Sunday, August 8, 2010

Skenderbeu dhe “Duka i Madh” i Perëndimit


TIRANE-Rënia e Konstantinopojës në vitin 1453 dhe fundi tragjik i “basileusit” të fundit të dinastisë së Paleologëve, ishte një nga gjëmat e mëdha që përjetoi Perëndimi në mesin e shekullit XV. Me pushtimin e Konstantinopojës, turqit hapnin “portën” e madhe për të hyrë në thellësi të Evropës, edhe pse në Ballkan, hordhitë e tyre i kishin shkretuar tokat e Greqisë, Maqedonisë, apo Shqipërisë. Ndërkohë që Venediku mendonte veç për aleancat me turqit, për të patur të lirë tregëtinë detare dhe ruajtur sa më shumë zotërimet e saj detare në Peloponez, Greqi, apo në ishujt grekë, kur Skënderbeu dhe Huniadi luftonin trimërisht kundër ushtrive të sulltanit, “Duka i Madh” i Perëndimit, (1396-1467), apo i quajtur ndryshe Philippe-le-Bon, (Filipi i Mirë), i Bourgonjë-s, mendonte për të frenuar vrullin e turqve dhe nismën e një kryqëzate të re. Philippe-le-Bon, duk jo vetëm i Bourgonjë-s, por dhe zot i Hollandës, Luksemburgut, Brabantit apo i Hainot, etj, ishte biri i kalorësit të famshëm Jean de Nevers (i quajtur nga historianët dhe bashkëkohësit e vet Jean-sans-Peur, (“Zhani i pafrikshëm”), i cili ishte dalluar ne luftrat e zhvilluara kundër turqve në vitin 1399. Që më parë, duka Philippe-le-Bon kishte dërguar drejt Orientit, në vëndet e pushtuara nga Sulltani, por dhe në vet perandorinë turke, disa kalorës e besnikë të tij që të mund të informohej rreth situatës së re të krijuar në portat e Perëndimit. Midis tyre ishte kalorësi gaskonas dhe shambellan i tij Bertrand de la Broquière, shambellani tjetër Ghillebert de Lannoy, apo kronisti Mielot, i dërguar nga duka gjer larg në Jeruzalem, i cili na ka lënë dorëshkrimin Traktat nga Toka e Shenjtë (Traité de la Terre Sainte). Kronisti De la Broquière (apo më saktë Labroquère, siç pohon historiani Jean Calmette në librin e tij Dukët e mëdhenj të Bourgonjë-s), nuk e ka shkelur vetë Arbërinë, por e ka anashkaluar atë në veri. Nga Franca, ai zbriti në brigjet e Mesdheut e më pas në Venedik, ku kohë më vonë mori rrugën drejt Danubit, duke kaluar nëpër Serbi, madje duke shkelur dhe një zonë minerare të njohur historikisht jo larg Prishtinës dhe të quajtur Novo Brodo apo Neyeuberge në kohën bizantine, sipas studjuesit Schenfer. Qëllimi i tij ishte të vëzhgonte Orientin dhe gjëndjen e ushtrisë osmane, duke përparuar gjithnjë drejt Konstantinopojës. Në raportin e tij Udhëtim përtej Detit (Le Voyage d’Outremer de Bertrandon de la Broquière),1 ai shkruan edhe për shqiptarët dhe pjesmarrjen e tyre në luftën anti-osmane. I ndaluar në Nicodem, ku ishte kështjella e despotit serb Gjergj Brankoviçi, siç na informon dhe studjuesi Ch. Schenfer, De la Bronquière shkruan se “aty m’u tha se ushtria që Turku kishte përgatitur për të dërguar në Shqipëri ishte shpartalluar”,(Et me fu dist aussi que ceste armée que le Turc faisoit estoit pour aller en Albanie pour ce que les x qu’il y avoit envoyé, luy estant à Lesseres, avoient esté desconfis, ce disoit on…). Kronisti frëng shkruan gjithashtu në raportin e tij se “jam informuar se në ushtrinë e tyre, turqit kanë angazhuar me forcë shumë kristianë grekë, bullgarë, maqedonas, shqiptarë (Albanois), sllavë nga Rasha dhe Serbia, të depotit të Rashës dhe Vllakisë, të cilët, nëse shohin që vijnë këndej ushtritë kristiane dhe veçanërisht frankët e fuqishëm, pikërisht ata do t’i dëmtojnë më shumë turqit, të cilëve do t’u kthejnë krahët, meqë ata i mbajnë shumë të shtypur”, (Il y a aussi, comme j’ay dit par avant, beaucoup de Crestiens qui par force servent le Turc comme Grecz, Vulgares, Macedoniens, Albanois, Esclavons, Rasciens et de Servie subjectz au dispot de Rascie et Wallaques, lesquelz, comme il m’a esté dit, s’ilz veoyent les Crestiens et par especial les François en grant puissance contre le Turc, ce seroient ceulx qui luy porteroient plus de dommaige et luy tourneroient le dos, car il les tient en grant servitude…).
Me qëllim që të krijonte rreth vetes një aleancë kalorësish të sprovuar dhe me emër, në vitin 1454, duka Philippe-le-Bon krijoi urdhërin kalorsiak “Toison d’Or” (“Lëkura e Artë”) në vazhdën e urdhërave kalorësiak që formoheshin ato kohë nëpër Perëndim. Ky urdhër u krijua gjatë një banketi të jashtëzakonshëm në zotërimet e tij, në Lille, në veri të Francës së sotme, ku u organizua dhe festa e madhe që do të mbetej në histori si “festë e shekullit”. Rreth tij erdhën dhe u grumbulluan dukë e kontë të shquar si duka i Cleves, konti i Etampes, zotëria (Sire) i Ravenstein, biri i vetë dukës, konti i Charolais dhe të tjerë kalorës që vinin nga zotërimet e tij në Limbourg, Zelande, Lothier, Brabant, Frise, etj. Historiani francez Emmanuel Bourassin, në biografinë e tij mbi Philippe-le-Bon, e përshkruan gjatë këtë banket, i cilësuar “Banketi i fazanit”, i cili ishte gjithashtu dhe një spektakël i madh i ndeshjeve kalorsiake (tournois). Duka ishte gjithashtu dhe një mecen i madh, pasi ai mbante afër piktorët flamandë si Van Eyck, Van der Weyden apo Hans Memling. Skribë të shumtë shkrojtën «bëmat» e tij në libra lluksozë që mbetën në historinë e shkrimit. Atë ditë, një njeri gjigand solli një elefant mbi të cilin ishte vendosur një maket “fortese” dhe në këtë “fortesë”, dukej një grua në zi. Olivier de la Marche, me etiketën “Kisha”, i kërkon ndihmë dukës. Atëherë kreu i «Toison d’Or» afrohet duke mbajtur në dorë një fazan, i shoqëruar nga dy vajza dhe dy kalorës. Ai i kujton dukës traditën, sipas së cilës duhet paraqitur një shpend, një zog, pallua apo fazan, mbi të cilin do të thuhet dëshira. Duka i jep një pusullë përfaqësuesit të «Toison d’Or», i cili e lexon këtë dëshirë dhe premtim: «Eshtë dëshira e Philippe-le-Bon për të ndërmarrë kryqëzatën». «Kisha» e falenderon dhe gjigandi ikën bashkë me elefantin. Kalorësit ftohen atëherë të ndjekin shëmbullin e dukës, si ata që janë të pranishëm në banket, ashtu dhe fisniku d’Artois, de Hainaut dhe i Flandre-s. Duke marrë fjalën në këtë banket, Philippe-le-Bon u betua se “do të merrte Kryqin për mbrojtjen e fesë kristiane dhe për t’i rezistuar marshimit të të pabesëve të Turkut të Madh.” Në fakt, asnjë figurë tjetër në Perëndim nuk mund ta merrte rolin e një udhëheqësi, apo prijësi luftarak perëndimor. Frederiku III i Habsbourg-ëve s’kishte as fuqi, as paratë dhe as prestigjin e duhur; spanjollët ishin zënë me luftrat e tyre kundër “morëve”; arragonasit në Napoli dhe markezët italianë të Milanit, Ferrarres, Mantovës, etj, grindeshin dhe luftonin mes tyre për çështje territoresh; mbreti i Francës Charles VII, ishte atë kohë i zënë në luftrat kundra Anglisë, në një kohë që dhe vetë Anglia përgjakej nga luftrat e dy “trëndafilëve”, e “Trëndafilit të Bardhë” të York-ut dhe “Trëndafilit të Kuq” të Lancaster-it, (Lufta që shpërtheu midis partizanëve të dukës Richard të York-ut, të cilët si shenjë kishin një trëndafil të bardhë dhe partizanëve të Henri VI të Lancaster, që kishin shenjën e trëndafilit të kuq. Kjo luftë solli gati një million viktima.) Pra ndër personalitetet e vetme që shquheshin në skenën e asaj kohe ishin Philippe-le-Bon dhe Papa i Vatikanit. Historiani Bourassin shkruan se “Rezistenca në Ballkan, kundra turqve, mishërohej vetëm nga dy njerëz: nga Skënderbeu dhe Huniadi”. Madje, siç shkruan dhe Barleti në librin e tij Historia e Skënbderbeut, pas luftës së Dibrës dhe fitores së tij, Skënderbeu u ndihmua me një sasi të madhe parash nga «Papa i Romës, Vladislavi i Hungarisë dhe Duka i Burgonjës, të cilët të vënë në sedër i dërguan një sasi të madhe ari e arghëndi. Alfonsi veç parave, u shtoi dhe 300 mijë shinikë gruri dhe 100 shinikë elbi»…
Profesor Aurel Plasari, i referohet kronikës së Mathieu d’Escouchy, rreth ardhjes në Lille në vitin 1455, të gjashtë turqve të kapur robër, që “duka i Arbërisë i kishte zënë robër mes turqve dhe ia dërgonte dhuratë Dukës së Burgundi-it”, pra dukës së Bourgonjë-s. Madje ai na informon se një vit më vonë “në oborrin e Philippe-le-Bon regjistrohet të jetë ndodhur një nga ambasadorët më të besuar të Skënderbeut, Pal Gazulli (Paulus Gasulus). Kur më 18 korrik të atij viti, Skënderbeu do t’i shkruante Francesco Sforza-s për pritjen që i kishte bërë Pal Gazullit, e përmëndte këtë si “ambasadori ynë në kthim e sipër nga Burgundi – domini Pauli personam nostril tunc oratoris ad Illustrissimum Burgundie Ducem”. Fakti i dërgimit të gjashtë robërve turq (padyshim të rëndësishëm) në kampin e Dukës së Madh të Perëndimit është një fakt domethënës, çka tregon për marrëdhëniet e afërta të Skënderbeut me Dukën. Duka ka nevojë që të informohet drejtpërdrejtë për gjëndjen e ushtrisë së sulltanit, përbërjen, vendosjen e trupave, vëndet strategjike, etj. Papa Kaliksti (Calixte) III, caktoi një pikëtakim për kryqtarët e kryqëzatës në mars të vitit 1456, ku me forcat kristiane, pra dhe të Dukës së Madh, do të bashkoheshin dhe forcat e Skënderbeut. Në atë kohë në Shqipëri erdhën për të luftuar trupat e Alfonsit të Aragonës, por njëkohësisht, siç i referohet Aurel Plasari historianit Marinescu, ka ardhur në Arbëri dhe një mesazher i Dukës së Bourgonjë-s, Sire Montreali, për të luftuar gjatë një viti në Arbëri bashkë me 50 kalorësit e tij. “Duke përmëndur pikërisht këtë kalorës, në një letër të vetën, legati papnor Juan Carvajal shprehte besimin që “tanimë edhe më shumë kryqtarë të tjerë do të dynden për të luftuar në Arbëri”, “(Credendum est, quod propter moram nostrum hic in Guerra incipienda, quod maximus confluxus crucesignatorum in Albaniam concurrat. A. Plasari.) Papa Calixte i shkruante dukës së Bourgonjë-s, në maj të vitit 1459, se “Skënderbeu është si një mburojë e Zotit dhe e fesë katolike” (Acta Albaniae Vaticana). Në atë kohë, sulltani Mehmeti II kishte pushtuar Serbinë dhe i propozoi Skënderbeut një paqe tri vjeçare, që ta shkëpuste atë nga aleanca e Perëndimit. I lodhur nga luftrat e gjata, mendoi se kjo paqe ishte e vlefshme dhe i kërkoi Papës leje që ta nënshkruante këtë marrëveshje, por Papa nuk pranoi dhe Skënderbeu u zemërua, çka e tregoi dhe mes mosmarrjen pjesë në Kuvendin (Dietën) e Mantovës të udhëhequr nga Papa. Por shpejt papa vdiq dhe në vend të tij u zgjodh kardinali i Pavisë, Silvius Piccolomini, apo Piu II. Nisma e kryqëzatës u shty për më vonë. Tri vjet më vonë, siç pohohet dhe në hulumtimin e bërë nga historiani Olivier Schmitt të arkivit të dukës milanez Francesco Sforza, i cili kishte marrëdhënie të afërta me dukën e Bourgonjë-s, në nëntor të vitit 1461, “duka Philippe, përmes përfaqësuesit të tij pranë Kurisë, diskutoi me Papën për mundësinë e zbarkimit të trupave të tij në Peloponez e Arbëri, sepse në Arbëri janë territoret e Skënderbeut”. (Archivio Visconteo-Sforzesco – shih Historia e Skënderbeut, O. Schmitt.) Piu II, i cili në fillim të vitit 1463, njoftonte se “vëndi i Arbërisë është i fortë dhe se aty mund të zgjidheshin pozicione të sigurta”, pak kohë më vonë do të shtonte në letrat e tij se “Duka i Bourgonjë-s është betuar që do të hyjë në luftë lundër Turkut të Madh”. Ndërsa Philippe-le-Bon i përgjigjej: “Nëse një princ kristian vihet në krye të kryqëzatës, unë do të nisem”. Dhe “Duka i Madh” do ta mbante fjalën, veçse ai nuk do të nisej vetë, meqë e ndjente veten plak, por nisi bijtë e vet bastardë dhe kalorës të sprovuar.
Në librin e tij Historia e dukëve të Burgonjës, historiani Prosper Bruguière Barante, shkruan për angazhimin e Philippe-le-Bon në ndërmarrjen e një kryqëzate kundër ushtrisë osmane. Shumë nga kalorësit e “Toison d’Or” u nisën me anije nga Ecluse, me në krye birin e tij bastard, Antoine le Batard de Bourgogne, si dhe birin tjetër po bastard, Baudoin de Bourgogne, të cilët ishin në krye të një trupe prej 2000 ushtarësh. Më 1464-1465, të tjerë ishin nisur nga Saint-Jean. Ndër kalorësit e njohur të kësaj kohe ishin dhe Sire Simon de Lalaing, Sire de Bossut, Sire de Cohen, etj, të ndjekur nga turma të shumta njerëzish që i ndiqnin drejt Italisë për tu vënë pas flamurit të Papës dhe për të marshuar drejt Konstantinopojës. Papa e falenderoi Philippe-n që e kishte dërguar flotën e tij me të birin Antoine, por kryqëzata ndërkohë do të vonohej. Njerëzit e shumtë të ardhur nga veriu drejt Italisë prisnin me padurim dhe shumë nga ta filluan të vuajnë nga uria e sëmundjet. Antoine i shkroi me urgjencë të atit Philippe që t’i dërgonte para dhe se ushtria e tij po vuante urie. Shumë këshilltarë i kërkonin Philippe-it të tërhiqej nga kjo ndërmarrje, por gjëndja e vështirë nuk e tronditi aspak vendimin që ai kishte marrë. Papa i kishte kërkuar të nisej në luftë dhe ai i kishte nisur forcat e tij. Nderi dhe feja kristiane nuk ia lejonin që të kthehej mbrapsht, apo t’i bënte bisht kësaj ndeshjeje historike. Gati tri shekuj më vonë, duke shkruar rreth ngjarjeve të asaj kohe dhe heronjve më në zë të Evropës përballë perandorisë Otomane, Voltaire-i do të shkruante: “Duka i Burgonjës, Philippe le Bon ishte një princ i fuqishëm, por ai ishte plak për të kryesuar një Kryqëzatë. Princat italianë ishin në luftë me njëri tjetrin. Aragona dhe Kastija ende nuk ishin bashkuar dhe muslimanët mbanin të pushtuar një pjesë të Spanjës. Në Evropë kishte veçse dy princa që mund të sulmonin Mehmetin e II. Njëri ishte Huniadi, princi i Transilvanisë, por që ai vetëm mund të mbrohej, ndërsa tjetri ishte i famshmi Skënderbe, i cili mund ta përballonte atë në malet e Epirit…”
Tre vjet kishin kaluar me ngjarje tronditëse në Evropë. Përmes një qarkore, «bulle», Piu II proklamoi më së fundi në mënyrë solemne «Luftën e Shenjtë». Por ndërkohë, osmanët përparonin. Më 15 gusht të vitit 1464, Piu II mbërriti në Ankona për të nisur kryqëzatën, por nga lodhja e madhe ai vdiq. Kjo ngjarje bëri që Venediku dhe fuqitë e tjera të tërhiqeshin. Ideja e kryqëzatës mbaroi. Sidoqoftë, as “Duka i Madh” dhe as Skënderbeu nuk u takuan që të udhëhiqnin këtë kryqëzatë ashtu siç dhe ishte parashikuar. Që të dy këta prijësa të mëdhenj të Perëndimit, tek të cilët mbante sytë Evropa, vdiqën pothuaj në të njëjtën kohë, Duka, (ai kishte ndërkohë dhe titujt e tjerë si «Duc de Bourgogne, de Lotrich, de Brabant, de Lembourg et de Luxembourg, comte de Flandre, d’Artois et de Bourgogne, palatin de Hollande, de Zélande et de Namour, marquis de Sainct Empire, seigneur de Frise, de Salins et de Malines), rivali i mbretit të Francës, në mesin e vitit 1467 dhe Skënderbeu në 17 janar të vitit 1468. Pas vdekjes sê Skënderbeut dhe hutimit tê madh popullor e emigracionit tê madh, papa Paul II (Pali II), i kishte shkruar atë kohë dukës së Bourgogne-s, Philippe-le-Bon: «Qytetet që deri tashmë i kishin rezistuar furisë së turqve, më së fundi kanë rënë. Gjithë njerëzit që banojnë në brigjet e Adriatikut, po dridhen nga rreziku i afërt. Ngado shihet veç tmerr, zi, robëri dhe vdekje. Me lot në sy mund të shohësh anijet që nisen nga brigjet shqiptare, me refugjatët drejt porteve të Italisë, ato familje të mjera që të xhveshura, janë ulur në brigjet e detit, duke zgjatur duart drejt qiellit dhe duke mbushur atmosferën me vajet e tyre në një gjuhë që nuk e kemi dëgjuar”, (Annales Ecclesiast, 1468).
Pas pushtimit të Shqipërisë nga hordhitë osmane dhe largimit të shumë familjeve shqiptare, duke filluar nga biri i Skënderbeut dhe nëna e tij, Donika Kastrioti, shqiptarët e mbetur filluan të kërkojnë aleatë në luftën e tyre dhe shpresën që një ditë t’i detyronin osmanët që t’i braktisnin malet e tyre. Të tjerë fisnikë shqiptarë ishin shpërndarë në Pulje e Napoli, madje dhe gjer në Peloponez. Më 1478 komandanti venecian Leonardu Baldu dhe Francesco Cantarini nxituan drejt Arbërisë që të ndihmonin të rrethuarit e Krujës. Po kështu dhe 300 stratiotë ishin nisur nga Moréa me në krye Pjeter Bua Shpata. Por një vit më vonë, pas rënies së kështjellës heroike të Krujës ra dhe ajo e Shkodrës, të cilën na e ka lënë të shkruar Marin Barleti në veprën e tij Rrethimi i Shkodrës. Me rënien e kështjellës së fundit shqiptare, në gjithë Arbërinë ra një zi e madhe dhe e gjatë. Venediku e kuptoi se s’mund tu bënte më ballë osmanëve dhe nënshkroi një traktat paqeje me sulltan Mehmet II, (Më 25 shkurt të vitit 1479, senati i shkruante komandantit venedikas të kështjellës së Shkodrës Da Lezze, se duhej t’ua linte Shkodrën osmanëve.) Më 24 janar të vitit 1479, venedikasit e kishin lënë Negroponten (Eubea), Lemnosin dhe shumë zotërime të tjera në Greqi, të cilat ranë në duart e osmanëve. Po kështu dhe kështjella e Argos. Osmanët përparuan drejt Venedikut, deri në Friuli, i cili u shkatërrua nga ta. Vetëm Durrësi mbeti nën pushtetin dhe mbrojtjen e venedikasve. Një pjesë e familjes së Dukagjinajve u shpërngulën në Francë, në kohën kur mbreti francez Charles VIII kishte zbritur në Napoli me idenë se mund të nisej drejt Jeruzalemit. Pasi iu bashkuan ushtrisë franceze, ata e ndoqën mbretin në Francë, ku dhe u vendosën përfundimisht.
Sidoqoftë, emri i Skënderbeut, këtij heroi të madh të Evropës, do të hynte në historinë dhe kulturën e popujve të Evropës. Jacques de Lavardin, duke u bazuar në botimin e Marin Barletit shkroi në vitin 1575 veprën e tij Histoire de Georges Castriot, surnommé Scanderbeg, roy de l’Albanie: «Trupi i tij u varros në Lezhë (Lysse), në katedralen e Shën Nikollës, – shkruante de Lavardin. – Sipas zakonit të stërgjyshërve të tij, varrimi u bë me një ceremoni plot zi dhe dhimbje të pamatë nga kapidanët dhe ushtarët e princave fisnikë, aleatë të tij. Askush nuk e kish menduar se në Shqipëri, në ato vënde të krishtërimit, do të derdheshin aq shumë lotë. Kockat e tij të futura nën dhé, u prehen në paqe gjer ditën kur në Epir erdhi Muhameti i II-të. Katër vite më pas, turqit, të cilët pushtuan qytetin e Lezhës, kërkuan të etur trupin e Skënderbeut, duke shkulur nga skeleti kockat e tij. Kockat e atij njeriut, që dikur me t’i dëgjuar emrin merrnin arratinë, tani i rrëmbenin si diçka të shenjtë. Ata vërsuleshin drejt skeletit dhe i lumtur ish ai që i prekte e akoma më shumë ai që i varte ato si hajmali, pra si diçka prrallore…”
Ndërsa Pierre Ronsard, poeti i madh, në kujtim të mikut të tij Lavardin, shkroi pemën Sonet për Skënderbeun që është ndoshta nga sonetët e fundit të tij për kalorësit legjendarë:

“O epirot i madh! O trimi shqiptar!
që dora tënde i theu turqit njëzet e dy herë
ti ishe tmerri i kampit dhe mburojave të tyre
megjithatë ti do vdisje i përpirë nga Fati …
Nëse puna e mënçur e të urtit Lavardin
s’do ta mposhtëte vdekjen tënde e të bënte të rijetonin betejat…»

Pas botimit të një libri për Skënderbeun nga R. P. Duponcet, Scanderbeg, Roy d’Albanie, më 27 tetor të vitit 1735, përpara mbretit Louis XV, gjykatësit të parë të një vepre muzikore në atë kohë, Akademia Mbretërore e Muzikës shfaqte operan tragjike me pesë akte të titulluar Scanderbeg, të kompozuar nga kompozitorët François Rebel dhe François Francoeur, kompozitor i Muzikës së Dhomës së Madhërisë së tij. Shfaqja Skënderbeu u dha tridhjetetre herë rradhazi përpara mbretit dhe aristokracisë franceze dhe më pas ajo u shfaq edhe në Choisy apo në Fontenbleau, ku rrinte mbreti në kështjellën e famshme të Fontenbleau-së. Për një kohë të gjatë figura e Skënderbeut mbeti në kujtesën e Francës dhe të Evropës. Në fundin e shekullit XVI, ishte Paul Ardier, një ministër i mbretit Henri IV, i cili ndërmori krijimin e «Galerisë së Portreteve» në kështjellën Bauregard në krahinën e Loire-s, ku në një sallon të madh janë pikturuar portretet e heronjve evropianë më në zë të Mesjetës, nga Philippe de Valois e deri tek Louis XIII, (1328 – 1643), ku pranë Konstandinit, perandorit të fundit të Konstantinopojës, është pikturuar portreti i Skënderbeut, “George Castriote, dit Scanderbeg” dhe pranë tij, Huniadi, “governator de Hongrie”, siç shkruhet poshtë portretit të tij, si dhe një sërë princash të Anjou-së. Interesant është dhe fakti se përse në emblemën e një prej personaliteteve më të fuqishme shqiptare të epokës së Skënderbeut, Pal Engjëlli, i konsideruar Duka i Drishtit (Drivasto), ishin elementë që u përkisnin frankëve, siç ishte një mburojë, ku në qëndër të saj kishte një luan me ecje krenare në këmbë, dy kuaj fluturues si dhe një kordon ku shkruhej në frëngjisht: «La vertu est la seule noblesse» (Virtuti është fisnikëria e vetme). Kushdo mund të pyesë se përse kjo lidhje me frankët? Dhe përgjigja është e qartë: për Pal Engjëllin, aleatin kryesor të Skënderbeut, i cili më pas u detyrua të marrë udhët e mërgimit, aleanca me frankët perëndimorë ishte e vetmja shpresë e Shqipërisë përballë furisë otomane.

No comments: