Friday, October 29, 2010

Si do ishte bota pa “Rolling Stones”?!


Rrëfim jetësor

Ron Wood është një legjendë për shumë arsye. E para është për shkak të bashkëjetesës së tij të gjatë me Keith Richards dhe Mick Jagger te “Rolling Stones”. Arsyeja e dytë, jo më pak e rëndësishme, lidhet me faktin se në ndryshim nga shumë yje të shfaqura në vitet ‘70 në Angli dhe SHBA, Wood u përpoq shumë të ishte një njeri me këmbë në tokë. Nuk ka investuar asgjë për të ndryshuar pamjen e tij të vjetër dhe nuk hoqi dorë së bëri një jetë të shfrenuar. Me pak fjalë, është një ndër të paktët që ndjek akoma rregullin “sex&drugs&rock’n’roll”. “Jo, nuk janë të vërtetë këto që thuhen. Në të vërtetë unë prej shtatë muajsh nuk kam pirë asnjë gllënjkë alkool”, thotë ai. Në të vërtetë betejën e tij me alkoolin Wood nuk e ka fituar kurrë. Është shtruar në klinika rehabilitimi plot shtatë herë në shtatë vitet e fundit. Madje vitin e kaluar u arrestua pas një episodi dhune që çoi në prishjen e lidhjes dhe ndarjen nga shoqja e tij Ekaterina Ivanova. Pikërisht kjo e fundit pati deklaruar se Wood pinte më shumë se një litër alkool në ditë dhe më shumë se 50 cigare, madje merrte edhe kokainë. “Nuk jam shenjtor, nuk kam pretenduar kurrë se jam i tillë. Por di edhe që nuk mund të eci përpara kështu. Sigurisht që këta muaj pa alkool kam qenë shumë i lumtur, ndaj dua të vazhdoj në këtë mënyrë. Sigurisht që jam një njeri më i mirë kur nuk pi, sepse e kam kuptuar që me pijen nuk mund të ndryshoj për mirë, vetëm sa mund t’i përkeqësoj gjërat”. Nëntë vjet pas albumit të tij fundit, Wood do të nxjerrë një tjetër album si solist nën titullin “I feel Like playing”. I shtati dhe padyshim një ndër më të mirët në karrierën e tij muzikore. Përkrah vetes do të ketë shumë yje: nga Slash te Flea i “Red Hot Chilly Pepers”, nga miku i vjetër Ian McLagan tek Ivan Neville, nga Eddie Vedder te Pearl Jam, Kris Kristofferson e shumë të tjerë akoma.

Zoti Wood, nëntë vjet janë shumë. Me çfarë jeni marrë për kaq shumë vjet me radhë?

Sigurisht me “Rolling Stones”. Kemi punuar kaq shumë së bashku, saqë edhe kur kisha pak kohë të lirë, nuk kisha më energji dhe dëshirë për të shkuar në studiot e regjistrimit, ose në ndonjë turne, i vetëm. Por edhe piktura ka luajtur një rol të rëndësishëm, sepse më përfshiu komplet dhe më mori edhe atë pak kohë të lirë që kisha. Dy vjet më parë, teksa ndodhesha në Los Angelos, më telefonoi Steve Bing, producenti i filmit për “Rolling Stones”, “Shine a light”, dhe më tha: “Do më pëlqente të të dëgjoja teksa luan në kitarë. Eja te studioja ime në ‘House of Blues’. Aty do të takosh Jim Keltner dhe Ivan Neville. Mund të bëni diçka të bukur së bashku”. Ashtu bëra. Shkova ta takoja dhe si pa e kuptuar se çfarë po ndodhte, u gjenda me një disk të përfunduar në dorë.

Megjithatë, mes këtyre miqve nuk ka asnjë të “Rolling Stones”?

Kështu ndodhi, nuk ishte zgjedhja ime. Charlie Watts ishte i zënë me bandën e tij të xhazit, Keith po xhironte një film me piratë, Mick Jagger ishte në Francë, apo në Karaibe, nuk më kujtohet mirë. Por me ata shkoj gjithmonë shumë mirë, janë pak a shumë si familja ime. Ndoshta ngaqë po jetoj një lloj lirie të re në jetën time private dhe albumi pa shokët e “Rolling Stones” erdhi në momentin e duhur.

Do të dëshironit të kishit më shumë hapësirë si autorë tekstesh të “Rolling Stones”?

Do të isha i çmendur po të thosha jo. Por në fund të fundit, nuk më ka ecur edhe aq keq, duke menduar se sa e fortë është dyshja Jagger-Richards. Në repertorin e gjithë grupit gjenden me dhjetëra këngë të miat. Mendoj se gjërat mund të ecin edhe më mirë dhe unë jam gati të ofroj ndihmën time në çdo lloj momenti.

Është një album që do ta cilësonit autobiografik?

Po, pse jo. Flas për veten, për jetën e re që fillova tani, edhe pse në moshën 63-vjeçare. Ashtu siç them në një këngë, unë e ndiej veten një “lucky man”, një njeri vërtet me shumë fat. Kjo shihet apo jo. Edhe pse në këtë moshë nuk kam asnjë thinjë në flokë.

Po bashkëpunimi me “Stones”?

Do të zgjasë deri sa të mundemi. Do ecim përpara deri sa të kemi akoma njerëz që e pëlqejnë muzikën tonë. Ne nuk do të plakemi kurrë.

Si ka qenë muzika që keni bërë dikur nën efektin e alkoolit dhe drogës? E mirë apo e keqe?

Shpesh ka qenë vërtet shumë e mirë. Kokaina më bënte që ndonjëherë të më vinin ide që në kushte normale do të ishte e pamundur t’i kishe. Por edhe pse mund të flas për “efektet” e saj pozitive mbi muzikën time, dua t’u jap një këshillë të gjithëve: të heqin dorë sa nuk është ende vonë.

Cilat janë albumet tuaj të preferuar nga “Rolling Stones”?

“Beggars Banquet”, “Exile on Main Steet” etj.

Keni në shtëpi ndonjë Ipod, duke qenë se i përkisni një brezi tjetër?

Kjo nuk ka lidhje me brezin. Sigurisht që e kam një të tillë, ku kam regjistruar më shumë se 5000 këngë. Kam gjithçka aty. Nga Mozart tek Amy Winehouse. Pikërisht kjo është e mira e këtyre mjeteve të reja teknologjike, sepse mund të dëgjosh atë që ke ti dëshirë, jo atë që duan të tjerët.

No comments: