Friday, October 29, 2010

Zbulohet vendimi, Piramida shembet më 20 shkurt

Tiranë- Projekti për shembjen e Piramidës duket se i ka tejkaluar debatet politiko-mediatike, pro dhe kundër. Vendimi tashmë është marrë: godina në qendër të Tiranës, e ndërtuar si muze për diktatorin Enver Hoxha, i ka ditët e numëruara. Deputetja e PD-së, Mesila Doda zbuloi mbrëmë në emisionin “Ora e Debatit” se Piramida do të shembet në 20-vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës nga qendra e Tiranës. Duke e lidhur datën e shembjes me simbolikën e rrëzimit të bustit të diktatorit, ajo bëri me dije se data 20 shkurt do të jetë dita e shembjes së Piramidës, për të ndërtuar në vend të saj Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë. Ky pohim i deputetes së Partisë Demokratike, Mesila Doda, vjen pas një debati të gjatë në media, që dje zbriti edhe në sallën e Parlamentit për shembjen ose jo të kësaj godine. Kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij shprehu vendosmërinë për shembjen e Piramidës, duke thënë se “nuk bëhet fjalë për ndërtesën, debati është për kultin e njeriut më mizor, diktatorit më mizor në historinë e pasluftës, Enver Hoxha. Ai akuzoi PS-së se po mbron kultin e një diktatori, mbron krimet më monstruoze të Enver Hoxhës, të cilin ai e quajti “Hitleri i fundit, i mbetur në Europë”. “Nuk dua t’ua fshehim juve se mauzoleu i Enverit i ka muajt e numëruar. Në qoftë se demokratët nga e gjithë bota morën dhe qarkulluan në mbarë planetin copëza të Murit të Berlinit, ju ftoj të merrni copëza të mauzoleut të Enverit dhe t’i mbani për gjithë jetën si relikte”, -tha Berisha në Kuvend, duke paralajmëruar kështu shembjen brenda këtyre muajve, por pa përmendur datën 20 shkurt. Pas fjalës së Berishës, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi pohoi se qëndrimi i socialistëve nuk ka të bëjë me Piramidën, por me shpenzimet për këtë projekt. “Ne kërkuam që të bëhet një gjë serioze, të merret një nismë serioze në mbështetje të Kushtetutës dhe të ligjit. Ne kërkuam që të organizohet një konkurs ndërkombëtar. Ju një konkurs të tillë e organizuat para dy vjetësh. Harxhuat goxha euro të këtij populli dhe të këtij vendi, shpallët edhe një projekt fitues të çështjes. E gjithë kjo kushtoi një shumë të caktuar dhe kush përgjigjet për këtë shumë?” -iu drejtua Ruçi Berishës, duke shtuar se ajo godinë nuk është sot as Piramida e Enverit dhe as muzeu i tij, është Qendra Ndërkombëtare e Kulturës me emrin “ Pjetër Arbnori”. “Nuk keni parë anjë reagim pse iu vu kësaj qendre ndërkombëtare emri “Pjetër Arbnori”, plotësisht i merituar. Por ju ju ngacmon shumë edhe emri Pjetër Arbnori, duhet ta fshihni dhe Pjetër Arbnorin, se ju bën hije Pjetër Arbnori”,-tha Ruçi, duke i kërkuar Berishës nga salla e Kuvendit të anulohet vendimi për prishjen e Piramidës. Projekti për shembjen e Piramidës dhe kthimin e saj në Kuvend u pohua pak javë më parë, e më pas kjo çështje është debatuar gjatë në media nga njerëzit e artit dhe të politikës, të cilët kanë shprehur mendimet e tyre pro dhe kundër për këtë vendim të mazhorancës.

No comments: