Wednesday, August 11, 2010

Shqipëria, triumf modest kundër Uzbekistanit

Vendosi i zakonshmi Hamdi Salihi, goli i tretë radhazi për bomberin shkodran. Trajneri Kuzhe thelloi rekordin personal me shtatë miqësore pa humbje

Shqipëria, triumf modest kundër Uzbekistanit
Shqipëria fitoi 1-0 kundër Uzbekistanit në “Niko Dovana të Durrësit”, duke e zgjatur në katër serinë e fitoreve rresht dhe në nëntë ndeshje pa e ndjerë shijen e hidhur të humbjes, një rekord prej 25 muajsh, ku janë regjistruar gjashtë fitore dhe tre barazime (i fundit me Estoninë në Talin).

Trajneri Kuzhe thelloi rekordin personal me shtatë miqësore pa humbje.

Fitorja ndaj aziatikëve të Uzbekistani ishte e katërta rresht brenda vitit 2010, e që zgjidhet sërish me një gol, ashtu si kundër Irlandës së Veriut, Malit të Zi dhe Andorrës.

Fitorja ishte fryt i një goli të realizuar thjesht e pastër nga i zakonshmi Hamdi Salihi në minutën e 14-të (asist i mrekullueshëm i Ansi Agollit, pas pasimit të Ervin Bulkut).

Për sulmuesin e Rapidit të Vjenës ky ishte goli i tretë rresht në tri ndeshjet e fundit miqësore të Kombëtares dhe i pesti i tij me përfaqësuesen.

Në minutën e 27-të uzbekistanasit ekzekutuan rrezikshëm një goditje të lirë, por veterani Arjan Beqaj reflektoi shpejt duke e grushtuar me siguri sferën.

Pas gjashtë minutash, në të 33’, Erjon Bogdani e zotëroi mjaft bukur topin brenda zonës së vogël, sulmuesi i ri i Cezenës u rrotullua duke goditur me të majtën, por portieri uzbekistanas Nestorov u tregua i vëmendshëm, duke shmangur golin e dytë të Kombëtares sonë.

Ansi Agolli ndërmori një vertikale në minutën e 36-të, mesfushori i Karabakut në Azerbajxhan i dha një pasim të saktë Erjon Bogdanit, i cili gjuajti shpejt, por uzbekët e devijuan në goditje këndi.

Pas vetëm dy minutash, Salihi kombinoi saktë me Klodian Duro, ky i fundit me Agollin, i cili nga e majta e sulmit tonë ftoi Salihin para portës, por sulmuesi goditi jashtë kuadratit.

Minuta e 40-të ishte Bogdani, i cili goditi me kokë, por gjuajtja e tij edhe pse shumë afër zonës, ishte e lehtë dhe pa problem për portierin Nestorov.

Një minutë më pas Bogdani fitoi një goditje këndi, ndërkohë që në të 42’, Salihi goditi rrezikshëm me kokë, por pa rezultat.

Një mori e pafund rastesh për Shqipërinë, që deri në këtë minutë, mund të kishte shënuar më shumë se pesë gola.

Pjesa e dytë nisi më të njëjtin vrull të kuqezinjve, të mbështetur nga rreth 5 mijë tifozë në “Niko Dovana”, në një ngjarje të dyfishtë historike për impiantin durrsak: ndeshje e parë ndërmkombëtare e Kombëtares dhe ndeshja e parë nën dritat e prozhektorëve.


Në minutën e 55-të, trajneri kroat Josip Kuzhe hodhi në fushë mbrojtësin Andi Lila në vend të fantazistit Klodian Duro dhe anësroin Jahmir Hyka në vend të mbrojtësit Kristi Vangjeli.

Pas vetëm gjashtëdhjetë sekondash, Hyka ndërmoi një vertikalizim tipik të tij, duke iu afruar zonës së rreptësisë, por duke u ndalur aty.

Kuzhe në 59’ hodhi në fushë mesfushorin Dorian Bylykbashi në vend të sulmuesit Erjon Bogdani, i cili nuk shënon qysh nga miqësorja e fituar me Qipron 6-1, në gusht të vitit të kaluar.

Anësori i Dinamos, Elis Bakaj (62’), u hodh në fushë në vend të Ervin Bulkut (ende pa ekip), duke qenë kështu zëvendësimi i katërt për Kombëtaren tonë.

Seria e zëvendësimeve vazhdoi me Edmond Kapllanin (66’), sulmuesin durrsak të Augsburgut në Bundesliga 2, pikërisht në vendin e Hamdi Salihit, i larguar i shoqëruar nga duartrokitje të fuqishme.

Kuzhe u tregua një “gjeopolitikan”, duke hedhur në fushë durrsakun Emiljano Vilën në vendin e shokut të tij të skuadrës te Dinamo, Gjergji Muzakës.

Në minutën e 73-të ishte Kapllani protagonist i një rasti të bukur, teksa sulmuesi shmangu një mbrojtës uzbek, por goditja e tij brenda zonës u neutralizua pa problem nga portieri Nestorov i Uzbekistanit.

Në të 80’, një veprim spektakolar i Jahmir Hykës nga mesi i fushës, mesfushori i Mainc 05 shmangu dy kundërshtarë, por shpërthimi i ish-lojtarit të Tiranës u mbyll pa sukses.

Në të 82’, Elis Bakaj improvizoi brenda zonës së rreptësisë një pjesë nga repertori i tij, por goditja fine e mesfushorit të Dinamos pushoi mbi rrjetën e sipërme.

Edhe rasti i fundit i përket Elis Bakajt (92’), i cili goditi fuqishëm nga jashtë zonës, por portieri uzbekas e grushtoi topin, duke e devijuar topin në goditje këndi.

Testi kundër Uzbekistanit u dha fund përgatitjeve të gjata të Shqipërisë përpara se ajo të nisë fushatën e vështirë kualifikuese të Euro 2012-s, ku kuqezinjtë bëjnë pjesë në grupin D së bashku edhe me Francën, Rumaninë, Bosnjë-Herzegovinën, Bjellorusinë dhe Luksemburgun modest.


Shqipëri-Uzbekistan 1-0
Shënues: Hamdi Salihi 14’

E mërkurë, 11 gusht 2010
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës
Gjyqtar: Radonoviç (Mali i Zi)


NËNTË NDESHJE PA HUMBUR
Shqipëria nuk humbet prej nëntë ndeshjesh, qysh kur humbi me Poloninë 1-0 në Reutlingen të Gjermanisë nën drejtimin e holandezit Ari Han, më 27 maj 2008. Një serial i gjatë suksesesh dhe një rekord pathyeshmërie prej 25 muajsh.


SHTATË MIQËSORET E KUZHESË
Për trajnerin kroat të përfaqësueses miqësorja kundër Uzbekistanit ishte ndeshja e shtatë miqësore, ku ka koleksionuar 5 fitore (Qipro, Irlanda e Veriut, Mali i Zi, Andorra dhe Uzbekistani) dhe 2 barazime (Gjeorgji, Estoni).

MIQËSORET ME KUZHENË

Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1
Estoni-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Irlandë e Veriut 1-0
Mali i Zi-Shqipëri 0-1
Shqipëri-Andorrë 1-0
Shqipëri-Uzbeksitan 1-0

Miqësore jo zyrtare
Kosovë-Shqipëri 2-3

DHJETË MIQËSORET E FUNDIT

27.05.2008, Reutlingen
Poloni-Shqipëri 1-0
Trajner: Ari Han

20.08.2008
Shqipëri-Lihtenshtejn 2-0
Trajner: Ari Han

19.11.2008, Baku
Azerbajxhan-Shqipëri 1-1
Trajner: Ari Han

10.06.2009, Tiranë
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Trajner: Josip Kuzhe

12.08.2009, Tiranë
Shqipëri-Qipro 6-1
Trajner: Josip Kuzhe

14.11.2009, Talin
Estoni-Shqipëri 0-0
Trajner: Josip Kuzhe

03.03.2010, Tiranë
Shqipëri-Irlanda e Veriut 1-0
Trajner: Josip Kuzhe

25.05.2010, Podgoricë
Mali i Zi-Shqipëri 0-1
Trajner: Josip Kuzhe

02.06.2010, Tiranë
Shqipëri-Andorrë 1-0
Trajner: Josip Kuzhe

11.08.2010
Shqipëri-Uzbekistan 1-0
Trajner: Josip Kuzhe

E Merkure, 11 Gusht 2010

No comments: