Saturday, August 7, 2010

E bija e ish kryeredaktorit të "ZP"-së.

E bija e ish kryeredaktorit të "ZP"-së, Dashnor Mamaqi tregon jetën e saj nga Tirana, në internim, në Selenicë. Nga revista "YLLI", në sektorin e Selenicës, të fermës së Llakatundit

E çuditshme sesi jeta merr tatëpjetën. Ndërsa je mire e bukur,sa hape mbyll sytë, e gjen veten në internim. Për më tepër, të kuptosh se ke njohur vetëm fasadën e jetës, ku realiteti përtej Bllokut fliste gjuhën e skamjes dhe mjerimit. Por ja që për ironi të fatit, mund të tokesh me të këtilla ‘surpriza’, të cilat Partia kujdesej mos mungonin, si shumë absurditete të asaj kohe. Andaj edhe fati i Kozeta Mamaqit, bijës së Dashnor Mamaqit, kryeredaktorit të gazetës “Zëri i Popullit” e Sekretarit të Partisë së Tiranës, që befas u bë ‘armik’, nuk kishte si mos kalonte në sitën e regjimit. Megjithatë, para se të vinin ‘ditët e zeza’ të internimit, jetesa e Kozetes, që ndoqi kursin e gazetarisë, kishte qenë mes gjithë të mirave, aspak e denjë për qasje me Kozetën, personazhin e Hygoit. Ndoshta, ngjashmëritë do të vinin vite më vonë, pikërisht atëherë kur nuk ta priste mendja. Një vegjëli e mbushur me lodrat dhe kuriozitete fëminore. Më tej një adoleshencë pa andralla. E ka të lehtë të flasë mbi ato vite, por edhe degdisja në Selenicë të Vlorës dhe divorci nuk ia ndërprenë humorin edhe atëherë, kur nuk kishe për çfarë të qeshje. Përpos vuajtjeve te shumta, ajo pohon se e gjeti forcën për të ecur me kokën lart. Gazetare, më tej ‘lopatologe’, mesuese për një vit dhe përsëri gazetare, Kozeta shprehet se i ka shijuar të tri profesionet. Madje lidhjen e saj me lopatën, e përkufizon me dashuri, si i vetmi mjet që ia lehtësoi ekzistencën. Përtej peripecive, e bija e Dashnor Mamaqit, rrëfen gjerë e gjatë për raportin e ngushtë me të atin, bisedat që ndante me të, në letërkëmbimet nga koha e Moskës, deri tek qelitë e ftohta të burgut...
Thonë se fëmijëria është një nga periudhat më të rëndësishme të jetës dhe ndikon në veçanti në formimin e karakterit të njeriut, ju çfarë mbani mend prej saj?
Ka qenë një kohë, kur lejoheshin festimet fetare. Shkonin në kishë për të parë pagëzoheshin ato vajzat me fustane të gjatë deri në fund të këmbëve. Më pas puthnin gjithë ato ikonat, na dukej sikur kushedi se ku kishim shkuar. Ndërsa, në xhami vetëm sa ngatërronim këpucët. Edhe pse mundësitë tona ishin të pakta, ka qenë një fëmijëri e mbushur me lojëra. Megjithatë merresha dhe me aktivitete të ndryshme si piano, recitime dhe sporte të ndryshme, pa e ditur se këto aktivitete do të më kalitnin për vitet e vështira që do të vinin më vonë. E vogël kam studiuar piano, në Shtëpinë e Pionierëve, me znj. Baçe, e cila ishte nje grua shume e bukur. Ndryshonte nga gratë e tjera. Sa herë kishim pushim, ajo nxirrte një pasqyrë dhe lyhej, gjë që asokohe ishte e rrallë. E kam ende nëpër mend modelin e saj aq modern për kohën.
Si kanë qenë raportet me babain tuaj, Dashnor Mamaqin përgjatë këtyre viteve?
Deri në moshën 6-vjeç, raport më të afërt kam pasur me gjyshen, pasi babai atë kohë shkoi me studime në Rusi. E ndieja shumë mungesën e tij. Ai komunikonte nëpërmjet letrave, ku shkruheshin radhë veçanërisht për secilin nga ne fëmijët, zakon që e ruajti edhe kur u fut në burg. E kam pasur idhull, pasi e shihja gjithnjë me librin në dorë. Ai ishte serioz, ndryshe nga mamaja, e cila ka pasur një natyrë të qeshur e të gëzuar.
Ai ua ushqeu dashurinë karshi librit?
Babai dëshironte që ne të lexonim dhe të kishim kulturë. Ai kishte një bibliotekë shumë të madhe, pasi sa herë vinte nga Rusia sillte më shumë libra pa fund, sesa të mira materiale. Megjithatë edhe ai këtë kulturë e kishte të trashëguar nga i ati,
i cili ka 5 libra ne Biblioteken Kombetare, madje shkonte kudo nëpër Shqipëri dhe i shpërndante ato. Për të ka shkruar gazeta “Drita” e asaj kohe, por unë s’e kam njohur, pasi vdiq në moshë të re. Ajo që më ka bërë përshtypje tek këto botime ishte ndjeshmëria. Në fund të librave shkruhej emri i cilitdo që kish kontribuar me fr. ari. Përkushtimi në krye të tyre i behej mbretit, Ahmet Zogut. Gjyshi kishte patur edhe një kafe me emrin e Omar Kahjamit, ku mblidheshin burrat e Përmetit dhe diskutonin mes tyre. Babai ka botuar një vëllim me tregime, më pas u mor me politikë. Më vonë, isha unë që ndoqa traditën e të shkruarit.
Babai juaj ka punuar si kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”, e më pas Sekretar Partie në Tiranë, vite kur u shtuan ndjeshëm të mirat materiale. Si ishte jeta në ish-Bllok?
Jeta në Bllok, sipas meje ishte e njëjta që bëhej edhe përtej tij. Nuk kishin shumë ndryshime nga njerëzit e tjerë. Deri diku ngjasonin në stilin e jetesës. Ishte tjetër gjë tek Anëtarët e Byrosë Politike. Ne nuk kishim konditat siç i kishin ata, megjithate ishte nje dyqan i veçantë, ku mund të bliheshin ushqime apo gjëra industriale. Ndryshe nga njerëzit e zakonshëm, kishim një punonjëse shtëpie. Por gjyshja dhe mamaja ime nuk është se rrinin duarkryq. Ato punonin gjithë ditën, duke më dhënë një shembull të mirë.
Ndiheshit e privilegjuar në krahasim me shoqet tuaja?
Jo, pasi shoqet e mia në shkollë ishin njësoj, hanin bukë me gjalpë me djathë, ashtu sikurse unë dhe bënin çdo gjë që bëja unë. I vetmi vend që ndihej diferenca e jetesës, ishte plazhi. Por edhe aty dilja jashtë bllokut hermetik, për t’u argëtuar me shoqërinë time. Në plazh ndihej diferenca sepse kishe në dispozicion një marinar që të mësonte notin, një doktoreshë që maste temperaturën e ujit, nëse uji ishte i ftohtë nuk të linin të futeshe. Kishim mësuese baleti, kinema për fëmijë paradite dhe një orar për të rritur, ku shkonim fshehurazi. Aty ndihej, ndërsa në Tiranë nuk i kam ndjerë privilegjet. Nuk bëja asgjë më pak, ose më shumë se të tjerët.
Thatë që babain e keni pasur model. Si vijoi marrëdhënia juaj me kalimin e viteve? Ishte autoritar?
Jo, përkundrazi ishte shumë i qetë dhe i ëmbël. Më thërriste me përkëdheli ‘puçi i babit’. Më vonë të tërë më thërrisnin Kozi, ai Xeti. Kur vinte puna për të më mbushur mendjen për të ardhmen time, paraqiste një mijë argumente. Për zgjedhjen e shkollës së lartë dhe më tej jam konsultuar me të, pasi po të ishte për mua do të kisha zgjedhur mjekësinë. Ishte ai që më shtyu të studioja gjuhë-letërsi. Më pas mbarova dhe kursin dy-vjeçar për Gazetari.
A konsultohej me ju për problemet e punës?
Nuk i sillte kurrë problemet e punës, përveçse njëherë, më zgjodhi mua për t’u rrëfyer, mbi një libër të Bilal Xhaferrit. Ishte shumë i prekur. Më tregoi se një djalë i ri i kishte dhënë një libër për Skënderbeun, libër që sipas tij ishte një ndër më të bukurit që kishte lexuar. Me sytë e përhumbur, gjatë rrëfimit vijoi të më thoshte se djali kishte vullnet të hekurt, shtronte rrugët dhe kur mundej të merrte ndonjë ditë leje, shkonte vend më vend për të mbledhur gojëdhëna, materiale rreth Skënderbeut. I mbeti peng, pasi e parashikonte që ai libër nuk do të botohej kurrë. Dhe ashtu ndodhi. Keqardhja e babait ishte aq e madhe, sa nuk iu shqitën nga kujtesa për shumë vite thonjtë e tij të zinj nga sera e asfaltit. Ishte hera e parë dhe e fundit që mu rrëfye çiltërsisht. Më pas jeta jonë mori tatëpjetën.
Si u zbulua realiteti i përtej bllokut për ju?
Kisha disa vjet që punoja gazetare dhe kisha udhëtuar në vende të ndryshme. Por vetëm, kur u internova e kuptova se gjithë ajo që njihja dhe aq sa kisha parë, kishte qenë fasadë, pasi varfëria qe e skajshme. Nuk mundesha ta kuptoja nga kronikat e asaj kohe që paracaktoheshin nga Komiteti i Partisë. Atë kohë botova dhe vëllimin tim me tregime e skica, kuptohet brenda kornizave të realizmit socialist, pasi indoktrinimi ishte i jashtëzakonshëm. Nuk e kisha njohur jetën dhe vetëm duke e prekur nga afër e kuptova realitetin.
Si i kujtoni çastet kur morët lajmin, se familja juaj ishte shpallur “armike e popullit”?
Ndërkohë që babain tim e kishin arrestuar në burg, erdhi një lajmërim që duhet të paraqitesha në këshillin e lagjes. Aty u shkëmbeva me shokun e babait, gazetarin Jusuf Alibali. Ai më mbylli sytë, më dha të kuptoja që mori fund çdo gjë. Kur shkova me thanë se nesër do të largohesha nga Tirana. Asokohe i kisha të dy fëmijët. Më morën ditën me një kamion të madh, lagjja ngarkoi plaçkat. Më pas shumë nga plaçkat i sekuestruan, në Selenicë. Mbaj mend se bëra nja dy dredhi për të shpëtuar bibliotekën. Mumrin e librave që duhej të sekuestronin e mbusha me libra didaktikë, ndërsa librat e rëndësishëm i shpëtova.
Ku ju çoi ai kamion?
Pasi na bënë një xhiro nëpër Tiranë, për të parë populli “armiqtë”, na mbuluan kamionin, pa e ditur se ku do të shkonim. Madje mbaj mend se atë ditë, djali i vogël ka qenë me temperaturë 39 e gjysmë, mezi ma morën në kabinë brenda. Ndërsa, unë me djalin e madh ishim ulur mbi tendën e kamionit dhe as 40 pont larg meje ishte një polic me automatik. Na ndaluan para shtëpisë, ku prisnin gjyshja, mamaja, vëllai dhe motra. Ata kishin mbërritur pak muaj para meje dhe ishin sistemuar në shtëpinë që na kishin caktuar. Aty mora vesh që gjendesha në Selenicë të Vlorës. Ishim momente tejet të vështira, por të paktën kisha familjen pranë. Mbaj mend se nuk kishte vend ku të lije plaçkat. Një pjesë i shitëm për të mbijetuar, të tjerat u kalbën në oborr.
Pas një jete me të gjitha të mirat, si e përballuat degdisjen tuaj në Selenicë? Sa e vështirë ishte të pranonit se tanimë gjithë privilegjet nuk ishin veçse pjesë e së kaluarës?
Fillimisht, gati nuk më besohej. Mbaja shpresa aq të mëdha, sa më dukej internimi ynë dhe burgimi i babait i padrejtë. Nuk isha ende e kthjellët për atë çka më kishte ngjarë. Nuk filloja punën ngase më kishin mohuar të drejtën e profesionit. Kur u mbaruan gjithë përpjekjet dhe ëndrrat e mia me sy hapur, pas një muaji u ktheva ‘me këmbë në tokë’, fillova punë ku më çuan. Nuk kisha rrugë tjetër, veçse të përshtatesha. Dhe ashtu bëra.
Me se u morët?
Më dhanë lopatën, belin e kazmën. Ne të deklasuarve na mbeteshin punët më të rënda në bujqësi. Ditën e parë në punë shkova me një palë këpucë me porosi me qafa leshi, që më ngelën në baltë. Ditën tjetër vesha çizmet e llastikut pulla-pulla, teksa këmbët e mia përditë rrinin të fishkura nga lagështia. Për të mos folur për pantallonat me arna, për të cilat mamaja ime ishte bërë specialiste. Ishin vite të gjatë e tejet të vështirë, por arrita të rezistoja falë forcës e shpresës. Sot pyes veten se ku e kam gjetur atë forcë. Megjithëse më janë shfaqur shumë sëmundje, sërish nuk ndjehem e dobët. Megjithatë, ka pasur momente që i kujtoj me nostalgji edhe mes gjithë atyre rraskapitjeve dhe apelit të detyrueshëm. Ose më mirë, arrija të isha optimiste dhe aty ku nuk kishte vend. Shkoja e para në punë dhe bëja normën çdo dite. Për më tepër u specializova si ‘lopatologe’. Aq shumë u dashurova pas lopatës sime, sa edhe kur mbaronim punën nuk e fshihja si punëtorët e tjerë nëpër parcela, por e mbaja gjithnjë mbi supe. Ai mjet pune, në dukje aq i thjeshtë, ma bëri ekzistencën më të lehtë.
Po vendasit si silleshin karshi jush?
Në fillim ishin të egër. Të ngacmonin pasi ishim ndryshe nga ata, të mbytur deri në fyt nga varfëria, padituria. Na paragjykonin në çdo detaj, për më tepër unë dhe familja sado të rënë moralisht, vinim nga një tjetër mentalitet, nga kryeqyteti, mes gjithë të mirave. Pikërisht kjo nuk shihej mirë prej tyre. Por kur morëm edhe ne hijen e tyre, me pantallona gjithë arna dhe hanin fasule si ta, atëherë sikur na harruan. Deshën, s’deshën u afruan edhe ata me ‘armiqtë’, por kuptohet me rezerva. Më kujtohet që një mëngjes na kishte mbaruar buka në shtëpi dhe nuk kisha për të marrë me vete në punë. U nisa te mensa e punëtorëve të minierës, ku para meje prisnin njerëz të tjerë. Kur më erdhi radha, shitësi më tha se buka kishte mbaruar, megjithëse kishte akoma.
Cili ishte momenti më i vështirë që kujtoni në ato vite internimi?
Përveçse u internova, partia i dha urdhër tim shoqi të divorcohej nga unë. Në fund të fundit kushdo në vend të tij do të kishte vepruar njësoj. Por kjo nuk ishte gjëma më e madhe, ajo erdhi më pas. Kam bërë gjashtë seanca gjyqësore, për ndarjen e fëmijëve. Në fillim m’i dhanë dy djemtë, më pas vendimi i Gjykatës së Vlorën, vendosi që ata të jetonin me të atin. Momenti më i keq në jetën time, ishte kur erdhën t’i merrnin me forca djemtë, ndërsa mua më kishte rënë të fiktë. I vetmi rast kur e gjithë Selenica derdhi lot në shtëpitë e tyre. Kjo ishte pjesa më e vështirë, t’i marrësh nënës fëmijën. Po ja që edhe ndarjet i vendoste Partia. Më vonë mora vesh se ish-bashkëshorti im kishte qarë publikisht, pasi kishte kërkuar divorcin dhe fitoi kujdestarinë e fëmijëve.
Po me babain në burg mbanit kontakte? A kishte rënë moralisht, e shprehte në radhët që ju shkruante?
Ai ndenji dy vjet në hetuesi, në duart e hetuesit më famëkeq, por edhe pas torturave nuk firmosi akuzën që i kishin ngarkuar. U dënua për miqësi me Beqir Ballukun dhe grupin e tij. E futën te “Grupi i Kulturës”, edhe pse nuk kishte asfare lidhje. Dy herë në muaj na shkruante letra, ku gjithnjë theksonte se nuk kishte bërë asnjë faj. “Mbajeni kokën lart”, shkruante gjithnjë, pa e vrarë mendjen se ato letra kontrolloheshin. Edhe në takime i përsëriste këto këshilla. Nuk shkonte më tej, por na pohonte se nuk e kishte prekur një qime partinë. Megjithatë, edhe kjo protestë e tij, me kalimin e kohës u zbeh, bisedat u fokusuan tek familja. I ruaj të gjitha letrat.
Sa vjet qëndruat në internim?
Plot 11 vite. Kam shkuar 29-vjeç dhe u largova pas të 40-ve. Aty më ikën vitet më të bukura të jetës.
Pas Selenicës ku jetuat?
U afrova në Shijak, ku punova në rrobaqepësi nga viti 1987 gjer më 1990. Më pas munda të marr të drejtën e profesionit dhe punova për një vit mësuese gjuhë-letërsie në Luzin e Vogël. Është një ndër vitet më të nostalgjik të jetës sime. Edhe pse ngrihesha që në orën 4 të mëngjesit për të kapur autobusin e vetëm, isha e lumtur. Me nxënësit kam qenë gjithnjë e butë dhe e dashur, por edhe një pjesë e tyre më kujton ende. Kur punoja në shkollë më erdhi lajmi se kishin shkruar mbi babain tim tek “ZP”, duke ia rehabilituar disi figurën. Ishte shoku im i fakultetit , Spiro Dede, i cili dikur kishte qenë gazetar te “Z.P.” dhe e pat njohur nga afër babain tim, ai që e kishte shkruar atë shkrim. Ka qenë një nga ditët më prekëse, ku e gjithë jeta më kaloi para syve, aq sa humba autobusin dhe konceptin e kohës. Kam kaluar keq, por kudo që rashë nuk u shtriva, por jetova jetën ashtu si më erdhi.

No comments: