Thursday, October 21, 2010

Mandati i deputetit Beqja në Gjykatën Kushtetuese

Tiranë (16:10)– Mandati i deputetit socialist, Ilir Beqja, do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.
Kuvendi vendosi sot me 70 vota pro dhe 67 kundër, për dërgimin e çështjes në Kushtetuese, e cila do të sqarojë nëse ka shkelje të ligjit.

Seanca parlamentare u shoqërua me debate të ashpra për sa i përket mënyrës së votimit për raportet e propozuara nga të dyja palët.

Deputeti socialist, Namik Dokle, kërkoi votim të fshehtë, por kryeparlamentarja Topalli e hodhi çështjen në votim elektronik dhe të hapur.

Me këtë vendim i kërkohet zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese të gjykojë nëse deputeti Beqja ka shkelur Kushtetutën e vendit kur ka marrë pjesë në një tender publik në Bashkinë e Durrësit, ndërkohë që ishte mandatuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Pretendimi i Beqajt është se në atë kohë nuk ishte betuar në Kuvend dhe kjo ishte arsyeja sipas tij që kishte marrë pjesë në atë tender, duke përfituar mbi 200 milion lekë.


Beqja në Kuvend: Nuk kam shkelur Kushtetutën

Tiranë (15:44)– Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, duke folur në Kuvend për çështjen e mandatit të vet, tha se kryeministri ka dështuar dhe këtu bëri lidhjen me akuzat e ngritura ndaj tij.

Ai u shpreh edhe një herë se nuk e kishte shkelur Kushtetutën e vendit. "Unë jam në politikë për Shqipërinë e të gjithëve. Nuk e kam shkelur betimin e bërë si deputet", tha Beqja.

Në seancë po zhvillohet debati rreth dërgimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese për mandatin e deputetit socialist.

Ndërkohë, kryeministri Berisha akuzoi deputetin e opozitës se në kohën që ai zhvillonte konferenca shtypi, kompania e tij fitonte tendera. Kreu i qeverisë tha se biznesi i tij nuk është diskriminuar për qëllime politike, duke i kërkuar atij që të mos hedhë baltë në këtë sistem. /S.Lleshi/

No comments: