditë z. Kryeministër që nuk i ka votat për të qëndruar aty ku qëndron, por megjithatë është Kryeministër.

Nëse digjen fletët e votimit, ju do të vazhdoni hetimin e materialeve zgjedhore, do të mbani një qëndrim politik për to, do të thoni fjalën tuaj, kaq.

Është e qartë si drita e diellit, që ne nuk i duam fletët e votimit.

As të ruhen?

Nuk do të japim kurrë dakordësinë që ato të digjen, do të mbajmë qëndrimin tonë sepse modeli ynë na imponon një qasje krejt tjetër ndaj çështjeve sado të koklavitura të vendit. Por, kjo nuk do të kushtëzojë qëndrimin tonë ndaj parlamentit dhe nuk do të kushtojë ecurinë e hetimit tonë dhe nuk do të kushtëzojë marrëdhënien tonë me reformën e tryezës zgjedhore.

Zoti Rama, përveç këtyre dy elementëve që folëm. Keni paralajmëruar me kohë mbajtjen e një serie protestash nga ana e opozitës, deri tani nuk ka pasur një kalendar, keni pritur diçka apo kalendari është gati?

Kalendari është çështje e brendshme organizative e jona, protestat janë në rrugën e zhvillimit të tyre.

Ka një datë për fillimin e protestave?

Po çfarë rëndësie ka kjo. Në ditët në vijim ne do të fillojmë protestat si pjesë e pandalshme e rrugës sonë për largimin e qeverisë.

Brenda nëntorit, apo në fillim të dhjetorit?

Në ditët në vijim.

Keni premtuar që në shtator paralajmëruat protesta, ka ndonjë gjë që nuk shkon?

Nuk ka asgjë që nuk shkon. Ne kemi ecur në dy binarë, në binarin e reagimit popullor dhe në binarin e përpjekjeve për të zgjidhur krizën. Ndërkohë kemi qenë në një mëndje që përpara dy vendime të mëdha dhe të rëndësishme për Shqipërinë, që fatkeqësisht nuk rezultuan të dyja pozitive, liberalizimi i vizave dhe statusi i kandidatit, të mos zhvillojmë protesta.

Vetëm me axhendën e integrimit e keni lidhur dhe me asgjë tjetër....

E thjeshtë.

Në prag është fushata elektorale për zgjedhjet e 8 majit 2011. Do të kandidoni për një mandat të katërt në krye të Bashkisë së Tiranës?

Është shumë herët për të folur për këtë, por është e sigurt se ne do të eksplorojmë çdo kandidaturë potenciale edhe për Bashkinë e Tiranës.

Ju e përjashtoni mundësinë që të jeni kandidat?

Nuk e përjashtoj, por as nuk e quaj një fakt të mirëqenë qysh sot.

Pavarësisht, nëse kandidoni apo jo për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, si e konsideroni një kandidaturë të mundshme të Lulzim Bashës nga PD për kreun e Bashkisë së Tiranës?

Saliu i krehur, edhe sigurisht më i ri.

Kjo s’është përgjigje...

Më shumë nuk dua të them sepse s’kam më shumë për të thënë. Një kopje si ato kukullat ruse, që hap të madhen dhe del e vogla. Saliu i krehur i ri dhe me një buzëqeshje me të shtrirë nga jugu në veri.

Pak ditë më parë, zoti Nano ka shprehur ambicien për të qenë President i Republikës. Kryeministri Berisha deklaroi se nuk do ta mbështeste këtë kandidaturë dhe të vetmit që mund ta mbështesnit, ishit ju, pra PS. A do të votojë PS për Fatos Nanon President? Në fakt, Saliu thjesht tregoi se çfarë detyre ka Fatosi në këtë konfiguracion, që të bëjë ç’të mundet për të krijuar sa më shumë probleme në kampin e opozitës. Por, përtej detyrës që Saliu i ka lënë, ose mendon se i ka lënë, dhe përtej gjithçkaje tjetër që e bën këtë treshe, këtë monument, të politikës së vjetër që të jetë i ndarë në tre zona të ndryshme, por që në fakt konvertojnë me njëra-tjetrën përmes këtyre tre figurave, Saliu, Fatosi dhe Iliri. Të mos harrojmë Ilirin, edhe pse tani nuk ka më pikë dyshimi, është thjesht dhe vetëm paterica e Saliut dhe asgjë më shumë se kaq. Unë dua të them këtu me shumë sinqeritet atë që realisht ndjej, përtej të gjithë këtyre dhe përtej politikës së ditës, kur e shoh Fatosin të katandisur në atë gjendje, kur e shoh Fatosin që thotë nuk e votova PS-në, nuk do e votoj PS-në, kur e shoh të miklojë me të gjitha mënyrat Saliun dhe Ilirin bashkë, kur e shoh të thotë se tashmë është shoferi i Ilirit, ndjej keqardhje. Ndjej keqardhje dhe sinqerisht ndjej keqardhje për katandinë e tij dhe për faktin që nuk e ndihmoj dot dhe nuk di si ta ndihmoj dot.

Ju do të votoni një kandidaturë tjetër, apo do të mbështesni Bamir Topin për një mandat të dytë?

Kjo është një çështje e vitit 2012. Ne sot jemi në fund të vitit 2010. Midis të sotmes dhe asaj dite, ne do të kemi zgjedhje të parakohshme.

Keni që më 29 qershor, vjet, që e thoni këtë gjë. Është detyra e çdo opozite...

Jo, është një realitet që unë besoj po shkon duke u bërë i pashmangshëm.

Sa ka kushtuar mandati i Vangjel Tavos?

Për fat të mirë dhe për nderin dhe dinjitetin e atyre qindra-mijëra votuesve dhe atyre milionave shqiptarëve që duan një Shqipëri tjetër, një shumicë dërrmuese absolute që nuk e shet këtë mandat, pavarësisht se sa mund të jetë çmimi që ofrohet.

Tavo e shiti mandatin?

Unë kam neveri për aktin e Vangjel Tavos dhe nuk shoh asnjë arsye për të thënë më shumë sesa fjalën neveri.

Zoti Bashkim Fino në këtë studio ka thënë që ai e shndërroi mandatin e tij në një tender. Përflitet se i ka kërkuar Partisë Socialiste për të mos u larguar, 2 milionë ose 3 milionë euro që të mos largohet...

Bashkim Fino ka të drejtë për këtë dhe shumë gjëra të tjera.

Marrë me shkurtime nga emisioni “Ora e Debatit”

No comments: