Friday, October 29, 2010

Pasaportat, në kufi të dyja të vlefshme

SARANDE- Deri në ditën kur në kufi do të kërkohet vetëm pasaporta biometrike, në pikëkalimet kufitare udhëtohet duke dorëzuar në sportelet e shërbimit policor të dyja pasaportat. Kjo praktikë është ndjekur këto kohë në terminalin e portit detar të Sarandës.

Shtimi i dukshëm i numrit të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta biometrike, është një realitet që vihet re edhe në pikat e kalimit kufitar të Qafëbotës dhe në terminalin e portit detar të Sarandës.

Sipas Alda Krashnicës, shefe e stacionit policor në portin e Sarandës, janë të pranueshme si pasaporta e vjetër kur në të ka një vizë të paskaduar edhe e reja, nëse qytetari e ka atë. Ajo sqaron se pasaporta biometrike nuk vlen më vete, por e bashkëshoqëruar me pasaportën ekzistuese. Znj.Krashnica tha se “megjithëse pasaporta e vjetër pas pajisjes me të re, bëhet e pavlefshme, tek ajo ka vlefshmëri viza e marrë, leja e qëndrimit dhe fotografia e mbajtësit.

Gjatë marrjes së vulës në sportelin e terminalit të portit detar, shihet se qytetarëve u jepet vula e kalimit në dy raste. Kur viza është marrë në pasaportën biometrike, nuk është nevoja për dy pasaporta, por kur viza gjendet në pasaportën e vjetër të nxjerrë jashtë përdorimit nga autoritetet policore, ajo duhet shoqëruar edhe me pasaportën e re.

Mësohet se praktika e përdorimit të të dy pasaportave në shumë raste do të vijojë të ndiqet deri në ditën kur në kufi do të kërkohet vetëm pasaporta biometrike, kur do të mundësohet udhëtimi pa vizë në zonën shengen. A.B.

No comments: