Friday, September 17, 2010

Secili vdekjen e vet


Ajo që aktori i filmave tanë i bëri vetes duke e vrarë me çifte, na ka
pikëlluar e dëshpëruar pa masë të gjithëve; sa mua që s'kam parë deri
më sot asnjë film shqiptar, po aq edhe ata që për shfaqjen e atyre
filmave paguajnë, si dhe mijëra të tjerët që gdhihen e ngrysen mbi
televizor duke parë lëveret artistike me partizanë trima, gjermanë
frikacakë, italianë qesharakë, diversanta budallenj, dhe natyrisht të
gjithndodhurit sigurimista syshkabë e inteligjentë sa s'thuhet.
Kjo vet-vdekje e kobshme që erdhi kaq papritur e dikujt që ishte jo
vetëm aktor por edhe dëshmitar i fëlliqësirave filmike-teatrore nga më
të pështirat e historisë së rruzullit, ishte pra, për të gjithë ne,
një humbje sa e madhe dhe misterioze. Sidomos misterioze. Për një
numër arsyesh, tashmë të mbuluara nga dheu i varrit, njëra më e errët
se tjetra. Le të mundohemi të hedhim sadopak dritë mbi arsyet e kësaj
ndodhie të pazakontë.
Së pari, të bën përshtypje një gjë: Shënimi i lënë nga aktori lidhur
me ngjashmërinë e lakmuar të vdekjes së tij me tjetrën vdekje të
paradokohëve, atë të Bekim Fehmiut. Në fakt, Bekim Fehmiu, sipas
dëshmive të nipit të tij, i dha fund me dashje jetës për një arsye të
vetme; sepse ishte katandisur aq keq me shëndet sa kishte probleme me
pelenat të cilat nuk mund të duronte t'ia ndërronin të tjerët, ose
shkurt, për arsye të asaj që populli ynë e quan "dhjerje nën të". Pra
arsyeja pse aktori shqiptar me famë botërore që luajti në mënyrë
gjeniale Uliks-in në filmin omonim, ai që pas një jete gjeniale
preferoi një vdekje më se njerëzore, është më se e kuptueshme. E
pakuptueshme dhe misterioze ndërkohë, është dhe mbetet, dhe do mbetet,
se si dhe pse aktori ynë që gjithë jetën luajti role plehu pretendoi
vdekje gjeniu ?! Dhe të mendosh se pretendimin për një vdekje të madhe
si të Bekim Fehmiut, aktori ynë që s'pati aspak probleme pelenash, e
la amanet me shkrim, luan mendsh krejt.
Mund të kërcejë përpjetë ndonjëri, apo disa, duke uluritur se nuk
flitet kështu për një të vdekur. Sepse një numër aktorësh të kohës së
shkuar, për t’u shfajësuar, e kanë pohuar me gojën e tyre se me filmat
që kanë luajtur janë tallur, se gjithçka ka qenë propagandë etj. etj.
Këto mund të jenë deridiku edhe të vërteta, por këto dhe të tjera nuk
shfajsojnë askënd përderisa dihet se thertorja nuk ka brenda vetëm
thika dhe hanxharë, por edhe mjete paqësore aspak të mprehta, si për
shembull, trungu i trashë ku vihet koka.
Së pari, aktori ynë nuk vdiq, por vet-vdiq, gjest ky, që e dënojnë
njësoj, si Bibla edhe Kurani. Së dyti, dhe më e rëndësishmja: përtej
Vdekjes, Jetës, Kuranit, Biblës, unë dhe mijëra të tjerë nuk mund t'ia
lejojmë vetes të ndiejmë më tepër keqardhje për një njeri që nëpër
filma luajti me aq zell role kriminelësh të cilët njerëzit tanë i
pushkatuan rrëzë kanaleve, i varën në degë lisash dhe i sëmurën e i
kalbën nëpër burgje dhe internime. Se vërtet mund të jenë të pafundme,
kaltërsitë e Qiellit, mëshira e Zotit, Universi dhe budallallëku
njerëzor, por jo edhe durimi ynë.
Prandaj le t'i lemë dënglat keqardhëse universale dhe të vazhdojmë me
arsyet misterioze.
Dihet se shqiptarët e kanë për zanat t'ia vjedhin jetën njëri-tjetrit.
Rasti tragjik i aktorit tonë, duke pasur parasysh sa thamë më lart për
Bekim Fehmiun, mund të ketë lidhje me një tjetër pretendim të tij; atë
të krijimit të një precedenti të kundërt, përvoje apo trendy të ri, të
paparë e të padëgjuar deri më sot, atë të vjedhjes së vdekjes së
tjetrit. Ky supozim në dukje i sforcuar, e ka një bazë reale nga, me
gjasa, mund të jetë nisur aktori fatkeq. Pa marrë parasysh përgojimin,
lidhur me të cilin ne shqiptarët shquhemi, prishja dhe shprishja aq e
shpeshtë e varreve dhe kockave e më të mëdhenjve të historisë tonë,
është një fakt që dihet. Mes numrit të pafund të shembujve, të
shkruarit e një libri qindrafaqësh për Lasgushin e madh nga një
gjytyrym hendekhedhur, i cili prej Lasgushit nuk di asnjë rresht, a
s'është provë ?! Nga ky këndvështrim, garën tashmë të njohur të
kockalëvizësve të më të mëdhenjve tanë, qëllimi i vetëm i të cilëve
s'është gjë tjetër përpos vjedhja e vdekjes së tjetrit, s'është çudi,
aktori ynë, me gjestin e tij, këtë vjedhje ka tentuar ta
institucionalizojë.
Aktor rolesh me partizanë fytyrëvrenjtur, sythellë e flokëshumë, që
vrasin e presin e ulurasin sa majtas e djathtas me rrotull fëmijë me
yll të kuq në ballë, duke i instruktuar si të bëhen vrasësa sa më të
pabesë dhe spiuna sa më të fëlliqët, s'është çudi edhe tjetra; Gjatë
viteve heroi ynë mund të ketë vënë re ndonjë ngjashmëri mes vetes dhe
ndonjërit prej partizanëve të Mozaikut mbi Muzeun Kombëtar. Ky fakt
mund t'ia ketë rritur përbindshëm bindjen për pavdekshmërinë e vet. Aq
sa, tashmë, kur ai Mozaik shumëfish i mbuluar pa asnjë shpresë
rizbulimi, mund t'i ketë shkaktuar po aq dëshpërim sa bëri... atë që
bëri. Këtu duhet theksuar diçka. Ngjashmëria e flliqsirave të Mozaikut
me persona realë nuk është kurrsesi një trillim i imi. Pak ditë më
parë mora vesh një lemeri dhe shëmti të skëterrshme të
paimagjinueshme: Njëri nga piktorët e Mozaikut, në njërën nga ato të
egërsirat e çmendura me pushkë përpjetë, ka dashur të pavdekësojë,
përpjetë hidhu dhe kurrë mos e beso po deshe, por është absolutisht e
vërtetë, hiç më pak se motrën e vet të vdekur.
Kur u ndërrua sistemi, pas nomenklaturës që duhej të ishin, dhe qenë,
të parët që duhej të zhdukeshin nga skena, fill pas tyre, ata që
domosdoshmërisht duhej largoheshin, si nga skenat e filmave dhe
teatrove, po ashtu dhe nga sytë e publikut, do duhej të ishin ata që
luajtën filma vrroma dhe teatro pocaqira, shkurt, ata që ua shpëlanë
trutë shqiptarëve. Por ç'ndodhi ? Ata jo vetëm që s'u larguan, por u
afruan edhe më tepër, dhe ndërmend s'e kanë të shkulen. Sot e gjithë
ditën, pikërisht ata, ndjekur nga lukunira gazetarësh sahanlëpirës,
nëpër ekrane e gazeta, revista e ceremonira, promovime e dallavere,
vazhdojnë ende ta cilësojnë njëri tjetrin "korife'", "legjendë",
"gjeni" etj. etj. Të ketë qenë vallë gjesti me çifte gjahu i aktorit
tonë një pendesë e vonuar, si të thuash, një ndjesë për rolet e
lëtyrta, shpresë që pas një jete provizore të zezë të gëzonte një
vdekje të pafundme të bardhë ? Një justifikim i tillë mund të bëhet
vetëm nga mëshira. Por as kjo s'qëndron. Sepse, pikërisht ata që në
rrethana të tilla do duhej të ishin më të mëshirshmit, pra miqtë e
tij, po thonë se ai kishte vajtur aq larg sa vetja i dukej Klint
Istvud.
Meqë jemi te miqtë, miqtë të bëjnë hatanë. E di ç'tha njëri prej të
tijve këto ditë ? Tha se mes jetës së fatkeqit tonë dhe asaj të Bekim
Fehmiut ka një paralele ! Sa i poshtër dhe dinak ky mik. Nëse ka jetë
që s'kanë asgjë të përbashkët mes tyre, ato janë pikërisht jetët
paralele. Për arsyen e thjeshtë se paralelet nuk takohen ! Thuam tani
se kush e urren më tepër aktorin e vetëvrarë: miku i tij dinak, i cili
me këto që shkruan në gazetë e vret edhe pas vetëvrasjes, apo unë që
për të me pastërtinë më të madhe po them dy fjalë ?!
Por bëmat qëllimkëqia të mive s'kanë të mbaruar.
Një tjetër mik i tij, në këto ditë zije për të ndjerin, dëshmon tjetër
gjë. Thotë se, ai, heroi ynë, bënte ç'bënte dhe sajonte skenarë. Që
shkruante skenarë s'ka asgjë të keqe. Jo sipas meje, por sipas mikut
të tij, këta skenarë ai ua shpinte të mëdhenjve për firmë. Sipas
mikut, aktori e ka bërë këtë në mënyrë që, para komisioneve, bashkë me
veten, të mëdhenjtë t'i paraqiste si bashkautorë skenari. E ata, s'do
mend, për ta hequr qafe, kanë firmosur. Tani njëra nga të dyja, se
tjetër s'ka; ose miqtë gënjejnë, ose heroi ynë nga të tilla turpe
veten vrau.
Një variant tjetër që ma tha njëri dje është ky: Aktori ynë, me
shpresën e marrë se aktorët e moshuar të Hollivudit, as Bekim Fehmiun
as vdekjen e tij, nuk e njohin, vajti me tjetër shpresë; Se, kur këta
hollivudianë t'i afroheshin fundit, të imitonin atë që luajti filma me
partizanë te Shqipëria e Re, domethënë të vrisnin veten me çifte si
ai. Madje, imagjinata e atij që ma tha këtë, vajti edhe më larg,
fluturoi edhe më. Sipas tij, kjo zilepsje e pashoqe pas Shqipërisë së
Re nuk ndalet aty. Sipas tij, pas precedentit të parë me çifte, të
moshuarit e Beverly Hills-it, do ishin pasionuar aq tepër me këto lloj
vdekjesh alla shqiptarçe, dhe do ishin zilepsur aq shumë mes vedi, sa
do prisnin me ankth për të mësuar; Cilën po priste Elisabet Taylor-i,
atë të, larg qoftë, Tinka Kurtit, apo, Perëndia mos e dhëntë, atë të
Margarita Xhepës, Ben Kingsley, Zoti na ruaj, atë të Robert Ndrenikës,
apo, ngjallu Abas Ali, atë të Reshat Arbanës etj. etj. Pavarësisht se
sa rëndësi ka në hedhjen dritë ndaj së vërtetës, unë këtë që më tha ky
mik, i imi, jo i aktorit, nuk e besoj.
Këtë nuk e besoj, por besoj tjetrën. Atë që një pogradecar serioz
rrëfen; "Ndodhi kështu... kryetari i Bashkisë së Pogradecit... në
vitin 1998 lëvroi një fond të veçantë për ngritjen e një monumenti për
Lasgush Poradecin. U miratua fondi 12 milionë lekë të vjetra. Asokohe
krejt papritur paraqiten dy autorë nga Korça, skulptori... së bashku
me aktorin Llazi Sërbo (për çudi të të gjithëve edhe Sërbo shfaqet si
skulptor, kur të gjithë talentin ia njohin për aktor). Bocetit të
Lasgushit të paraqitur në Bashki iu bë kundërshti e hapur dhe e fortë
nga artistët e rrethit, piktorë e skulptorë që e cilësuan “punë të
dobët”. Megjithatë bashkia hapi fondin dhe u realizua i ashtuquajtur
monument i derdhur në allçi dhe i lyer me varak të verdhë që të jepte
idenë e bronzit. Megjithë kundërshtimet edhe nga qytetarët, monumenti
mbi 2.5 m i lartë u vendos në hollin e Pallatit të Kulturës. Në trup
poetit i ishte ngjitur një gjarpër me gjasë simbolikën e diktaturës që
i ishte qepur mbi xhaketë poetit. Kjo vepër qëndroi aty për disa muaj
dhe një ditë, nuk dihet me urdhër të kujt, u hoq nga holli i sallës së
shfaqjeve e cila u dha me qira...".
Mund të thuash sa të duash, se s'ka jetë njerëzore pa hove mëngjesesh
dhe dëshpërime muzgjesh, se jeta është e dashur dhe e bukur, sepse nuk
dihet kur përfundon, se vetëvrasja është një zgjidhje e përhershme e
cilitdo problem provizor, se të dëshpëruarit më të mëdhenj janë
shakaxhinjtë më të mëdhenj, se nuk ka kuptim t'i japësh fund jetës
tënde kur atë punë nuk e lë kurrë pa e bërë vetë jeta. Dhe për të
gjitha këto, e plot të tjera, nuk ke pse e vret veten edhe sikur të
vuash, bashkë me të zezën e ullirit, duke kaluar nga e purpurta e
Onufrit, edhe të kuqen e gjakut të pushkatimeve dhe burgjeve, të
cilave u bënin hosana filmat. Por më e rëndësishmja është që, me çifte
a me teke, duke llapur a duke shkruar, duke gënjyer a duke vjedhur,
secili të lihet i lirë ta zgjedhi vet vdekjen e vet. Pa marrë parasysh
faktet dhe hamendjet e mësipërme, aktori ynë, këtë e bëri. Ai brenda
ZOO-së tonë, nuk qëlloi ndonjë shtazë tjetër, por veten e vet. Për
këtë meriton një falënderim, dhe një: Ndjes' pastë.

gazeta MAPO, 17 shtator 2010

www.edisonypi.com

No comments: