Friday, September 3, 2010

Shqipëria në prag të heqjes së vizave

Deputetë të Parlamentit Europian mendojnë se Shqipëria dhe Bosnja i kanë plotësuar kushtet teknike për heqjen e vizave të udhëtimit për në hapësirën Shengen.

Sipas tyre ka ardhur koha që edhe Kosova të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave.

Shqipëria dhe Bosnja duket se i kanë plotësuar mirë dhe shpejt edhe detyrat e fundit që ekspertët e Komsionit Europian kishin identifikuar 3 muaj më parë si pengesa të fundit për t’i hapur rrugën vendimit politik të Bashkimit Europian për heqjen e vizave.

Eurodeputetja sllovene, Tania Fajon është shprehur të enjten se Shqipëria ka shënuar hapa të mira për sa i përket masave të riintegrimit.

Fjala është për regjistrimin, sistemimin e banimit, punësimin e atyre që kapen si të parregullt në hapësirën e BE dhe kthehen në Shqipëri në bazë të marrëveshjes së ripranimit.

Edhe për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, autoritetet shqiptare kan bërë progres të mirë—është shprehur Fajon.

Lidhur me luftën kundër korrupsionit, e konsideruar si thembra e Akilit për integrimin e Shqipërisë, eurodeputetët mendojnë se përpjekjet janë intensifikuar.

Si një hap pozitiv në këtë drejtim shihet fillimi i zbatimit të ligjit antimafia me sekuestrimin e disa pasurive gjatë muajve të fundit

Autoritetet shqiptare i kanë mirëpritur opinionet e shprehura në komisionin për punët e brendshme të Parlamentit Europian ditën e enjte, njofton korrespondenti i BBC-së.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Ralf Gjoni u shpreh se liberalizimi i vizave është tashmë një realitet, por autoritetet në Tiranë janë të vetëdijshëm që hapi tjetër mbetet ai i hapjes së negociatave për statusin e vendit kandidat për në BE.

Raporti përfundimtar i ekspertëve të Komisionit Europian është parashikuar të paraqitet brenda muajit shtator dhe pritet që të jetë pozitiv si për Shqipërinë ashtu edhe për Bosnjën.

Gjasat janë që, ashtu si një vit më parë për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, heqja e vizave të zbatohet nga fundi i muajit dhjetor.

No comments: