Sunday, November 21, 2010

Festivali i 49-të, konkurrentët

Shekulli Online
Në tri net këndojnë 38 këngëtarë, të rinj dhe me përvojë. Festivali ka dy juri, që skualifikojnë çdo natë


Në Festivalin e Këngës në Radio-Televizion, që mbahet më 23, 24 dhe 25 dhjetor në Pallatin e Kongreseve, marrin pjesë 38 këngëtarë. Këngët janë përzgjedhur nga një komision i përbërë nga Thoma Gaqi (kompozitor), Hajg Zaharian (kompozitor), Myfarete Laze (këngëtare), Zef Çoba (kompozitor), Fatmir Hysi (muzikolog), Altin Goci (këngëtar) dhe Kozeta Mamaqi (poete).


32 këngë bëjnë pjesë në kategorinë "Big" dhe 6 te "Të rinjtë".
Në kategorinë e parë janë: Aurela Gaçe, Kujtim Prodani, Françesk Radi, Adhurim Demiri, Alban Skënderaj, Miriam Cani, Besa Kokëdhima, Sajmir Braho, Orges Toçe, Edmond Mancaku, Klajdi Musabelliu, Dorina Garuci, Kejsi Tola.
Për herë të parë këndojnë në festival: Shpat Deda, Albi Xhepa, Maria Prifti, Ilir Kazaferi, Megi Laska, Rudina Delia.


Për Festivalin e 49-të kanë kompozuar: Sokol Marsi, Adrian Hila, Jetmir Barbullushi, Shpëtim Saraçi, Valentin Veizi, Kristi Popa, Edmond Mancaku etj.
Shumica e këngëtarëve kanë zgjedhur ta kompozojnë vetë muzikën, e në disa raste edhe të shkruajnë edhe tekstin. Të tjerët kanë marrë tekste të autorëve: Jorgo Papingji, Pandi Laço, Agim Doçi, Agron Tufa, Arben Duka.
Janë afruar në festival edhe banda të rinjsh, të para nëpër aktivitete muzikore të këndojnë muzikë rrok, pop-rrok, alternativë si "NRG Band", "Humus", si dhe këngëtarë solo.


Marrim opinionin e njerit prej tyre, për rëndësinë që ka pjesëmarrja në Festivalin e Fundvitit.
Heldi Kraja, këngëtar i muzikës rrok, pjesëtar i grupit "The fish hook" në vitin 1992-1995, tregon: "E kam ndjerë mungesën e komunikimit me njerëzit. Kam bërë shumë këngë dhe janë transmetuar vetëm në radio. Por radioja nuk është një mënyrë e mirë komunikimi për të qenë në kontakt me publikun". Kraja e ka herën e parë që merr pjesë në festival si kantautor, me këngën: "E diela pa ty".


Kënga nuk është rrok i pastër. Këngëtari shoqërohet nga instrumentististë të harqeve, tunxheve dhe kitarrës akustike.
Deri më tani organizatorët kanë përcaktuar strukturën e festivalit. U bë e njohur dje për median dhe për konkurruesit, të cilëve iu dhanë sugjerime, iu bënë vërejtje për kalimin e parametrave të përcaktuar në rregulloren e festivalit.
Në natën e parë të Festivalit do të këndojnë 16 këngëtarë "big", dhe 3 "të rinj", po ashtu edhe të dytën.


Këngët seleksionohen nga dy juri, një për secilën kategori, që zgjedhin çdo natë këngët që kalojnë në finale. Juria e parë zgjedh 8 këngëtarë, e dyta 1. Në natën finale shkojnë 18 këngë. Juritë ende nuk janë zgjedhur.
Këtë vit, është eleminuar nata e spektaklit dhe këngëtarët janë të kufizuar në performancat e tyre. Nuk lejohen mbi 6 performues që shoqërojnë këngëtarin në interpretim.


Regjisori Bojken Lako po punon për elementët e spektaklit.
Prezantuesit e festivalit të 49-të të Këngës në RTSH, janë: Jonida Maliqi, Mirela Naska dhe Josif Gjipali. Fonia i është besuar Emanuele Doninni-t. Skenograf është Bashkim Zahaj. Drejtor artistik: Edmond Zhulali.

No comments: