Monday, October 18, 2010

Linda Bashën, si e kam njohur

Henri Çili

Një lumë thirrjesh dynden në telefonin tim mëngjesin e së shtunës lidhur me lajmin që Linda Basha, gruaja e re e Edi Ramës, ishte lektore e Universitetit Europian të Tiranës. Të gjithë kërkonin të dhëna dhe fotografi të saj. Nuk kishte për bé asnjë të tillë. Ja, pra, cilësia e parë e Linda Bashës, personazhit më të njohur të kronikës së ditës: diskrecioni.

Media thuajse nuk kishte as edhe një fotografi të saj, thuajse nuk kishte asnjë bio apo story të saj, edhe pse në mjediset mediatike dhe politike të Tiranës kishte javë, muaj dhe ndoshta vite që përflitej për këtë lidhje dhe për shanset që ajo të përfundonte në martesë.

Profesoresha e ekonomisë, administratorja e lartë e administratës publike dhe aktivistja e shoqërisë civile, nga e shtuna nis një jetë të re, duke u vendosur në qendër të vëmendjes si bashkëshortja e liderit të opozitës shqiptare. Ajo vjen në krah të Edi Ramës, në një moment që ka më shumë se një specifikë. Vjen në krah të Edi Ramës, në kushtet kur Rama ka konsumuar martesa apo lidhje të mëparshme shumë e shumë të diskutuara në vëmendjen e opinionit publik. Linda Basha nga ana e saj ka konsumuar një martesë dhe vjen në krah të Edi Ramës para një momenti politik thelbësor për këtë të fundit: përpara një prove të madhe në karrierën e tij politike së cilës tashmë i hyn me një partnere zyrtare përkrah, një partnere që e kompleton në të gjitha drejtimet.

Ndërsa duhet respektuar deri në fund privacia, e drejta e dy qytetarëve të Republikës për të zgjedhur lirshëm një lidhje apo një martesë, nuk mund të thuhet se kjo martesë nuk do të ketë pasoja në jetën politike.

Dihet sot se martesa, bashkëshortësia në politikë është jo thjesht një akt në komunikimin politik, por edhe i jep rol përmbajtësor jetës së përditshme, sidomos jetës së një politikani. Pikërisht këtu Linda Basha ka se çfarë të japë realisht në personalitetin dhe veprimin e nesërm politik të Edi Ramës.

Duke e njohur Linda Bashën, prej vitesh gjatë pranisë në bordin e fondacionit “Soros” si dhe gjatë mësimdhënies në Universitetin Europian të Tiranës, me bindje të plotë them se në krah të Edi Ramës, përveçse një bashkëshorte dhe partnere, është tashmë edhe një prej këshilltareve dhe eksperteve më të mira, që Rama mund të kishte. Profesioniste, me karakter të fortë, racionale deri në fund dhe një person me vendimmarrje dhe lidership të brendshëm, Lindita Basha ka, megjithatë, diskrecionin e duhur për të mbajtur një pozicion dinjitoz në jetën publike, përkrah një politikani të fuqishëm.

Diskrecioni dhe kompetenca e bëjnë dhe me siguri do ta bëjnë lidhjen e tyre një partneritet real shumëplanësh, jo thjesht një akt privat, jo thjesht një lidhje mes një burri dhe një gruaje, por shumë më tepër: një solidaritet dy njerëzish që kanë vendosur të ndajnë bashkë pjesën e mbetur të jetës.

Urime për martesën, një kolegeje që e kam njohur veçse si një njeri të aftë dhe diskret!

No comments: