Tuesday, November 16, 2010

"Dikush kishte guxuar të sulmonte Amerikën. Ata do ta paguanin"

Të martën, në 11 shtator 2001, u zgjova para agimit në suitën time në Colony Beach pranë Sarasota, Florida. Nisa mëngjesin duke lexuar Biblën dhe më pas zbrita për një vrap. Ishte errësirë teksa nisa të vrapoja përreth fushës së golfit. Agjentët e shërbimit të fshehtë ishin mësuar me rutinën time të ushtrimeve; vendësve mund t'u jetë dukur disi i çuditshëm ky vrapim në errësirë.

U riktheva në hotel, bëra një dush të lehtë, hëngra mëngjes dhe u hodha një sy gazetave të mëngjesit. Lajmi më i madh ishte që Michael Jordan po rikthehej në NBA. Lajmet e tjerë fokusoheshin në zgjedhjet primare për kryebashkiakun e Nju Jorkut, si dhe një rast të dyshuar për sëmundjen e lopës së çmendur në Japoni. Rreth orës 8 të mëngjesit, mora informacinin e përditshëm. Ky raport i përditshëm bashkë me informacione të klasifikuar të shërbimit të fshehtë, me analizë të thellë mbi gjeopolitikën, ishin një prej pjesëve më të mrekullueshme të ditës sime. Raportimi i 11 shtatorit, i dërguar nga një analist shumë i mprehtë i CIA që quhej Mike Morell mbulonte Rusinë, Kinën dhe kryengritjen palestineze në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës. Menjëherë pasi lexova raportin, u nisëm për një vizitë në shkollën fillore "Emma E. Booker" për të folur për reformën në arsim.

Rrugës nga makina deri në klasën e shkollës, Karl Rove përmendi që një avion ishte përplasur në Qendrën Botërore të Tregtisë. Tingëlloi e çuditshme...

...Më pas, më telefonoi Condi. I fola nga një linjë e sigurtë në një klasë që ishte shndërruar në një qendër komunikimi për stafin udhëtues të Shtëpisë së Bardhë. Më tha që avioni që sapo kishte goditur QBT nuk ishte një avion i lehtë. Ishte një avion udhëtarësh. U befasova. Ai avion duhej të kish patur pilotin më të keq në botë. I kërkova Condit të qëndronte në krye të situatës dhe i kërkova drejtorit të komunikimit, Dan Bartlett, që të përgatiste një deklaratë ku premtohej mbështetje e plotë e Shërbimeve Federale të Emergjencës.

Përshëndeta drejtoreshën e "Booker", një grua miqësore që quhej Gwen Rigell. Ajo më prezantoi me mësuesen, Sandra Kay Daniels, si dhe klasën plot me nxënës të klasës së dytë. Zonjusha Daniels po kryente një orë mësimi leximi me klasën. Pas pak çastesh, u kërkoi studentëve të merrnin librat. Ndjeva praninë e dikujt pranë. Andy Card afroi kokën tek koka ime dhe më pëshpëriti në vesh: "Një avion i dytë goditi kullën e dytë", më tha duke e shqiptuar çdo fjalë me një aksent të Massachusetts. "Amerika është sulmuar".

Reagimi im i parë ishte zemërim. Dikush kishte guxuar të sulmonte Amerikën. Do ta paguanin. Më pas, pashë fytyrat e fëmijëve përpara meje. Mendova për kontrastin mes brutalitetit të atyre që kishin sulmuar dhe pafajësisë së atyre fëmijëve. Miliona si atë shumë shpejt do të mbështeteshin tek unë për t'i mbrojtur. Isha i vendosur të mos i lija në baltë. Pashë gazetarë në pjesën e pasme të klasës, që mësonin për lajmin në celularë. E dija që reagimi im do të regjistrohet dhe shfaqej në të katër anët e botës. Vendi do të ishte i tronditur; Presidenti nuk mund të ishte. Nëse largohesha me nxitim, do të frikësoja fëmijët dhe do të shkaktoja valë paniku në të gjithë vendin. Mësimi i leximit vazhdoi, por mendja ime ishte shumë larg asaj klase. Kush mund ta kishte bërë? Sa i madh ishte dënmi? Çfarë duhej të bënte qeveria?

Sekretari i Shtypit, Ari Fleischer, u pozicionua mes gazetarëve dhe meje. Ai ngriti një tabelë ku shkruante: "Mos thuaj asgjë". Nuk kisha në plan. Kisha një plan veprimi në mendje: kur të përfundonte mësimi, do të largohesha nga klasa i qetë, do të mblidhja fakte dhe pastaj do t'i flisja kombit. Rreth shtatë minuta pasi Andy hyri në klasë, u riktheva në dhomën e komunikimit ku dikush kish vendosur një televizor. Pashë i tmerruar transmetimin me ngadalësi të pamjeve ku avioni i dytë godiste kullën e dytë. Lëmshi i madh i zjarrit dhe shpërthimi i tymit ishin më keq nga sa e kisha imagjinuar. Vendi duhej të ishte i tronditur dhe unë duhej të dilja menjëherë në televizion. Përgatita shpejt e shpejt një deklaratë.

"Zonja dhe zotërinj, ky është një moment i vështirë për Amerikën", e fillova. "...Dy avionë janë përplasur me Qendrën Botërore të Tregtisë në atë që duket si një sulm terrorist kundër vendit tonë". Pati një psherëtimë nga audienca e prindërve dhe komunitetit që prisnin një fjalim mbi arsimin. "Terrorizmi kundër kombit tonë nuk do të qëndrojë", thashë. E mbylla duke kërkuar një moment heshtje për viktimat.

Më vonë mësova se fjalët e mia ishin një jehonë e premtimit të tim eti që, "ky agresion nuk do të qëndrojë", pasi Sadam Huseini pushtoi Kuvaitin. Në shënimet e mia kisha shkruajtur, "Terrorizmi kundër Amerikës nuk do të qëndrojë". Fjalët e tim eti duhej të ishin ngulitur në nënvetëdijen time, në pritje për të ridalë në sipërfaqe në një tjetër moment krize. Shërbimi i fshehtë donte që të shkoja me shpejtësi në Air Force One. Teksa eskorta ecte me shpejtësi përgjarë Florida Route 41, i telefonova Condit nga linja e sigurtë në limuzinë. Ajo më tha se kish patur një avion të tretë të rrëzuar, ky i fundit në Pentagon. U mbështeta në sedilje dhe po absorboja fjalët e saj. Mendimet m'u qartësuan: Avioni i parë mund të kish qenë aksident. I dyti ishte një sulm. I treti ishte një shpallje lufte. Gjaku më ziente. Ne do ta gjenim kush e kish bërë këtë dhe do i ndëshkonim.

Ndryshimi drejt kohës së luftës qe i dukshëm në aeroport. Agjentë me pushkë rrethonin Air Force One. Dy prej stjuardesave qëndronin në krye të shkallëve. Fytyrat e tyre tradhtonin frikën dhe trishtimin. E dija që miliona amerikanë ndiheshin po kështu. I përqafova dhe u thashë se çdo gjë do të rregullohej. Hyra në kabinën presidenciale dhe kërkova të rrija vetëm. Mendova për frikën që do të kish mbështjellë pasagjerët e atyre avionëve si dhe dhimbjen që do të mbështillte familjet e të vdekurve. U luta që Perëndia të zbuste vuajtjen dhe të udhëhiqte vendin për të dalë nga kjo gjendje. Mendova fjalët e një prej himneve të preferuar: "god of Grace, god of glory: Grant us wisdom, grant us courage, for the facing of this hour".

Ndërkohë që emocionet e mi duhet të kenë qenë të ngjashëm me ata të shumë amerikanëve, detyrat e mia nuk ishin. Nuk do të kishte kohë për të vajtuar. Do të kish një shans për të kërkuar drejtësi. Por në fillim duhej të menaxhoja krizën. Na kish ndodhur sulmi më shkatërrues që nga koha e Pearl Harbour. Një armik kishte goditur kryeqytetin tonë për herë të parë që nga viti 1812. Në një mëngjes të vetëm, qëllimi i presidencës sime qe bërë i qartë: të mbroja popullin tonë dhe lirinë tonë që ishin sulmuar. Hapi i parë i një reagimi të suksesshëm në kohë krize është të projektosh qetësi. Këtë isha përpjekur të bëja në Florida. Më pas, duhej të rendisnim faktet, të ndërmerrnim veprime për të siguruar kombin dhe të ndihmonim në rimëkëmbjen e zonave të dëmtuara. Me kalimin e kohës ne duhej të hartonim një strategji për të sjellë terroristët para drejtësisë, që ata të mos sulmonin më.

I telefonova Dick Cheney-t teksa Air Force One ngjitej me shpejtësi, shumë më lart se lartësia jonë e zakonshme. Ai kishte zbritur në Qendrën Nëntokësore të Operacioneve të Emergjencës, kur Shërbimi i Fshehtë kishte menduar që një avion mund të ishte duke ardhur për të goditur Shtëpinë e Bardhë. I thashë që do të merrja vendime nga ajri dhe prisja që ai t'i zbatonte në tokë.

...Dick më telefonoi pak momente më vonë. Condi, Josh Bolten dhe zyrtarë të lartë të ekipit të Sigurisë Kombëtare ishin bashkuar me të në qendrën operative. Ishin informuar që një avion që nuk përgjigjej qe nisur drejt Uashingtonit. Dick më kërkoi të konfirmoja urdhërin që kisha dhënë për goditjen e tij. Konfirmova. Më vonë mësova që Josh Bolten kish kërkuar qartësimin për të siguruar që po respektohej zinxhiri i komandës. Mendova për kohën kur kisha qenë pilot. "Nuk e imagjinoj dot si është të marrësh një urdhër si ky", i thashë Andy Card. Sigurisht që shpresoja që askush të mos e ekzekutonte.

Një tjetër vendim ishte ku të ulej Air Force One. Mendoja që duhej të riktheheshim në Uashington. Doja të isha në Shtëpinë e Bardhë për të udhëhequr reagimin. Do të ishte një siguri për kombin të shihte presidentin në kryeqytetin që ishte sulmuar. Pak pasi u ngritëm nga Sarasota, Andy dhe Eddie marinzel i Shërbimit të Fshehtë, më thanë që Uashingtoni ishte shumë i paqëndrueshëm dhe kishte rrezik të lartë për sulm. Agjencia Federale e Transportit Ajror besonte se ishin rrëmbyer gjashtë avionë që do të thoshte se tre të tjerë mund të ishin në ajër. U thashë që nuk do të lejoja që të më trembnin terroristët. "Unë jam Presidenti", thashë i vendosur. "Dhe ne do të shkojmë në Uashington".

Ata qëndruan në të tyren. Urreja imazhin e terroristëve që më bënin të merrja arratinë. Por po aq sa doja të rikthehesha, mendova që një pjesë e përgjegjësisë sime ishte që të siguroja vazhdimësinë e qeverisë. Do të ishte një fitore e madhe propagandistike për armikun nëse eleminonin Presidentin. Ndihmësi ushtarak dhe Shërbimi i Fshehtë rekomanduan që avionin ta ulnim në bazën ajrore "Barksdale" në Louisiana, ku mund të rifurnizoheshim. Unë u zbuta. Pak minuta më vonë, ndjeva Air Force One të merrte një kthesë të fortë drejt perëndimit. Një prej irritimeve më të mëdhenj që pata në 11 shtator ishte teknologjia pikëlluese e komunikimit në Shtëpinë e Bardhë. Avioni nuk kish televizion satelitor. Vareshim nga çfarëdo lloj sinjali lokal që kapnim. Pas disa minutash transmetim, ekrani ngecte. Por pashë aq pamje sa të kuptoja se çfarë tmerri po shihte me sy populli amerikan.

...Shembja e kullave e zmadhoi katastrofën. Pesëdhjetë mijë vetë punonin në ndërtesa në një ditë normale pune. Disa ishin evakuuar, por pyesja veten se sa kishin mbetur pas? Mijëra? Dhjetra, mijëra? S'e kisha idenë. Por isha i sigurtë se sapo kisha parë më shumë amerikanë të vdisnin sesa çdo president tjetër në histori.

... Kur merrnim informacion, ai ishte shpesh kontradiktor dhe ndonjëherë i gabuar. Po përjetoja mjegullën e luftës. Kishte lajme për një bombë në Departamentin e Shtetit, zjarr në National Mall, një avion korean i rrëmbyer i nisur për në SHBA, si dhe një telefonatë për rrezik ndaj Air Force One. Telefonuesi kish përdorur emrin e koduar të avionit, Angel, që shumë pak njerëz e dinin. Lajmi më i çuditshëm erdhi kur më informuan për një objekt me shpejtësi të lartë që fluturonte drejt fermës sonë në Crawford. Më vonë, të gjithë këto informacione rezultuan falsë. Por duke patur parasysh rrethanat, ne duhej ta merrnim seriozisht secilin prej tyre.

Një lajm që mora rezultoi i vërtetë. Një avion i katërt ishte rrëzuar diku në Pennsylvania. "E goditëm ne apo u rrëzua"?, pyeta Dick Cheneyn. Askush nuk e dinte. Ndjeva një zbrazëtirë në stomak. A mos kisha urdhëruar unë vdekjen e atyre amerikanëve të pafajshëm?

Kur mjegulla u shpërnda, mësova për heroizmin e pasagjerëve të Flight 93. Pasi kishin dëgjuar për sulmet e tjerë nga telefonatat e të afërmve të tyre, pasagjerët kishin vendosur të sulmonin kabinën e pilotit. Në një prej fjalëve të fundit të regjistruara nga fluturimi, një njeri me emrin Todd Beamer dëgjohet tek mbledh pasagjerët e tjerë dhe thotë: "Shkojmë!" më vonë, Komisioni i 11 shtatorit konkludoi se revolta e pasagjerëve në Flight 93 mund të ketë shpëtuar ose Capitol Hill ose Shtëpinë e Bardhë nga shkatërrimi. Akti i tyre i kurajës renditet ndër më madhështorët në historinë e Amerikës.

Isha përpjekur të lidhesha me Laurën gjithë mëngjesin. Ajo ishte programuar të dëshmonte para një Komisioni të Senatit për nismën tonë në arsim, në pothuaj të njëjtën kohë kur avionët kishin goditur kullat e QBT. Kërkova të telefonoj disa herë po linja binte. Nuk mund ta besoja që Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk lidhej dot me të shoqen që ndodhej në ndërtesën e Kongresit. "Çfarë dreqin po ndodh?", i ulërita Andy Card.

Më në fund u lidha me Laurën teksa Air Force One zbriti në "Barksdale". Zëri i Laurës është gjithmonë qetësues, por atë ditë ishte veçanërisht rehatues. Më tha se Shërbimi i Fshehtë e kish dërguar në një vend të sigurtë. U qetësova shumë kur më tha që kish folur me Barbaran dhe Jennan dhe që të dyja ishin mirë. Laura më pyeti se kur do të kthehesha në Uashington. I thashë që të gjithë më kërkonin të mos kthehesha, por që do të kthehesha atje shumë shpejt. Nuk e kisha idenë nëse kjo qe e vërtetë, por shpresoja shumë.

Zbritja në Barksdale m'u duk si futja në një shesh xhirimi. Avionë f-16 nga njësia ime e dikurshme në bazën ajrore "Ellington" në Houston na kishin shoqëruar gjithë rrugës. Linja e taksive qe mbushur me avionë bombardues. Ishte një skenë mbresëlënëse, fuqia e forcës sonë ajrore. E dija që ishte vetëm çështje kohe përpara se ta vija në përdorim atë forcë kundër kujtdo që kish urdhëruar sulmin.

Nuk kishte eskortë presidenciale në "Barksdale", kështu që komandanti, gjenerali Tom Keck kish improvizuar. Agjentët më shoqëruan me shpejtësi poshtë shkallëve të avionit dhe më futën në një makinë, e cila u nis menjëherë me shpejtësi shumë të madhe. I thirra shoferit: "Ngadalëso, bir, nuk ka terroristë në këtë bazë!" Ndoshta në ato momente isha më pranë vdekjes se kurrë në atë ditë.

U lidha me Don Rumsfeld në një linjë të sigurtë në zyrën e gjeneralit Keck në "Barksdale". Kish qenë e vështirë të lidhesha me të sepse sapo kish goditur avioni në Pentagon, Don kish dalë të ndihmonte punëtorët e emergjencës që fusnin viktimat në barrela. I thashë që e konsideroja sulmin një akt lufte dhe miratova vendimin e tij për të rritur gatishmërinë e ushtrisë në Def Con Three, për herë të parë që nga koha e luftës arabo-izraelite në 1973.

... I thashë Don që prioriteti ynë kryesor ishte të kaloni krizën e menjëhershme. Pas kësaj, kisha në plan një reagim serioz ushtarak. "Topi do të jetë në fushën tënde dhe të Dick Myersit", i thashë.

Në 11:30 me orën e Louisianës kishin kaluar tri orë qëkur i kisha folur kombit. Isha i shqetësuar që njerëzit do të krijonin përshtypjen që qeveria qe shpërbërë. Laura kish shprehur të njëjtin shqetësim. Regjistrova një mesazh të shkurtër ku shpjegoja që qeveria po përgjigjej dhe që kombi do ta përballonte këtë provë. Ndjenja ishte e duhura, por vendi, një sallë konferencash në një bazë ushtarake në Louisiana, nuk frymëzonin shumë besim. Populli amerikan kish nevojë ta shihte Presidentin në Uashington.

I kërkova Andy-t të më thoshte se kur mund të ktheheshim në Shtëpinë e Bardhë. Agjentët e Shërbimit të Fshehtë thanë se ishte ende e pasigurtë. Kështu mendonin edhe Dick e Condi. Ata rekomanduan që të shkoja në Komandën Strategjike në bazën ajrore të Nebraskas. Kishte hapësirë të sigurtë strehimi dhe komunikim të besueshëm. U tërhoqa përsëri. Teksa hipnim në avion në "Barksdale, Air Force po mbushej me ushqim dhe ujë shtesë. Duhej të ishim gati për çdo mundësi. Pasi mbërritëm në Nebraska, më shoqëruan në qendrën e komandës, e cila qe e mbushur me oficerë që kishin marrë pjesë në stërvitje ushtarake. Papritur, një zë u dëgjua në sistemin e zërit. "Z. President, një avion që nuk përgjigjet po vjen nga Madridi. A kemi urdhër që ta godasim?"

Reagimi im i parë ishte: Kur do të marrë fund e gjithë kjo? Më pas theksova rregullat e angazhimit që kisha miratuar më herët. Mendja më shkonte në skenarët më të këqinj. Cilat ishin pasojat diplomatike të rrëzimit të një avioni të huaj? Ose, po sikur të vonoheshim dhe terroristët të godisnin shënjestrën e tyre? Zëri në sistemin e speaker-ave u rikthye: "Avioni nga Madridi është ulur në Lisbonë, Portugali."

Falë Zotit, mendova. Ishte një tjetër shembull i mjegullës së luftës. U zhvendosëm në qendrën e komunikimit, ku kisha kërkuar një mbledhje të Sigurisë Kombëtare me videokonferencë. Kisha menduar me kujdes atë që doja të thoja. E nisa me një deklaratë të qartë: "Jemi në luftë kundër terrorizmit. Nga kjo ditë, ky është prioriteti i ri i administratës sonë". Mora një raportim për reagimin e emergjencës. Më pas u ktheva nga George Tenet. "Kush e bëri këtë?" e pyeta. George u përgjigj me dy fjalë: al-Kaeda.

Para 11 shtatorit, shumica e amerikanëve nuk kishin dëgjuar për al-Kaedën. Kisha marrë informacionin e parë për këtë rrjet terrorist kur isha kandidat për president. Arabisht për "bazë", al-Kaeda ishte një rrjet terrorist fondamentalist që strehohej dhe mbështetej nga qeveria talebane në Afganistan. Udhëheqësi i saj ishte Osama bin Laden, një radikal saudit nga një familje e pasur që ishte dëbuar nga mbretëria kur iu kundërvu vendimit të qeverisë që të lejonte trupat amerikane të qëndronin aty gjatë Luftës së Gjirit. Grupi kishte pikëpamje ekstremiste dhe e konsideronte detyrë të vriste këdo që u pengonte rrugën.

Al-Kaeda kishte një prirje për sulme të mëdhenj. Tre vite më herët, terroristët kishin vendosur bomba në dy ambasada amerikane në Afrikën lindore që shkaktuan vdekjen e më shumë se 200 vetëve dhe plagosën më shumë se pesë mijë. Ata ishin gjithashtu organizatorë të sulmit kundër USS Cole që mori jetën e shtatë marinarëve amerikanë në brigjet e Jemenit në tetor 2000. Deri në pasditen e 11 shtatorit, Komuniteti i Zbulimit kishte zbuluar operativë të njohur të al-Kaedës në listat e udhëtimit të avionëve të rrëmbyer.

CIA kish qenë e shqetësuar për al-Kaedën që përpara 11 shtatorit, por informacionet e tyre flisnin për një sulm jashtë vendit. Gjatë fundit të pranverës dhe fillimit të verës 2001, ne kishim forcuar sigurinë në ambasada jashtë vendit, kishim rritur bashkëpunimin me shërbimet e huaj të zbulimit, si dhe kishim bërë lajmërime për rrëmbime të mundshëm avionësh në fluturimet ndërkombëtarë. Në nëntë muajt e parë të presidencës sime, kishim ndihmuar në eleminimin e rreziqeve terroristë në Paris, Romë, Turqi, Izrael, Arabinë Saudite, Jemen dhe vende të tjerë.

Gjatë verës, i kisha kërkuar CIA-s të riekzaminonte aftësitë e al-Kaedës për të sulmuar në brendësi të SHBA-së. Në fillim të gushtit, Agjencia më solli një raport të përditshëm presidencial ku përsëritej qëllimi i kahershëm i Bin Ladenit për të sulmuar Amerikën, por nuk konfirmonte plane konkretë.

Në 11 shtator u bë e qartë që Komunitetit të Inteligjencës i kish shpëtuar diçka e madhe. Isha i alarmuar nga gabimi dhe prisja një shpjegim. Por nuk mendova që ishte e përshtatshme të drejtoja gishtin apo fajësoja dikë në mes të krizës. Shqetësimi im i menjëhershëm ishte që mund të kish pjesëtarë të tjerë të al-Kaedës në Amerikë.

Pashë ekranin në qendrën e ushtrisë në Nebraska dhe i kërkova George Tenet të mbante veshët ngrehur, një term që nënkuptonte të dëgjonte të gjithë informacionet e zbulimit dhe të ndiqte çdo pistë të mundshme. Bëra gjithashtu të qartë se kisha ndërmend të përdorja ushtrinë në këtë luftë, kur të vinte koha. Reagimi ynë nuk do të ishte thjesht një sulm me raketë. Siç e thashë më vonë, do të bënim më shumë sesa thjesht të, "dërgonim një raketë një milion dollarëshe mbi një çadër pesëdollarëshe". Kur Amerika të përgjigjej ndaj këtyre sulmeve, do ta bënte me forcë dhe efektivitet.

Kur ndërroja rolet me tim atë

Kur hedh sytë pas në fushatën e 2000, shumica reduktohet në një turbullirë shtrëngime duarsh, mbledhje fondesh dhe dyluftimesh për titujt e mëngjesit. Kishte dy momente kur ndalej karuseli politik. I pari erdhi në Konventën Kombëtare republikane në Filadelfia, që u menxahua shumë mirë nga ish-zëvendës shefi i stafit të tim eti dhe Sekretari i Transportit, Andy Card. Kisha marrë pjesë në çdo Konventë që nga viti 1976, por asgjë nuk krahasohej me ndjenjën që pata kur hipa në qendër të skenës. Prita në prapaskenë, në errësirë, duke dëgjuar numërimin: "Pesë, katër, tre, dy, një". Më pas, dola në arenën e mbushur. Në fillim skena ishte çorientuese. Drita dhe tingujt shpërthyen kudo përreth meje. Mund të ndieja nxehtësinë e trupit dhe të nuhasja njerëzit. Më pas nisa të fokusoj fytyra. Pashë Lauran dhe vajzat, mamanë dhe babanë. Gjithë jetën time kisha parë George Bush-in të fliste. Isha i emocionuar nga ndërrimi i roleve.

"Shanset janë shumë të mëdhenj dhe jetët tona shumë të shkurtra për të çuar dëm këtë moment", thashë. "Kështu që këtë natë, ne i premtojmë vendit tonë që do të rrokim këtë moment të premtimit amerikan. Do të përdorim këto kohë të mira për qëllime të mëdhaja... Kjo administratë e pati momentin e vet, ata e patën shansin e tyre. Ata nuk kanë udhëhequr. Ne do ta bëjmë". Dy muaj më vonë fushatat u ndalën sërish, këtë herë për debatet...

... Debati i parë ishte në Boston. Në prapaskenë, i telefonova Kirbyjon Caldwellit dhe u lutëm në telefon. Kirbyjon i kërkoi të gjithpushtetshmit që të më jepte forcë dhe mençuri. Zëri i tij më qetësoi shumë dhe më pas e shndërrova në traditë lutjen në telefon me Kyrbijonin, përpara ngjarjeve të mëdha për pjesën e mbetur të fushatës dhe gjatë presidencës sime. Zëri tjetër që dëgjova ishte i moderatorit, Jim Lehrer i PBS, që prezantonte kandidatët. Dolëm nga qoshet tona respektive dhe u takuam në qendër të skenës. Gore përdori shtrëngimin super të fortë të duarve. Dyshova që po përpiqej të luante një lojë si 9 Ann Richards në 1994. U përqëndrova në kthimin e përgjigjeve të pyetjeve, ndonëse ndonjëherë ndihesha sikur isha autopilot. Kur pashë orën, që e kisha hequr dhe vendosur mbi tavolinë për të shmangur një gabim në debat, që e kish bërë im atë dikur, pothuajse kishim mbaruar. Bëmë deklaratat përmbyllëse, shtrënguam sërish duart, këtë herë shtrëngim normal, dhe më pas shkuam në rrëmujën e pasdebatit me familje, miq dhe ndihmësa.

Menjëherë pas debatit, Karen Hughes më tha se Gore kish bërë një gabim të madh. Ai kish psherëtirë dhe ishte ngërdheshur shpesh ndërsa unë flisja. Ishte lajm për mua. Isha fokusuar aq shumë në performancën time saqë nuk e kisha vënë re. Debati i dytë dhe i tretë kishin formate të ndryshëm, por rezultate të ngjashëm. Asnjëri prej nesh nuk bëri ndonjë gafë. Në debatin e tretë pati një moment interesant, në Washington University në St. Louis. Formati na jepte lirinë të lëviznim nëpër skenë. Pyetja e parë ishte për Ligjin e të Drejtave të Pacientëve. Po përgjigjesha kur pashë Gore që vinte drejt meje. Ai është i madh në trup dhe prania e tij më mbushi me shpejtësi hapësirën time. A mos do të më godiste me gjoks zëvendëspresidenti? Një goditje me parakrah? Për një sekondë mendova se ndodhesha në këndin e lojërave në shollën fillore "Sam Houston". I hodha një vështrim me përbuzje dhe vazhdova. U ndieva mirë me debatet. Besoja se performanca ime i kishte kapërcyer pritshmëritë dhe kuptova që momentet dramatikë të fushatës i kisha lënë pas. Gabohesha.

...Bëra një fushatë të ethshme në javën e fundit dhe në ditën e zgjedhjeve isha me pikë të barabarta me Gore në sondazhe. Atë natë, familja jonë e madhe u mblodh për darkë në Shoreline Grill në Austin. U ngritën shumë dolli deri kur nisën exit poll-et. Rrjetet televizivë thanë se Pennsylvania, Michigan dhe Florida i kishte fituar Gore. Mysafirët tanë që nuk merrnin vesh shumë nga politika, vazhduan të dërdëllisnin. "Nata është e gjatë, çdo gjë mund të ndodhë..." Ata që kuptonin hartën elektorale e kuptuan që unë sapo kisha humbur. Jeb dhe unë ishim të zemëruar me faktin që televizionet ia kishin dhënë Floridën Gore, para se të mbylleshin kutitë e votimit në Panhandle, pjesa republikane e shtetit. Kush e dinte sesa prej mbështetësve të mi kishin dëgjuar lajmin dhe kishin vendosur të mos votonin? Laura dhe unë u larguam nga darka pa e prekur ushqimin. Qëndruam të heshtur tek ktheheshim në zyrën e guvernatorit. Nuk ka shumë për të thënë kur humbet. Isha i shfryrë, i zhgënjyer dhe pak i befasuar. Nuk ndieja hidhësi. Isha gati të pranoja verdiktin e popullit dhe të përsëirsja fjalët e nënës time në vitin 1992: "Koha për të ecur përpara".

Pak pasi u kthyem, ra telefoni. Mendova se ishte telefonata e parë e ngushëllimit. Por, ishte Karl... Ai më tha se parashikimet në Florida ishin matematikisht me të meta. Më pas u telefonoi televizioneve dhe u ulëriti atyre që të kryenin sondazhet duke u dhënë edhe faktet. Brenda dy orësh ai kishte vërtetuar sistematikisht se televizionet gaboheshin. Në orën 08.55 të mbrëmjes CNN dhe CBS e hoqën Floridën nga kolona e Gore. Të gjithë të tjerët pasuan.

Laura dhe unë e shihnim këtë përmbysje nga rezidenca e guvernatorit me mamanë, babanë, Jeb dhe disa prej ndihmësve. Më pas erdhi Cheney me të shoqen, Don Evan dhe një kontigjent miqsh. Teksa nata kalonte, u bë e qartë se rezultati i zgjedhjeve do të varej nga Florida. Në orën 01.15 të mëngjesit, rrjetet televizivë thanë se ky shtet shkonte tek unë. Al Gore më mori menjëherë pas kësaj. Më përgëzoi. E falënderova dhe i thashë se do të dilja të përshëndesja njëzet mijë njerëzit që brohorisnin në mes të të ftohtit dhe shiut. Më tha që të prisja deri kur ai t'u fliste mbështetësve të tij pas 15 minutash. Miratova. U desh kohë që të kapërdija kuptimin e lajmit. Pak orë më herët isha bërë gati të vazhdoja me jetën time. Tani po përgatitesha për t'u bërë President i Shteteve të Bashkuara.

Kaluan 15 minuta. Pastaj pesëmbëdhjetë të tjera. Nuk po dukej fjalim i pranimit të humbjes nga Gore. Diçka nuk shkonte. Jeb mori kompjuterin dhe nisi të monitorojë rezultatet e Floridës. Më tha se avantazhi im po ngushtohej. Në orën 02.30 të mëngjesit, Bill Daley, kreu i fushatës së Gore i telefonoi Don Evansit. Don foli pak me Daleyn dhe më kaloi telefonin. Në linjë ishte zëvendëspresidenti. Më tha se shifrat e tij në Florida kishin ndryshuar që nga telefonata e fundit dhe që po tërhiqte pranimin e humbjes.

Këtë nuk e kisha dëgjuar asnjëherë. I thashë se në Texas, kishte goxha kuptim kur një person të jep fjalën. Pas pak çastesh, rrjetet e vunë sërish Floridën në kategorinë e papërcaktuar, e katërta herë brenda tetë orësh, dhe vunë në dyshim rezultatin e zgjedhjeve. Isha i nxehur. Pikërisht kur mendova që kjo garë kishte marrë fund, ishim rikthyer sërish në portën e nisjes. Shumë prej të pranishmëve në dhomën e ndenjes më këshilluan të dilja dhe të shpallja fitoren. E mendova, deri kur Jeb më hoqi mënjanë dhe më tha: "George, mos e bëj. Rezultati është shumë i ngushtë". Avantazhi në Florida ishte reduktuar në më pak se dy mijë vota. Jeb kishte të drejtë. Një përpjekje e tillë do të kish qenë e nxituar. U thashë të gjithëve se rezultati nuk do të vendosej atë natë. Shumica shkuan të flenë. Unë qëndrova zgjuar me Jeb dhe Don teksa ata rrinin pa pushim në telefon me Floridan. Në një pikë, Don i telefonoi Sekretares së Shtetit të Floridës, Katherine Harris, për të marrë një axhornim. E dëgjova të bërtasë: "Çfarë do të thuash që je në shtrat? A e kupton që zgjedhjet janë në balancë? Çfarë po ndodh!?"

Me këtë mori fund një natë e çuditshme dhe filluan pesë javë edhe më të çuditshme. Nga 105 milionë votat e hedhura në të gjithë vendin, zgjedhjet e 2000 do të përcaktoheshin nga disa qindra vota në një shtet. Florida u shndërrua menjëherë në një fushë betejë ligjore. Don Evans mësoi rreth orës 04.30 të mëngjesit se ekipi i Gore kishte nisur një ekip avokatësh për të koordinuar rinumërimin. Më këshilloi të bëja të njëjtën gjë. U përballa me zgjedhjen më të çuditshme të personelit në gjithë jetën time: Kë duhet të dërgoja në Florida për të siguruar që avantazhi ynë do të mbrohej?

Nuk kishte kohë për të hartuar një listë apo kryer intervista. Don sugjeroi James Bakerin. Ishte zgjedhja e përsosur, një burrë shteti, një avokat i mprehtë, dhe një magnet për njerëz të talentuar. I telefonova dhe e pyeta nëse e merrte përsipër këtë mision. Pas pak çastesh ai ishte rrugës për në Tallahassee. Laura dhe unë ishim shumë të lodhur fizikisht dhe mendërisht. Kishim harxhuar të gjithë energjinë tonë në këtë garë. Kur e kuptuam që ishim para një procesi të gjatë ligjor, e kaluam pjesën më të madhe të kohës duke ulur presionin në shtëpinë tonë në Crawford.

...Ishte vendi i përsosur për stuhinë e pas zgjedhjeve. Bisedoja rregullisht me Jim Bakerin për të marrë lajme të reja dhe për të ofruar drejtim strategjik. Vendosa që në fillim që do të shmangia mbulimin e pafund televiziv. Bëja vrapime të gjatë që më jepnim shansin për të menduar për të ardhmen, digjja energjinë nervoze duke pastrar kedrat dhe shkoja për shëtitje me Laurën. Nëse bëhesha President, doja të isha plot energji dhe gati për tranzicionin.

Përgjatë rrugës kishte disa momente drame. Në 8 dhjetor, një muaj dhe një ditë pas zgjedhjeve, Laura dhe unë ishim sërish në Austin. Atë pasdite, Gjykata e Lartë e Floridës kishte planifikuar të jepte një vendim që Jim Baker besonte se do të bënte zyrtare fitoren time. Laura dhe unë ftuam miqtë tanë të mirë Ben dhe Julie Crenshaw që të shihnim së bashku shpalljen. Ben është një prej lojtarëve më të arrirë të golfit të kohës së tij dhe një prej njerëzve më të pëlqyer në sportin profesionist. Gjatë javëve të fundit, Ben ishte bashkuar me turma që protestonin jashtë zyrave të guvernatorit. Disa ishin mbështetës të Gore, por shumë më mbështesnin mua. Një prej tri vajzave të Ben dhe Julie mbanin një tabelë ku shkruhej "Sore-Loserman" një lojë fjalësh për Gore-Lieberman.

Ben, Julie, Laura dhe unë u ulëm në dhomën e ndenjes për të pritur vendimin. E theva rregullin për të mos parë televizion me shpresën që do të përjetoja fitoren në kohë reale. Rreth orës tre, zëdhënësi i gjykatës shkoi drejt podiumit. U përgatita të përqafoja Laurën. Më pas, ai shpalli se gjykata, me votim 4-3 kishte vendosur pro Gore. Vendimi mandatonte një rinumërim tjetër në të gjithë shtetin.

Pak çaste më pas, Jim Baker më telefonoi dhe më tha nëse doja të apeloja në Gjykatën e Lartë të SHBA. Ai dhe Ted Olson, një avokat i jashtëzakonshëm që Jim kishte rekrutuar, ndjenin që ne kishim avantazh të fortë. Ata shpjeguan se apelimi i vendimit ishte një lëvizje me risk. Gjykata e Lartë e SHBA mund të mos miratojë të pranojë çështjen ose mund të vendosnin kundër nesh. I thashë ta bëjë apelimin. Isha i përgatitur ta pranoja fatin tim. Bendi kish nevojë për përmbyllje, në një mënyrë apo një tjetër.

Në 12 dhjetor, 35 ditë pas zgjedhjeve, Laura dhe unë ishim në shtrat kur më telefonoi Karl dhe këmbënguli që të hapja televizorin. Dëgjova me vëmendje teksa Pete Williams i NBC News deshifronte vendimin e Gjykatës së Lartë. Me një votim 7 me 2, gjykatësit kishin vendosur që procedura kaotike dhe jokonsistente e rinumërimit në Florida kishte shkelur klauzolën e mbrojtjes së barabartë në Kushtetutë. Pastaj, me një vendim 5 me 4 gjykata vendosi që nuk kishte një mënyrë të drejtë për të rinumëruar votat në kohë për Floridën që të merrte pjesë në Kolegjin Elektoral. Rezultati i zgjedhjeve qëndronte. Me një rezultat 2,912,790 me 2,912,253, unë kisha fituar Floridën. Do të isha Presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara.

U ndieva i çliruar. Pasiguria kishte shkaktuar një barrë të rëndë për vendin. Pas gjithë ulje-ngritjeve, nuk kisha kapacitetin emocional të gëzoja. Kisha shpresuar ta ndaja gëzimin e fitores me njëzet e ca mijë mbështetësit natën e zgjedhjeve. Por, ndoshta isha bërë i pari person që kishte mësuar se kishte fituar presidencën tek rrinte shtrirë me bashkëshorten duke parë televizor.

Për 140 vitet e para të historisë së Amerikës, inaugurimet presidencialë ishin zhvilluar në 4 mars. Një president i zgjedhur në fillim të nëntorit kishte 120 ditë për të përgatitur për administratën e tij. Në vitin 1933, Amendamenti i Njëzet e ndryshoi Ditën e Inaugurimit në 20 janar, duke e shkurtuar në 75 ditë kohën mesatare të tranzicionit. Unë kisha 38 ditë.

Vendimi im i parë i madh ishte të tregoja sesi doja të funksiononte Shtëpia e Bardhë. Ishte një pyetje që e kisha menduar më parë. Në 1991, im atë më kishte kërkuar të studioja mënyrën si operonte ai në Shtëpinë e Bardhë. Pasi intervistova të gjithë zyrtarët e lartë të stafit të tij, doli një temë e përbashkët: Njerëzit ishin të pakënaqur. Shumica ndjenin që John Sununu, Shefi i Shtabit u kishte mohuar aksesin në zyrën Ovale dhe kishte kufizuar prurjen e informacionit drejt babait tim. Më kish pëlqyer gjithmonë Johni, por detyra ime nuk ishte të debatoja këtë gjë; duhej të raportoja atë që kisha gjetur. E bëra këtë disa ditë para Ditës së Falënderimeve 1991. Im atë konkludoi se duhej të bënte një ndryshim. Më kërkoi të njoftoja Johnin, gjë që e bëra në një bisedë shumë të sikletshme. Ai dha dorëheqjen menjëherë më pas. Isha i vendosur ta shmangia këtë problem në Shtëpinë e Bardhë që do të drejtoja vetë. Doja një strukturë të lidhur që të siguronte një rrjedhje të rregullt të informacionit, por edhe fleksibël me qëllim që të merrja këshilla nga disa burime. Ishte e rëndësishme që këshilltarët të ndiheshin të lirë të shprehnin shqetësimet direkt tek unë, pa i kaluar nëpër një filtër. Plus do të ishte më e lehtë të bindja pjesëtarë kyç të familjes time politike në Teksas që të vinin në Uashington, nëse do të kishin akses të rregullt tek unë.

Kyçi për të bërë këtë ishte të gjeja një Shef Stafi me përvojë dhe vetëbesim që nuk do të ndihej i kërcënuar nga marrëdhënia ime me vartësit e tij. Ironikisht, njeriun e përsosur e gjeta tek zëvendësi i John Sununu, Andy Card. Kur vizitoja Shtëpinë e Bardhë të tim eti, shkoja shpesh në zyrën e Andy-t për të marrë një informacion të sinqertë sesi po ecnin gjërat. Andy ishte i kuptueshëm, i thjeshtë, besnik dhe shumë punëtor. Kishte punuar me çdo shef stafi në presidencat Reagan dhe Bush. Kishte gjykimin e shëndoshë dhe temperamentin e qëndrueshëm që më nevojiteshin, bashkë me një zemër të dhembsur dhe një sens të mirë humori. Isha i bindur që ishte njeriu i duhur për të drejtuar stafin e Shtëpisë së Bardhë.

Pak javë para zgjedhjeve u takova me Andy-n në Florida. Ishte e qartë që mendonte se do t'i kërkoja të drejtonte tranzicionin. "Jo, po flas për pozicionin e madh", i thashë. I shpjegova se do të ishte i vetmi Shef Stafi, por edhe që do të mbështetesha shumë tek teksanë si Karl, Karen, Al Gonzales, Harriet Miers, Clay Jonson dhe Dan Bartlett për këshillë. Andy e pranoi punën, sa kohë që do ta informoja për vendimet që do merrja kur nuk ishte i pranishëm. Shpalla përzgjedhjen e tij në fund të nëntorit, duke e bërë të parin pjesëtar zyrtar të ekipit tim të Shtëpisë së Bardhë.

Pozicioni tjetër i rëndësishëm ishte ai i këshilltarit të Sigurisë Kombëtare. Nga marrëdhënia e ngushtë që kishte patur im atë me Brent Scrowcroft, e dija mirë që ishte shumë e rëndësishme të jepja dikë që të ishte i aftë dhe i besueshëm. Gjatë një udhëtimi në Maine në verën e 1998, im atë më prezantoi me Condoleezza Rice, që kishte shërbyer si specialiste për Bashkimin Sovjetik në stafin e tij të këshillit të Sigurisë Kombëtare. Bija e një prifti nga Birminghami në Alabama, Condi kishte një Ph.D. nga Universiteti i Denverit dhe ishte bërë dekane në Stanford në moshën 38 vjeçare. Menjëherë më la mbresa si një grua e mençur dhe plot energji.

Gjatë 30 muajve të ardhshëm Condi dhe unë u takuam shpesh për të diskutuar politikën e jashtme. Një ditë vere të vitit 1999, Condi, Laura dhe unë kishim dalë për shëtitje. Teksa po i ngjiteshim një kodrine, Condi nisi një diskutim mbi historinë e Ballkanit. Laura dhe unë mezi merrnim frymë. Condi vazhdonte, duke na shpjeguar shpërbërjen e Jugosllavisë dhe ngjitjen e Milosheviçit. Ai shteg sot njihet si "Kodra e Ballkanit". Vendosa që nëse do të përfundoja në Zyrën Ovale, doja që Condi Rice ta kisha në krahun tim.

Zgjedhja e parë për kabinetin ishte e lehtë. Colin Powell do të ishte Sekretar Shteti. Fillimisht e kisha takuar Colin në Camp Davidnw 1989, kur ishte Shef i Shtabit. Ai dhe Dick Cheney kishin ardhur të informonin tim atë për dorëzimin e diktatorit panamez, Manuel Noriega. Colin mbante veshur uniformën ushtarake. Përkundër natyrës së veshjes, ishte i butë dhe miqësor. I fliste kujtdo në sallë edhe kalimtarëve si fëmijët e presidentit. Colin admirohej shumë në vend dhe kishte një prezencë me peshë nëpër botë. Ai do të mbronte me kredibilitet interesat dhe vlerat amerikane, nga një NATO më e fortë deri tek tregtia e lirë. Besoja se Colin do të ishte pasardhës i denjë i George Marshall, një ushtar i shndërruar në burrë shteti.

Dy vendet kyç që mbeteshin ishin Sekretari i Mbrojtjes dhe Drejtori i CIA. Më shumë se një dekadë pas rënies së Murit të Berlinit, pjesa më e madhe e Departamentit të Mbrojtjes ishte ende e projektuar për të luftuar Luftën e Ftohtë. Kisha bërë fushatë me një vizion ambicioz për të transformuar ushtrinë. Kisha në plan një riorganizim të strukturës dhe investime në teknologji të reja si armë të precizionit të lartë dhe mbrojtje raketore. E dija që do të kishte rezistencë brenda Pentagonit dhe kisha nevojë për një Sekretar këmbëngulës dhe inovator për të udhëhequr.

Kandidati im kryesor ishte Fred Smith, themeluesi dhe drejtori i FedEx. Fred ishte diplomuar në "Yale" dy vjet para meje, kishte marrë Yllin e Argjendtë si marins në Vietnam dhe kompania e tij ishte tashmë një prej bizneseve më të suksesshëm në botë. Ai e dashuronte ushtrinë dhe do të sillte një mendje organizative në Pentagon. Andy Card i telefonoi Fredit, mësoi se ai qe i interesuar për këtë punë dhe e ftoi në Austin. Isha përgatitur t'ia ofroja këtë pozicion, por para se të nisej u diagnostikua me probleme në zemër. Iu desh të tërhiqej e të përqëndrohej tek shëndeti. Shqyrtuam disa emra të tjerë për Sekretar Mbrojtje, përfshirë Dan Coats një senator nga Indiana. Pastaj, Condi më dha një ide interesante: Sikur të emëronim Don Rumsfeld? Don kish qenë Sekretar Mbrojtjeje 25 vjet më parë, gjatë administratës Ford. Që atëherë kishte qenë në një numër komisionesh me ndikim për Sigurinë Kombëtare. Kandidaturën e tij e kisha menduar për CIA dhe jo për Sekretar Mbrojtje. Kur e mora në pyetje, më ofroi një vizion mbresëlënës për transformimin e Departamentit të Mbrojtjes. Më tha që forcat tona duheshin bërë më të lehta, më të lëvizshme. Dhe ai qe një mbështetës i fortë i një sistemi mbrojtjeje raketore për të mbrojtur nga shtete si Korea e Veriut dhe Irani.

Rumsfeld më impresionoi. Ishte i ditur, i artikuluar dhe me vetëbesim. Si ish-Sekretar Mbrojtjeje, kish forcën dhe përvojën për të sjellë ndryshime të mëdhaja në Pentagon. Do të drejtonte burokracinë dhe nuk do e linte këtë ta vinte përpara. Edhe Dick Cheney ma rekomandoi me forcë. Kishte një problem të sikletshëm. Shumëkush besonte që Don kish përdorur ndikimin e tij për të bindur Presidentin Ford që të emëronte tim atë në krye të CIA-s në 1975 si një mënyrë për ta larguar këtë nga gara për zëvendëspresident. Unë s'kisha nga ta dija nëse kjo qe e vërtetë. Por çfarëdo lloj mosmarrëveshjesh që ai dhe im atë mund të kishin patur 25 vjet më parë, kjo gjë nuk më shqetësonte, sa kohë që Don ishte njeriu i duhur për atë punë.

Me Rumsfeldin në Uashington, unë nuk kisha më një kandidat kryesor për CIA. Kisha një respekt të madh për Agjencinë si rezultat i kohës që im atë kishte kaluar atje. Prej disa javësh kisha marrë informacione zbulimi si President i sapozgjedhur kur takova drejtorin, George Tenet. Ai qe e kundërta e Drejtorit tipik të CIA, për të cilët lexon në romane me spiunazh. Tenet ishte bir imigrantësh grekë nga New York City.

Mbajtja e Drejtorit të CIA të Bill Clinton-it do të dërgonte një mesazh vazhdimësia dhe tregonte se e konsideroja Agjencinë përtej shtrirjes së politikës. I kërkova tim eti të pyeste disa nga kontaktet e tij në CIA. Më tha se Tenet ishte goxha i respektuar. Teksa e njoha më shumë George, vendosa të mos kërkoja një zëvendësues.

Condi Rice dhe "Kodra e Ballkanit"

Pozicioni tjetër i rëndësishëm ishte ai i këshilltarit të Sigurisë Kombëtare. Nga marrëdhënia e ngushtë që kishte patur im atë me Brent Scrowcroft e dija mirë që ishte shumë e rëndësishmja të jepja dikë që të ishte i aftë dhe i besueshëm. Gjatë një udhëtimi në Maine në verën e 1998, im atë më prezantoi me Condoleezza Rice, që kishte shërbyer si specialiste për Bashkimin Sovjetik në stafin e tij të këshillit të Sigurisë Kombëtare. Bija e një prifti nga Birminghami në Alabama, Condi kishte një Ph.D. nga Universiteti i Denverit dhe ishte bërë dekane në Stanford në moshën 38 vjeçare. Menjëherë më la mbresa si një grua e mençur dhe plot energji.

Gjatë 30 muajve të ardhshëm Condi dhe unë u takuam shpesh për të diskutuar politikën e jashtme. Një ditë vere të vitit 1999, Condi, Laura dhe unë kishim dalë për shëtitje. Teksa po i ngjiteshim një kodrine, Condi nisi një diskutim mbi historinë e Ballkanit. Laura dhe unë mezi merrnim frymë. Condi vazhdonte, duke na shpjeguar shpërbërjen e Jugosllavisë dhe ngjitjen e Milosheviçit. Ai shteg sot njihet si "Kodra e Ballkanit". Vendosa që nëse do të përfundoja në Zyrën Ovale, doja që Condi Rice ta kisha në krahun tim.

Për Blairin, Schroeder-in dhe luftën e Irakut

Në shkurt 2001, Kryeministri britanik, Tony Blair dhe bashkëshortja e tij, Cherie, erdhën të na vizitojnë mua dhe Laurën në Cam David. Tony ishte i pari udhëheqës Perëndimor që ftonim, për shkak të marrëdhënies së veçantë mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

Nuk isha i sigurtë se çfarë duhej të prisja nga Tony. Dija që ishte një Kryeministër i Partisë Laburiste të majtë dhe një mik i ngushtë i Bill Clinton. Shumë shpejt zbulova se ishte miqësor dhe i hirshëm. Nuk ishin aspak të mërzitshëm, Tony dhe Cherie. Pas darkës vendosëm të shohim një film. Kur ranë dakord që të shihnim "Meet the Parents", një komedi me Robert de Niron dhe Ben Stiller, Laura dhe unë e kuptuam menjëherë se Bush-ët dhe Blair-ët do të shkonin mirë.

Tony dhe unë folëm për çështjet më të rëndësishme të ditës. Ai më dha një informacion të përmbledhur mbi politikën në Europë. Diskutuam qëllimet tona të përbashkëta për të shtrirë kudo tregtinë e lirë, lehtësimin e vuajtjeve në Afrikë, si dhe dhunën në Tokën e Shenjtë. Nuk shpenzuam shumë kohë me problemet socialë. Kjo iu la Cherie-t dhe mua. Në verën e 2001, Blair-ët ftuan Laurën dhe mua në Chequers, rezidenca në fshat e kryeministrit britanik. Chequers është një shtëpi e madhe me orendi rustike dhe të rehatshme dhe portrete të ish-kryeministrave. Në vend që të organizonin një pritje formale, Blair-ët shtruan një darkë të ngrohtë familjare me katër fëmijët e tyre, bashkë me Leon e vogël, që ishte vetëm 14 muajsh.

Aty nga mesi i darkës, u hap tema e dënimit me vdekje. Cherie e bëri të qartë se nuk ishte dakord me pozicionin tim. Tony u vu pak në siklet. Unë dëgjova pikëpamjet e saj dhe pastaj mbrojta të miat. I thashë se besoja që dënimi me vdekje, kur përdorej si duhej, mund të shpëtonte jetë njerëzish duke penguar krimin. Një avokate e talentuar të cilën me kalimin e kohës e respektova gjithnjë e më shumë, Cherie kundërshtoi argumentat e mi. Në një moment, Laura dhe unë dëgjuam Euanin, djalin 17-vjeçar të Blair-ëve që tha: "give the man a break, mother" (Lëre rehat zotërinë, mama).

Sa më shumë kohë që kalonim bashkë, aq më shumë e respektoja Tony-n. Me kalimin e viteve, ai u bë partneri im më i ngushtë dhe miku më i mirë në skenën ndërkombëtare. Ai erdhi në SHBA për takime më shumë se tridhjetë herë gjatë presidencës sime. Laura dhe unë e vizituam në Irlandën e Veriut, në Skoci dhe në Londër. Në nëntor 2003, Tony dhe Cherie na ftuan në shtëpinë e tyre në Trimdon Colliery, një zonë e vjetër minerare në fshat. Na shërbyen nga një filxhan çaj në shtëpinë viktoriane me tulla të kuqe dhe më pas shkuam në një pub në qytet, Dun Cow Inn. Hëngrëm peshk dhe patate të skuqura me bizele me lëng, të cilat i shoqërova me një Bitburger pa alkool. Pas dreke, ndaluam në një shkollë aty pranë dhe ndoqëm një stërvitje futbolli. Njerëzit ishin të mirë dhe mikpritës, përveç atij protestuesit që mbante një tabelë ku shkruhej: "Mad Cowboy Desease" (Sëmundja e kaubojit të marrë).

Tony kishte një të qeshur të shpejtë dhe një mendje të mprehtë. Pas takimit tonë të parë, një gazetar britanik më pyeti se çfarë kishim të përbashkët. Unë ia ktheva: "Të dy përdorim pastë dhëmbësh Colgate". Tony u hodh menjëherë: "George, këta do të vrasin mendjen se ku e dije ti". Kur mbajti një fjalim përpara senatorëve dhe kongresmenëve në 2003, Tony përmendi luftën e 1812, kur trupat britanike dogjën Shtëpinë e Bardhë. "E di që është pak si vonë", tha ai, "por... më vjen keq".

Ndryshe nga shumë politikanë, Tony ishte një mendimtar strategjik i cili mund të shihte përtej horizontit të afërt. Siç do ta mësoja më vonë, ne të dy ishim dy shpirtra që besonim në fuqinë transformuese që ka liria. Në javët e fundit të presidencës sime, isha krenar që e bëra një nga të paktët udhëheqës të huaj që merrte Medaljen Presidenciale të Lirisë.

Mbi të gjitha, Tony Blair kishte kurajë. Asnjë çështje nuk e demonstronte më qartë këtë sesa Iraku. Ashtu si unë, Tony e konsideronte Sadamin një rrezik që bota nuk mund ta toleronte pas 11 shtatorit. Britanikët ishin shënjestër e ekstremistëve. Ata kishin informacione të zgjeruara zbulimi mbi Sadamin. Dhe ata e kuptonin rrezikun që paraqiste ai. Sadami godiste edhe pilotët e tyre. Nëse duhej të largonim Sadamin nga pushteti, Tony dhe unë kishim një detyrim që të zëvendësonim tiraninë e Sadamit me demokraci. Transformimi do të kishte impakt përtej kufijve të Irakut. Lindja e Mesme ishte qendra e një lufte ideologjike globale. Nga njëra anë ishin njerëz të mirë që donin të jetonin në dinjitet dhe paqe. Nga ana tjetër ishin ekstremistë që kërkonin të impononin pikëpamjet e tyre radikale përmes dhunës dhe kanosjes. Ata shfrytëzonin gjendjen e pashpresë dhe represionin për të rekrutuar dhe përhapur ideologjinë e tyre. Mënyra më e mirë për të mbrojtur vendet tanë në pikëpamje afatgjatë ishte që t'i kundërviheshim vizionit të tyre të errët, me një alternativë më shtrënguese.

Alternativa ishte liria. Njerëzit që do të mund të zgjidhnin udhëheqësit e tyre në kutinë e votimit, do të ishin më pak të prirur të shkonin drejt dhunës. Të rinj të rritur me shpresë për të ardhmen nuk do të kërkonin kuptim tek ideologjia e terrorit. Sapo liria të hidhte rrënjë në një shoqëri, ajo do të mund të përhapej tek të tjerat. Në prill 2002, Tony dhe Cherie vizituan Laurën dhe mua në Crawford. Tony dhe unë folëm për diplomacinë imponuese si një mënyrë për të adresuar rrezikun e Irakut. Tony sugjeroi të kërkojmë një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB, e cila i paraqiste një ultimatum të qartë Sadamit: lejo inspektorët e armëve të rikthehen në Irak ose do të kesh pasoja të rënda. Unë nuk kisha shumë besim tek OKB. Këshilli i Sigurimit kishte miratuar 16 rezolta kundër Sadamit, por më kot. Por rashë dakord ta mendoja idenë e tij.

Problemin e Irakut e ngrita me udhëheqës të tjerë botërorë gjatë gjithë 2002. Shumë prej tyre ndanin vlerësimin që unë kisha për rrezikun, përfshirë John Howardin e Australisë, Jose Maria Aznarin e Spanjës, Koizumin e Japonisë, Belkenenden e Holandës, Rasmussesin e Danimarkës, Kwasniewskin e Polonisë dhe shumë udhëheqës të tjerë në Europën Qendrore dhe Lindore. Zbulova që disa prej mbrojtësve më të fortë të konfrontimit me Sadamin ishin ata me kujtesë më të freskët të tiranisë. "Në fundin e viteve tridhjetë, demokracitë Perëndimore hezituan përpara rrezikut", më tha Kryeministri i Estonisë, Siim Kallas. "Si pasojë, ne ramë në diktatura dhe shumë njerëz humbën jetën. Ndonjëherë veprimi është i domosdoshëm".

Të tjerë udhëheqës kishin një tjetër këndvështrim. Vladimir Putin nuk e konsideronte rrezik Sadamin. Më dukej se një nga arsyet ishte që Putini nuk donte të rrezikonte kontratat e majme të naftës që kishte Rusia. Edhe Franca kishte goxha interesa ekonomikë në Irak. Nuk u habita kur Jacques Chirac më tha se do të mbështeste inspektimet e armëve, por më kërkoi të bëja kujdes në kanosjen me forcë ushtarake. Problemi me logjikën e tij ishte se pa një kërcënim të besueshëm për përdorim force, diplomacia do të ishte sërish "pa dhëmbë".

Një prej figurave më të vështira për t'u kuptuar ishte Gerhard Schroeder-i i Gjermanisë. E takova Schroeder-in pesë herë në vitin 2001. Ishte i relaksuar, i dashur dhe i interesuar në forcimin e marrëdhënies sonë dypalëshe. E vlerësova lidershipin e tij në çështjen e Afganistanit, sidomos gatishmërinë për të organizuar Loya Jirga-n në Bonn.

Diskutova për Irakun me Gerhard Schroeder-in gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë në 31 janar 2002. Dy ditë më herët, në fjalimin tim drejtuar kombit, kisha nënvizuar rreziqet që paraqisnin Iraku, Irani dhe Korea e Veriut. "Shtete si këta dhe aleatët e tyre terroristë, përbëjnë një bosht të së keqes, që armatosen për të rrezikuar paqen në botë", kisha thënë. Media mbërtheu menjëherë frazën "boshti i së keqes".

Ata e morën këtë fjali dhe e interpretuan sikur të tri shtetet formonin një aleancë. Nuk e kuptuan atë që doja të thoja. Boshti që përmendja unë ishte lidhja mes qeverive që kërkonin të ndërtonin armë të shkatërrimit në masë dhe terroristëve që mund të përdornin ato armë. Në fjalim kishte një temë më të madhe që askujt nuk mund t'i shpëtonte: e kisha seriozisht për Irakun.

Gjatë një takimi të shkurtër në Zyrën Ovale, ku ndodheshin dhe Condi Rice dhe Andy Card, i thashë kancelarit gjerman se isha i vendosur ta bëja diplomacinë të funksiononte. Shpresoja që ai do të ndihmonte. I sigurova gjithashtu që fjalët tona nuk do të ishin boshe. Opsioni ushtarak ishte zgjedhja ime e fundit, por do ta përdorja nëse do të ishte e nevojshme. "Ajo që është e vërtetë për Afganistanin, është e vërtetë edhe për Irakun", tha ai. "Shtetet që mbështesin terrorizmin duhet të përballen me pasoja. Nëse e bën shpejt dhe në mënyrë vendimtare, unë jam me ju".

E mora si një deklaratë mbështetjeje. Por kur erdhën zgjedhjet në Gjermani më vonë atë vit, Schroeder pati një tjetër qëndrim. Ai denoncoi mundësinë e përdorimit të forcës kundër Irakut. Ministri i tij i Drejtësisë tha: "Bushi dëshiron të largojë vëmendjen nga problemet e brendshëm politike... Edhe Hitleri e bëri këtë". Isha i tronditur dhe i zemëruar. E vështirë të gjeja diçka më fyese sesa të më krahasonte me Hitlerin, një zyrtar gjerman. Vazhdova të punoj me Gerhard Schroeder-in në fusha të interesit të ndërsjellë. Por si një njeri që e vlerësonte shumë diplomacinë personale, unë i vija shumë peshë besimit. Po ky besim shkelej, ishte e vështirë të kisha një marrëdhënie konstruktive.

Dy muaj pas 11 shtatorit i kërkova Don Rumsfeldit që të rishikonte planet ekzistues për luftën në Irak. Duhej të zhvillonim gjysmën imponuese të diplomacisë imponuese. Don ngarkoi gjeneralin Tommy Franks me axhornimin e planeve. Pak pas Krishtlindjeve 2001, Tommy erdhi në Crawford për të më informuar në lidhje me Irakun. Plani kërkonte një grumbullim dhe përgatitje gjashtëmujore dhe 400 mijë trupa. Në mendje kishim pikësëpari përvojën në Afganistan. Falë teknologjisë së re dhe risive në planifikim, kishim shkatërruar talebanët dhe mbyllur kampet e al-Kaedës duke përdorur shumë më pak trupa. Nga populli afgan ne nuk shiheshim si pushtues.

Tommy i tha ekipit të Sigurisë Kombëtare se po punonte për të zbatuar të njëjtin koncept të një zbarkimi të lehtë në Irak. Ai parashikonte një pushtim të shpejtë nga Kuvaiti në jug, Arabisë Saudite dhe Jordanisë në perëndim, dhe Turqisë në veri. "Nëse kemi Forca të Operacioneve Speciale me përgatitje të lartë që identifikojnë shënjestra për armë me precizion të lartë, do të kemi nevojë për më pak forca në terren", tha ai. "Është një mësim i rëndësishëm që e nxorrëm në Afganistan".

Kisha shumë shqetësime. Doja të dija sa shpejt mund të lëviznin trupat tona dhe çfarë lloj bazash do të na duheshin. Ashtu si në Afganistan, isha i shqetësuar për urinë e popullsisë lokale dhe pyeta çfarë mund të bënim për të mbrojtur jetë të pafajshmish. Shqetësohesha se mos Sadami do të sabotonte burimet e naftës apo lëshonte raketa kundër Izraelit. Frika më e madhe ishte se mos ai përdorte armë biologjike apo kimike kundër trupave tona, aleatëve tanë apo civilëve irakenë. I kërkova ekipit të vazhdonte të përpunonte planin. "Duhet të mbetemi optimistë se diplomacia dhe trysnia ndërkombëtare do të kenë sukses në çarmatosjen e regjimit", thashë në fund të mbledhjes. "Por nuk mund të lejojmë që armët e shkatërrimit në masë të bien në duar të terroristëve. Këtë nuk do ta lejoj të ndodhë".

Në periudhën mes dhjetorit 2001 dhe gushtit 2002, fola dhjetra herë me Tommy-n. Plani po përmirësohej, por nuk isha i kënaqur. Doja të sigurohesha që kishin menduar të gjithë rastësitë e mundshme. I bëra Don-it dhe Tomm-it shumë pyetje që fillonin me "Po sikur Sadami të vendosë të...?" Një skenar që e përmendja shpesh ishte ai në të cilin Sadami konsolidonte forcat e tij në Bagdad dhe angazhonte trupat tona në luftime të përgjakshme në rrugë. Kujtoja betejën në Somali në vitin 1993 dhe nuk doja ta shihja të përsëritej në Irak. Tommy dhe ekipi i tij nuk i kishin të gjithë përgjigjet të gatshme dhe nuk prisja që t'i kishin. Por ata po punonin shumë për ta përpunuar planin dhe çdo herë që ma sillnin, ishte një përmirësim i një versioni të mëhershëm.

Plani i përditësuar që Tommy paraqiti në Sallën e Komandës në 5 gusht 2002 zgjidhte shumë shqetësime kyçe. Kishim siguruar bazat dhe lejet e fluturimit nga udhëheqësit në gji. Tommy kishte hartuar një plan që Forcat Speciale të siguronin vendet ku dyshohej se kishte armë të shkatërrimit në masë, puset e naftës në jug të Irakut, si dhe lëshuesit e raketave Scud. Ai kishte hartuar dhe një plan bombardimi masiv gjë që do ua bënte të kushtueshëm Forcave të Gardës Republikane të Sadamit qëndrimin në kryeqytet, gjë që reduktonte shumë shanset e skenarit të shndërrimit të Bagdadit në një fortesë. "Zoti President", tha Tommy me theksin e tij tipik teksan, "do të jetë godit dhe shkatërro".

Kishte shumë probleme që mbeteshin pa zgjidhur. Të gjithë shqetësoheshim për mundësinë që Sadami të kryente një sulm biologjik apo kimik, kështu që ushtria ishte në procesin e prokurimit të kostumeve "hazmat". Kishim rritur gradualisht nivelin e trupave dhe pajisjeve në Kuvait nën maskimin e stërvitjeve dhe ushtrimeve të tjerë rutinë, gjë që do të bënte të mundur nisjen e shpejtë të operacioneve të luftimti nëse unë jepja urdhër.

Shefi i Shtabit, Dick Myers, theksonte rëndësinë e bindjes së Turqisë për të hapur territorin e saj, me qëllim që të krijonim një front verior. George Tenet ngriti shqetësimin për një luftë më të gjerë rajonale në të cilën Siria sulmonte Izraelin apo ku Irani udhëzonte Hezbollahun që të shkaktonte destabilitet. Don Rumsfeld tha se një luftë e mundshme mund të destabilizonte Jordaninë apo Arabinë Saudite, që Amerika mund të ngecte në një kërkim masiv për Sadamin apo që pas çlirimit Iraku mund të ndahej.

Këta skenarë të mundshëm ishin kthjellues. Por, po të tilla ishin edhe informacionet që na vinin. Në një raport të korrikut thuhej se, "Iraku ka arritur të ruajë dhe në disa raste edhe të rrisë infrastrukturën dhe ekspertizën e nevojshme për prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë". Një tjetër raport paralajmëronte se regjimi i Sadamit, "pothuajse me siguri po punonte për të prodhuar agjentin që krijon antraksin bashkë me botulinum toksin, aflatoksin dhe ricin". Më tej, raporti vazhdonte: "Mjetet ajrorë pa pilot i japin Bagdadit një mjet më vdekjeprurës për të lëshuar armë biologjike". Vazhdimi ishte edhe më ogurzi. "Përvoja tregon që Sadam Huseini i prodhon armët e shkatërrimit në masë për t'i përdorur dhe jo thjesht për të kërcënuar".

Në verën e vitit 2002, mësova një lajm alarmues. Abu Musab al-Zarqawi, një terrorist i lidhur me al-Kaedën që kish eksperimentuar me armë biologjike në Afganistan, po punonte në një laborator në verilindje të Irakut. "Impiante të dyshuar në këtë zonë mund të jenë duke prodhuar helme dhe toksinë për përdorim nga terroristët", thuhej në raport. "Al-Zarkawi është një terrorist aktiv që ka vënë në shënjestër interesat e SHBA dhe Izraelit: të dhëna sensitive nga një burim i klasifikuar tregojnë se, Al Zarqawi ku ka udhëhequr përpjekjet për të futur fshehtas një material kimik të paspecifikuar, me origjinë Irakun verior dhe destinacion SHBA".

Nuk mund të themi me siguri, nëse Sadami e dinte që Zarqawi ishte në Irak. Kishim të dhëna të Shërbimit të Fshehtë që tregonin se Zarqawi kishte kaluar dy muaj në Bagdad, ku kish marrë trajtim mjekësor dhe që pjesëtarë të tjerë të Al-Kaedës kishin ardhur në Irak. CIA kish punuar me një shërbim zbulimi arab për të detyruar Sadamin të ekstradonte Zarqawin. Ai kish refuzuar.

Pyetja ishte nëse duhej të bombardohej laboratori i helmeve në verën e 2002. Për këtë temë zhvilluam disa mbledhje të Këshillit për Sigurinë Kombëtare. Gjenerali Dick Myers parashtroi opsionet: raketa tomahawk, një sulm me avionë B-2, apo një sulm nga terreni. Dick Cheney dhe Don e shihnin Zarqawin si një rrezik të qartë dhe argumentuan se heqja qafe e tij do të forconte doktrinën që Amerika nuk do të toleronte streha të sigurta për terroristët. Colin dhe Condi thanë se, një sulm ndaj laboratorit do të shkaktonte një stuhi ndërkombëtare dhe pengonte përpjekjet tona për të ndërtuar një koalicion kundër Sadamit - sidomos përpjekjen tonë për të rekrutuar Turqinë, e cila ishte shumë e ndjeshme për çdo lloj veprimtarie në veri të Irakut. "Do të shihet si një fillim i njëanshëm i luftës në Irak", tha Colin.

Përballesha me një dilemë. Nëse Amerika goditej nga një sulm biologjik prej Irakut, do të isha përgjegjës, sepse nuk kisha eliminuar rrezikun kur e kishim shansin. Nga ana tjetër, bombardimi i kampit do të dëmtonte diplomacinë dhe shkaktonte një konflikt ushtarak.

I kërkova komunitetit të inteligjencës që të mbikqyrte nga afër impiantin. Për momentin, vendosa të vazhdoja në shinat e diplomacisë. Por një gjë e kisha të qartë: Iraku ishte një rrezik serioz që bëhej më i rrezikshëm me çdo ditë që kalonte. Pjesën më të madhe të gushtit 2002 e kalova në Crawford, një vend i mirë për të refletuar për vendimin tjetër që duhej të merrja: si të ecja përpara në rrugën e diplomacisë. Një opsion ishte të kërkoja një rezolutë të OKB, ku i bëhej thirrje Sadamit që të ripranonte inspektorët. Tjetri ishte të nxirrej një ultimatum ku kërkohej që ai të çarmatosej - dhe të bëhej bashkë një koalicion për ta larguar nëse ai nuk bindej. Nga këndvështrimi ligjor, një rezulutë nuk ishte e nevojshme. Tre vite më herët, Presidenti Clinton dhe aleatët tanë të NATO kishin larguar diktatorin Sllobodan Milosheviç nga pushteti në Serbi pa një rezolutë të OKB. Dick dhe Don, argumentuan se nuk kishim nevojë për një të tillë edhe në rastin e Irakut. Në fund të fundit, kishim tashmë 16 të tilla. Ata besonin se po të shkonim në OKB do të nisnim një proces të gjatë burokratik, që do ta bënte Sadamin edhe më të rrezikshëm.

Unë e ndaja këtë shqetësim. Nga ana tjetër, pothuajse çdo aleat që u konsultova - edhe avoketër të vendosur të konfrontimit me Sadamin si Kryeministri John Howard i Australisë - më thanë se një rezolutë e OKB ishte shumë e nevojshme për të fituar mbështetjen e publikut në vendet e tyre. Colin ishte dakord. Një ditë para se të largohesha nga Crawford, i kërkova ta takoja privatisht. Colin ishte më i zjarrtë nga sa kish qenë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ai më tha se, një rezolutë e OKB ishte e vetmja mënyrë për të siguruar mbështetje nga pjesa tjetër e botës. Më tej, tha se nëse largonim Sadamin, sulmi ushtarak do të ishte pjesa më e lehtë. Pas kësaj, siç e tha Colin, Amerika do të "zotëronte" Irakun. Do të ishim përgjegjës për të ndihmuar në rindërtim një vend të ndarë. E dëgjova me kujdes dhe ndava shqetësimin e tij. Ishte një tjetër arsye përse shpresoja që diplomacia do të funksiononte. Atë verë, mundësia e luftës ishte shndërruar në lajmin e gjithë kohës në Uashington. Gazetarët më pyesnin shpesh nëse kisha një plan lufte mbi tryezën time.

Në 15 gusht hapa "The Wall Street Journal" dhe pashë aty një koment nga Brent Scowcroft, i cili kish qenë këshilltar i Sigurisë Kombëtare i tim eti. Titulli ishte: "Mos sulmoni Sadamin". Brent argumentonte se, lufta me Irakun do të largonte vëmendjen nga lufta kundër terrorizmit dhe mund të shkaktonte një "Armageddon në Lindjen e Mesme". Konkluzioni i tij ishte që ne "duhej të shtyjmë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që të këmbëngulte për një regjim inspektimesh pa paralajmërim për Irakun". Ishte një rekomandim i drejtë. Por, isha i zemëruar që Brent kish zgjedhur ta botonte këshillën e tij në një gazetë në vend që ta ndante me mua. I telefonova tim eti. "Bir, Brent është një mik", më siguroi ai. Mund të jetë e vërtetë. Por unë e dija, që më vonë kritikët do ta shfrytëzonin artikullin e Brent, nëse diplomacia do të dështonte. Disa në Uashington spekuluan se editoriali i Brent ishte mënyra e tim eti për të më dërguar mua një mesazh mbi Irakun. Ishte qesharake. Nga të gjithë, im atë e kuptonte më mirë situatën. Nëse ai do të mendonte se nuk po e menaxhoja si duhej, sigurisht që do të ma kish thënë vetë. Të shtunën, në 7 shtator 2002 organizova një mbledhje të ekipit të Sigurisë Kombëtare në Camp David për të finalizuar vendimin tim mbi rezolutën. Pesëdhjetë e një javë më herët, ne kishim qenë mbledhur në Laurel Lodge për të planifikuar luftën në Afganistan. Tani ishim ulur në të njëjtën sallë për të gjetur një mënyrë për eliminimin e rrezikut nga Iraku, pa luftë.

I dhashë secilit një shans për të paraqitur argumentat. Dick Cheney rekomandoi që të rishpallim çështjen kundër Sadamit dhe t'i japim atij gjashtëdhjetë ditë që të "pastrohet", dhe më pas ta çarmatosnim me forcë nëse nuk bindej. "Eshtë koha për të vepruar", tha Dick. "Nuk vonohemi dot edhe një vit... Një regjim inspektimesh nuk na e zgjidh problemin". Colin ishte për rezolutën e OKB. "Nëse e çojmë çështjen në OKB do të kemi më shumë aleatë. Nëse jo, do të jetë e vështirë të veprojmë njëanshmërisht. Nuk do të kemi mbështetjen ndërkombëtare që nevojitet për të ekzekutuar planin ushtarak". Pasi dëgjova dhe një herë të fundit opsionet, mora një vendim: Do të kërkonim një rezolutë. "Ka moskuptim në këndvështrimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj Sadamit", thashë, "dhe ne duhet ta qartësojmë. Ose ai do të tregojë që s'ka armë, ose do të ketë luftë".

I thashë ekipit se këtë mesazh do e jepja në një fjalim në Kombet e Bashkuara javën e ardhshme. Do t'i kujtoja OKB se, mosbindja e Sadamit ishte një rrezik për besueshmërinë e institucionit. Ose do të forcoheshin fjalët e Këshillit të Sigurimit, ose OKB do të ekzistonte vetëm si një organ ndërkombëtar i padobishëm si Liga e Kombeve.

Tony Blair erdhi për darkë atë natë në Camp David. U kënaq kur i thashë se, do i kërkoja Këshillit të Sigurimit një rezolutë. "Shumë kundërshtarë urojnë që të tregohemi të njëanshëm - që pastaj të ankohen", tha ai. "Por ti po i nxjerr bllof". Të dy e kuptonim rëndësinë e vendimit. Nëse diplomacia dështonte, mbetej vetëm një opsion. "Nuk dua të shkoj në luftë", i thashë. "Por do ta bëj".

Tony ishte dakord. Pas takimit, i thashë Alastair Cambpellit, një prej këshilltarëve të Tony-t se, "Ky burrë ka 'cojones'". Nuk e di si përkthehej kjo në veshët e rafinuar të 10 Downing Street. Por, për këdo në Teksas, kuptimi ishte i qartë.

No comments: